TEORIA ISLAME PËR KAPITALIN
Vëllezër të mi musliman,
kur kemi folur për thënien e Allahut të Madhërishëm:
“Jepi çdo të afërmi të drejtën që i takon, edhe të varfrit, edhe të mbeturit në rrugë, po mos shkapërderdh (mjete financiare) dhe të bëhesh shkapërderdhës.
Ata që shpenzojnë tepër duke bërë shkapërderdhje financiare janë vëllezër (në veprim) të djajve, e djalli është përbuzës i madh i Zotit të Tij.
Nëse detyrohesh t’ua kthesh shpinën atyre (të afërmve etj.), duke kërkuar mëshirën, të cilën e shpreson nga Zoti yt (furnizim për t’i ndihmuar ata), atëherë thuaju atyre fjalë të mira (të lehta).” (Isra: 26-28)
Kemi treguar për:
- Të drejtën e të afërmit.
- Të drejtën e të varfrit.
- Të drejtën e të mbeturit në rrugë.
Kemi treguar se njeriut, nga ajo pasuri të cilën ia ka dhënë Allahu i Madhërishëm, ia ka bë detyrë atyre se ajo e drejtë është e drejtë obligative, e nuk është e drejtë vullnetare, nuk është bamirësi me të drejtë zgjedhjeje, por është e drejtë e pronarit të asaj pasurie, e Ai pronar në esencë është Allahu i Madhërishëm, është e drejtë e Atij i Cili ia ka dhënë atë pasuri njeriut. Pra, është e drejtë e Pronarit të asaj pasurie i Cili e ka bërë përgjegjës njeriun për atë pasuri: “Jepuni atyre nga pasuria e Allahut, i Cili ua ka dhënë juve atë pasuri.” (En-Nurë: 23).
Teoria Islame për kapitalin nuk është teori e cila e sheh kapitalin vetëm nga këndvështrimi se a është i dëmshëm dhe i dobishëm, ashtu siç e parashohin disa religjione, apo disa teori filozofike. Thuhet se Mesihu (Isau) ka thënë: “I pasuri nuk mund të arrijë në hapësirat e larta qiellore deri sa të mos hynë deveja për bire të gjilpërës” (Inxhili sipas Metes 19/24).
Po ashtu, atij i cili ka dashur ta pason dhe ta beson Mesihun (Isaun): “Shko dhe harxhoje pasurinë, pastaj eja dhe më paso mua”. Islami nuk i urdhëron njerëzit që të heqin dorë nga pasuria e tyre dhe të mos kenë pasuri, por ka kërkuar prej tyre që ta falënderojnë Allahun e Madhërishëm për atë pasuri të cilën ua ka dhënë. Allahu pasurinë e ka lënë amanet të cilën duhet mbajtur dhe duhet ruajtur. Ajo pasuri është deponim prej Allahut për të cilën duhet pasur kujdes dhe për të cilën duhet të përkujdeset. Ajo pasuri është e drejtë e Allahut për robërit e Tij të cilën të drejtë duhet ta realizon: “Jepi çdo të afërmi të drejtën që i takon, edhe të varfrit, edhe të mbeturit në rrugë, po mos shpenzo tepër dhe të bëhesh shkapërderdhës.” (El-Isra: 26)
“Andaj, jepja të afërmit atë që i takon, e edhe te varfrit edhe udhëtarit, e kjo është shumë më e dobishme për ata që veprojnë për hir të All-llahut dhe të tillët janë ata të shpëtuarit.” (Err-Rrumë: 38)
SHPENZIMI I PASURISË NË VENDIN MERITOR
E ke obligim që nga pasuria jote t’u japësh të drejtën personave meritor, ashtu që ta kryesh borxhin (ta realizosh të drejtën e asaj pasurie) ashtu që kur ta takosh Allahun, të jesh i pastër, në të kundërtën, në ditën e gjykimit ajo pasuri do të shndërrohet në gaca të zjarrit e cila do ta djeg trupin tënd, gjoksin tënd dhe fytyrën tënde, dhe do të thuhet në formë sarkazme: “Shijojeni pasurinë të cilën e keni deponuar”.
