Njeriu është udhëheqës i tokës dhe melekët i kanë rënë në sexhde Ademit

Zoti i Lartmadhëruar e ka nderuar Ademin duke e zgjedhur udhëheqës të tokës, duke i mësuar njohuri të cilat nuk i kanë ditur melekët.

Zoti i Lartmadhëruar i ka urdhëruar melekët që Ademit t’i bëjnë sexhde të përshëndetjes dhe të nderimit dhe jo sexhde të adhurimit dhe të madhërimit.

E gjithë kjo ka ndodhur që të nderohet lloji njeri, për shkak të marrjes së përgjegjësive, për fisnikërimin e atij (njeriut) i cili e ka marrë përsipër zhvillimin e globit.

 Kur’ani pasqyron skenën e një debati në mes të Allahut të Lartmadhëruar dhe melekëve. Ky debat është realizuar për të paraqitur rolin e Ademit dhe pasardhësve të tij në tokë dhe për caktimin e tyre udhëheqës në të, e cila përcillet gjeneratë pas gjenerate:

Ajetet 30-34:

(Përkujto Muhamed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës”! Ata thanë: “A do të vësh në të (tokë) atë që bën çrregullime dhe që derdh gjaqet, e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë”! Ai tha: “Unë di atë që ju nuk dini”! (30) E Ai (Zoti) ia mësoi Ademit të gjithë emrat (e sendeve), pastaj ata ua prezantoi engjëjve dhe u tha: “Më tregoni për emrat e këtyre (sendeve të emërtuara), nëse jeni të drejt (çka mendoni)?” (31) (Engjëjt) Thanë: “Ti je i pa të meta, ne nuk kemi dije tjetër përveç atë që na mësove Ti. Vërtetë, Ti je i Gjithëdijshmi, i Urti!” (32) (Zoti) Tha: “O Adem, njoftoji ata (engjëjt) me emrat e atyre (sendeve)!” E kur u rrëfeu atyre për emrat e tyre, (Zoti) tha: “A nuk u kam thënë juve se Unë, më së miri e di fshehtësinë e qiejve e të tokës dhe më së miri e di atë që ju e publikoni dhe atë që e mbani fshehtë.” (33) E kur u thamë engjëjve: përuluni (bini në sexhde) Ademit, ata menjëherë iu përulën, me përjashtim të Iblisit (djallit). Ai refuzoi dhe u mbajt në të madh dhe u bë pabesimtar. (34)

O i dërguar, tregoju popullit tënd ngjarjen e babait të tyre – Ademit – kur Allahu u tha melekëve: Unë do të caktoj udhëheqës në tokë të cilët do ta ndërtojnë, do ta bëjnë të banueshme, do ta zhvillojnë dhe do të zbatohen ligjet e Mia në mes njerëzve.

 Për të kuptuar më shumë, melekët parashtrojnë pyetje: Si do të caktosh këtë udhëheqës, ku nga pasardhësit e tij do të ketë prej atyre të cilët me mëkatet e tyre do të shkaktojnë trazira në tokë, do të derdhet gjaku me mizori dhe me padrejtësi në mes vete. Kjo nga shkaku se veprimet e tyre do të jenë në bazë të zgjedhjes dhe dëshirave të tyre. Ata janë të krijuar nga balta – materia është pjesë përbërëse e tyre – dhe kush është i kësaj natyre mundësia për të gabuar është më e madhe.

Melaqet e kanë ditur këtë nga shkaku se ata janë të siguruar prej gabimeve dhe çdokush përpos tyre nuk e ka këtë cilësi. Ose (melaqet) kanë bërë krahasim në mes krijesës njeri me krijesën xhin, të cilët kishin jetuar në tokë dhe kishin shkaktuar trazira dhe çrregullime para banimit të melekëve.

