21. BËJE JETËN DHE FAMILJEN TË LUMTUR

Dr. Musli Vërbani

Sot do të ligjëroj për begatitë e Zotit të cilat janë të shumta.

Po filloj me thënien e Zotit të Madhërishëm:

“Po edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë (të mirat) e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i numëroni ato.” (Nahl, 18).

Jeta e mirë është nevojë e çdo njeriu!

Jeta e mirë është pikësynim i çdonjërit!

Jeta e mirë është kërkesë e çdo njeriu, posaçërisht në kohën moderne ku njerëzimin e ka kapluar kriza shpirtërore psiqike!

Jeta e mirë quhet jeta ku të qetësohet zemra!

Jeta e mirë quhet jeta ku të pushon shpirti!

Besimtarë të nderuar!

Njerëzit mundohen ta kërkojnë jetën e mirë në vende të ndryshme.

Njerëzit mundohen ta kërkojnë jetën e mirë në mënyra e forma të ndryshme.

Disa, jetën e mirë e kërkojnë jetën në pozita të larta shtetërore.

Disa jetën e mirë e kërkojnë në famë e popullaritet.

Disa jetën e mirë e kërkojnë në pasuri dhe në të mira materiale.

Disa e kërkojnë jetën e mirë apartamente.

Ndërsa,

Jeta e mirë është jeta që e ka përshkruar Allahu:

Jeta e mirë është jetë e mirë siç e ka definuar Allahu:

“Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’ua japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.” (Nahl, 97).

Vëllezër të nderuar!

Çka e bënë jetën të lumtur?

Çështja e parë dhe kryesorja e cila e bënë jetën të lumtur është: Besimi me vepra të mira, siç thotë Zoti i Madhërishëm:

“Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’ua japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.” (Nahl, 97).

Nga ajeti kuptojmë dy çështje kryesore të arritjes së lumturisë:

– Besimi në Allahun dhe

– vepra e mirë.

Sa herë që imani i njeriut forcohet aq herë lumturia e tij shtohet. Kjo nga shkaku se, ai i cili beson Allahun, Allahu ja zgjeron gjoksin dhe ja udhëzon zemrën. Allahu xh.sh. thotë:

“Atë që Allahu dëshiron ta udhëzojë, ia zgjeron zemrën në Islam.”

Gjithashtu Zoti i Madhërishëm thotë:

e kush i beson Allahut, Ai ia udhëzon zemrën e tij”.

Pejgamberi a.s. ka thënë:

“Ruaje Allahun – Ai do të ruan. Kujto Atë në mirëqenie, Ai do të kujtoj ty në vështirësi. Kur pyet, pyete Allahun, kur kërkon ndihmë kërkoje nga Ai.”

Zoti i Madhërishëm thotë:

“O ju që besuat, përgjigjuni Allahut dhe të dërguarit kur ju ftojnë për atë që ju jetëson.”(Enfalë, 24)

Pra, që ua bënë jetën të mirë dhe të lumtur, që ua bënë jetën plot gjallëri.

Vëllezër të nderuar!

Jetën e lumtur e bën devotshmëria.

Devotshmëria i jep njeriut qetësi e lumturi.

Devotshmëria nuk e lejon që njeriu të mërzitet për të kaluarën.

Devotshmëria nuk e lejon njeriun që të brengoset për të ardhmen.

Këtë e thotë Zoti i madhërishëm ku thotë:

“të dashurit e Allahut nuk kanë frikë nga e kaluara dhe nuk brengosen për të ardhmen? Të cilët besuan dhe ishin prej të devotshmëve.” (Junus 62-64).

Vëllezër të nderuar!

Prej shkaqeve të lumturisë në familje është edhe leximi i Kur’anit.

Leximi i Kuranit e largon shejtanin dhe i afron melekët.

Pejgamberi a.s. ka thënë:

“Sa herë që disa njerëz mblidhen në një prej shtëpive të Allahut (xhami) duke e lexuar dhe mësuar Librin e Allahut, veçse mbi ta do të zbresë qetësia, do t’i mbulojë mëshira e Allahut dhe do t’i rrethojnë engjëjt me krahët e tyre dhe Allahu do t’i përmendë me emra tek engjëjt që janë afër Tij.”

Ky hadithë është i përgjithshëm. Ky hadithë tregon për përmendjen e Zotit në xhami, në shkolla, në shtëpi.

Ky hadithë tregon për përmendjen e Allahut çdo kund.

