Zgjidhja e enigmave

Muhamed Eminë Xhundi

"101 tregime për të arritur kulminacionin e mirësisë dhe përsosmërinë e devotshmërisë"

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Zgjidhja e enigmave

 

Tregohet se disa dijetarë të njohur nga Iraku ia kanë pasur zili Shafiijut r.a.. Kështu që dëshironin ta lajkatojnë, sepse ai ia tejkalonte atyre me dituri dhe urtësi. Një pjesë e madhe e studentëve kishin dro prej tij dhe prej diturisë së tij, të cilët prezantonin vetëm në vendkuvendimet e tij; pajtoheshin vetëm me mendimet e tij, me mësimet e tij. Për këtë arsye, këta  dijetarë ziliqarë u morën vesh mes vete, që t’i tubojnë  disa pyetje enigmatike, për ta sprovuar diturinë dhe mendjemprehtësinë e Shafiijut, kapacitetin e memories së tij, aftësinë e tij dhe atë mu në prezencën e Halifes Reshidë, i cili e donte dhe kishte respekt të veçantë për të. Pasi që i kishin përmbledhur pyetjet i lajmëruan Halifes për të prezantuar në debat që të përgjigjet pyetjeve, të cilat iu parashtrohen Shafiijut r.a., e për ta shikuar se sa me të vërtetë është i ditur dhe i mençur.

Debati filloi kështu:

Pyetja e parë: Çka mendon për njeriun, i cili ka prerë një dele në shtëpi, për nevojat e shtëpisë, e pastaj ka dalë në treg, e kur është kthyer i ka thënë familjes së tij: “Hajeni ju mishin e deles, se për mua është e ndaluar”. E familja i është përgjigjur: “Po, edhe për ne është e ndaluar!”

Përgjigjja: Ky njeri ka qenë idhujtar, e ka pre delen në emër të idhujve, e ka dalë në treg për disa detyra dhe nevoja të veta. Aty Allahu e ka ndriçuar dhe e ka udhëzuar në islam. E kur e ka pranuar islamin, automatikisht mishi i asaj deleje është bërë e ndaluar për të. Kur familja kanë dëgjuar se e ka pranuar islamin edhe ata janë bërë muslimanë, e edhe atyre mishi i deles i është bërë e ndaluar për shkak të pranimit të fesë islame.

Pyetja e dytë: Dy muslimanë të mençur kanë pirë birrë  (alkool), njëri dënohet e tjetri jo?

Përgjigjja: Njëri ka qenë i mençur, por i moshës madhore, ndërsa tjetri i mençur fëmijë.

Pyetja e tretë: Pesë persona kanë bërë prostitucion me një grua, kështu që i pari dënohet me vdekje, i dyti me gurëzim, i treti me 100 të rëna, i katërti sa gjysma e 100 të rënave, ndërsa i pesti nuk dënohet fare?

Përgjigjja: I pari e ka lejuar prostitucionin, me fjalë tjera ka thënë se “nuk është haram”, e me këtë ka dalë nga feja, për këtë duhet të ekzekutohet. Pra, e ka mohuar dhe ka vepruar.

–     i dyti nuk e ka mohuar prostitucionin, por ka bërë prostitucion duke qenë i martuar, e ai gurëzohet.

–     i treti dënohet me 100 të rëna ngase ka qenë i pamartuar.

–     i katërti dënohet me gjysmën e 100 të rënave, sepse ka qenë rob.

–     i pesti nuk dënohet fare, sepse ka qenë i çmendur.

Pyetja e katërt: Një njeri përderisa falet, duke dhënë selam në të djathtë gruaja e tij automatikisht shkurorëzohet; duke dhënë selam në të majtë i prishet namazi, e kur të shikojë lart në qiell e sheh se i është bërë obligim të paguaj 100 dërhem?

Përgjigjja: – Ky njeri kur ka dhënë selam në të djathtë e sheh personin i cili ka qenë i zhdukur, me gruan e të cilit pastaj është martuar, e kur të shihet i zhdukuri, kurorëzimi me gruan e tij  (me gruan e  personit të zhdukur) zhvleftësohet.

–     Kur sheh në të majtë vëren se rroba e tij është përlyer me papastërti të madhe, për këtë i prishet namazi.

–     Kur shikon në qiell e sheh se është paraqitur hëna e plotë, e  kjo ia ka bërë të ditur se ka hyrë koha për t’i paguar  100 dërhem, të cilat i ka pasur obligim, me fillimin e muajit tjetër, për ta paguar borxhin.

Pyetja e pestë: Imami falej me 4 persona (xhematë), atij i bashkëngjitet i pesti në anën e djathtë të tij. Kur ka dhënë imami selam në anën e djathtë, e ka parë se është e patjetërsueshme që imami të ekzekutohet, 4 falësit e tjerë duhet të dënohen me të rëna (xhild), dhe xhamia të prishet me themel?

Përgjigjja: Njeriu i cili u është bashkëngjitur në namaz ka qenë në udhëtim, ndërsa në shtëpi të vëllait ka lënë bashkëshorten. Imami ia ka mbytur vëllanë, e ka martuar bashkëshorten e këtij (udhëtarit), duke dëshmuar se ajo grua ka qenë grua e të  vdekurit (të mbyturit), për këtë kanë dëshmuar 4 falësit, ndërsa xhamia ka qenë shtëpia e të mbyturit, të cilën shtëpi imami ia ka shndërruar në xhami.