Atë ditë kur ajo (pasuri e deponuar) fërgohet në prushin e Xhehennemit, e me të (ashtu zharavë) lyhen ballët, anët dhe shpinat e tyre (do t’u thuhet): “Kjo është ajo që e dispozituat për veten tuaj, pra shijoni atë që e depozitonit!” (Et-Tevbe: 34-35)
“Ata, të cilët bëjnë koprraci me atë nga të mirat e veta që u dha All-llahu, të mos mendojnë kurrsesi se ajo është në dobi të tyre. Jo, ajo është në dëm të tyre. Ajo e mirë me çka bënë koprraci, në ditën e kijametit do t’u mbështillet në qafën e tyre. All-llahut i mbesin trashëgim qiejt dhe toka, All-llahu është i njohur mirë më atë që veproni. (Ali Imranë: 180)
Kjo është detyra e parë ndaj pasurisë, që të mos e shpenzosh në vendin e gabuar. Obligimi i parë është që të shpenzosh pasurinë në vendin meritor dhe në të drejtën e saj.
HAPAT E SHEJTANIT NË PASURINË E NJERIUT
Sa i përket obligimit të dytë të pasurisë: Të mos e shpenzosh në vendin e gabuar.
Sa i përket çështjes së pasurisë së njerëzve, shejtani angazhohet në tri çështje:
- Që të fitohet me pa të drejtë.
- Që të shpenzohet në vendin e gabuar.
- Që të mos i jepet e drejta pasurisë.
Për këtë arsye, në Ditën e Gjykimit secili njeri do të jep llogari. Njeriu nuk mund të lëvizë nga vendi i tij deri sa nuk jep llogari për katër çështje: Siç thotë pejgamberi a.s.: Në ditën e gjykimit, njeriu nuk mund të lëvizë nga vendi i tij deri sa të mos jep përgjegjësi për katër çështje:
- Për jetën si e ka shpenzuar.
- Për diturinë e tij, si ka vepruar.
- Për pasurinë e tij, si e ka fituar dhe si e ka shpenzuar.
- Për trupin e tij si e ka shfrytëzuar.
Nga këto katër çështje, për të cilat do të gjykohet çdo njeri, kuptohet se çdo njeri do të gjykohet për pasurinë si e ka fituar dhe ku e ka shpenzuar. Në kohën bashkëkohore njerëzit miratojnë ligje për burimin e pasurisë (nga e ke fituar këtë pasuri?). A mos e ke fituar në mënyrë të paligjshme?. Mirëpo hajnat e mëdhenj (peshqit e mëdhenj) nuk dënohen në bazë të këtij ligji. Ata vjedhin dhjetëra miliona, qindra miliona dhe mbrohen nga të pushtetshmit, ose nga të afërmit, ose nga ata me të cilët kanë lidhje të përbashkëta, ndërsa ata të cilët dënohen janë hajnat e vegjël (peshqit e vegjël). Sa i përket hajnave (peshqve) të mëdhenj, të cilët marrin sa të dëshirojnë nga buxheti shtetëror dhe atyre të cilët e thithin gjakun e popujve, ata gjithmonë amnistohen, ata nuk dënohen dhe nuk ndëshkohen mirëpo do të vjen një ditë kur do të ju thuhet:
Nga e fitove këtë pasuri?
Nga i fitove këto mijëra e mijëra, e miliona e miliona?.
Çka ke punuar më shumë se njerëzit tjerë për të pasur gjithë këtë pasuri?.
Përgjigju? Përgjigju kësaj pyetjeje? Bëhu gati për llogaridhënie?.
Atyre do të ju zgjat gjykimi.
Ai i cili ka pasuri të paktë, gjykimi i tij zgjatë pak.
Ai i cili ka pasuri shumë, gjykimi i tij zgjatë shumë.
