Detyrimet e veprimeve pozitive dhe ndalimi i veprave negative
–
Elhamdulilahi Rabbil Aleminë
Err-Rrahamanirr-Rrahimë
Maliki jemvmid dinë
Esselamu alejke ejjuhen nebiju ve Rahmetullahi ve berekatuehu
Esselamu alejna ve ala ibadil-Lahi salihinë
eshhedu en la i lahe il-lell-llah
Ve eshhedu enne Muhamedn abduhu ve resuluhu
Erselehu ll-Llahu beshiren ve nedhira.
Emmaa bead
Përkthimi:
Lavdërimet i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve.
Mëshirbërësit, Mëshiruesit,
Sundimtarit të Ditës së Gjykimit.
“Paqja, begatia dhe mëshira e Zotit qofshin mbi ju o i dërguar.”
“Paqja qoftë mbi ne dhe mbi robërit e mirë dhe të devotshëm.”
Dëshmoj dhe deklaroj se vetëm Allahu është Zot dhe dëshmoj dhe deklaroj se Muhamedi është i dërguar i Zotit dhe rob i tij (të cilin e ka dërguar qortues dhe përgëzues).
Dhe…
Ne i dimë pesë shtyllat e Islamit, por duhet t’i dimë pesë objektivat e sheriatit.
Ne i dimë pesë shtyllat e Islamit, por duhet t’i dimë pesë qëllimet e sheriatit.
Ne i dimë pesë shtyllat e Islamit, por duhet t’i dimë pesë pikësynimet e sheriatit.
Pesë shtyllat e islamit janë: Shehadeti, namazi, zekati, agjërimi dhe haxhi.
Pesë objektivat e sheriatit janë: Sigurimi i fesë, jetës, nderit, pasurisë dhe mendjes.
Vëllezër të nderuar!
Çdo çështje, në rend të parë ka nevojë të sigurohet, të zhvillohet dhe njëkohësisht duhet të mbrohet, me fjalë tjera, të merren masat për të ndaluar atë çka dëmton.
Nuk mjafton vetëm mbjellja e pemës, por duhet që të parandalohet ajo çka e dëmton atë pemë.
Shenjat e komunikacionit nuk janë vetëm për të urdhëruar kahjen e automjetit, por në të njëjtën kohë edhe për ndalimin e automjetit për të mos rënë në humnerë.
Për sigurimin e fesë, në njërën anë nevojiten detyrimet e veprimeve pozitive, në anën tjetër ndalimin e veprimeve negative.
Për sigurimin e jetës, në njërën anë nevojiten detyrimet e veprimeve pozitive, në anën tjetër ndalimin e veprimeve negative.
Për sigurimin e mendjes, në njërën anë nevojiten detyrimet e veprimeve pozitive, në anën tjetër ndalimin e veprimeve negative.
Për sigurimin e gjenit, nevojiten detyrimet e veprimeve pozitive, në anën tjetër ndalimi i veprimeve negative.
Për sigurimin e pasurisë nevojiten detyrimet e veprimeve pozitive, në anën tjetër ndalimi i veprimeve negative.
Vëllezër të nderuar!
Po fillojmë nga objektivi i parë: Feja dhe ekzistimi i saj.
Me këtë objektiv nënkuptohet besimi i fortë dhe zbatimi i adhurimeve.
Me këtë objektiv nënkuptohet praktikimi i ligjeve me të cilat Islami rregullon marrëdhëniet në mes njeriut dhe Zotit.
Me këtë objektiv nënkuptohet praktikimi i ligjeve me të cilat Islami rregullon marrëdhëniet në mes njerëzve në mes vete.
Islami rregullon marrëdhëniet në mes njerëzve në mes vete.
Ruajtja e fesë nënkupton ruajtjen e saj nga devijimi dhe gabimi.
Ruajtja e fesë nënkupton thirrjen e të tjerëve që të pranohet dhe të jetohet në pajtim me të.
Ruajtja e fesë nënkupton të mbrohet nga forcat të cilat e rrezikojnë atë.
Në bazë të këtij objektivi parashihet ligji i luftës mbrojtëse (xhihadit).
Në bazë të këtij objektivi parashihen dispozitat për renegatët.
Feja, në njërën anë zhvillohet, mbrohet dhe sigurohet me zbatimin e pesë shtyllave të islamit (adhurim dhe besim), në anën tjetër për të siguruar këtë çështje e ka ligjësuar xhihadin dhe mbrojtjen e fesë, me fjalë tjera ndëshkimin e atij i cili e paralizon duke tradhtuar.
Duke plotësuar këtë domosdoshmëri duhet siguruar parimin e devotshmërisë dhe ruajtjen e çdo muslimani nga vetshkatërrimi.
Vëllezër të nderuar!
Po vazhdojmë me objektivin e dytë:
Sigurimin e jetës:
Me ruajtjen e jetës nënkuptohen masat për ruajtjen e gjinisë njerëzore.
Parashtrohet pyetja: Si mbrohet jeta?
Jeta sigurohet dhe mbrohet me martesën.
Jeta sigurohet dhe mbrohet me martesën dhe shtimin e llojit njeri.
