Amr Halid Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Sulmi ndaj muslimanëve, shkak i përhapjes së saj
Ta dish, thirrësi ndonjëherë përpiqet maksimalisht në aftësinë e tij dhe me mënyrën e tij, mirëpo Zoti i Lartmadhëruar ia mbyll mënyrën e tij, për t’i hapur rrugë veprimit tjetër, për t’ia mësuar atij mbështetjen te Zoti, për t’ia përforcuar bindjen në Zotin, për t’ia mësuar fuqinë dhe aftësinë e Tij, për t’i udhëzuar dhe për t’i ndihmuar kujt të dojë Ai. Kështu ka ndodhur me të Dërguarin s.a.v.s., i cili thërriste në Meke, ndërsa prej banorëve të Mekës përjetonte torturime dhe ofendime. Pastaj i Dërguari s.a.v.s. fillon të mendojë për të gjetur vend tjetër më të përshtatshëm, për të thirrur në rrugën e Allahut të Lartmadhëruar, për ta vendosur fenë e Allahut të Lartmadhëruar, ndërsa në atë kohë vendi më i largët për të ishte Medineja. Mirëpo, shtrohet pyetja:
Pse Muhamedi a.s. nuk shkoi në Medine?! Vërtet Pejgamberi s.a.v.s. e shihte se Medineja në atë kohë nuk ishte e përshtatshme për të pranuar thirrjen në rrugë të Allahut, sepse Jehudët ishin të përqendruar në të, ndërsa fisi Evs dhe Hazrexh ishin në konflikt, të vazhdueshëm mes vete, për 40 vite me radhë. Dhe çdo njëri me logjikë të shëndoshë do ta kishte ditur se nuk është kohë dhe vend i përshtatshëm, mirëpo caktimi i Zotit të Lartmadhëruar i ka ndryshuar të gjitha ligjet normale, sa që Medineja është bërë vendi më i përshtatshmi dhe më i sigurti për të pranuar Islamin, dhe për ta përhapur fenë Islame.
Si dhe pse?!
Sepse Jehudët, para se të dërgohej Muhamedi a.s. pejgamber, çdo herë kur u ndodhte ndonjë konflikt apo armiqësi, thoshin: Ka ardhur koha për të ardhur Pejgamberi i fundit, ne do ta pasojmë atë dhe do t’iu zhdukim juve. Ky ka qenë shkak që banorët e Medinës kanë qenë të flaktë që të paraqitej ai Pejgamber dhe ta pasonin. Ishte shkaku se fisi Evs dhe fisi Hazrexh aq shumë ishin armiqësuar mes vete, aq shumë ishin në konflikt mes vete, sa që ishin tepër të etur për një rregullim të marrëdhënieve mes vete, dhe ndërprerjes së flakës së zjarrit, i cili i kishte dëmtuar për së tepërmi.
Pasi që Pejgamberi s.a.v.s. nuk ishte i përfshirë me edukimin e Allahut në fillim të thirrjes së tij, ai nuk e ka menduar që të shkojë në Medine, prandaj shkon në Taif, për t’i thirrur banorët e atij vendi në islam, mirëpo ata e pritën me tallje, ofendime dhe sharje.
Kjo rrugë dhe ky vend për ta thirrur në islam edhe pse ishte e lirë dhe e hapur, iu ngushtua pejgamberit a.s. për së tepërmi. Muhamedi a.s. nga Taifi kthehet në Meke dhe pas një muaji takohet me disa djelmosha të Medinës, të cilët dëshironin ta pranonin Islamin tek Muhamedi a.s., dhe atë pasi që kishin dëgjuar nga Jehudët për paraqitjen e Pegamberit, i cili do ta përfshijë dhe do ta qeverisë tokën, dhe do të triumfojë kundër çdo njërit, i cili e kundërshton. Për këtë arsye ata kishin shpejtuar dhe ia kishin tejkaluar jehudëve dhe iu kishin paraqitur Muhamedit a.s. “SUBHANALLAH” – Qoftë i Lartësuar Allahu, i Cili i ka bërë shkaktarë jehudët që në Medine të përhapet Islami dhe, prej aty, pastaj në gjithë botën:
“Dhe nuk e di ushtrinë e Zoti tënd askush tjetër, pos Tij”. (El-Mudethir, 31)
Qoftë i Lartësuar Allahu, i Cili konfliktin dhe armiqësinë e Evsit dhe Hazrexhit e ka bërë shkak të përhapjes së Islamit në Medine, e prej aty në të gjitha anët e botës:
“Dhe nuk e di ushtrinë e Zotit tënd askush tjetër, pos Tij”. (El-Mudethir, 31)
Qoftë i Lartësuar Allahu, i Cili armiqësinë në mes të Jehudëve dhe banorëve të Medines e ka bërë shkak të përhapjes së Islamit në atë vend, e prej aty në të gjitha anët e botës:
“Dhe nuk e di ushtrinë e Zoti tënd askush tjetër, pos Tij”. (El-Mudethir, 31)
A nuk e forcon kjo bindjen në Allahun?!
