Pendimi (si të pendohemi?)

Amër Halid

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Pendimi (si të pendohemi?)

 

Dëshirojmë të pendohemi!

Posa kanë filluar sulmet amerikane kundër Irakut, një djalosh më ka dërguar një letër ku shkruante:

“Frikësohem se ajo çka po ndodhë në Irak është shkak i mëkateve të mia”.

Dëshirojmë të pendohemi!

A nuk ka mundësi që Allahu i Lartmadhëruar ta shohë Umetin, i cili i lutet me përulje dhe i nënshtruar: “O Zoti ynë kërkojmë falje te Ti për gabimet dhe mëkatet tona”.

A nuk mund të na vijë neve nata e ne duke iu lutur Allahut të Lartmadhëruar e të nesërmen në mëngjes ta shohim rezultatin e pendimit të asaj nate?!

 

Dëshirojmë të pendohemi!

Ndoshta Allahu duke ia pranuar tevben njërit prej nesh, na përmirëson gjendjen (pozitën) e të gjithë neve. Për Allahun kjo është shumë e lehtë. Pozita e muslimanëve të sotit nuk është asgjë tjetër, pos sprovë:

“Këtë (masë ndëshkuese) e bëri ngase All-llahu nuk ishte ndryshues i një begatie, të cilën ia ka dhuruar një populli, derisa të ndryshojë ai vetë në vetvete (të bëhet përbuzës i së mirës) dhe ngase All-llahu dëgjon (çka thonë) dhe di (çka punojnë)”.  (El-Enfalë, 53)      

Vëlla!

A ke vullnet të fuqishëm dhe vendosmëri të sinqertë për tu penduar te Allahu i Lartmadhëruar?

Nëse ju keni vullnet për pendim, Allahu i Lartmadhëruar do t’ua pranojë pendimin pa marrë parasysh se çfarë mëkate keni bërë.

Eja të pendohemi të gjithë së bashku. Eja të pendohemi të gjithë së bashku te Allahu i Lartmadhëruar.

Të pendohemi për mëkatet e mëdha e të vogla. Të pendohemi për mëkatet tona që me vite nuk i kemi ndryshuar pozitivisht, nuk kemi dhënë këshilla, nuk kemi urdhëruar në punë të mira, nuk kemi parandaluar krimin, por vetëm kemi thënë se kjo nuk është çështje e jonë.

Të pendohemi për pakujdesinë dhe neglizhencën tonë, që nuk kemi bërë thirrje në rrugë të Allahut të Lartmadhëruar. Nëse posaçërisht ne hatibat e xhamive, ligjëruesit, thirrësit e lusim Allahun me sinqeritet dhe me përkushtim, nuk do të ishim kurrë në këtë pozitë që jemi. Nuk do të derdhej gjaku i vëllezërve tanë në Palestinë, Çeçeni, Afganistan, Irak dhe në vendet tjera. Kjo është shkak i përtacisë, pakujdesisë dhe neglizhencës në thirrje në rrugë të Allahut të Lartmadhëruar; shkak i pasivitetit dhe mos aktivitetit në rrugën e Allahut të Lartmadhëruar, dhe shkak i mosthirrjes së njerëzve në rrugën e drejtë dhe të qëndrueshme.

Të pendohemi për pasivitetin dhe mosaktivitetin tonë!

Tragjike dhe pikëlluese është se këtë e konsiderojnë çështje të vogël, ndërsa te Allahu është mëkat i madh:

“Kur ju atë (shpifjen) e përcollët me gjuhën tuaj dhe për atë që nuk kishit kurrfarë dije flisnit duke menduar se ajo ishe imtësi e parëndësishme, ndërsa te All-llahu ajo është e madhe”.

(En-Nur, 15)

Vëlla!

Po si insiston në mëkate dhe nuk largohesh prej tyre, ndërsa vëllezërit e tu në Palestinë, Irak dhe vende të tjera islame vriten, dëbohen dhe maltretohen?!

Eja të gjithë së bashku të pendohemi te Allahu i Lartmadhëruar!

Ejani të pendohemi se pendimi juaj, lutja juaj, përkushtimi juaj ndihmon në fitoren dhe ndihmën e vëllezërve tuaj musliman. Kjo është arsye e fortë për t’i shpëtuar ata, për t’i ruajtur ata dhe për t’iu ndihmuar atyre deri në fitore.

Nuëman bin Beshiri transmeton se Muhamedi a.s. ka thënë:

  “I sheh se si besimtarët në ndërmëshirësi, dashuri mes vete dhe simpati e respekt mes vete janë si një trup i vetëm, kështu që kur të dhemb një organ apo një pjesë e trupit, rënkon i tërë trupi dhe ndien dhembje”.

