ZEKATI I FITRIT
–
HUTBE SHKURTËR E XHUMASË
–
Sikurse namazi i cili kategorizohet në namaz farz, namaz vaxhib dhe namaz nafile, ashtu edhe dhënia e ndihmave kategorizohet në farz, vaxhib dhe nafile.
Namazet farz janë si f.v.: kohët e namazit ditor dhe namazi i Xhumasë. Namaz vaxhib janë namazet e Bajramit dhe namazi i Vitrit. Namaze nafile janë namazet sunete.
Kështu kemi të bëjmë edhe me ndihmat dhe kontributet të cilat kategorizohen në farz, vaxhib dhe nafile.
Donacion farz është zekati, donacion vaxhib është zekati i fitrit dhe donacion nafile janë llojet e ndryshme të sadakasë.
Për zekatin e fitrit Zoti i Madhërishëm thotë:”I shpëtuar është ai që pastrohet, që e përmend emrin e Zotit të vet dhe që fal namaz!” (Eala, 14-15); në këtë ajet qëllim qëllimi është për zekatin e fitrit.
Fitri ndonjëherë quhet zekatul fitri, e ndonjëherë quhet sadekatul fitri, e që, në të dy rastet qëllimi është për zekatin e trupit, zekatin personal apo zekatin individual, me fjalë tjera zekatin e individit.
Zekati i Fitrit është bërë vaxhib në vitin e dytë të hixhretit, atë vit kur është bë obligim agjërimi i Ramazanit.
Zekati i fitrit të Ramazanit është vaxhib për çdo musliman qoftë burrë qoftë grua, qoftë i vogël qoftë i rritur, qoftë fëmijë me babë e me nënë qoftë jetim. Pra, është obligim edhe për jetimin ashtu që, kujdestari i jetimit e jep në emër të jetimit nga pasuria e jetimit.
Zekatul Fitri jepet për secilin anëtar të familjes, qoftë edhe për fëmijën në barkun e nënës të cilit i ka ardhur shpirti pas muajit të katërt të shtatzënisë.
Vëllezër të nderuar!
Specifikë e zakatit të fitrit është se:
– Te rasti i Kurbanit kushtëzohet që personi, në ditën e Bajramit të Kurbanit të ketë pasurinë e nisabit (85 gr. ari, që sot kundërvlera është 5800 euro).
– Te rasti i zekatit kushtëzohet që shuma e nisabit (85 gr.ari që sot kundërvlera është 5800 euro) duhet të jetë evidente gjatë tërë vitit për të dhënë zekatin.
– Te rasti i zekatit të fitrit nuk kushtëzohet shuma e nisabit për gjatë tërë vitit dhe as për ditën e fitr Bajramit, por ai i cili përpos nevojave ditore të tij për ditën e Bajramit posedon ushqim ditor atëherë i bëhet vaxhib dhënia e zakatit të fitrit.
– Lloj-llojshmëria e ibadetit në islam vetëm se e bënë më madhështore fenë islame sepse nuk e ngarkon njeriun më shumë se sa ka mundësi por i jep alternativa të shumënumërta dhe të shumëllojta. Këtë nuk e shohim te ndonjë shoqëri tjetër përpos në shoqërinë Islame.
Vëllezër të nderuar!
Parashtrohet pyetja: Ku qëndron dallimi në mes të zakatit dhe zekatul fitrit?
Dallimi në mes të zekatit dhe zekatul fitrit qëndron në atë se zekati ndërlidhet me pasurinë e myslimanit, ndërsa Zekatul fitri ndërlidhet me trupin e muslimanit.
Sa i përket sadakasë nuk ndërlidhet as me trupin e as me pasurinë sepse sadakaja nuk është obligative por është dhënie vullnetare. Sa i përket sadakasë, jep sa të duash, kur të duash, i jep për kategoritë e zekatit por edhe për kategori tjera përpos kategorive të zekatit, e kështu me radhë.
E përmendëm edhe më herët, te zekati i pasurisë kusht është nisabi, ndërsa te zekati i trupit nuk është vaxhib nisabi.
Në zekatin e pasurisë merr pjesë vetëm i pasuri, ndërsa në zekatin e trupit merr pjesë edhe i pasuri edhe i varfëri.
Zekatin e trupit e jep edhe i varfëri për veten e tij me qëllim që edhe ai ta bën shprehi të jep ashtu siç e ka shprehi të merr (pranon) dhe që të barazohet me të pasurin e të mos e ndien veten të diskriminuar, të mos e ndien veten të nënçmuar por ta ndien veten të barabartë me të tjerët.