Dhe ne, melekët, kemi përparësi që të caktohemi udhëheqës, nga shkaku se veprat tona janë të përkufizuara për të të lavdëruar, për të të madhëruar, për të të dëgjuar, për të të falënderuar dhe për të të lartësuar.

Zoti i Lartmadhëruar u është përgjigjur: “Unë e di më së mirë se cila është fshehtësia e kësaj çështje dhe se ku qëndron dobia e caktimit të tij si udhëheqës në tokë. Unë e di se si rregullohet toka, si zhvillohet dhe kush është më prioritar për ta rregulluar tokën”.

Ademi i mësoi emrat e sendeve, emrat e llojeve të ndryshme të materieve, të bimëve, të sendeve të ngurta, të njerëzve, të gjallesave dhe emrat e çështjeve tjera me të cilat zhvillohet kjo botë, pastaj për të gjitha këto emërtime Zoti ua paraqiti melekëve, ose u paraqiti shembuj prej tyre siç thotë Zoti i Lartmadhëruar: “Pastaj ua paraqiti atyre” sepse fjala “paraqitje” nuk përdoret për emra.

Pastaj u thotë atyre: “Më lajmëroni për emrat e këtyre” nëse veç jeni të sinqertë në pretendimin tuaj se ju keni përparësi ndaj tjerëve për të qenë udhëheqës. Ata habiten dhe përgjigjen: “O Zoti ynë, Ty të takon lavdërimi. Ne nuk kemi njohuri tjetër, përpos asaj çka na ke mësuar. Vërtet Ti di çdo send. I di urtësitë e çdo të krijuare dhe planifikimin.”

Kjo tregon për vlerën e Ademit ndaj melekëve, përzgjedhjen e tij dhe mësimin e tij, atë mësim të cilin nuk e kanë mësuar melekët kështu që ata nuk mund të krenohen me veten e tyre përballë Ademit.

Pastaj, Allahu kërkon nga Ademi a.s. të paraqes njohuritë e tij ku i thotë: “O Adem, lajmëroi ata për emrat e sendeve, të cilat emra (melaqet) nuk kanë mundur t’i mësojnë.” Ata (melekët) e pranojnë se nuk kanë aftësi për t’i mësuar ato çështje. Kur (Ademi) u tregoi për emrin e secilit send, e kuptuan sekretin e caktimit të Ademit dhe të pasardhësve të tij si udhëheqës. E kuptuan se ata nuk janë të profesionalizuar në angazhimin me çështje lëndore. Bota nuk mund të qëndrojë pa to dhe se ato janë të krijuara nga drita, ndërsa Ademi nga lënda e baltës dhe materia është pjesë e saj.

Atëherë Zoti i Lartmadhëruar u thotë melekëve: “A nuk u thashë se Unë e di se çka është e panjohur për juve në qiej dhe në tokë. Unë e di çka ka në të dhe Unë nuk caktoj udhëheqës në tokë për tallje. Unë e di të dukshmen dhe të fshehtën. Unë e di çka paraqitni haptas dhe çka fshihni në brendinë tuaj.”

Po ashtu: O i dërguar tregoji popullit tënd momentin kur melekëve të pastër u kemi thënë: Bini në sexhde për të përshëndetur dhe për ta nderuar Ademin dhe jo sexhde të adhurimit ashtu siç veprojnë pabesimtarët me idhujt e tyre.

Melekët, që të gjithë, përpos Iblisit, i kanë bërë sexhde Ademit. Ai, Iblisi, nuk i ka rënë në sexhde, por është treguar arrogant duke thënë: A unë t’i bie në sexhde atij, kur unë jam më i mirë se ai? Mua më ke krijuar nga zjarri, ndërsa atë e ke krijuar nga balta. Refuzimi i tij, arroganca e tij, kryelartësia e tij dhe vetmashtrimi i tij e bëri prej pabesimtarëve të cilët meritojnë dëbim, mallkim dhe largim nga mëshira e Allahut deri në ditën e gjykimit.

Lini një koment