SISTEMI I TRASHËGIMISË TEK SHQIPTARËT DHE NË KOSOVË

Dr. Musli Vërbani

Te Iliro-Shqiptarët familja patriarkale ka ekzistuar me shekuj, që nga epoka e bronzit, kur ka lindur familja monogamie e deri në shek. XX, pas luftës së dytë botërore. Kur vdiste një anëtar i familjes së madhe patriarkale, nuk hapej çështja e  trashëgimisë dhe  nuk ndahej, sepse si trashëgimlënësi, edhe trashëgimtari ishin brenda së njëjtës familje. Gratë ishin të përjashtuara nga shoqëria. Trashëgimia bëhej sipas kanunit.

Koncepti i kanunit  ishte si vijon:

Babai kishte për detyrë t’u jepte pasuri, kur ndaheshin nga familja e madhe.

Kanuni e njeh si trashëgimtar djalin, e jo vajzën.

Trashëgimia të jetë në mënyrë të tërthortë, brenda një brezi, në mënyrë të barabartë, në mes të kushërinjve të brezit.

Kur mungon brezi i parë, kalon te brezi tjetër.

Kur mungon fisi, kalon te fisi tjetër.

Kanunet e njohura te shqiptarët janë:

Kanuni i Skënderbeut

Kanuni i Lumës

Kanuni i Lekë Dukagjinit

1. Kanuni i Skënderbeut dhe Kanuni i Lumës

Kanuni i Skënderbeut e njeh barazinë midis djemve, por nuk e njeh barazinë e djemve me vajza në trashëgimi. Në nenin 886 përcaktohet se: Vajzat, kur ndahet shtëpia shkojnë me prindër, kjoshin gjallë të dy apo njeni. Po nuk patën prindër, por vllazën zakonisht shkojnë me të madhin, por për arsye të ndryshme ato shkojnë me cilin vëlla të duen.

Në Kanunin e Skënderbeut dhe të Lumës ekzistonin dy institucione që krijonin marrëdhënie pasurore ndërmjet familjes patriarkale. Këto dy institucione ishin “Selemi” dhe “Mirazi”.

Selemi është institut i Kanunit të Skënderbeut. Selemi është pasuri e veçantë e anëtarit të familjes  ku një anëtar i familjes në mënyrë të veçantë lidhte ndonjë kontratë me ndonjë anëtar të ndonjë familje tjetër dhe së bashku fitonin e krijonin pasuri. Mendohet se selemi është shenjë e parë e shpërbërjes së familjes patriarkale. Po ashtu, Selemi ishte edhe pasuria që sillte gruaja me rastin e martesës, e me kalimin e kohës ajo pasuri  rritej.

Mirazi është institut i kanunit të Lumës. Sipas këtij kanuni, nëse i vdekuri nuk lë fëmijë meshkuj, atëherë vajza e martuar konkurron me kushërinjtë e saj në një të dytën, në  një të tretën dhe në një të pestën e tokës për të trashëguar. Pra, trashëgimia e vajzës së martuar, e cila bëhet pronare e tokës te babai i saj, quhet miraz. Mendohet se në këtë institut ka pasur ndikim perandoria Osmane.

Kanuni i Lekë Dukagjinit përmban dispozita për rregullimin e trashëgimisë prej nenit 88 deri në 131.

Ky kanun sanksionon pabarazinë në trashëgimi jo vetëm të fëmijëve të gjinive të ndryshme, por edhe midis burrit dhe gruas.

Sipas këtij kanuni vajzat nuk kishin të drejtë trashëgimie. Kjo shihet si në vijim:

88. Kanunja njef për trashëgimtar djalin, e jo vajzën.

89. djalin e pakunor kanunja nuk e njef për trashëgues.

90. nipit të trangut të gjakut  i përket trashëgimia, e jo nipit të tamblit a nipit bijash.

91. as te prindja  as te burri gruaja s’hin në pjesë të trashëgimit b), të mos ngrihen prindja e gruas me ngulë në plangët e dhëndrit të dal fare; c) të mos përzihen fiset e një flamuri me fise të tjetrit flamur.

Përpos kanuneve të sipërshënuara ekziston edhe instituti Statutet e Shkodrës.

Instituti Statutet e Shkodrës ka fare pak dispozita për trashëgiminë ligjore.