Pra, ku dhe si e ke fituar pasurinë dhe ku e ke shpenzuar atë?
Pyetja e dytë për pasurinë: Në çka e ke shpenzuar?
Në Islam, çdo i pasur ka obligim që të shpenzon nga pasuria e tij. E jep zekatin nga pasuria e fituar. Ia jep të afërmit, të varfrit dhe të mbeturit në rrugë. Ia plotëson nevojën nevojtarit i ndihmon atij i cili ka nevojë për ushqim.
Të drejtat e pasurisë janë të shumta, minimumi i saj është zekati. Në pasuri, përpos zekatit, ka të drejta tjera. Ai e ka për detyrë ta shpenzon ku meritohet. Ai e ka për detyrë të mos e shpenzon ku nuk duhet të shpenzohet. Këtë kuptim e ka thënia e Allahut: “Mos shpenzo tepër e mos u bë shkapërderdhës.” (El-Isra: 26)
“Jepi çdo të afërmi të drejtën që i takon, edhe të varfrit, edhe të mbeturit në rrugë, po mos shpenzo tepër dhe të bëhesh shkapërderdhës.”
Jepe pasurinë në vendin e merituar, dhe mos e shpenzo në vendin e gabuar.
DALLIMI NË MES TEPRIMIT DHE SHKAPËRDERDHJES
Shkapërderdhje: quhet shpenzimi i pasurisë me pa të drejtë, shpenzimi jo në rrugë të Allahut, aty ku nuk lejohet të shpenzohet as për individin dhe as për shoqërinë.
Shkapërderdhje llogaritet shpenzimi në çështje degjeneruese dhe shkatërrimtare.
Ka dallim në mes të shkapërderdhjes dhe shpenzimit të tepërt.
Shpenzimi i tepërt është kur njeriu i tejkalon kufijtë e shpenzimit në çështje të lejuara (të cilën do ta sqarojmë më vonë).
Shkapërderdhja është kur pasuria shpenzohet në të ndaluarën. Për këtë arsye figuron interpretimi i kësaj fjale nga shumë komentator të mëhershëm, si nga Ibn Mes’udi dhe Ibn Abasi se: “Nëse njeriu tërë pasurinë e shpenzon në rrugë të Allahut, nuk quhet shkapërderdhës, ndërsa nëse një dërhem e shpenzon në mëkat quhet shkapërderdhje”.
Shkapërderdhje quhet kur një person shpenzon në atë që Allahu nuk e pëlqen. Ai i cili shpenzon diçka nga pasuria e tij në pije alkoolike, në substanca narkotike, në çështje të cilat e dëmtojnë atë personalisht dhe familjen e tij, në atë çka është e dëmshme, në kumar, në prostitucion, në vende të degjenerimit. Nëse në këto çështje e shpenzon një dërhem të vetëm konsiderohet shkapërderdhje.
Muslimanit nuk i lejohet që nga pasuria e tij të shpenzon në haram. Po si është e mundur që nga pasuria e Allahut të kontribuon në mëkat ndaj Allahut!?.
Allahu të ka dhënë begati, andaj ti e ke për obligim ta falënderosh Dhuruesin e asaj begatie. A do të ishte e drejtë që ti të marrësh diçka nga një njeri e pastaj atë send ta përdorësh kundër tij.
Këtë nuk e pranon logjika e shëndoshë as nuk është e drejtë morale, e as humane. Si e lejon veten tënde që ta marrësh pasurinë e Allahut, pastaj atë pasuri ta përdorësh kundër Allahut në alkool, në kumar e në çështje degjeneruese.
FORMA TË SHKAPËRDERDHJES FINANCIARE
Qoftë edhe pak nga pasuria jote, nuk lejohet të shpenzohet në mëkat. Ai i cili pasurinë e vet e shpenzon në blerjen e enëve të arit dhe të argjendit, ai shpenzim është haram. Pejgamberi a.s thotë: “Ai i cili pi ujë nga gota prej arit apo argjendit, ai ka vendosur në barkun e tij zjarrin e xhehenemit”.
