Urdhri për prerjen e lopës

Allahu i Lartmadhëruar i ka testuar bijtë e Israilit nëpërmjet një urdhri për prerjen e një lope. Ky urdhër ishte test që të dëshmojnë sinqeritetin dhe zbatueshmërinë e urdhrave të Allahut. Kjo nga shkaku se ishte vrarë një njeri, i cili ishte axhë i njërit, i cili ishte trashëgimtar i vetëm i tij, me fjalë tjera, trashëgimtar i vetëm ishte djali i vëllait të tij.

Po ashtu, çështja tjetër e urdhëresës ishte edhe identifikimi i vrasësit dhe që të mos ndizej zjarri i vrasjeve në mes vete.

Në fillim të urdhëresës kishin të drejtë të presin çfarëdo lope, mirëpo ata u treguan rigoroz duke kërkuar cilësitë e lopës, për këtë arsye, Allahu e vështirësoi gjendjen e tyre edhe më shumë, i ndërlikoi cilësitë të cilat duhej t’i kishte lopa.

Pasi që e kanë blerë një lopë me çmim të lëkurës të mbushur me ari, e prenë duke pasur edhe më tutje dyshime se a do të ketë rezultat pozitiv. Me një pjesë të lopës së prerë e prekin të vrarin dhe i vrari ngjallet.

Pastaj e pyesin: Kush të ka vrarë?

(I vrari) Thotë: Ky. Duke sinjalizuar në djalin e vëllait – dhe pastaj vdes.

Kështu që djalit të vëllait nuk i japin asgjë nga pasuria e tij pasi që ishte vrasës.

 Ky ligj ka hyrë në fuqi përgjithmonë. Ja tani të shohim se si ishte tregimi i prerjes së lopës:

Ajetet 67-74:

(Përkujtoni) Edhe kur Musai popullit të vet i tha: “Allahu ju urdhëron ta therni një lopë! Ata thanë: “A bën tallje me ne?” Ai tha: “Allahut i mbështetem të më ruaj e të mos bëhem nga injorantët!” (67) Ata thanë: “Lute Zotin tënd për ne të na sqarojë çfarë është ajo? Ai tha: “Ai thotë se ajo është një lopë as e vjetër (e moshuar) as e re (mëshqerë), është e mesme, zbatoni pra atë që urdhëroheni!” (68) Ata thanë: “Lute Zotin tënd për ne që të na sqarojë çfarë është ngjyra e saj? Ai tha: “Ai thotë se ajo është një lopë e verdhë, ngjyra e saj është e fortë që kënaqë shikuesit”. (69) Ata thanë: “Lute Zotin tënd për ne që të na sqarojë çfarë është ajo, se lopët na janë përzier (janë bërë të ngjashme) e ne do të gjejmë të vërtetën në dashtë Allahu! (70) Ai tha: “Ai thotë se ajo është lopë jo e lodhur duke lëruar tokën as duke ujitur bimët, ajo është pa të meta dhe në të nuk ka shenjë (ngjyrë tjetër)!” Ata thanë: “E tash na e sqarove saktë dhe e therën atë, e për pak e lanë pa e kryer punën. (71) (Përkujtoni) Kur e patët mbytur një njeri dhe u kundërshtuat mes veti për të, e Allahu është zbulues i asaj që e mbanit fshehtë. (72) E ne u thamë: “Mëshoni atij (të vdekurit) me një pjesë të saj (të lopës së therur)!” Ja, kështu Allahu ngjallë të vdekurit dhe ua sqaron argumentet e veta, ashtu që të kuptoni. (73) Edhe pas (fakteve të qarta) zemrat tuaja u bënë pasandej të forta si guri, e edhe më të forta, sepse ka nga gurët prej të cilëve gufojnë lumenj, e ka disa prej tyre që çahen dhe prej tyre buron ujë, madje ka prej tyre që nga frika ndaj Zotit rrokullisen tatëpjetë (nga maja e kodrës). Allahu nuk është i pakujdesshëm ndaj asaj që veproni ju. (74)

O bijtë e Israilit, kujtoni kohën kur Musaut popullit të tij dhe paraardhësve tuaj u ka thënë që të prenë çfarëdo lope, mirëpo ata nuk kanë dashur ta zbatojnë urdhrin për të prerë çfarëdo lope, por i ashpërsuan kërkesat e tyre, e Allahu e ashpërsoi gjendjen e tyre me kërkesa tjera mbi ta. Ata i kanë thënë Musait: Mos po dëshiron të tallesh me ne o Musa? Ne po të pyesim për çështjen e vrasjes, ndërsa ti po na urdhëron diçka tjetër, (po na urdhëron) prerjen e lopës?!

Ai u thotë: Unë kërkoj mbështetje te Allahu sepse nuk tallem me njerëzit për çështje serioze dhe të rëndësishme, në çështje që kanë të bëjnë me transmetimin e fjalës së Allahut dhe ligjet e Tij, sepse atëherë do të bëhesha injorant i cili i tejkalon urdhrat e Allahut.