Vëllezër të nderuar!
Me dhënien e zekatul fitrit shprehet falënderimi praktik (jo vetëm teorik) për plotësimin e ditëve të agjërimit.
Me dhënien e zekatul fitrit shprehet falënderimi praktik për faljen e namazit dhe dhikrit gjatë ditëve të agjërimit.
Me dhënien e zekatul fitrit shprehet falënderimi për veprimin e veprave të mira gjatë ditëve të agjërimit siç thotë Zoti i Madhërishëm: “Që të plotësoni numrin e ditëve të caktuara, të madhëroni All-llahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni.” (Bekare, 185)
Në Islam teoria dhe praktika duhet të jenë në harmoni me njëra-tjetrën.
Vëllezër të nderuar!
Qëllimi i obligueshmërisë së zekatit të fitrit është në atë se pasqyrohet mëshira reciproke.
Qëllimi i obligueshmërisë së zekatit të fitrit është në atë se bëhet ndërlidhja në mes vete.
Qëllimi i obligueshmërisë së zekatit është që në ditën e Fitër Bajramit të gjithë muslimanët të kenë ushqim.
Qëllim i obligueshmërisë së zekatit është që në ditën e Fitër Bajramit që të gjithë muslimanët të kenë veshmbathje.
Qëllimi i obligueshmërisë së zekatit është që në ditën e Fitër Bajramit të gjithë muslimanët të kenë vendbanim dhe t’i ndihmojnë njëri-tjetrit.
Qëllimi i obligueshmërisë së zekatit të fitrit është që në ditën e Fitër Bajramit që të gjithë muslimanët të jenë të gëzuar dhe të lumtur.
Qëllimi i obligueshmërisë së zekatit të fitrit është në atë se dëshmohet përkrahja e njëri tjetrit, siç thotë pejgamberi a.s.: “Shembulli i muslimanëve në dashuri të ndërsjellët mes vete, në harmoni mes vete dhe në mëshirë mes vete është njësoj si shembulli i trupit, që kur të rënkon një organ i trupit, atëherë tërë trupi ndien dhembje dhe rënkon.”
Për këtë arsye, zekatul fitrin e ka vaxhib edhe i pasuri edhe i varfëri siç ka thënë pejgamberi a.s.: “Sa i përket të pasurit (ai e jep zekatul fitrin), Allahu e pastron dhe ia shton pasurinë, ndërsa sa i përket të varfrit, Zoti ia kthen më shumë dhe i jep më shumë se sa ka dhënë (Zekatul Fitrin)”.
Vëllezër të nderuar!
Koha e dhënies së Zekatul fitrit është vaxhib të jepet në Ramazan para faljes së namazit të Fitr Bajramit.
Edhe pse tolerohet të jepet prej ditës së parë të Ramazanit, koha e rregullt e saj është prej agimit të ditës së parë të Fitr bajramit e deri në kohën e faljes së namazit të Fitr Bajramit. Kjo duke u bazuar në ajetin e Kur’anit: “Ka shpëtuar kush e ka dhënë zekatin (zekatin e fitrit) dhe e ka përkujtuar emrin e Zotit të vet dhe e ka falur namazin (e Bajramit)”. (Eala, 14-15)
Pejgamberi a.s.: “E ka bë vaxhib zekatin e fitrit si pastrim për agjëruesin nga fjalët e panevojshme dhe grindjet, dhe si ushqim për të varfërit.”
Zoti i Lartmadhërishëm thotë: “Ata që shpërndajnë pasurinë e vet, edhe natën por edhe ditën, fshehurazi por edhe haptazi, ata kanë shpërblimin e vet te Zoti i tyre, dhe për ta nuk ka as frikë as pikëllim”. (El Bekare, 274)
Muhamedi a.s. në hadithë ka thënë: “Sigurojeni pasurinë tuaj duke dhënë zekatin dhe shëroni sëmundjet tuaja duke dhënë sadakanë”.
Përfundim:
Po e përfundojmë këtë hutbe me ajetin Kur’anor i cili qëndron pas ajeteve të agjërimit ku Zoti i madhërishëm thotë: “E kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua.” (Bekare, 186)
E lusim Zotin që të na pranon agjërimin, dhënien e zekatit, dhënien e zekatit të fitrit dhe veprat e mira gjatë këtij muaji të Ramazanit.
–
Përgatiti: Dr. Musli Vërbani