Përdorimin e enëve prej arit dhe argjendit Islami e ka ndaluar si për mashkullin ashtu edhe për femrën.
Përdorimi i enëve prej ari dhe argjendi është prej llojit të luksit të cilin e ka ndaluar Islami. Atëherë pse njerëzit i përdorin këto gjësende prej arit dhe prej argjendit.
Nuk ka enë më të mira se enët prej dheut dhe prej elementeve tjera.
Po ashtu, Allahu e ka ndaluar për meshkujt që të zbukurohen me ari dhe me rroba të mëndafshit, siç figuron në hadithin e pejgamberit a.s. kur e ka marrë mëndafshin në dorën e djathtë dhe arin në dorën e majtë, i ka ngritur duart lartë dhe ka thënë: Këto janë të ndaluara për meshkujt e umetit tim ndërsa e ka lejuar për femrat e tyre.
Muslimani, nuk duhet të zbukurohet me ari, ku fatkeqësisht sot shohim shumicën e të rinjve dhe burrave se si mbajnë zinxhirë të arit në qafë të tyre.
A nuk ka mundësi që të shiten ato qafore dhe të shpenzohen në rrugë të Allahut, që të jepen për luftëtarët, që të jepen për fëmijët e dëshmorëve, që të jepen për të uriturit në Afrikë të cilët vdesin nga uria.
Nuk lejohet që meshkujt t’i mbajnë ato zinxhirë në qafë ngase i ngjasojnë grave dhe i ngjasojnë pabesimtarëve. Edhe po të mos ishte prej arit është haram, e të mos flasim kur zinxhirët janë prej ari. Qoftë ajo qafore edhe në formë të mus’hafit ashtu siç i vendosin disa injorantë, qafore në të cilën është mus’hafi.
Parashtrohet pyetja: Pse?
Për të qenë të mbrojtur!? Kështu bëhen bashkë dy harame. Të mbajturit e arit i cili është haram dhe harami tjetër. Kjo sepse ai është duke mbajtur varësen e hajmalisë. Shkojnë te pejgamberi a.s. dhjetë persona të një familjeje që të besatohen me pejgamberin a.s. E ka pranuar besatimin prej nëntë prej tyre, ndërsa prej njërit nuk e ka pranuar.
E kanë pyetur: O i dërguar pse nuk e pranove besatimin prej tij?.
Pejgamberi a.s ka thënë: Ai mban hajmali.
Pastaj pejgamberi ia ka hequr hajmalinë dhe e ka pranuar besatimin prej tij dhe ka thënë:
“Kush mban hajmali ai kalon në idhujtari”.
“Kush mban hajmali për siguri, Zoti nuk e siguron”.
“Rukja, Hajmalitë dhe Tevlet janë idhujtari”.
Muslimanit nuk i lejohet të mbajë qafore të arit në qafë, ose që të mban unazë prej arit në gisht.
Pejgamberi a.s. e ka vërejtur se një njeri mbante unazë të arit në dorën e tij, pastaj ia ka hequr prej gishti dhe e ka hedhur në tokë dhe ka thënë: “Ai i cili dëshiron gaca të zjarrit të xhehenemit le ta vendosë në dorën e tij”.
Pasi ka shkuar pejgamberi a.s. i është thënë atij njeriu: Merre dhe shpenzoje për diçka tjetër.
Ai thotë: Jo për Zotin. Kurrë nuk e marrë atë që e ka hedhë pejgamberi a.s.
Sehabet, në mënyrë të përnjëhershme i kanë zbatuar ligjet e Allahut. Kur u është sqaruar harami, menjëherë janë larguar nga ai haram.
Për çfarë arsye njerëzit e mbajnë unazën e fejesës, dhe me atë unazë e fillojnë jetën martesore.