E tërë jeta duhet t’i kushtohet Kur’anit. Muhamed a.s. ka thënë:

“Kush dëshiron të bisedon me Allahun, le të lexon Kur’an.”

Fjala e Allahut ndikon pozitivisht në jetën e njeriut.

Fjala e Allahut e largon shejtanin.

Kur të lexohet fjala e Allahut, zbresin melekët.

Pejgamberi a.s. ka thënë:

“Çdo herë kur një shoqëri e përmend Allahun, i përfshijnë melekët, i përfshinë mëshira e Zotit. Zbret qetësia dhe lumturia mbi ta dhe Allahu i regjistron afër Tij.”

Kur është pyetur një dijetar prej të parëve tanë se sa duhet të lexohet Kur’an që të arrihet lumturia e jetës, e dini si është përgjigjur? E dini çka ka thënë?

Aq sa doni prej lumturisë!

Pra, aq sa dëshiro jetë të lumtur, aq lexo Kur’an.

Lexo Kur’an do të jesh i lumtur!

Vëllezër të nderuar!

Prej shkaqeve që ndihmojnë në arritjen e lumturisë është edhe përmendja e Allahut, ngase nëse Allahu është i dashuri yt, atëherë ti përherë do të shoqërohesh me përmendjen e Tij. A nuk e sheh se i dashuri është i gatshëm ta dëgjojë të dashurin e tij kushdo qoftë?!

Posaçërisht jetën të lumtur e bën kur njeriu e bënë dhikrin në shtëpi, kur hynë në shtëpi, kur qëndron në shtëpi. Zoti i Madhërishëm Thotë:

“Ata që besuan dhe me të përmendur Allahun, zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur Allahun zemrat stabilizohen.” (Read, 28).

Pejgamberi a.s. ka thënë:

“Nëse dikush e përmend Allahun kur hyn në shtëpinë tij dhe gjatë të ngrënit, shejtani u thotë shejtanëve të tjerë: “Ju nuk keni vend këtu për të fjetur apo për të ngrënë.”

Por,

Nëse personi nuk e përmend Allahun kur hyn në shtëpi, shejtani u thotë atyre:

“Ju e gjetët vendin për të pushuar gjatë natës.”

Nëse njeriu nuk e përmend Allahun kur është duke ngrënë, shejtani u thotë pasuesve të tij:

“Ju këtu keni gjetur vend për të pushuar dhe për të ngrënë.”

Vëllezër të nderuar!

Jetën e bën të mirë namazi. Zoti i Madhërishëm thotë.

“Kërkoni ndihmë (në të gjitha çështjet) me durim dhe me namaz, vërtetë, ajo është e madhe (e vështirë), por jo edhe për ata që kanë frikë (Zotin).”(Bekare, 45).

Për Muhamedn a.s. është thënë:

“Kënaqësinë, pushimin dhe rehatinë e gjente në namaz.”

PoashtuMuhamed a.s. ka thënë:

“Kënaqësia shpirtërore më është bërë në namaz.”

Vëllezër të nderuar!

 Jetën e bën të mirë të kënaqurit me atë që ta ka caktuar Zoti. Pejgamberi a.s. i ka thënë Ibn Abbasit:

“…dije se, sikur tërë njerëzimi të tuboheshin për të ta bërë një të mirë, nuk do të mund ta bënin, përveç nëse atë ta ka shkruar Allahu. Dhe sikur e tërë bota të tuboheshin për të të bërë keq, nuk do të mund të bënin asgjë, përveç asaj që Allahu ka caktuar për ty; janë ngritur lapsat dhe janë tharë fletët.”

Besimtari i vërtetë është ai, që me plot kënaqësi i pranon caktimet e Allahut, të mira apo të këqija qofshin ato ngase kjo botë është botë sprove.

Të vërtetën e ka thënë pejgamberi a.s. kur ka thënë:

“Lumturia e njeriut është në kënaqësinë me përcaktimin e Allahut, ndërsa fatkeqësia e njeriut është në pakënaqësinë me përcaktimin e Allahut.

Allahu ka caktuar gjithçka dhe askush nuk mund të të bëjë mirë apo keq, veç asaj që Ai ta ka caktuar, ndaj mos u brengos për asgjë, as për riskun tënd, as për të mirën apo dëmin që mund ta bëjë dikush.

Nëse të vjen ndonjë e mirë, falëndero Allahun, kështu që është mirë për ty, ndërsa,

Nëse të godet ndonjë bela, bëj durim dhe prapë është mirë për ty.

Vëllezër të nderuar!

