Dr. Musli Vërbani
–
Hutbeja e sotme e mbanë titullin: Emaneti.
Namazi është emanet.
Zekati është emanet.
Agjërimi është emanet.
Haxhi është emanet.
Begatitë që na ka dhënë Allahu i kemi emanet.
Dituria është emanet.
Drejtësia në mes të njerëzve është emanet.
Zoti i Lartmadhërishëm ka thënë:
“Allahu ju urdhëron që t’u jepni amanetin të pronarëve të tyre.”(El-Nisa, 58)
Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:
“Nuk ka besim ai, i cili nuk ka besë; dhe Nuk ka fe ai, i cili nuk e mban premtimin.”
Emaneti më i madh i njeriut është feja Islame.
Nuk ka çështje më madhështore se sa kur muslimani e kryen emanetin ndaj Zotit të tij.
Vëllezër të nderuar!
Emaneti është cilësi e pejgamberëve.
Të gjithë pejgamberët gjithmonë kanë qenë në kulminacion të moralit, ata e kanë kryer emanetin me përpikëri.
Kur’ani na e tregon rastin e Musait a.s. Kur është lutur:
“O Zoti im, unë kam nevojë për çkado që të më japësh!”
Njëra prej vajzave të Shuajbit a.s. i ka thënë babës së vet:
“Më i miri i që do ta marrësh në shërbim është ai i fuqishmi e besniku!” (Kasas, 24-26).
Pastaj, Kur’ani na e tregon rastin e Jusfit a.s.
Jusufi a.s. ka qenë besnik në shtëpinë e pronarit të tij, siç tregon Kur’ani:
“E pasi që bisedoi me të tha: Tash ti ke pozitë dhe je i besueshëm.”(Jusuf, 54).
Pejgamberit a.s. para shpalljes, të gjithë Kurejshit ia kanë dhënë titullin “Muhamedul-Eminë”, pra, ka qenë: Muhamed Besnik.
Vëllezër të nderuar!
– Gjuha e muslimanit është emanet. Besimtari e ruan emanetin e gjuhës dhe nuk e keqpërdor për gënjeshtra dhe nuk e keqpërdor për ofendime, shpifje e përgojime.
– Syri i muslimanit është emanet dhe nuk shikon me sy harame, por vetëm atë çka është e lejuar.
– Veshi i besimtarit është emanet dhe nuk dëgjojmë çështje të ndaluara.
– Pjesët e trupit të besimtarit janë emanet, i përdor vetëm për çështje të mira, e nuk i përdorë për çështje të këqija.
Çështje me vlerë është kur muslimani e kryen emanetin ndaj vetes së tij.
Vëllezër të nderuar!
Besimtari duhet të jetë besnik me të tjerët.
Besimtari duhet të jetë besnik në pasurinë e tij dhe të tjerëve.
Islami urdhëron për emanet, besnikëri dhe ndalon tradhtinë.
Po e tregojmë një ngjarje të cilën na e ka treguar pejgamberi a.s.:
“Një tregtar shkoi në një udhëtim për tregti, mirëpo në vendin ku blinte mall me shumicë nuk kishte me vete para të mjaftueshme. Për këtë arsye shkoi te një njeri dhe i kërkoi 1000 dinar hua.
Njeriu pranoi, por e kushtëzoi që të sjellë një garantues – dëshmitar. Tregtari thotë: “Mjafton që Allahu të jetë dëshmitar – garantues për ne.”
Atëherë njeriu i thotë: “Mirë pra”. Ia jep të hollat borxh për t’ia kthyer në një periudhë të caktuar.
Tregtari bleu mall, shkoi, e shiti mallin dhe fitoi. Kur erdhi afati i kthimit të borxhit shkoi në bregdet, kërkoi një anije për të shkuar në kohën e caktuar te vendi i borxhdhënësit, mirëpo anije nuk kishte.
Ç’të bënte? Mendoi e mendoi. Duke menduar e sheh një dru. Atëherë, e mori drurin, e bëri një vrimë në të, i vendosi në vrimë 1000 dinarët dhe e shkroi në të emrin e borxhdhënësit. Pastaj e mbylli mirë vrimën e drurit dhe e hodhi në det. Dhe bëri lutje te Allahu që druri të arrijë në dorën e atij, për të cilin ishte pajtuar që Allahu të jetë Dëshmitar dhe Garantues në mes tyre.
Në ditën e caktuar për kthimin e borxhit, borxhdhënësi del në bregdet për ta pritur tregtarin, mirëpo atë nuk e takon. Duke u kthyer në shtëpi e sheh në ujë drurin, të cilin e merr për t’u ngrohur. Kur kthehet në shtëpi fillon ta shkurtojë më sharrë, kur sheh të hollat në dru dhe letrën. Për këtë falënderoi Allahun.
Pas një kohe, tregtari shkon te ky njeri, kërkoi falje dhe ia ofroi 1000 dinarë të tjera. Mirëpo, ai nuk i pranoi, por tha:
“Vërtet Allahu i ka ruajtur të hollat të cilat i ke dërguar nëpërmjet drurit. O besnik! Zoti të shpërbleftë gjithmonë me të mira për besnikërinë tënde.”
Përfundim
Xhibrili, i cili ia ka sjellë shpalljen Muhamedt a.s. prej Zotit të Lartmadhëruar ka qenë besnik, sepse Zoti i Lartmadhëruar e ka quajtur “Ruhul Emin” – Shpirti besnik.
Meleku Xhibril me besnikëri e ka përcjell Kur’anin te Muhamed besnik.
Muhamed besnik me besnikëri e ka bartë Kur’anin deri te ne.
Ne duhet me besnikëri ta përcjellim Kur’anin.
Ne duhet me besnikëri të veprojmë sipas urdhrave të Kur’anit dhe
ne duhet me besnikëri ta përcjellim besimin tek brezat e ardhshëm.
Zoti im:
– Vlerësoje përmendjen tonë për Ty;
– Largoji brengat tona;
– Rregulloji çështjet tona;
– Pastroji zemrat tona;
– Fali gabimet tona;
– Na ngrit në shkallë të larta të xhenetit.