Pretendimet boshe, shpifjet dhe fabrikimi i gënjeshtrave

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Uluhije” dhe “Rububije” janë dy cilësi absolute të përsosmërisë të cilat ekskluzivisht i takojnë fuqisë së Allahut, i Cili ka mundësi për çdo gjë:

– Në krijim;

– Në furnizim;

– Në begati;

– Në precizitet;

 -Në gjykim dhe ligjësim.

 Është e palogjikshme që këto dy atribute t’i atribuohen ndonjë njeriu, sepse është e pamundur që njeriu t’i posedoj këto cilësi sepse njeriu është i përkufizuar, i mangët dhe jo i plotë.

Ai i cili i meriton këto cilësi të posaçme është Allahu i Madhërishëm, i Cili krijon dhe përcakton, përcakton dhe udhëzon. Të Tij janë të gjitha çka ka në qiej dhe në tokë, mbretërit, njerëzit dhe robërit. Fuqisë së Tij i nënshtrohet çdo gjë. Ka krijuar qiejt dhe tokën pa mostër paraprake, pa ndihmën e askujt. Nëse dëshiron diçka, e krijon menjëherë pa qenë i penguar apo i refuzuar.

Kush e ka këtë mundësi nuk ka nevojë për babë e as për fëmijë. Nuk i përngjan asgjë prej krijesave të Tij. Si ai nuk është askush. Ai Dëgjon, Sheh. Nuk ka diçka si Ai. Ai është Allahu, i Vetmi. Nuk ka lindur askënd, nuk është i lindur dhe nuk i përngjanë asgjë.

Këtë e pranon logjika e njeriut, thjesht është e logjikshme. Po si mund ta pranojë logjika që Zoti të merr fëmijë nga krijesat e Tij kur Ai është Krijuesi i krijesave, i Cili cilësohet se nuk ka asnjë të metë. Ai është Furnizuesi i të mirave, me furnizim të begative të mëdha dhe të vogla edhe nëse i keqpërdorin begatitë e tij dhe e mohojnë.

Transmeton Buhari nga Ebi Musa el-Eshariu r.a. nga pejgamberi a.s. se ka thënë:

“Nuk ka asnjë i cili është më durimtar se Allahu që të ketë dëgjuar ofendime. Ata i përshkruajnë fëmijë dhe adhurojnë idhuj në vend të Tij, ndërsa Ai (Allahu) me gjithë këtë i falë dhe i furnizon.”

Për këtë arsye, ata njerëz të cilët i përshkruajnë Zotit fëmijë, bëjnë mëkat të madh. Kjo, kur është vetëm mendimi i brendshëm i tyre, përpos kësaj jehudët:

– Kanë kërkuar që Allahu të ju flet drejtpërdrejt ashtu siç flet me melekët dhe Musain a.s. Këtë e kanë bërë për shkak të arrogancës dhe kryeneçësisë së tyre.

– Kanë kërkuar materie të prekshme (sensitive) sepse kanë dashur t’u shmangen ajeteve të qarta të Kur’anit.

Ata kanë shpif për Allahun dhe kanë fabrikuar gënjeshtra. Allahu është i pastër ndaj botëkuptimeve dhe kërkesave të tyre. Ai i sqaron në mënyrën më të bukur dhe më të plotë, mirëpo nuk i kuptojnë përpos atyre që kanë logjikë të drejtë.

Allahu i Madhërishëm u është kundërpërgjigjur pretendimeve boshe dhe shpifjeve imagjinare.

Allahu i Lartësuar thotë:

Ajetet 116-119:

Ata (ithtarët e librit) thanë: “Allahu ka fëmijë” I pastër është Ai nga kjo e metë! E Tij është gjithçka në qiej e në tokë, gjithçka i është nënshtruar Atij. (116) Ai është shpikës i qiejve e i tokës (pa kurrfarë modeli të mëparshëm) e kur dëshiron diçka, ai vetëm i thotë: “Bëhu!” në atë moment bëhet. (117) E ata që nuk dinë (kurejshitët politeistë) thanë: “Përse të mos na flasë neve Allahu, ose të na vijë ndonjë argument!” po kështu, thëniet e tyre në mënyrë të njëjtë i patën përsëritur edhe ata që ishin para tyre. Të njëjta janë zemrat e tyre. Ne tanimë sqaruam argumentet për një popull që dëshiron të bindet. (118) Ne të dërguam ty (o Muhamed a.s.) me të Vërtetën (Islamin), përgëzues dhe nedhir (tërheqvërejtës, qortues, paralajmërues), e ti nuk je përgjegjës për banuesit e Xhehenemit. (119)