Kështu, ata jetën bashkëshortore e fillojnë me haram. Çështja e parë e cila hynë në jetën bashkëshortore është harami. Njeriu (Burri) bën veprim të ndaluar. Nëse veç është e patjetërsueshme pse nuk e mbanë të argjendit.
Duke pasur parasysh se kjo traditë është traditë jo Islame. Mbajtja e unazës siç quhet unaza e martesës nuk ka asgjë të bëjë me Islamin. Është traditë kishtare. Këtë veprim nuk e kanë ditur gjeneratat e para muslimane. Gjatë kohërave të gjeneratave të para, absolutisht nuk kanë pasur njohuri për unazën e argjendtë, atëherë pse njerëzit të bartin atë unazë.
Shpenzimi i pasurisë në një çështje të tillë konsiderohet shkapërderdhje e pasurisë, po mos shpenzo tepër dhe të bëhesh shkapërderdhës.
SHPENZIMI I PASURISË NË DUHAN
Shpenzimi i pasurisë në duhan (cigare) e cila është vërtetuar se është i dëmshëm, konsiderohet shkapërderdhje. Dëmin e saj e kanë vërtetuar organizmat shkencorë, medicinal nga e gjithë bota se duhani është e dëmshme për shëndetin, sa që fabrikat prodhuese janë detyruar që ta shkruajnë në pakon e cigareve: “Duhani seriozisht e dëmton shëndetin”. Atëherë pse njeriu duhet të shpenzoj në diçka që është e dëmshme për shëndetin!?.
Pse duhet që njeriu me pasurinë e tij të blej diçka që e dëmton veten e tij!?.
Pse të shpenzojmë pasurinë tonë për të përfituar fabrikat e duhanit të kolonializmit botëror!?.
Fabrikat kapitaliste janë prodhues të duhanit, pra i posedojnë të tjerët, atëherë pse t’u japin atyre pasurinë tonë në këmbim të asaj e cila na dëmton.
Kjo, edhe po që se feja nuk e ndalon, por mendja e shëndoshë e kërkon largimin nga duhani.
Mendja e shëndoshë thotë: O ju të mençur, mëshirojeni veten tuaj dhe trupin tuaj. Ruajeni pasurinë tuaj, mos e lëshoni në dorën e armiqve tuaj. E gjithë kjo është prej shkapërderdhjes. mos shkapërderdhë pasurinë dhe të bëhesh shkapërderdhës.
Ata që shpenzojnë tepër duke bë shkapërderdhje financiare janë vëllezër (në veprim) të djajve, e djalli është përbuzës i madh i Zotit të Tij. (Isra: 26-28)
Ata janë të cilët e shkapërderdhin pasurinë e tyre, e vendosin pasurinë e tyre në vendin e pamerituar dhe e shpenzojnë pasurinë e tyre në atë me çka nuk pajtohet Allahu.
Kur’ani i cilëson ata si vëllezër të shejtanëve. Shkapërderdhësit e pasurisë i ngjasojnë shejtanit. Janë bashkëpunëtor të shejtanit ngase shejtani i ka mohuar mirësitë e Zotit të tij. E, edhe ata gjithashtu, i kanë mohuar mirësitë e Zotit të tyre: “Shejtani është mosmirënjohës i Zotit të tij”.
Po ashtu, ata janë mohues të mirësive. Nuk janë falënderues të mirësive, nuk janë përkujdesur për të drejtën e atyre mirësive. E kanë përdorur në atë për çka nuk është i pajtuar Allahu. Allahu ju ka dhënë pasuri, i ka furnizuar me të mira, i ka begatuar me mirësitë e Tij. U ka dhënë të mira me mëshirën e Tij, mirëpo fatkeqësisht nuk e kanë mirëpërdorur atë mirë, nuk e kanë mirëpërdorur atë begati, por e kanë shpenzuar në mëkat ndaj Allahut të Madhërishëm “Mos shkapërderdh dhe të bëhesh shkapërderdhës.”