(Sahih Buhari)

Po ashtu nga ai transmetohet se Muhamedi a.s. ka thënë:

“Besimtarët janë si një trup i vetëm, kështu që kur dhemb e ankohet koka, i tërë trupi dhe të gjitha organet lëngojnë dhe ndiejnë dhembje”.

(Sahih Muslim)

 

Eja të gjithë së bashku të pendohemi te Allahu i Lartmadhëruar!

Zoti i Lartmadhëruar thotë:

“Thuaj: O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, sepse All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është Mëshirues!”

(Ez-Zumer, 53)

Kurrë mos ta humbim shpresën në mëshirën e Allahut të Lartmadhëruar, i Cili veten e Tij e ka quajtur: FALËS, PRANUES I PENDIMIT dhe MËSHIRUES, për shkak tëndin, për t’i falur lëshimet dhe lajthitjet tua, për të të dhënë forcë, për t’i mundur epshet dhe të dyshimtat.

Kurrë mos e humb shpresën te Allahu i Lartmadhëruar. Zoti i Lartmadhëruar thotë:

“Vërtet, Allahu i do penduesit dhe i do të pastrit”.

(El-Bekare, 222)

Nëse pendohesh te Allahu, Ai të do, sepse Zoti i do të penduarit.

Zoti i Lartmadhëruar thotë:

“A nuk e dinë se vërtet Allahu është Ai i cili pranon pendimin prej robërve të Tij”.

(Et-Tevbe, 104)

Zoti i Lartmadhëruar gjithashtu thotë:

“All-llahu dëshiron t’ju pranojë pendimin, e ata që ndjekin dëshirat e epsheve, dëshirojnë që ju të shmangeni në tërësi (nga rruga e drejtë).

All-llahu dëshiron t’ju lehtësojë (dispozitat), e megjithatë njeriu është i paaftë (për t’ju përballuar epsheve)”.

(En-Nisa, 27, 28)

Vërtet Allahu gëzohet për pendimin e robit të Tij, sepse Zoti i Lartmadhëruar është Falës i mëkateve dhe Pranues i pendimeve:

“I cili falë mëkatin dhe pranon pendimin dhe që është ndëshkues i ashpër, por edhe bamirës. Nuk ka zot tjetër përveç Atij. Te Ai është e ardhmja e çdokujt”.

(Gafir, 3)

Ejani, që të gjithë së bashku të pendohemi!

A ke harruar se ti je krijesë e dobët, dhe asgjë nuk mund të të forcojë, pos pendimit dhe kthimit te Allahu i Lartmadhëruar, deri sa kjo dobësi mos të zëvendësohet me forcë dhe fuqi?!

A mos ende është mëkati më i shtrenjtë se pendimi te Allahu i Lartmadhëruar dhe mbështetja te Allahu i Lartmadhëruar?!

A nuk po turpërohesh që të mbetesh i fundosur në mëkate dhe në epshe, ndërsa vëllezërit tjerë vuajnë dhe rënkojnë nga armiqtë e islamit?!

A nuk je duke e ditur se fundosja jote në epshe dhe largimi nga dëgjimi i Allahut janë pikësynime kryesore të  Iblisit, i përkrahësve të tij masonit dhe armiqve të tjerë të islamit?!

A nuk je duke e ditur se fundosja e jote në epshe i ndihmon armiqve të islamit për ta fundosur islamin dhe për t’i shkatërruar vëllezërit e tu në Palestinë, Irak dhe në vende të tjera islame?!

A nuk je duke e ditur se refuzimi dhe mospendimi yt janë padrejtësi ndaj vetës suaj?!

Zoti i Lartmadhëruar në Kur’an thotë:

“Dhe kush (ata të cilët) nuk pendohet, ata janë të padrejtë”.

(El-Huxhuratë, 11)

Vëlla!

Vërtet Allahu i ka ndarë njerëzit në dy lloje! Pra, njeriu mund të jetë: ose pendues, ose kriminel dhe pos këtyre dy grupeve nuk ka tjetër.

Refuzuesi i pendimit në Allahun është kriminel i vetës së tij, sepse ai nuk dëshiron të pendohet;

sepse nuk dëshiron ta shpëtojë veten e tij nga zjarri i xhehenemit; sepse ai mendon se nuk ka mëkate;

sepse ai mendon se nuk ka nevojë për Allahun, ose mendon se është i pavarur nga Allahu;

sepse ai ndoshta ka harruar se do ta takojë Allahun dhe para Tij do të jep llogari për punët e vogla e të mëdha;

apo ndoshta i ka humbur shpresat dhe ka harruar se Allahu i falë gabimet e të gjithëve, nëse ata së bashku pendohen;

apo ndoshta ai nuk e di se mëshira e Allahut është aq e gjerë sa që përfshinë çdo send.