Jetën e bën të mirë mirësia ndaj njerëzve, në të gjitha format dhe mënyrat. Zoti i Madhërishëm thotë:

“A mund të jetë shpërblimi i veprës së mirë diç tjetër, pos të së mirës!”(Rrahman, 60)

Poashtu, Zoti i Madhërishëm thotë:

S’ka dyshim se kush e beson Allahun, e beson Ditën e gjykimit dhe bën vepra të mira, për ta nuk do të ketë frikë as pikëllim.”(Maide, 69)

 Jetën të mirë e bën mirëkuptimi në mes bashkëshortëve, drejtësia në mes fëmijëve. Pejgamberi a.s. ka thënë:

“Frikojuni Zotit dhe bëhuni të drejtë ndaj fëmijëve tuaj.”

 Jetën të mirë e bën mosveprimi i harameve, të mos ketë gjëra të ndaluara në shtëpi, të mos ketë në shtëpi alkool e të ngjashme. Jetën të mirë e bën edhe fitimi i lejuar, ngase ai që nuk ka pasuri hallall, ai do të jetë i dëshpëruar.

Jetën të mirë e bën dituria fetare. Allahu ka lavdëruar dijetarët, kur ka thënë:

“Po Allahut ia kanë frikën nga robërit e Tij vetëm dijetarët, Allahu është mbi gjithçka, është mëkatfalës.” (Fatir, 28)

 Pejgamberi a.s. ka thënë:

“Kujt Allahu ia do të mirën, e udhëzon në të kuptuarit e fesë.”

Vëllezër të nderuar!

Jetën të mirë e bën pastërtia shpirtërore. Pastërtia e zemrës dhe shpirtit është një prej shkaqeve që na e lehtësojnë arritjen e lumturisë.

Jetën të mirë e bën bindja se, lumturia e vërtetë dhe e plotë për besimtarin është Xhenneti. Allahu ka thënë:

“E për sa u përket atyre fatmirëve, ata janë në xhennet përgjithmonë, sa të jenë qiejt dhe toka, përveç atë çka do Zoti yt (Allahu ju dhuron) shpërblim të pakëputur.” (Hud, 108)

Jetën të mirë e bën veprimi i veprave të mira. Për veprimin e veprave më të mira e kemi te shembullin e tregimit të Musait a.s. me Hidrin. Kur Hidri e ka ndërtuar murin për jetimët, nga shkaku se babai atyre jetimëve ka qenë vepërmirë dhe njeri i mirë, siç tregon Zoti i Madhërishëm se: “Sa i përket murit, ai u takonte dy djelmoshave jetimë në qytet dhe, nën të gjendej një thesar i tyre. Babai i tyre kishte qenë njeri i mirë, prandaj Zoti yt dëshiroi që ata të arrinin moshën e pjekurisë e ta nxirrnin thesarin e tyre, si mëshirë nga Zoti yt. ” (Kehf, 81- 82). Ky është argument i qartë se njeriu kur është i mirë me Allahun, përfiton ai vet dhe përfitojnë pasardhësit e tij.

Përfundim

Jetën e mirë e bënë edhe duaja. Duaja është armë e fuqishme, me të cilën armatoset dhe mbrohet besimtari. Në lidhje me duanë Allahu ka thënë:

Zoti juaj ka thënë:

“Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem, e ata që nga mendjemadhësia i shmangen adhurimit ndaj Meje, do të hyjnë të nënçmuar në xhehennem.”(Gafir, 60)

Prej shkaqeve të lumturisë është të vepruarit me maturi në raste të vështirësive; të vepruarit me mençuri, të vepruarit me seriozitet në raste të krizave; të vepruarit mirë në rastet të problemeve.

Zoti im, bëje shtëpinë time, shtëpi të leximit të Kur’anit.

Zoti im, bëje shtëpinë time, shtëpi të adhurimit.

Zoti im, bëje shtëpinë time, shtëpi të dhikrit.

Zoti im, bëje shtëpinë time, shtëpi të devotshmërisë.

Zoti im, bëje shtëpinë time, shtëpi të udhëzimit.

Zoti im, bëje shtëpinë time, shtëpi të mirësisë.

Zoti im, bëje shtëpinë time, shtëpi të mëshirës.

Zoti im, bëje shtëpinë time, shtëpi të qetësisë.

Zoti im, bëje shtëpinë time, shtëpi të harmonisë.

Zoti im, bëje shtëpinë time, shtëpi të lumturisë.

Zoti im, bëje shtëpinë time, shtëpi të sukseseve.

Lini një koment