“Ata që shpenzojnë tepër duke bërë shkapërderdhje financiare janë vëllezër (në veprim) të djajve, e djalli është përbuzës i madh i Zotit të Tij.” (Isra: 26-28)
ISLAMI E LUFTON LUKSIN
Shumica familjeve muslimane, të cilave Allahu u ka dhënë pasuri e shohim se nuk e shpenzojnë në vendin e merituar. Shohim se përdorin enë nga ari dhe argjendi, shohim piktura e statuja të argjendit, të bakrit apo të bronztë. Statujat në vetvete janë të ndaluara, edhe po të ishin nga balta apo materiale ndërtimi, e të mos flasim të jenë prej materialit të shtrenjtë.
Islami e ndalon këtë.
Shohim elemente dhe sende të shumta në shtëpitë luksoze. Islami e lufton luksin, dhe e ka cilësuar si shkak prej shkaqeve të shkatërrimit për individ dhe për shoqëri. Kur’ani thotë: “…atëherë zbatohet dënimi i merituar kundër tyre dhe i shkatërrojmë tërësisht”. (Isra: 16)
Në këtë ajet kemi lexime të shumta. Kemi leximin e njohur “Emerna mutrefijha” që do të thotë: “I kemi urdhëruar për drejtësi dhe dëgjueshmëri, mirëpo nuk e kanë dëgjuar urdhrin e Allahut. Kanë dalë nga rruga e drejtë, kanë bë shkatërrime në tokë dhe kanë bë shpenzime në çështje të panevojshme: “Atëherë zbatohet dënimi i merituar kundër tyre dhe i shkatërrojmë tërësisht.” (Isra: 16)
Kemi edhe interpretimin e Ibni Abasit ku thotë: Pasazhi “emerna mutrefuha” do të thotë: “ I kemi shtuar”. Nga thënia e njohur “meëmuretun” pasardhës të shumtë. Atëherë kur shtohen njerëzit të cilët jetojnë në luks, ata bëhen rrezik për shoqërinë.
Kemi edhe lexim tjetër: “Emmerna mutrefijha” që do të thotë: I kemi bë udhëheqës, i kemi bë qeveritarë. Pra e kemi bë që të qeverisin me duart e tyre.
Në hadithin e Buhariut figuron se një njeri kishte parashtruar pyetje te pejgamberi për kataklizmën. Pas në kohe. Pejgamberi a.s. ka thënë: Ku është ai i cili ka pyetur për kataklizmën.
Unë kam pyetur, o i dërguar i Allahut (është paraqit pyetësi)
I ka thënë: Atëherë kur humb amaneti prite kataklizmën.
I ka thënë: Si do të humbë amaneti.
Atëherë kur i besohen çështjet (qeverisja) atyre të cilët nuk janë kompetent, prite kataklizmën!.
Atëherë kur ata shpenzojnë pasurinë në haram, në mëkate, në epshe, në degjenerim, vazhdojnë të tjerët t’i pasojnë ata, dhe shkojnë gjurmëve të tyre, atëherë atë shoqëri lajmëroje se do të dështojë, lajmëroje se do të shkatërrohet. “Atëherë zbatohet dënimi i merituar kundër tyre dhe i shkatërrojmë tërësisht”. (Isra: 16)
SHPENZIMI NË TË PADREJTËN NUK I JEP MUNDËSI SHPENZIMIT NË TË DREJTËN
Shiko urtësinë e Kur’anit se si i ndërlidhë çështjet në mes vete: “Dhe jepi çdo të afërmi të drejtën që i takon, edhe të varfrit, edhe të mbeturit në rrugë, mos shkapërderdh dhe të bëhesh shkapërderdhës. (Isra)
Kur të bëhet shkapërderdhja e pasurisë, shkon në dëm të të varfërve, në dëm të të gjorëve, në dëm të të afërmve, në dëm të nevojtarëve dhe në dëm të të mbeturve në rrugë, siç ka thënë i Urti: “Çdo herë kur kam pa teprim në shpenzim kam pa në anën tjetër shkelje të një të drejte”.
