Dr. Musli Vërbani
Xhamia dhe vakëfi
Pasi që feja Islame është fe universale, është fe e cila ka zbritur për të siguruar paqe, lumturi dhe prosperitet, dhe dihet se në të kaluarën shoqëria Islame ka ndërtuar Ura, ujësjellës, banjo publike, hotele, spitale, biblioteka, pastaj janë përkujdesur edhe për ruajtjen e ambientit, për sigurimin edhe të kafshëve, bile edhe të shpendëve dhe të gjitha këto nëpërmjet Institucionit të vakëfit. Në këtë mënyrë e kanë zhvilluar kulturën dhe shoqërinë islame dhe islamin e kanë lartësuar.
Dihet se vakëfi ka karakter fetar, i cili ndihmon dhe zhvillon fenë, për këtë arsye Sistemi komunist për ta dobësuar fenë çështjen e parë që e ka planifikuar ka qenë asimilimin, asgjësimin ose zvoglimin e vakëfeve në maksimum
Çështja e parë pas komunizmit është se ka qenë dasht të fillohet aty ku ka dashur komunizmi ta dobësoj fenë. Qindra xhami janë ndërtuar në Kosovë dhe nuk është paraparë (pos në një numër të vogël të tyre) që ato xhami ta kenë edhe vakëfin e cila do të ishte mbështetje financiare për shpenzimet e asaj xhamie por në të njëjtën kohë në shërbim të qytetarit në mënyrën më të mirë të mundshme.
Gjatë historisë islame shohim se shumë xhami kanë qenë edhe si pikë fillestare edhe të themelimit të qyteteve në ato vende, siç është rasti me Vakëfin e parë dhe më të rëndësishmin, Mesxhidi Harami, pra Qabeja, themelet e së cilës i ka ngritur dhe i ka ndërtuar Ibrahimi a.s. me të birin e tij Ismailin a.s., e pastaj ka filluar zgjerimi dhe është themeluar qyteti i Mekes.
Çdo xhami e re e cila duhej ndërtuar pas komunizmit është dashtë ta ketë paralelisht edhe vakëfin e vet. Ndoshta shumëkush nuk e di por duhet ditur se ka dallim në mes të xhamisë dhe mesxhidit. Dallimi qëndron në atë se xhamitë posedojnë minare, ndërsa ajo nuk është e patjetërsueshme për mesxhidet. Sepse xhamia nuk e ka rolin e tubimit të faljes, por e ka rolin edhe të nevojave të tjera, si shoqërore, ekonomike, kulturore, arsimore, etj.
Por parashtrohet pyetja pse MINARE? Para se të përgjigjem në këtë pyetje, duhet të sqaroj se sot në qendra të qyteteve ka ndriqim publik (MINARE), ndërsa ndriçimi publik nuk ka të bëjë asgjë me thirrje të ezanit për namaz por më shumë ka të bëjë me qarkullimin e njerëzve në mbrëmje. Po ashtu edhe qendrat tregtare e kanë ndriçimin e tyre dhe kjo është ajo se xhamia më herët përpos që ka qenë mesxhid ka qenë edhe qendër tregtare, kulturore, arsimore dhe rekreative, dhe nga aty është paraparë që të ngrihen “meëdhene” të larta dhe ato janë ndriçuar dhe më pastaj i kanë cilësuar si MINARE që të dihet se aty është qendra tregtare, banesore dhe qytetare, aty është xhamia, aty janë banjat publike, imaretet, spitalet, bibliotekat dhe objektet tjera vakëfnore.
Nga këtu e vërejmë këtë dallim nga shkaku se minarja (jo meëdheni) nuk ka të bëjë asgjë me namazin dhe as me thirrjen e ezanit sepse thirrja për namaz nuk bëhet me ndezjen e dritave siç ka qenë dhe është traditë kur të thirret ezani i akshamit dhe i jacisë (dritat ndizen përgjatë thirrjes së ezanit). Kjo vërteton se në vendet islame kur është ndërtuar një mesxhid aty janë paraparë edhe objektet përcjellëse, siç janë tregu, shkollat, bibliotekat, kuzhinat publike, hotelet, urat, ujësjellësit, banjat publike, spitalet, etj.
Vakëf ka lënë Muhamedi a.s. dhe rrugën e tij e kanë vazhduar sehabet sa që çdo sehabe që ka pasur mundësi ka dhuruar diçka prej vetes së tij dhe ka lënë vakëf. Ky institucion shërben për shërbimin dhe përkujdesjen e jetës sa më të mirë të qytetarit.
Vakëfi është “afrim tek Allahu”, fitim i kënaqësisë së Allahut dhe shpëtim në botën tjetër dhe ka karakter fetar, i cili ndihmon zhvillimin e jetës fetare, pastaj prosperitetin shoqëror, përveç tjerat edhe të ndihmojë shoqërinë në aspekt humanitar.
Feja dhe shoqëria zhvillohet duke lënë vakëf: xhami, mesxhide, shkolla (medrese), biblikoteka, ambulanta, spitale, bujtina (pa pagesë), ura, rrugë, e të ngjashme, etj.
Afër xhamive janë ndërtuar shkollat dhe bibliotekat si objekte arsimore e jo vetëm fetare, por edhe si objekte edukativo-arsimore dhe shkencore, sepse feja islame është fe e shkencës dhe e diturisë. Muslimanët kanë ndërtuar spitale, në të cilat janë shëruar të varfrit pa pagesë për interesin e përgjithshëm shoqëror, e kjo e merr karakterin e zhvillimit të shoqërisë në përgjithësi.
Nga 800 xhami sa i kemi në Kosovë, nëse të gjitha ato së bashku duhet ta paguajnë rrymën, ujin, ngrohjen dhe shpenzimet tjera, do të ishte një kosto e madhe dhe kjo na e bën ta kuptojmë se sa e domosdoshme është që të ketë vakëfe për xhamitë sepse ne jemi dëshmitarë se cilësia e shërbimeve të qytetarit realizohet duke financuar dhe financimi është një bazë e cilësisë përpos dëshirës, talentit dhe aftësisë intelektuale.
Sot, xhamitë tona janë konsumuese, ato shpenzojnë ujë të cilin duhet paguar, rrymë e cila duhet paguar, pastaj edhe shpenzimet tjera si për pastrim, mirëmbajtje, etj., e kjo bëhet prej besimtarëve. Në secilën xhami besimtarët në ditë e xhuma duhet të jenë të përgatitur të ndihmojnë ndonjë të varfër, ose ndonjë skamnorë, ose të ndihmojnë për ndërtimin e ndonjë xhamie por aspak nuk po orientohen që ata të ndihmojnë në ndërtimin dhe zgjerimin e vakëfeve, e që pastaj prej këtyre vakëfeve të ndihmohen këto kategori dhe kësisoj edhe islami do të lartësohej.