Dr. Musli Vërbani
–
Ushtarët e Ebrehesë iu afruan Qabës.
Ata mendonin se nuk ka ushtri e cila mund t’i ndalte.
Ata kishin vendosur ta shkatërronin Qabën.
Qabeja është shtëpi e Allahut.
Ebreheja me ushtarët e tij panë diçka interesante.
Diçka e ngjashme me re të zeza u shfaq në horizont.
Ato nuk ishin re, ato ishin tufa zogjsh që quheshin Ebabil.
Ata vinin nga drejtimi i detit.
Çdo zog mbante nga tre gurë, një në sqep dhe dy në kthetra.
Ishin gurë të vegjël prej zjarri.
I lëshonin gurët në madhësinë e lajthive nga sipër drejt e në kokat e ushtarëve.
Pasi largohej një tufë prej tyre, ushtrinë e sulmonte një tufë tjetër.
Ushtarët e panë veten në një kaos të tillë që s’dinin çfarë të bënin.
Çdo ushtar, të cilit i binte një prej këtyre gurëve, binte menjëherë i pajetë në tokë.
Ushtarët e Ebrehesë u rrëzuan të gjithë në tokë si miza.
Edhe vetë Ebreheja ishte një nga ata që u godit prej gurëve.
Prej gurit që e goditi, Ebrehesë iu thanë duart.
Krahët dhe këmbët iu bën sikur të kishin qenë gjethe të thara.
Dy ushtarë u munduan ta nxirrnin prej fushës së luftës, por për një kohë tepër të shkurtër atij iu thanë të gjitha organet duke iu kthyer në dhe.
Ai ndenji gjallë derisa iu tha edhe zemra.
Dhe pasi iu tha edhe zemra, ai u kthye i tëri në pluhur.