Dr. Musli Vërbani Shkëputur nga: "Besimi në librat e Zotit"
Cilësitë e Kur’anit
Kur’ani, libër i Allahut për të gjithë njerëzimin, i ka edhe cilësitë e tij që i ka përshkruar Allahu, e ato janë:
- NUR – DRITË. Kjo është cilësi e veçantë e Kur’anit pse bënë dritë për tërë njerëzimin. Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“O ju njerëz ju ka ardhur argument prej Zotit tuaj dhe ne u kemi zbritur juve DRITË të qartë”. (EN-NISA, 174)
- MUBINË – I QARTË
Thotë Zoti i Lartmadhëruar:
“Ta, Sinë. Këto janë ajetet e Kur’anit, (i cili) është libër i qartë”. (EN-NEML, 1)
- HAK – I VËRTETË
Për këtë cilësi Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Ne të zbritëm ty (Muhamed) librin (Kur’anin) me plot të vërteta…”. (EN-NISA, 105)
- AZIZË – I FUQISHËM
Nuk ka dyshim se Kur’ani është libër i Allahut xh.sh. i cili është i fuqishëm me argumente, i fuqishëm në shprehje i fuqishëm në çdo aspekt. Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Vërtet ata të cilët mohojnë në Kur’an pasi u ka ardhur atyre, ndërsa është e vërtetë se Ai (Kur’ani) është libër i fuqishëm (AZIZË)”. (FUSILET, 41)
- EL-MEXHIDË – I FAMSHËM
Për këtë cilësi Zoti i Lartmadhëruar në Kur’an thotë:
“Përkundrazi, Ky është Kur’ani i famshëm (MEXHIDË)”
(EL-BURUXH, 21)
- EL-ARABIJ
Kur’ani ka zbritur në gjuhën e kulluar dhe të pastër arabe. Zoti i Lartmadhëruar e ka zgjedhur gjuhën arabe që njerëzit të mendojnë, të analizojnë, të logjikojnë dhe të hulumtojnë thellësinë, gjerësinë dhe urtësinë e Kur’anit.
Për këtë Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Ne e kemi zbritur Kur’anin në gjuhën arabe me qëllim që ju të logjikoni dhe mendoni”.
Ndërsa për cilësinë e Kur’anit Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Kur’ani në gjuhën arabe pa kurrfarë të mete apo shtrembërimi me qëllim që ata të frikohen”. (EZ-ZUMER, 28)
- HUDEN, SHIFAEN, RAHMETEN VE MEVIDHATEN (UDHËZUES, SHËRUES, MËSHIRUES, DHE KËSHILLË)
Të gjitha këto cilësi i ka përshkruar Zoti i Madhëruar në një ajet:
“O ju njerëz! Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla (Kur’ani) dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra), edhe udhëzim e mëshirë për besimtarët”. (JUNUS, 57)