Shkaku i zbritjes së ajeteve

Këto ajete kanë zbritur kur jehudët kanë thënë “Uzejri është djalë i Allahut”.

Në anën tjetër krishterët e Nexhranit kanë thënë “Mesihu (Isa) është djalë i Zotit”.

Idhujtarët arab kanë thënë “Melekët janë bija të Zotit”.

E lus Zotin që t’i udhëzojë të gjithë njerëzit dhe të udhëzohen në atë që është e mirë për ta dhe shpëtim për ta.

Pastaj, Allahu ka zbritur ajetet të cilat tregojnë për anëtarët e anijes (varkës) të cilët kanë shkuar me Xhafer bin Ebi Talibin nga Abisinia (Etiopia). Kanë qenë 40 anëtarë të bordit të anijes. Anëtarët kanë qenë nga Etiopia dhe nga Siria:

Ajetet 120 dhe 121:

As jehudët, e as krishterët kurrë nuk do të jenë të kënaqur me ty derisa të pasosh fenë e tyre. Thuaju: “Udhëzimi i Allahut është udhëzim i drejtë. E nëse pasiqë të ka ardhur ty e vërteta shkon pas mendimeve të tyre, nuk ka kush të ndihmojë e as të mbrojë nga Allahu. (120) Atyre, të cilëve u dhamë librin dhe të cilët e lexojnë drejtë ashtu si është, ata e besojnë atë (Kur’anin). E ata që e mohojnë atë, të tillët janë ata që dështuan (në dynja e në ahiret). (121)

Pastaj, Allahu i Madhërishëm ka përmendur begatitë për jehudët, me të cilat begati i ka begatuar me qëllim që ata të aktivizojnë bindjen e tyre dhe ta zhvillojnë aktivitetin e tyre në besim. U ka treguar që të kenë frikë për në botën tjetër kur thotë:

Ajetet 122 dhe 123:

(122) Dhe ruajuni një dite kur askush nuk do të mund ta ndihmojë tjetrin për asnjë send, nuk pranohet prej askujt kompensim, nuk do t’i bëjë dobi askujt ndonjë ndërmjetësim dhe as që do të ndihmohen (mëkatarët). (123)

O ju bijtë – mohues – të Israilit, kujtoni begatitë e mia të shumta fetare dhe të kësaj bote me të cilat i kam begatuar paraardhësit tuaj, kur i kam shpëtuar nga kthetrat e armiqve, kur kanë zbritur llojet speciale të ushqimit “MENE” dhe “SELVA”, ju kam bërë të jeni udhëheqës të vendeve në të cilat më herët keni qenë të poshtëruar dhe të nënçmuar, kam dërguar pejgamberë nga mesi i juaj, ju kam vlerësuar nga pjesa tjetër e botës në kohën tuaj përderisa e dëgjoni të dërguarin dhe rrini larg nga rruga e devijuar.

Frikojuni Allahut, Zotit tuaj, dhe keni frikë nga dënimi në botën tjetër, nga shkaku se ju e deformoni Tevratin dhe përgënjeshtroni shpalljen e pejgamberit a.s.

– Ajo ditë është dita në të cilën asnjë njeri nuk i jep të drejtën e detyrimeve askujt, asnjë njeri nuk dënohet për shkak të mëkatit të tjetrit.

– Ajo ditë është dita në të cilën nuk mund të këmbehet asgjë.

– Atë ditë, për të shpëtuar nga zjarri nuk pranohet kurrfarë kompensimi.

– Atë ditë nuk mund t’i bëjë dobi askush askujt dhe nuk mund t’i ndihmojë askush askujt.

Lini një koment