Sipas këtij instituti, në radhë të parë, trashëgojnë bijtë.

Nëse nuk janë bijtë, trashëgon i ati ose nëna.

Nëse nuk janë prindërit, trashëgojnë vëllezërit ose bijtë e tyre.

Nëse nuk janë vëllezërit, trashëgojnë djemtë e motrave.

Nëse nuk janë vëllezërit dhe as bijtë e motrave, trashëgojnë xhaxhallarët dhe bijtë e tyre. Nëse nuk janë xhaxhallarët, atëherë trashëgojnë kushërinjtë deri në shkallën e katërt.

Sipas këtij Instituti pasuria e burrit kalon te gruaja, dhe anasjelltas.

Nëse i vdekuri nuk ka trashëgimtarë, atëherë pasuria kalon në Komunë.

E drejta e trashëgimisë në Kosovë

Prej pas luftës së dytë botërore e deri në përfundimin e Luftës Çlirimtare të Kosovës më 1999, Ligji Trashëgimor i Kosovës ka kaluar në katër faza:

Faza e parë: Prej vitit 1945 deri në vitin 1955;

Faza e dytë: Prej vitit 1955 deri në vitin 1963;

Faza e tretë: Prej vitit 1963,  por ligji i miratuar në vitin 1974;

Faza e katërt: Fillon më 28 Korrik 2004, kur Kuvendi i Kosovës, në Kosovën e çliruar nga okupatori serb,  miraton Ligjin e parë për trashëgiminë, i cili Ligj është në fuqi edhe sot.

Edhe në të kaluarën, por edhe sot në Kosovë, ligji i trashëgimisë nuk zbatohet, posaçërisht kur janë në pyetje femrat. Ndarja bëhet sipas zakoneve, të cilat nuk janë në përputhshmëri me Islamin, edhe pse sipas ligjit u takon hise. Mirëpo kjo e drejtë, atyre u mohohet. Dhe çka është më interesante, mostrashëgimia e tyre i mvishet Islamit,  ndërsa trashëgiminë e tyre Islami e ka bërë farz, ashtu siç e ka bërë farz namazin, zekatin, haxhin, agjërimin etj.

Kështu që pasuria trashëgohet brez pas brezi pa dokumente.

Mënyrat e trashëgimisë në Kosovë janë si vijon:

1. Ndarja e pasurisë sipas burrave.

2. Ndarja e trashëgimisë pa ndërmjetësues.

3. Trashëgimia si emanet.

4. Trashëgimia e mirazit.

1. Ndarja e trashëgimisë përmes burrave

Janë dy kategori të ndarjes, me pjesëmarrjen apo ndërmjetësimin e burrave:

a. pjesëmarrja formale e burrave.

b. pjesëmarrja e burrave për zgjidhjen e kontesteve.

a. Pjesëmarrja formale e burrave

Kryesisht në këtë kategori të ndarjes marrin pjesë burrat e farefisit, vetëm e vetëm për të bërë një akt solemn, për të zbatuar traditën, sepse trashëgimtarët paraprakisht janë deklaruar mes vete se kush çka të marrë. Vëllezërit e marrin çka kanë kërkuar, dhe prej motrave është kërkuar të heqin dorë nga trashëgimia.

b. Pjesëmarrja e burrave për zgjidhjen e kontesteve.

Rastet, kur vëllezërit kanë mosmarrëveshje për ndarjen e pasurisë, kanë qenë dhe janë të shumta, si:

– vdekja e hershme e trashëgimlënësit,

– prishja e marrëdhënieve të vëllezërve para ndarjes së pronës,

– si faktor mund të jetë jeta në bashkësi, ku gratë (kunatat) e nisin sherrin dhe jeta bëhet konfliktuoze dhe e padurueshme.

2. Ndarja e pasurisë pa ndërmjetësim.

Në disa raste vëllezërit merren vesh qe të mos ketë ndërmjetësim. Ata pajtohen në mes vete se si ta ndajnë pronën e prindit të tyre, ndërsa motrave u thonë që të heqin dorë nga pjesa trashëgimore e tyre, madje kalon një kohë e gjatë dhe nuk e regjistrojnë pronën  në organet kompetente.

3. Trashëgimia si emanet

Në disa raste trashëgimlënësi u thotë trashëgimtarëve që këtë apo atë pronë i lë amanet  këtij apo atij personi dhe trashëgimtarët pajtohen me mendimin e tij.