Jeta mbrohet me plotësimin e nevojave të domosdoshme të ushqimit dhe pijes.
Jeta mbrohet me plotësimin e nevojave të domosdoshme të veshmbathjes.
Jeta mbrohet me plotësimin e nevojave të domosdoshme të vendstrehimit.
Jeta sigurohet dhe mbrohet duke përdorur medikamentet për shërim.
Në këtë mënyrë garantohet objektivi i sigurimit të jetës.
Në anën tjetër:
Përballë detyrimeve pozitive për të mbrojtur jetën, kemi ndalimin e veprimeve negative, kështu që:
Jeta sigurohet dhe mbrohet me ndalimin e vetëvrasjes.
Jeta sigurohet dhe mbrohet me ndalimin e vetëvrasjeve.
Jeta sigurohet dhe mbrohet me ndalimin e abortit.
Jeta sigurohet dhe mbrohet me dënimin për vrasësin.
Jeta sigurohet dhe mbrohet me zbatimin e Ligjeve në lidhje me ndëshkimet dhe dëmshpërbëlimet për ata që privojnë të tjerët nga jeta e tyre. Ligjet janë vënë për ta ruajtur jetën e njeriut.
Jeta sigurohet dhe mbrohet për të vazhduar kontinuiteti i llojit njeri me lindje të fëmijëve dhe me mbrojtjen e tyre.
Jeta sigurohet dhe mbrohet me zbatimin e ligjeve të kompensimit.
Vetëm në këtë mënyrë mbrohet jeta dhe njerëzit.
Vëllezër të nderuar!
Në radhë e kemi objektivin e tretë: Sigurimin e mendjes.
Mendja është dhuratë nga Zoti i Lartmadhëruar, andaj Zoti ka lejuar çdo gjë që i shërben mendjes dhe ka ndaluar çdo gjë e cila e dëmton mendjen.
Ruajtja e mendjes është domosdoshmëri. Ka ndaluar konsumimin e alkoolit dhe të gjitha substancave dehëse.
Për këtë qëllim, Sheriati ka urdhëruar nxënien e diturisë, që mendja të pasurohet me njohuri dhe dituri.
Sheriati ka paraparë ndëshkim për ata që e konsumojnë alkoolin.
Sheriati ka ndaluar konsumimin e lëndëve narkotike dhe ka paraparë dënim të caktuar për konsumuesit, pasi kështu garantohet mendja, e cila është kandar i kryerjes së detyrave dhe obligimeve.
Në fund duhet ta kuptojmë se:
Mendja nuk mbrohet vetëm me moskonsumimin e alkoolit, por mendja mbrohet duke e pajisur me dituri.
Mendja nuk mbrohet vetëm me moskonsumimin e drogës, por mendja mbrohet me arsimim me edukim dhe me shkencë.
Mendja mbrohet me shkencë dhe duke mos lejuar të kontaminohet me informata të dëmshme.
Vëllezër të nderuar!
Objektivi i katërt dhe i parafundit është: Sigurimi i gjenit dhe nderit.
Për të siguruar dhe për të mbrojtur gjenin dhe nderin, në njërën anë është ligjësuar martesa, në anën tjetër është ndaluar prostitucioni.
Për të siguruar dhe për të mbrojtur familjen dhe nderin janë të domosdoshme masat ndëshkuese
dhe kjo garanton mospërzierjen e farës dhe kontinuitetin e llojit njeri.
Vëllezër të nderuar!
Tani në fund po tregojmë për objektivin e pestë: Sigurimin e pasurisë.
Ky objektiv na obligon angazhimin për të siguruar furnizimin.
Ky objektiv na obligon për veprimtaritë reciproke në mes njerëzve.
Ky objektiv në njërën anë parasheh detyrimet për veprimtaritë reciproke duke filluar nga shitblerja, dhuratat, shoqëritë aksionare, huazimet e kështu me radhë.
Në anën tjetër parashihen ndalesat si f.v.:
Për t’u siguruar pasuria, është ndaluar vjedhja.
Për t’u siguruar pasuria është paraparë ndëshkimi me prerje të dorës për vjedhësin dhe vjedhësen.
Për t’u siguruar pasuria është i ndaluar mashtrimi.
Për t’u siguruar pasuria është e ndaluar kamata.
Për t’u siguruar pasuria është ndaluar ngrënia e pasurisë së njëri-tjetrit me padrejtësi.
Kështu pra:
Përballë urdhëresave janë ndalesat sepse një çështje mbrohet duke e zhvilluar atë çështje dhe duke ndaluar çdo gjë e cila e dëmton atë çështje.
Përfundim
Një pjesë e medieve dëshirojnë ta shpartallojnë fenë e njeriut.
Një pjesë e medieve dëshirojnë ta zhdukin jetën e njeriut në tokë.
Një pjesë e medieve dëshirojnë ta shkatërrojnë familjen.
Një pjesë e medieve dëshirojnë ta konsiderojnë pasurinë mbi të gjitha.
Një pjesë e medieve dëshirojnë ta dehin mendjen e njeriut edhe pa alkool edhe pa substanca narkotike, por duke e kontaminuar mendjen e njeriut me helme mediatike.
–
Dr. Musli Vërbani