Muhamed Eminë Xhundi "101 tregime për të arritur kulminacionin e mirësisë dhe përsosmërinë e devotshmërisë" Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Adhuruesi injorant
Tregohet se një adhurues, prej beni Israilëve e adhuronte Allahun e Lartmadhëruar në një faltore në një maje të një kodre. Një ditë prej ditësh, si zakonisht, del të shëtisë vërdallë faltores së tij për të vështruar se çka ka krijuar Allahu i Lartmadhëruar. Gjatë shëtitjes në mes të rrugës e sheh një kufomë prej të cilit buronte një erë e keqe. Adhuruesi lakon rrugës për t’i ikur erës së keqe. Atëherë shejtani i paraqitet në formë të një njeriu të devotshëm dhe i thotë: “Të mirat e tua aq shumë janë larguar sa që nuk vlejnë te Allahu fare. Adhuruesi i thotë: “Po përse?!” Ai i thotë: “Sepse ti nuk pranove ta durosh erën e keqe të njeriut sikurse ti. Në atë moment adhuruesi u skuq në fytyrë. Mirëpo, shejtani si këshilltar i mirë i thotë: “Nëse dëshiron që Allahu të ta falë mëkatin, atëherë mbyte një mi dhe varre në shpinën tënde dhe me të adhuroje Zotin tënd gjatë gjithë jetës tënde. Adhuruesi injorant e zbatoi këshillën e shejtanit. Kështu që e zuri një mi, e mbyti dhe vazhdoi ta adhurojë Allahun me ndyrësirë në shpinë më shumë se 60 vjet, deri sa vdiq (dhe i tërë adhurimi i tij është zhvlerësuar).
Në lidhje me këtë ngjarje Pejgamberi s.a.v.s. ka komentuar vlerën e diturisë apo ndejën (qëndrimin) me dijetarë “është me vlefshme se adhurimi i 60 viteve”.