4. Trashëgimia e mirazit

Sipas të drejtës zakonore shqiptare, gruaja nuk mund të ishte trashëgimtare as në shtëpinë e babait, as në shtëpinë e burrit. Në kanunin ë Lumës ishte rregulli kështu: “Trashëgimtarë të radhës së parë janë djemtë, e jo vajzat. Nëse i vdekuri nuk kishte djem, por vajza të martuara, vajzat thirreshin si trashëgimtare të radhës së dytë dhe konkurronin së bashku me kushërinjtë e tyre. Pjesa e vajzave në pasurinë e të atit quhet miraz dhe përbëhej nga një e dyta, një e treta dhe një e pesta e tokës.”

Mendoj se fjala “miraz” ka prejardhjen prej gjuhës arabe, që do të thotë “trashëgimi”, pra është fjalë e cila ka kaluar në tri faza:  Në fazën e parë është thënë “mirath”, pastaj shkronja “th” është shndërruar  në “s”  dhe është thënë “miras” e pastaj shkronja “s” është shndërruar në “z” dhe është thënë “miraz”. Mirëpo, me kalimin e kohës përdoret vetëm në formë nënçmuese për të drejtën trashëgimore, të cilën e kërkon vajza e martuar për t’ia bashkangjitur burrit të saj.

Pasi që një gjë e tillë ka filluar të zbatohej, dhe është  bërë zakon, asaj i është mohuar edhe e drejta e vizitës së familjes së saj, të drejtë të cilën e kishte me kanun, sepse vëllezërit u thonë motrave: nëse kërkoni hise, nuk keni të pame në shtëpitë tona.

Në  kanunin e Lekë Dukagjinit thuhet: “Djemtë kanë hise, kurse vajzat  nuk kanë marrë hise për shkak se ato martohen dhe krijojnë familje diku tjetër. Vëllezërit i marrin në pushime. Ato kanë të drejtë dy herë në vit (për pushime) nga dy javë apo nga një muaj. Atëherë në katund i kanë dhënë larg dhe për këtë dy herë në mot ka shkuar vajza në shtëpinë e vet”.

Përfundojmë në atë  së feja Islame i ka dhënë të  drejtë trashëgimie gruas, vajzës, nënës, gjyshes, vajzës së djalit, motrës, motrës nga nëna, motrës nga babai dhe i ka radhitur në radhën e trashëgimtarëve të domosdoshëm (as’habul furud), me kushte dhe rrethana të caktuara, me pjesë të domosdoshme, nëse plotësohen ato kushte.

Sipas L.T.K trashëgimtarët radhiten në tri radhë:

Radha e parë

Në radhën e parë të vdekurin e trashëgojnë:

1. Fëmijët dhe

2. bashkëshorti

Në nenin 12 të L.T.K-së thuhet “Trashëgimlënësin e trashëgojnë para të gjithëve fëmijët e tij dhe bashkëshorti i tij”.

Radha e dytë           

Nëse i vdekuri nuk ka pasardhës, trashëgojnë:

1. Prindërit dhe

2. Bashkëshorti

Në nenin 14.1 të L.T.K-së thuhet “Pasurinë e trashëgimlënësit, që nuk ka lënë pasardhës, e trashëgojnë prindërit e tij dhe bashkëshorti i tij”.

Radha e tretë

Nëse i vdekuri nuk ka lënë pasardhës, bashkëshort, prindër, dhe prindërit e tij nuk kanë lënë pasardhës të tjerë, atëherë e trashëgojnë gjyshërit dhe gjyshet e tij.

Në nenin 18.1 thuhet: “Pasurinë trashëgimore të trashëgimlënësit, që nuk ka lënë pasardhës, bashkëshort, prindër, dhe prindërit e tij nuk kanë lënë pasardhës të tjerë, e trashëgojnë gjyshërit dhe gjyshet e tij.”

Në fund trashëgon edhe Komuna

Në nenin 21.1 thuhet: “Nëse trashëgimlënësi nuk ka lënë as trashëgimtarë ligjor dhe as testament, konsiderohet se trashëgimia i takon komunës, ku trashëgimlënësi ka pasur vendbanimin e tij të fundit”.

Lini një koment