SURETU ALEK

Dr. Musli Vërbani

HUTBEJA E PARË

Zoti i Madhërishëm e ka zbritur Kur’anin për ta analizuar dhe për ta studiuar, ta lexojmë, ta mësojmë dhe të veprojmë.

Qëllimi kryesor i Kur’anit është analiza, studimi dhe mësimi. Zoti i madhërishëm thotë:

“(Kur’ani) Libër i begatshëm, Ne ta shpallëm ty këtë, që t’i studiojnë ajetet e tij dhe që të marrin mësim prej tij ata që kanë mend.” (Sad, 28)

Ne kemi nevojë t’i studiojmë suret dhe ajetet Kur’anore dhe t’i analizojmë, që të përfitojmë dhe ta praktikojmë.

Çdo sure e ka specifikën me të cilën specifikohet.

Si çdo sure edhe surja Alek e ka specifikën e vet, të cilën do ta sqarojmë.

Do të kalojmë disa momente të freskëta me suren Alek, që të përfitojmë nga kjo sure e rëndësishme.

Sureja Alek është sure e leximit dhe e shkrimit.

Zoti i Madhërishëm e fillon suren njëherit edhe shpalljen me:

  Ikreë bismi Rabbikel-ledhii haleka
  “Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi.”
  (El-Alek: 1)

Është e para e cila ka zbritur prej librit të Allahut të Madhërishëm. Ka zbritur në fillim të shpalljes në shpellën Hira.

Surja në fjalë përmban çështjen se leximi është çelësi i diturisë.

Sqaron se Allahu është Krijuesi i njeriut dhe sqaron disa dukuri të fuqisë absolute të Allahut.

Fillo të lexosh me emrin e Zotit tënd, ose duke u mbështetur në emrin e Zotit tënd, i Cili ka krijuar çdo gjë.

Zoti i Madhërishëm e ka përdorë mënyrën: “Me emrin e Zotit tënd” dhe nuk ka thënë: “Me emrin e Allahut”. Kjo nga shkaku se fjala “Rab” ka kuptimin e Edukuesit dhe të Atij i Cili sjellë mirësi. Kjo bie në harmoni me urdhrin për adhurim.

Allahu i Madhërishëm e ka ndërlidhë emrin e Tij me emrin e pejgamberit a.s. ku thotë: “Me emrin e Zotit tënd” për të treguar se dobia e adhurimit i shkon pejgamberit a.s., e nuk i shkon Allahut.

Zoti i Madhërishëm thotë: “Me emrin e Zotit tënd”. Kjo për të treguar se dobia e adhurimit shkon te ti, përfitimi i leximit shkon te ju dhe nuk i shkon Allahut. Shpërblimi për adhurim nuk shkon tek Allahu, por Allahu të shpërblen për adhurimin tënd ndaj Tij.

Vëllezër të nderuar!

Zoti i Madhërishëm thotë:

  Halekal insaane min alekin
  “Krijoi njeriun prej gjakut të ngjizur.
  (Alek: 2)

E ka krijuar njeriun që të shtohet dhe të zhvillohet.

E ka krijuar njeriun që të trashëgohet nga një pikë e gjakut të ngjizur.

“Alek” është një fazë prej fazave të krijimit të njeriut, ashtu që fillon nga lëngu, pastaj ai lëng shndërrohet në gjak të ngjizur, e pastaj bëhet copë mishi.

Xhibrili kërkonte prej pejgamberit a.s. leximin ku i thoshte: “Lexo”.

Pejgamberi a.s. i thoshte: “Nuk di të lexoj”.

Me fjalë tjera, pejgamberi a.s. i ka thënë se nuk e ka mësuar të lexuarit.

Por Zoti i madhërishëm vazhdon dhe thotë:

  Ikreë ve Rabbukel Ekremu
  “Lexo se Zoti yt është më Fisniku”.
  (Alek: 3)

Zoti na tregon se e ka hequr (larguar) pengesën apo arsyetimin me të cilin arsyetohej te Xhibrili a.s.

Zbato urdhrin dhe lexo, kjo nga shkaku se Zoti yt është Ai i Cili të ka urdhëruar të lexosh, Ai i Cili është më Fisniku i të gjithë fisnikëve.

Prej fisnikërisë së Tij: Të ka mundësuar të lexosh edhe pse ti je analfabet.

Kur i ka thënë Muhamedit a.s. lexo, në të njëjtën kohë të ka thënë edhe ty lexo.

