Cilësitë e hipokritëve

Në fillet e para të zbritjes së suretul Bekare, trembëdhjetë ajete kanë zbritur për çështjen e hipokritëve (8-20).

Hipokrizia është ligështi dhe tradhti, gënjeshtër dhe humbje, sëmundje dhe mashtrim, për këtë arsye ka qenë e udhës që të shpaloset çështja e hipokritëve, ngase ata e dobësojnë, e poshtërojnë dhe e helmojnë shoqërinë.

Hipokrizia dhe jehudët janë dy çështje të ndërlidhura njëra me tjetrën sepse që të dyja burojnë nga plogështia, dobësia e vërtetë dhe natyrshmëria ankuese.

Hipokriti përzihet me njerëzit edhe me fjalë edhe me vepra.

Jehudiu i mashtron njerëzit dhe shkakton komplote ndaj tyre.

Pejgamberi a.s. shumë herë është ballafaquar me hipokrizinë dhe hipokritët.

Sa e sa dëme të mëdha janë shkaktuar në shoqëri të ndryshme prej hipokrizisë dhe hipokritëve. Sa e sa dëme të mëdha janë shkaktuar në shoqëri të ndryshme prej spiunëve të cilët janë ngritur kundër atdheut dhe shoqërisë së tyre. Spiuni i cili i shërben armikut është dukuri prej dukurive të hipokrizisë.

Për islamin, hipokritët janë më të rrezikshëm se sa pabesimtarët, ngase hipokritët në dukje shfaqen si besimtarë, ndërsa në të vërtetë ata janë armiq të brendshëm të shoqërisë (umetit).

 Ekzistenca e hipokritëve nuk ka të bëjë vetëm me epokën e pejgamberit a.s., ata, hipokritët mund të paraqiten në çdo vend dhe në çdo kohë.

Zoti i Madhërishëm i ka treguar cilësitë e hipokritëve. E para është paraqitja në dukje si besimtarë në Allahun dhe në ditën e gjykimit dhe fshehja e pabesimit dhe devijimit dhe tentimi për të mashtruar Allahun, edhe pse Allahu i njeh ata dhe nuk e lejon mashtrimin e tyre. Në të vërtetë, mashtrimi i tyre kthehet te vetja e tyre.

Ajeti 8-10:

(8) (Përpiqen ta) mashtrojnë Allahun dhe ata që besuan, por nuk mashtrojnë tjetërkënd pos vetes, dhe nuk e kuptojnë! (9) Në zemrat e tyre ka sëmundje, pra Allahu ua shton sëmundjen, dhe pësojnë dënim të dhembshëm për shkak se gënjenin. (10)

Hipokritët janë njerëz të cilët shkaktojnë përçarje dhe spiunojnë në dobi të armiqve. Hipokritët, duke iu kundërvënë muslimanëve shkaktojnë çrregullim në tokë duke aluduar se janë duke rregulluar. Ata nuk e kuptojnë realitetin, nuk e ndjejnë gjendjen e tyre. Kur të bëjnë ftesë për besim, ata tallen me besimtarët, ata i konsiderojnë besimtarët të dobët, mendjelehtë dhe të paditur, e që në fakt mu ata janë mendjelehtët.

Ajeti 11-13:

E kur atyre u thuhet: “Mos bëni ç’rregullira në tokë”! Ata thonë: “Ne jemi vetëm paqësues!” (11) A nuk janë vërtet ata ç’rregulluesit?; Por nuk kuptojnë! (12) Dhe kur atyre u thuhet: Besoni sikurse besuan njerëzit! Ata thonë: “A të besojmë ashtu siç besuan mendjelehtit?” A nuk janë vërtet mu ata mendjelehtit?; Por nuk e dinë. (13)

Prej cilësive të hipokritëve është se ata e marrin çështjen e besimit si çështje për tallje, mirëpo kur të vetmohen me shejtanët e tyre, me udhëheqësit e tyre jehud dhe me çrregulluesit atyre u thonë: Ne jemi me ju.

Ibn Abasi tregon: Ishte duke shkuar Ebu Bekri, Umeri dhe Aliu r.a. në drejtim të Abdullah ibn Ubejes dhe shokëve të tij jehud. Kur Abdullah ibn Ubeje i pa, u tha shokëve të tij: Shikoni si do të veproj me këta mendjelehtët, do t’u flas atyre fjalë të ëmbla të mjaltit. Kur u afruan, ai filloi t’i lavdërojë njërin pas tjetrit për fenë e tyre dhe për rezultatet e tyre kulminante në islam:

– Ebu Bekrit i thotë: Mirë se erdhe, o besniku dhe shejhu i islamit.