Pastaj ata i thonë: Pyete Zotin që të na tregojë neve se çfarë ngjyre ka ajo lopë?

Musai a.s. u thotë: Ajo lopë e ka ngjyrën e verdhë, e cila shkëlqen nga verdhësia dhe e tërheq shikimin e njerëzve.

Pastaj e pyesin për moshën e saj.

Musai a.s. u thotë: Ajo lopë nuk është tepër e re dhe as shumë e moshuar, por është mesatare me vite, por zbatoni urdhrin dhe mos bëni më shumë pyetje.

Ata prapë i thanë: Pyete Zotin për ne, që të na sqarojë cilësitë dhe veçoritë e saj, për shkak se duhet ta dallojmë se ka shumë lopë të ngjashme njëra me tjetrën, e nëse dëshiron Zoti do ta gjejmë të vërtetën dhe të kërkuarën.

Musai u thotë: Allahu ju thotë se: ajo lopë nuk është shfrytëzuar për të punuar tokën dhe as për të ujitur, ajo nuk ka asnjë të metë. Nuk ka lopë tjetër si ajo dhe me aso ngjyre të verdhë si të saj.

Ata i thonë: Tani e ke përafruar dhe e ke treguar qartë se çfarë lope duhet të jetë.

Pastaj, kanë kërkuar dhe nuk kanë mundur të gjenin lopë me kriteret e kërkuar, përpos te një jetim i vogël i cili përkujdesej dhe ishte i sjellshëm me nënën e tij. Dhe e pyesin për çmimin deri sa e blejnë me ari, me aq ari dhe flori sa e kanë mbushur lëkurën e saj.

Zbatimi i kësaj nuk ka qenë i lehtë.

O ju jehudë mendojeni dhe kujtojeni kur njëri prej paraardhësve tuaj e ka vrarë një njeri – dhe ju u takoni atyre paraardhësve, pajtoheni me veprimin e tyre – dhe e keni mbështetë parimin se vrasja e një njeriu është vrasje e një shoqërie. Kjo nga shkaku se shoqëria duhet të ndërlidhet në mes vete sepse në esencë shoqëria është si një trup i vetëm, kështu që shoqëria dënohet si një trup i vetëm me fjalë tjera, shoqëria ndëshkohet për shkak të një njeriu.

Te ata është paraqitur hidhërimi dhe mallkimi. Ju jeni ngatërruar dhe jeni armiqësuar për çështjen e një të vrari, secili e ka mohuar vrasjen nga vetja e tij, duke proklamuar se është i pafajshëm, ndërsa secili akuzonte të tjerët përpos vetes. Përfundimisht Allahu e zbulon se çka kanë fshehur dhe çka kanë mbajtur sekret në çështjen e vrasjes.

Ne u kemi thënë atyre: Me një pjesë nga lopa e prerë prekeni të vrarin. Ata e kanë prekur të vdekurin me pjesën e lopës së prerë, atëherë Allahu e ka ngjallur të vrarin dhe ai (i vrari) e ka identifikuar vrasësin.

Në këtë ngjarje rezulton edhe ngjallja tjetër. Allahu i ngjallë të vdekurit në ditën e gjykimit dhe secili njeri shpërblehet në bazë të punës së tij.

 Allahu në këtë mënyrë i sqaron argumentet të cilat argumente dëshmojnë për vërtetësinë e Kur’anit dhe të pejgamberit i cili shpalosë të fshehtat ashtu që ju të logjikoni dhe të besoni Allahun dhe të dërguarin e tij.

Mirëpo, pastaj zemrat tuaja u ngurtësuan edhe më shumë ngase nuk e pranuan të vërtetën. Kjo i ngjanë gurit me fortësinë e tij, por përpos kësaj, ngurtësimi juaj është edhe më i madh nga shkaku se:

– Nga disa gurë mund të shpërthejë uji, ku formohen lumenj nga qarkullimi i ujit prej tyre, ashtu që i ngjallë tokat dhe përfitojnë bimët,

– disa prej gurëve copëtohen dhe nga ta qarkullon ujë nga të cilët formohet krua dhe jo lum dhe nga ai krua ka dobi për njerëzit.

– disa prej gurëve bien nga lartësitë e kodrave për shkak të erërave të forta ose për shkak të lëvizjes së tokës, tërmeteve e të ngjashme dhe çahen kodrat të cilat shkatërrojnë atë vend dhe në atë dukuri nuk ka dobi për njerëzit.

 Pas kësaj jehudët e shtojnë edhe më shumë mllefin dhe shkaktojnë trazira edhe më të mëdha. Allahu i regjistron veprimet e tyre, llogaritë e tyre dhe do t’i paguajë në bazë të veprimeve të tyre dhe asgjë, qoftë e vogël, qoftë e madhe nuk do të mungojë nga llogaridhënia.

Lini një koment