Ejani që së bashku të pendohemi te Allahu i Lartmadhëruar!

Pse mos të pendohemi për mëkatet ndaj Allahut?!

Pse mos të pendohemi për mëkatet ndaj vëllezërve tu?!

Pse mos të pendohemi për mëkatet tua?!

Pse mos të pendohemi se nuk kemi qenë mirënjohës ndaj Allahu për të mirat që na ka dhënë?!

Pse mos të pendohemi për moskryerjen e obligimeve ndaj Allahut të Lartmadhëruar?!

Zoti i Lartmadhëruar thotë:

“Pendohuni te Allahu të gjithë së bashku o ju besimtarë”!

(En-Nur, 31)

Ejani që të gjithë së bashku të pendohemi te Allahu i Lartmadhëruar!

A nuk e kemi shembullin më të mirë te i Dërguari i Allahut s.a.v.s.?!

Edhe pse ka qenë i mbrojtur prej gabimeve, ai vazhdimisht kishte dëshirë të kërkonte falje dhe të pendohej. A nuk na tregon kjo, se edhe ne të kërkojmë falje dhe të pendohemi sa më shumë.

Si është e mundur që, i mbrojturi prej gabimeve të pendohet prej gabimeve te Zoti i Lartmadhëruar, kërkon falje prej Tij, ndërsa mëkatari nuk pendohet dhe nuk kërkon falje prej Tij?!

Përse nuk pendohesh?

Ebu Hurejre r.a. transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin s.a.v.s. duke thënë:

“Për Zotin! Unë pendohem dhe kërkoj falje prej Zotit më shumë se shtatëdhjetë herë në ditë”.

Egarrel Muzeniji transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

“Vërtet zemra ka nevojë dhe pikërisht për këtë unë pendohem dhe kërkoj falje prej Allahut njëqind herë në ditë”.

(Sahihul Muslim)

Ibni Umeri r.a. ka thënë se: Në një vendtubim, deri sa nuk është ngritur prej aty, i janë numëruar Muhamedit a.s. njëqind herë fjalët: “O Zot, m’i fal gabimet, më kthe tek Ti, vërtet Ti je Falës dhe Pranues i pendimeve”.

(Suneni Tirmidhiut)

Vëlla!!

Si është e mundur që Pejgamberi s.a.v.s. i mbrojtur prej gabimeve, kërkon falje dhe pendohet, ndërsa ti nuk kërkon falje dhe nuk dëshiron të pendohesh?!

Si është e mundur që ti nuk dëshiron t’i zhdukësh dhe t’i çrrënjosësh mëkatet, ndërsa Mesxhidi Aksaja është nën thundrat e uzurpatorëve?!

Si është e mundur që ti nuk dëshiron t’i zhdukësh dhe t’i çrrënjosësh mëkatet, ndërsa Iraku okupohet dhe burgosen banorët e tij?!

Ejani që të gjithë së bashku të pendohemi te Allahu i Lartmadhëruar!

Shpresoj se umeti i Muhamedit a.s. pendohet te Zoti i Lartmadhëruar.

Shpresoj se pozita e muslimanëve prej gabimeve dhe mëkateve të zëvendësohet me pendim, kthim te Zoti dhe devotshmëri.

Si do të ishte pozita e muslimanëve sikur të pendoheshin dhe të ktheheshin te Allahu?

Kjo është pyetje që nuk do përgjigje, sepse përgjigjja është e ditur dhe e qartë, bile më e qartë se vet pyetja!

Vërtet Allahu gëzohet dhe kënaqet kur pendohet robi i Tij. E kur të jetë i kënaqur Sundimtari i të gjithë sunduesve prej robërve të Tij, pasojnë të mirat dhe begatitë e shumta të Tij.

Enes bin Maliku transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë:

“Allahu aq shumë gëzohet kur pendohet robi i Tij, sikurse ndonjëri prej jush të jetë me kafshën e tij në një shkretëtirë, dhe kafsha e tij e ngarkuar me ushqim dhe ujë i humbë, ndërsa ai i humb të gjitha shpresat për ta gjetur. Shkon nën një hije dhe shtrihet i preokupuar se kurrë më nuk do ta gjejë. Deri sa ai qëndron nën hije, kur befasisht, kafsha e ngarkuar me ushqim dhe pije i qëndron pranë. Ai e kapë për litari dhe me gëzim të madh thotë: – O Zot, Ti je robi im, unë jam Zoti yt. Pra, prej gëzimit të madh i ka gabuar vetat. Më vonë është penduar”.

(Sahih Muslim)

Vëlla!!