– Umerit i thotë: “Mirë se erdhe o zotëria i beni Adijëve, o Faruk i fuqishëm në fenë e Allahut.”

– Aliut i thotë: Mirë se erdhe djali i axhës së të dërguarit të Allahut dhe dhëndër i tij, o zotëri i beni Hashimitëve.

Pasi që u larguan Ebu Bekri, Umeri dhe Aliu r.a., (Abdullah ibn Ubeje) u tha shokëve të tyre: Si e gjykoni veprimin tim?

Ata e përshëndetën, e uruan dhe i thanë se kishte vepruar mirë. Për këtë Allahu zbriti ajetet:

Ajetet 14-16:

E kur i takojnë ata që besuan thonë: “Ne besojmë!” por kur veçohen me djajtë e vet u thonë: “Ne jemi me ju, ne vetëm jemi tallur”. (14) All-llahu tallet me ta, dhe ua shton të këqijat duke i lënë të bredhin. (15) Të tillët janë ata që blenë lajthitjen me udhëzimin, pra nuk pati fitim tregtia e tyre dhe ata nuk qenë të udhëzuar. (16)

Pastaj Allahu i pasqyron me dy shembuj:

– Në shembullin e parë i shëmbëllen me një grup njerëzish të cilët ndriçohen përkohësisht nga drita e një zjarri, por që pastaj Allahu e fikë atë dritë.

– Në shembullin e dytë i shëmbëllen me një grup njerëzish ku në vendin e tyre bie shi, ata gëzohen përkohësisht me dritën e vetëtimës, mirëpo pastaj dëshpërohen kur horizonti errësohet. Zoti i Lartmadhëruar thotë:

Ajetet 17-20:

Shembulli i tyre është si shembulli i atij që ndezë një zjarr dhe posa ai ndriçon vendin përreth tij, Allahu ua shuan dritën atyre dhe i lë në errësira, (dhe aty) nuk shohin. (17) (Janë) Të shurdhër, memecë dhe të verbër, ata nuk kthehen (nga rruga e shtrembër). (18) Ose (Shembulli i tyre është) si ndonjë shi i rreptë prej së larti me errësirë, me bubullimë e me vetëtimë, e prej frikës së vdekjes, nga rrufeja, ata vejnë gishtat në veshët e tyre. Po Allahu është rrethues i mosbesimtarëve (atij nuk mund t’i shpëtojë askush). (19) Vetëtima gati ua merr të pamurit dhe, sa herë që ajo u bënë dritë atyre, ata ecin në të, e kur u errësohet mbesin aty. E sikur të donte Allahu, do t’ua merrte të dëgjuarit (me krismën e bubullimës) dhe të pamurit (me shkëndijën e vetëtimës). Vërtetë, Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë. (20)

Kur’ani sqaron dallimin në mes të adhurimit të besimtarëve dhe adhurimit të pabesimtarëve.

– Sa i përket idhujtarëve, ata adhurojnë idhuj përpos Allahut, ata adhurojnë ata të cilët nuk u sjellin as dëm dhe as dobi, dhe nuk ka asgjë të vërtetë prej tyre, ndërsa e lënë pas dore adhurimin ndaj Zotit, i Cili i ka krijuar ata dhe prindërit e tyre para tyre, i Cili e ka krijuar gjithësinë, tokën dhe qiellin.

A është mirë për ta që të adhurojnë idhuj në vend se të adhurojnë Zotin e Lartmadhëruar, përderisa Zoti i ka krijuar ata, i ka mbështetur me begati të panumërta, të cilat as që mund të përllogariten.

– Sa i përket besimtarëve, ata dallohen me logjikë dhe me vizion. Dallohen në realizimin e premtimeve, në njohurinë e së vërtetës dhe të bukurës. Dallohen me adhurimin vetëm ndaj Allahut të cilin e realizojnë ashtu siç është i kënaqur Allahu.

