Autor : Dr. Musli Vërbani
Imitimi i verbër dhe verbërimi ndaj realitetit
Në kohën kur ishte e zhvilluar magjia, Musa a.s. si mrekulli e kishte shkopin i cili triumfoj mbi magjinë e magjistarëve.
Kur ishte e zhvilluar medicina, Isa a.s. si mrekulli e kishte, shërimin e të verbërve, ngjalljen e të vdekurve, si dhe lajmëronte për atë që është folur nëpër shtëpitë e tyre.
Kur kaluan këto etapa, erdhi Kur’ani, i cili është mrekulli deri në Ditën e gjykimit.
Kur’ani i thërret mendjes, ndërsa sot mendjet tona po i thërret posti, fama dhe mbijetesa.
Kur Muhamedi a.s. ishte në Meke, zbrisnin ajetet për të shëruar dukurinë e idhujtarisë dhe të mosbesimit.
Kur Muhamedi a.s. shkoi në Medine, zbrisnin ajetet për të shëruar dukurinë e hipokrizisë dhe ajetet të cilat rregullonin marrëdhëniet e familjes dhe adhurimit, marrëdhëniet e individit në shoqëri dhe marrëdhëniet shoqërore në përgjithësi.
Ajetet e Medinës ndryshonin nga ajetet e Mekes edhe për nga konstrukti.
Ajetet e Mekes ishin të shkurta, ndërsa ajetet e Medines ishin më të gjata. Kjo nga shkaku se duhej sqarim dhe nuk ishte vetëm shkaku i besimit dhe mosbesimit, por ishte çështja e analizës më të thellë të situatës.
Në këtë etapë (etapën e Medinës) asnjëherë nuk është lënë pas dore çështja e besimit dhe ftesës në islam, përkundrazi konsolidimi në ftesë (thirrjen islame) ka kaluar prej përmasave lokale në atë rajonale, e pastaj në atë ndërkombëtare (globale).
Pa kurrfarë dyshimi se çështjet e kohës duhet sqaruar, duhet të merren me seriozitet dhe me përkushtueshmëri, por jo të mbyllen sytë ndaj realitetit kohorë, jo të verbërohemi ndaj çështjeve të realitetit.
Aq sa është i dëmshëm imitimi i verbër, aq është i dëmshëm edhe verbërimi ndaj realitetit.
Mënyra e qasjes kundrejt tolerancës fetare duhet të shikohet aq shumë, të bisedohet dhe sqarohet aq shumë, e jo të sillen konkluzione të pamenduara mirë, si bie fjala të thuhet se diversiteti fetarë është mrekulli e Zotit, dhe të paraqitet pabesimi si diçka e mirë dhe e ëmbël mu sikurse besimi, e ndoshta edhe më e mirë.
Ne po shohim, se si disa, kur po flasin kinse për të drejtat elementare të njeriut, kur po hyjnë në çështje të haramit, jo që nuk po e pranojnë se janë haram, por po i hijeshojnë aq shumë thua se dispozita haram nuk ekziston në të drejtën islame ose ekziston vetëm në aspektin gjuhësorë.
Kur po flitet për kryerjen e obligimeve fetare më shumë po lavdërohen ata të cilët një herë në vit e kryejnë ndonjë obligim fetarë, se sa ata të cilët tërë jetën ia kushtojnë kryerjes së obligimeve fetare.
Kur të jetë në pyetje ndonjë urim fetarë, nuk mbetet kohë për ata të cilët duhet uruar, por në qendër të vëmendjes dalin ata të cilët dëshirojnë të përfitojnë prej islamit, e jo ata të cilët dëshirojnë të kontribuojnë për islamin.
E, ky quhet verbërim ndaj realitetit, i cili është po aq i dëmshëm sa pasimi i verbër.