Nëse nuk di të lexosh, atëherë mësoje leximin.

Kur i ka thënë Muhamedit a.s. lexo, në të njëjtën kohë edhe neve na ka thënë të lexojmë.

Nëse nuk dimë të lexojmë, atëherë duhet të mësojmë të lexojmë.

Nuk duhet të thuhet se jam i vjetër dhe më nuk më nevojitet leximi, përkundrazi diturinë duhet kërkuar deri në frymën e fundit të jetës.

Leximin e Kur’anit duhet filluar ta mësojmë edhe prej moshës 40 vjeçare, edhe prej moshës 50 vjeçare, e kështu me radhë.

Umeti i Muhamedit a.s. nuk lejohet të jetë umet analfabet. Duhet ta mësojë Kur’anin dhe shkencat natyrore, duhet ta mësojë Kur’anin dhe shkencat shoqërore.

Shikoje se si e ka përsëritë fjalën “Lexo”!? Allahu i Madhërishëm e ka përsëritur fjalën “lexo” për ta rikonfirmuar, dhe se leximi realizohet me përsëritje dhe me ripërsëritje. Me të drejtë është thënë se “përtëritja është mbret i diturisë!

Ndërlidhe teorinë me praktikën.

Ndërlidhe fjalën me veprën,

Ndërlidhe mësimin me praktikimin e atij mësimi.

Vëllezër të nderuar!

Zoti i Madhërishëm thotë:

  El-ledhii al-leme bil kalemi
  “Ai i Cili ia ka mësuar njeriut (përdorimin) lapsin.”
  (El-Aleke: 4)

T’i ka mësuar parimet e pejgamberisë, kur nuk ke ditur të lexoje.

T’i ka mësuar parimet e pejgamberisë, kur nuk ke ditur të shkruaje.

Allahu ka bërë krahasimin në mes të “të shkruarit” dhe urdhrit për “të lexuar”.

Të “shkruarit” është begati e madhe e Allahut të Madhërishëm.

Të “shkruarit” është mjet ndërmjetësues për të kuptuarit në mes njerëzve, sikurse të shprehurit me gojë.

Po të mos ekzistonte shkrimi, do të zhdukeshin shkencat.

Po të mos ekzistonte shkrimi, nuk do të mbeteshin gjurmë nga arkivat e dispozitave të Sheriatit.

Po të mos ekzistonte shkrimi, nuk do të përmirësoheshin kushtet e jetesës.

Po të mos ekzistonte shkrimi, nuk do të ishte sistemi i jetës stabil.

Po të mos ekzistonte shkrimi, popujt dhe qytetërimet nuk do të mund të përfitonin nga njohuritë dhe nga kulturat e popujve tjerë të mëhershëm.

Po të mos ekzistonte shkrimi, nuk do të dihej për historitë e popujve të lashtë dhe nuk do të mund të programohej e ardhmja njerëzve dhe kultura e popujve të ndryshëm.

Çështjen e parë të cilën e ka krijuar Zoti është lapsi, pastaj i ka thënë: Shkruaj caktimin e çdo gjëje deri në Ditën e gjykimit.

 

Përfundim

Kur Zoti i Madhërishëm thotë:

  Al-lemel insaane maa lem jealem
  “Ia ka mësuar njeriut atë që nuk e ka ditur”.
  (El-Alek: 5)

Na tregon për mirësinë e Tij dhe begatitë e shumta të Tij.

Allahu nëpërmjet lapsit ia ka mësuar shumë çështje të cilat nuk i ka ditur më parë.

Allahu nëpërmjet lapsit ia ka mësuar shumë njohuri të cilat nuk i ka ditur më parë.

Allahu nëpërmjet të shkruarit ia ka mësuar shumë çështje të cilat nuk i ka ditur më parë.

Allahu nëpërmjet të shkruarit ia ka mësuar shumë njohuri të cilat nuk i ka ditur më parë.

Allahu nëpërmjet mjeteve elektronike e të ngjashme ia ka mësuar shumë çështje dhe shumë njohuri të cilat nuk i ka ditur më parë.

“Allahu ju nxori nga barqet e nënave tuaja (si foshnje) që nuk dinit asgjë. Ju pajisi me (shqisa për) të dëgjuar, me të parë dhe me zemër, ashtu që të jeni falënderues.” (Nahl, 78)

Zoti ynë,

Na pajis me dituri të dobishme.

Na furnizo me furnizim të begatshëm.

Na i prano veprat.

Lini një koment