Pse të mos pendohesh, kurse Allahu gëzohet për shkak të pendimit tënd dhe kthimit tek Ai më shumë se sa është gëzuar ai i cili e ka humbur kafshën e tij në të cilën ka pasur ushqim dhe ujë, pasi që i ka humbur shpresat se do ta gjejë, pasi që i ka humbur shpresat për jetë, dhe është shtrirë nën hijen e lisit duke e pritur vdekjen.

 

Vëlla!!

Kush gëzohet më shumë për pendimin: i fuqishmi, i pavaruri, fisniku e mbizotëruesi; apo i varfëri dhe i ulëti?

A mund ta dish, cili prej tyre është më i gëzuar se tjetri?

Ai është i pasuri, fisniku i cili jep e nuk refuzon: nuk e refuzon lypësin, nuk refuzon atë i cili dëshiron t’i afrohet Atij, nuk e refuzon atë i cili kthehet tek Ai. E vërtet Ai meriton të adhurohet, të lavdërohet dhe falënderohet; meriton përkushtim, mirënjohje, e jo mosbesim.

Vërtet, Ai është Allahu, nuk ka zot pos Tij, Ai është Sundimtari, i Fuqishmi, i Pasuri, Fisniku, i Urti, Pranues i pendimeve, Falësi, i Urti i Mëshirshmi.

Për Zotin më e dashur është dhënia e begative, se sa pengimi i tyre; më e dashur është kënaqësia për robërit e Tij, se sa hidhërimi; më e dashur është falja e gabimeve se dënimi ndaj gabimtarëve. Vërtet Ai është i Butë, Fisnik, Falës dhe i Mëshirshëm.

Vërtet Allahu i Lartmadhëruar është i gatshëm për ta pranuar robin e Tij ditën dhe natën, e zgjatë dorën e Tij ditën e natën për t’ia pranuar pendimin atij i cili ka bërë gabime dhe mëkate.

Ebu Musa Eshariu r.a. transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:

“Vërtet, Allahu e zgjatë dorën e Tij natën për t’ia pranuar pendimin mëkatarit të ditës dhe e zgjatë dorën e Tij ditën për t’ia pranuar pendimin mëkatarit të natës, deri sa të perëndojë dielli”.

(Sahih Muslim)

Eja që të pendohemi të gjithë së bashku!

Paramendoje se Allahu është paraqitur për të ta pranuar pendimin, për të të shpëtuar prej ndëshkimit dhe prej zjarrit.

Falëndero për begatinë e Allahut që të ka dhënë mundësi të pendohesh, të qëndrosh para Tij i përulur, i nënshtruar, i frikësuar.

Vëlla, pse nuk po pendohesh që sot?!

Te ju, cila është më e çmueshme: mëkati apo pendimi?

 

Vëlla!!

Pendohu për pasurinë të cilën e ke fituar haram!

Pendohu për pasivitetin dhe mosangazhimin  tënd, në thirrje në rrugë të Allahut të Lartmadhëruar!

Pendohu për shkuarjet tua në ahengje të haramit, në shikimin e çështjeve të ndaluara në internet!

Pendohu për ngacmimet tua ndaj vajzave!

Pendohu për pasivitetin tënd dhe mosangazhimin ndaj të drejtës së vëllezërve tu në Palestinë, Irak dhe vende tjera islame!

Eja që të pendohemi të gjithë së bashku!

Analizo me vëmendje këtë shembull!

Është një sundimtar, i cili ka shumë robër. Ky sundimtar i nderonte dhe i respektonte pa masë robërit e tij. Robërit e donin për së tepërmi. Ky sundimtar i kishte ngarkuar me disa detyra dhe obligime. Në mesin e robërve ishte një rob. Një ditë një armik i sundimtarit vjen te ky rob dhe e mashtron duke i thënë: Ti nuk ke nevojë për sundimtarin, eja me mua dhe më paso se do të jesh i lirë prej atyre detyrave dhe obligimeve. Ky rob ikë nga kështjella e sundimtarit dhe shkon me armikun e sundimtarit, e ai armik ishte shejtani, mirëpo më vonë e kupton se ai armik i sundimtarit ishte shejtani dhe atë e kishte mashtruar, dhe e kishte humbur, dhe ai nuk i jepte asgjë. Ai vendosë për t’u kthyer te sundimtari. Kur i afrohet derës së kështjellës thotë: A thua a do të më pranojë sundimtari?

Mirëpo, ai befasohet me sundimtarin kur e merr për dore, prej derës së kështjellës dhe i thotë:

“Kush më afrohet mua një pëllëmbë i afrohem një hap, kush më afrohet një hap, i afrohem më shumë, kush më afrohet duke ecur unë i afrohem duke nxituar. Kush vjen te unë me mëkate të rënda sa toka, por nuk më ka mohuar, dhe nuk ka bërë idhujtari do t’ia fali mëkatet”.  

(Sahih Muslim, 4953)

 

Lini një koment