Ai i cili shpenzon pasuri në drogë, në alkool, në lloje të zbavitjeve, në çështje degjeneruese, ai do të shkelë të drejtën e të afërmve, të të varfërve, të të gjorëve, të të mbeturve në rrugë, dhe të nevojtarëve.
Kjo ngase shpenzimi është i kufizuar. Nëse shpenzon në të padrejtën, e ke pakësuar shpenzimin në të drejtën. Për këtë arsye shohim në sure tjetër kur flet për një kategori të njerëzve ku thotë: All-llahu dëshiron t’ju sqarojë çështjet e t’ju drejtojë në rrugën e atyre që ishin para jush (pejgamberët) dhe t’ju pranojë pendimin. Allahu e di më së miri gjendjen e robërve dhe është më i urti. All-llahu nuk e do atë që është kryelartë dhe atë që lavdërohet.
Ata që vetë janë koprracë dhe urdhërojnë njerëzit për koprraci, dhe e fshehin atë që ju ka dhënë All-llahu nga mirësitë e veta. Ne kemi përgatitur dënim të turpshëm për jobesimtarët;
Edhe ata që e japin pasurinë e tyre për sy e faqe të botës, e nuk e besojnë All-llahun as ditën e fundit. E ai që e ka shok shejtanin, ai pra është shok i shëmtuar.
Dhe çka do t’i gjente ata, po ta besonin All-llahun, ditën e gjykimit dhe të jepnin nga ajo që i dhuroi All-llahu? Po All-llahu di më së miri për ta”. (En-Nisa: 36-39)
Shiko se si i ka ndërlidhur çështjet. Janë koprracë në të mirat të cilat ua ka dhuruar Allahu, ndërsa në të njëjtën kohë shpenzojnë pasurinë për t’u proklamuar para njerëzve. Kjo nga shkaku se shpenzojnë në vende të pamerituara. Shpenzojnë që të proklamohen para njerëzve se janë të pasur, dhe se ata janë…, e ata janë…, ndërsa në anën tjetër, e ndalin veten e tyre, i ngushtojnë duart e tyre dhe nuk shpenzojnë në mirësi. Ata janë koprrac në atë që i ka begatuar Allahu nga mirësitë e Tij, mirëpo kur të jetë çështja për t’u proklamuar shpenzojnë vetëm e vetëm për të arritur famë dhe pozitë te njerëzit, për të treguar se janë të pasur dhe me famë. Shpenzojnë vetëm për t’u proklamuar, qoftë ai për të përfituar famë në shoqëri, qoftë për t’u proklamuar se është fetar.
E ai që e ka shok shejtanin, ai pra është shok i shëmtuar.
Dhe çka do t’i gjente ata, po ta besonin All-llahun, ditën e gjykimit dhe të jepnin nga ajo që i dhuroi All-llahu? Po All-llahu di më së miri për ta. (En-Nisa: 38-39)
Ata që shpenzojnë tepër duke bë shkapërderdhje financiare janë vëllezër (në veprim) të shejtanëve, e shejtani është përbuzës i madh i Zotit të Tij. (El-Isra: 27)
Ti o musliman duhet ta kuptosh mirësinë e Allahut, që të ka dhënë pasuri, dhe se duhet ta pyesësh veten kur të shpenzosh, se a je duke shpenzuar në hallall apo në haram.
Nëse është në çështje të ndaluara apo të ngjashme me të ndaluarën, mos shpenzo.
Nëse është në çështje të cilat i ka lejuar Allahu, nuk ka asgjë të keqe që t’i shfrytëzosh ato të mira.
Nëse janë në rrugë të Allahut dhe në kënaqësinë e Tij, atëherë nxito se ato mbeten gjithmonë për ty, nuk do të të mungon asgjë. Atë çka e shpenzon për Allah, ajo arkëtohet në llogarinë tënde. Kjo është ajo çka mbetet për ty në ditën e gjykimit do ta gjesh të siguruar tek Allahu.
