Kur’ani fisnik i sqaron konceptet dhe bazat e fesë duke ilustruar me shembuj, ashtu që bazat e fesë i përngjanë me çështje të prekshme dhe lëndore, në mënyrë që ato koncepte t’i rrënjosë në mendjet njerëzve.
– Nëse janë në pyetje çështjet madhështore si f.v. e vërteta dhe Islami, atëherë këto i ilustron me shembuj të dritës dhe ndriçimit.
– Nëse janë në pyetje çështjet e dobëta dhe poshtëruese atëherë këto i ilustron me të ngjashme si f.v. me mushkonjën, me mizën, me merimangën.
Shembulli shërben për të zbuluar kuptimin i cili është i njohur për dëshmitarin i cili më pastaj e ka të pamundur që ta injorojë.
– Sa i përket besimtarëve, në zemra të të cilëve ka dritë, Allahu i drejton për të vërtetuar se kjo është fjalë e Allahut dhe se shpërblimi për ta është xheneti i përgjithmonshëm, ku do t’i shijojnë dhe do t’i përjetojnë begatitë.
Në xhenete do të ketë çka ju dëshiron shpirti dhe çka ua qetëson trupin (syrin).
Në xhenet ka të mira të cilat nuk i ka parë syri, nuk i ka dëgjuar veshi dhe aso që as nuk i ka shkuar mendja ndonjë njeriu.
Në xhenet ka lumenj të cilët qarkullojnë pandërprerë, e në pemët e saj ka fruta të këndshme të cilat asnjëherë nuk janë parë në këtë botë edhe pse ato fruta mund të përngjajnë vetëm e vetëm për t’i ngrënë.
Në xhenet do të jenë edhe hyritë e xhenetit, të siguruara në tenda, të cilat nuk i ka prekur as xhin e as njeri, do të jenë të pastra nga çdo lloj ndyrësire si f.v. nga menstruacioni, lehonia, nga të këqijat e trupit dhe epshit. Zoti i Lartmadhëruar thotë:
Ajeti 25:
E, përgëzoi ata që besuan dhe bënë vepra të mira se ata do të jenë në Xhenete në të cilët rrjedhin lumenj. Saherë që u jepet ndonjë ushqim nga frutat e tij, ata thonë: “Ky është që me të u ushqyem edhe më parë”. Ngase, u sillet ushqim i ngjashëm (vetëm në formë, e jo edhe në shije). Aty do të kenë ata bashkëshorte të pastra dhe aty do të jenë përgjithmonë. (25)
– Sa i përket qëndrimit të pabesimtarëve, të cilët i kritikojnë shembujt e Kur’anit, ata janë në mëdyshje për çështjet e tyre, ata habiten dhe thonë: “Çka dëshiron Allahu me ilustrimin e këtyre shembujve.?”
Tregon se si çdonjëri prej tyre është në mëdyshje dhe nuk di se si të veprojë. Ibn Abasi ka treguar se: “Pasi që Zoti i Lartmadhëruar i ka sjellë dy shembuj për hipokritët. Për thënien e Zotit të Lartmadhëruar “Shembulli i tyre i ngjanë shembullit të atij i cili e ndezë një zjarr.” (El-Bekare: 17) dhe shembulli tjetër “Ose sikur ai i cili bie nga qielli.” (El-Bekare). Hipokritët kanë thënë “A Zoti është i tillë që të sjell këso shembuj.?”, atëherë Zoti i Lartmadhëruar e ka zbritur ajetin “Vërtetë, Allahu nuk ngurron që të sjell shembuj…”
Shkaku i zbritjes së ajetit:
Hasani dhe Katade kanë thënë: “Kur Zoti i Lartmadhëruar e ka përmendë në librin e Tij mizën dhe merimangën, të cilët shembuj i ka sjellë për idhujtarët, atëherë jehudët kanë përqeshë duke thënë: “Kjo nuk i përngjanë fjalës së Allahut”, atëherë Allahu e ka zbritur këtë ajet:
Ajetet 26 dhe 27:
Allahu nuk ngurron që të marrë çfarëdo shembulli, qoftë mushkonjë a diçka edhe më e imët se ajo. Sa u përket atyre që besuan, ata e dinë se është e vërtetë nga Zoti i tyre, ndërsa ata të cilët mohuan do të thonë: “Ç’deshi Allahu me këtë shembull?” Ai me të lajthitë shumë, dhe udhëzon me të shumë (në rrugën e drejtë), por nuk lajthitë me të (tjetërkënd), pos fasikët (mëkatarët e mëdhenj). (26) Ata që e thyejnë besën e dhënë Allahut pasiqë është lidhur ajo, dhe e këpusin atë që Allahu ka urdhëruar të jetë e kapur (sa i takon fesë së Allahut, monoteizmit Islam, dhe të praktikohen ligjet e saj në tokë dhe gjithashtu sa i takon të mbajturit e lidhjeve të mira me farefisin dhe miqësinë) e edhe bëjnë shkatërrime në tokë, të tillët janë ata të dështuarit. (27)
Ilustrimi me shembullin e mushkonjës dhe të ngjashme, në njërën anë i ka devijuar shumë njerëz, ndërsa në anën tjetër me ato shembuj janë udhëzuar shumë njerëz.
Me ato shembuj devijohen vetëm ata të cilët largohen nga çështja e dëgjueshmërisë ndaj Zotit. Ata janë të cilët i kanë prishur besatimet me Allahun në besimin për Muhamedin dhe dëshminë për pejgamberinë e tij.
Tendenca dhe qëllimi i atyre devijuesve është çrregullimi në tokë, hedhja e dyshimeve mes njerëzve, shkaktimi i përçarjeve, deformimi i të vërtetave dhe shkaktimi i lëkundjeve të brendshme në shoqëri (umet).
Ata janë bashkëpunëtorë të armiqve dhe duke e pasur parasysh se miqësohen me armiqtë vërejmë se tek ata nuk ekzistojnë parimet. Duke u mbështetur tek ata, hipokritët e humbin këtë botë dhe e fitojnë hidhërimin e Zotit. Kjo është humbje e tmerrshme.