Pyetja e gjashtë: Çka mendon për njeriun, të cilit i ka ikur robi, e ai ka thënë: Nëse ha bukë, ai është i lirë, deri sa ta gjejë. Si të dalë ai nga kjo enigmë?

Përgjigjja: Robi u dhurohet fëmijëve të tij, e ai pastaj han, dhurata e dhënë djemve i kthehet babait të tyre.

Pyetja e shtatë: Dy gra i kanë takuar dy djem dhe i kanë përshëndetur: “Mirë se keni ardhur o burra tanë, o fëmijë tanë, o bijtë e burrave tanë”.

Përgjigjja: Dy djemtë kanë qenë djemtë e atyre dy grave, dhe janë martuar me djemtë e njëra-tjetrës. Kështu djemtë e tyre janë bërë burra të tyre (të njëra-tjetrës), djemtë e tyre dhe djemtë e burrave të tyre (të mëparshëm).

Pyetja e tetë: Një njeri e ka marrë një gotë me ujë për ta pirë; e pi gjysmën, e cila ka qenë hallall, ndërsa gjysma tjetër e sasisë e ka haram për ta pirë?

Përgjigjja: Njeriu e ka pirë gjysmën e gotës dhe ka vjellë gjak në pjesën e mbetur të ujit. Kështu është përzier sasia tjetër e ujit me gjak, prandaj i është bërë haram për ta pirë.

Pyetja e nëntë: Një njeri ia jep gruas së tij një najlon të mbyllur tërësisht, dhe kërkon nga ajo për ta zbrazur, por pa e hapur, pa e thyer dhe pa e shqyer; e nëse e bën një gjë të tillë (e thyen, e shqyen apo e hapë) do të jetë e shkurorëzuar.

Përgjigjja: Najloni ka qenë i mbushur me krip ose me sheqer, ndërsa gruaja nuk bën asgjë tjetër, pos që do ta vendosë najlonin në ujë dhe sasia shkrihet në brendësi.

Pyetja e dhjetë: Një njeri në rrugë takon një grua, një burrë dhe dy djem, dhe pyet: “Kush janë ata djem?” – Burri përgjigjet: “Babagjyshi është axha i tyre, bashkëshortja ime është gruaja e babës së tyre”. Gruaja thotë: “Nëna ime është gjyshja e tyre, ndërsa motra ime tezja e tyre”.

Përgjigjja: Burri ka qenë baba i atyre dy djemve, ndërsa gruaja nëna e tyre.

Pyetja e njëmbëdhjetë: Dy njerëz janë mbi kulmin e shtëpisë, njëri bie dhe mbytet, e tjetri e ka të ndaluar martesën me gruan e tij?

Përgjigjja: Njeriu i cili ka qenë mbi kulm, i cili është rrëzuar dhe ka vdekur është ai i cili ka qenë i martuar me vajzën e robit, i cili ka qenë mbi kulm së bashku me të. E kur ka vdekur prej rrëzimit, vajza është bërë pronësuese e robit, të cilën e ka pasur burri i saj me të cilin e ka të ndaluar të martohet.

Nga ai moment, Rashidi i cili prezantonte në atë debat nuk ka pasur mundësi ta fshehë interesimin e tij për mendjemprehtësinë e Shafijut dhe inteligjencën e tij në të kuptuar dhe në përgjigje dhe tha: Allahu e ka nderuar fisin e Abdul Menafit. Ti sqarove, shpjegove, ia qëllove. Shafiju r.a. tha: “Allahu ia zgjattë jetën emirit të besimtarëve, por për këta dijetarë kam vetëm një pyetje, nëse përgjigjen elhamdulil-lah, e nëse jo, atëherë lus emirin e besimtarëve që të ndikojë te ata e të mos më bëjnë keq. Emiri tha: Ashtu edhe do të jetë. Pra, o Shafiij, parashtroje pyetjen tënde.

Ai filloi pyetjen: Një njeri ka vdekur, pas vetes ka lënë 600 dërhem, nga pasuria e lënë motrës nuk i ka takuar më shumë se një dërhem. Në çfarë kushtesh bëhet shpërndarja, e cila i takon kështu trashëgimia një dërhem?

Kaloi një kohë e gjatë, dijetarët e shikuan njëri-tjetrin dhe asnjëri nuk mundi t’i përgjigjej; djersët u shkonin nëpër faqet e tyre. Pas një heshtje të gjatë, Halifja tha: “Jepua përgjigjen”. Pasi që ata kishin dashur që Shafiijut t’ia humbnin respektin te Halifja, të cilën me meritë e kishte fituar dhe pasi që ata dështuan në planin e tyre, Shafiiju tha: Ky njeri ka vdekur dhe pas vetes ka lënë: dy vajza, nënën, gruan, dymbëdhjetë vëllezër dhe një motër.

Dy vajzave u takon 2/3, që do të thotë 400 dërhem; nënës 1/6,  që do të thotë 100 dërhem; gruas 1/8, që do të thotë 75 dërhem; 12 vëllezërve u takon 24 dërhem dhe 1 dërhem për motrën.

Rashidi qeshi dhe tha: “Ti i ke dhuratë prej meje 2000 dërhem, prej meje dhe familjes sime”. Shafiiju pranoi dhe ua shpërndau shërbëtorëve dhe rojtarëve të kështjellës.

Lini një koment