FJALA E MIRË ËSHTË MË E DOBISHME SE LËMOSHA E CILA PËRCILLET ME OFENDIME
“Dhe jepi çdo të afërmi të drejtën që i takon, edhe të varfrit, edhe të mbeturit në rrugë, po mos shpenzo tepër dhe të bëhesh shkapërderdhës.
Ata që shpenzojnë tepër duke bë shkapërderdhje financiare janë vëllezër (në veprim) të shejtanëve, e djalli është përbuzës i madh i Zotit të Tij. (Isra: 26-28)
Nëse detyrohesh t’ua kthesh shpinën atyre (të afërmve etj.), duke kërkuar mëshirën, të cilën e shpreson nga Zoti yt (furnizim për t’i ndihmuar ata), atëherë thuaju atyre fjalë të mira (të lehta).” (Isra: 26-28)
Nëse të vjen ndonjë i afërm, ose ndonjë i varfër, ose ndonjë nevojtar, ose ndonjë i mbetur në rrugë dhe i nevojiten mjete dhe të kërkon ndihmë dhe mbështetje, ndërsa ti nuk ke asgjë por je duke pritur mëshirën e Allahut dhe shpreson furnizimin prej Tij, mos ua kthe shpinën dhe mos i prit me ashpërsi, por sillu butësisht me ta, dhe bisedo me ta bisedë të qetë, thuaju atyre: Prite begatinë e Allahut, nëse do Zoti ndihma e Tij është afër: “Mirëpo pas vështirësisë All-llahu sjell çlirim (begati).” (Talak: 7)
Thuaju atyre fjalë të buta, fjalë të mira dhe fisnike.
Të parët kanë thënë: Mirësia është çështje e lehtë, thuaju fjalë të mira dhe rri me fytyrë të çelur. Priti me fytyrë të çelur, me fjalë të mira: “Buzëqeshja në fytyrën e vëllait tënd llogaritet lëmoshë”.
Fjala e mirë është lëmoshë. Nëse nuk mundesh të japësh lëmoshë me mjete materiale (financiare), dhe në atë moment nuk ke mjete financiare atëherë ti ke mundësi të japësh lëmoshë me sjellje të mira dhe me fjalë të mira.
Thuaju atyre fjalë të mira. Fjala e mirë është më e dobishme se lëmosha e cila pasohet me ofendim, siç thotë Allahu i Madhërishëm: Një fjalë e mirë dhe një lehtësim (që i bëhet lypësit) është më e mirë se një lëmoshë që përcillet me të keqe. All-llahu nuk ka nevojë për askënd, është i Butë. O ju që besuat, mos i prishni lëmoshat tuaja me të krenuar e me ofendim (El-Bekare: 263-264)
Mos i lëndo ndjenjat e askujt. Kjo është më e mirë se sa të mos japësh, por i thua fjalë të mira. Nëse nuk ke mjete financiare dhe e shpreson mëshirën e Zotit tënd, shpreson që Allahu do të të furnizon me mirësi, premtoju atyre ndihmë, dhe qetësoji me fjalë të mira. “…dhe njerëzve u thoni fjalë të mira” (El-Bekare: 83)
Ky është morali Islam. Kjo është edukata Islame. Kështu është çështja e muslimanit.
E lusim Allahun Famëlartë që të na bënë prej muslimanëve të sinqertë: Të cilët i dëgjojnë fjalët dhe pasojnë atë më të mirën prej tyre. Të tillët janë ata që All-llahu i udhëzoi në rrugën e drejtë dhe të tillët janë ata të mençurit. (Ez-Zumer: 18)
Ky është mendimi im, kërkoj falje tek Allahu për veten time dhe për ju. Kërkoni falje prej Tij, se Ai është Falës dhe i Mëshirshëm. Lutuni Allahut, Ai do të ju përgjigjet.
Shkëputje nga “HUTBE TË XHUMASË”
Nga Shejhu profesor dr. Jusuf el-Kardavi
Përkthyer nga dr. Musli Vërbani