Besimtarët dallohen edhe me dashurinë ndaj Allahut, me devotshmërinë ndaj Tij, me zbatimin e programit të drejtë të Tij, me falënderimin ndaj Zotit të tyre i Cili tokën e ka bërë shtrojë për të jetuar në të edhe pse rrotullohet dhe lëvizë. E ka bërë qiellin kupolë e cila u bën hije dhe u sjell të mira dhe begati. Ajo është një strukturë edhe pse në të qëndrojnë miliona yje dhe planetë dhe e ka rregulluar botën e planetëve dhe trupave qiellor të cilat mbahen në ekuilibër dhe nuk bien nga rregulli.

Allahu i ka zbritur të mirat për robërit e Tij, për shëndetin e tyre, për bujqësi e zbret shiun e pastër dhe të bekuar me të cilin ushqehen kafshët, të korrurat, punët dhe bimët, pastrohet ajri nga pluhuri dhe mikrobet. Për këtë, Krijuesi meriton të adhurohet dhe t’i bindemi urdhrave të Tij, sepse është Burim i krijimit, përbërjes së krijimit dhe furnizimit të tij (krijimit).

Duke treguar përkujdesjen ndaj krijesave Zoti i Lartmadhëruar thotë:

Ajetet 21 dhe 22:

U ju njerëz, adhurojeni Zotin tuaj, i cili ju krijoi juve ashtu që të jeni të devotshëm (të shpëtuar). (21) Ai, i cili për ju bëri tokën shtrat (vendbanim), e qiellin kulm, e prej qiellit ju lëshoi shi me të cilin ju siguroi lloje të frutave si ushqim për ju, pra mos i përshkruani Allahut shokë, duke qenë se ju e dini (që Ai nuk ka shokë). (22)

Pastaj, Allahu e vërteton saktësinë e mesazhit të Muhamedit a.s. të cilin ia ka zbritur, duke vërtetuar mrekullinë mbinatyrore të Kur’anit. Padyshim se Kur’ani është prej Zotit dhe njëkohësisht është mrekulli mbinatyrore.

 Argument i mrekullisë së Kur’anit është se, Allahu me të (Kur’anin) i ka sfiduar arabët – në gjuhën e të cilëve e ka zbritur Kur’anin – që të sjellin një sure të ngjashme me formën gramatikore dhe sintaksore.

Argument i mrekullisë së Kur’anit është se, Allahu i ka aprovuar ligjet e drejta të cilat janë të përshtatshme për çdo kohë dhe për çdo vend.

Kur’ani është në harmoni me zbulimet e shkencave të ndryshme.

Kur’ani është lajmërues për çështjet e panjohura nga e kaluara dhe lajmërues për çështjet e panjohura në të ardhmen.

Nëse njeriu dyshon se a është Kur’ani fjalë e Allahut, atëherë le të sjellë të ngjashëm me të. Kur’ani është në gjuhën arabe, me të folur të njëjtë të cilën e flisnin arabët, në të cilën ligjëronin, me të cilën i shprehnin ndjenjat e tyre dhe me të cilën gjuhë komunikonin. Arabët ishin flamurtarë në oratori, në gramatikë, në sintaksë. Atëherë, nëse ata nuk janë në gjendje të sjellin një sure të ngjashme me të Kur’anit, njëkohësisht ata do ta kenë të pamundur përgjithmonë, atëherë le ta pranojnë të vërtetën, le t’i kthehen të vërtetës, le të besojnë Muhamedin, le t’i besojnë asaj që i është zbritur prej Allahut, pra le t’i besojnë Kur’anit. Në këtë ka mbrojtje për ta nga zjarri i xhehenemit.

Duke e sqaruar mrekullinë e Kur’anit dhe duke vërtetuar shpalljen e Muhamedit a.s. Zoti i Madhërishëm thotë:

Ajetet 23 dhe 24: E në qoftë se jeni në dyshim në atë që Ne ia shpallëm gradualisht robit tonë, atëherë silleni ju një kaptinë të ngjashme si ai (Kur’ani) dhe thirrni (për ndihmë) dëshmitarët tuaj (zotat) pos Allahut, nëse jeni të sinqertë (në thëniet tuaja se Kur’ani nuk është prej Zotit). (23) E mos e paçit bërë (deri më tash), e as që do ta bëni kurrë (edhe në të ardhmen), atëherë ruajuni zjarrit, lëndë e të cilit janë njerëzit dhe gurët, që është i përgatitur për mosbesimtarët. (24)

Lini një koment