Vëlla!! Nuk ka dyshim se Allahu i Lartmadhëruar i ndryshon ligjet natyrore, për të ta forcuar bindjen tënde në fuqinë e Tij. Ai ka mundësi që t’i ndryshojë ligjet e natyrës ashtu siç dëshiron Ai, dhe kur të dëshirojë, për të treguar se Ai është që i vendosë ligjet, po në të njëjtën kohë Ai mund t’i ndryshojë ligjet, e askush tjetër, pos Tij.
Ai dëshiron të na mësojë praktikisht me qëllim që ta përforcojmë bindjen në Të. Ai është Zoti ynë, ndihmëtari dhe mbrojtësi ynë, dhe nuk ka ndihmëtarë, dhe mbrojtës më të mirë se Ai.
A nuk është Allahu Ai, i Cili ka urdhëruar që zjarri të mos e djegë Ibrahimin a.s.?!
A nuk është Allahu Ai, i Cili e ka urdhëruar peshkaqenin që Junusin a.s. ta gëlltitë dhe ta përpijë?!
A nuk është Allahu Ai, i Cili e ka urdhëruar peshkaqenin që ta hedhë të gjallë në bregdet Junusin a.s., ashtu siç ka dëshiruar Ai – i Lartësuari?!
A nuk është Allahu Ai, i Cili Musain a.s. e ka shpëtuar dhe e ka siguruar nga frika, dhe e ka mbrojtur nga humbja?!
A nuk është Allahu Ai, i Cili ka dërguar pejgamber të udhëzuar në qendër të një vendi pabesimtarësh?!
A nuk është Allahu Ai, i Cili e ka nxjerrë ujin nga rrënja e shkretëtirës dhe thellësia e gurit?!
A nuk është Allahu Ai, i Cili në kohën e Musait a.s. ia ka ndryshuar cilësinë e ujit (prej ujit të ëmbël në gjak)?!
Allahu i Lartmadhëruar është Ai, i Cili ka mundësi për të gjitha këto, por edhe më shumë, për gjëra të cilat i dimë, dhe të cilat nuk i dimë.
Vëlla!! Bindu në Allahun dhe mos lejo që pesimizmi të zë vend në zemrën tënde. Ta dish se kjo fe është, se kjo është feja e zgjedhur e Allahut, Ai është mbrojtësi dhe ndihmëtari i saj. Kjo fe është drita e Allahut të Lartmadhëruar, me të cilën e ka shndritur botën e njeriut dhe do të jetë gjithmonë dritë, dhe argument, dhe rrugë e mbrojtur deri sa të ekzistojë kjo botë.
Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Dëshirojnë që ta fikin dritën e Allahut me gojët (fjalët) e tyre, ndërsa përkundrazi Allahu e plotëson dritën e Tij edhe pse pabesimtarët këtë e urrejnë”. (Es-Saf, 8)
Fenë e Tij Allahu e ka mbrojtur, e mbron dhe e siguron, e përkrahë, dhe e bën që të triumfojë. Për këtë arsye umeti duhet të ketë bindje të plotë në ndihmën dhe fitoren e Allahut për fenë e Tij, dhe robërit e Tij. Çështja e Allahut të Lartmadhëruar, fuqia e Tij, dëshira e Tij është mbi çdo shkak dhe rrethanë, mirëpo ne duhet të jemi ata, të cilët e meritojnë ndihmën dhe përkrahjen e Allahut të Lartmadhëruar.
Bëhet pyetja, si? Duke iu kthyer praktikimit të ligjit të Allahut se: “Nuk ka dyshim se Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ai popull mos ta ndryshojë gjendjen e tij”. (Err-rraëd, 11)
Vëlla!!
Të kesh bindje të plotë në Allahun e Lartmadhëruar, mos lejo që pesimizmi të zë vend në zemrën tënde. Nuk ka dyshim se Allahu i Lartmadhëruar e ndihmon fenë e Tij edhe nëpërmjet armiqve të fesë së Tij. Por, si?
Një vëlla musliman më ka dërguar një letër, ku shkruante:
“Ata duke i vrarë vëllezërit tanë, na ngjallin neve dhe na përforcojnë ne në fenë tonë!”.
Po, muslimanët dallohen me një çështje shumë të rëndësishme, e ajo çështje është se, sa më shumë që torturohen, dëbohen dhe shtypen, aq më shumë i kthehen fesë dhe forcohen në fenë e tyre. Feja e Allahut është triumfale. Feja e Allahut është fortifikatë dhe kështjellë e çdo krenari, të ndershmi dhe të larti. Feja e Allahut është fe, e cila ngjallet dhe forcohet në zemrën e çdonjërit, të cilit i vështirësohet gjendja. Ky është realitet i pamohueshëm.
Sa më shumë që bëhet presion në Palestinë, çdonjëri, i cili dëshiron të jetë simpatizant i tyre, në vendet tjera, largohet prej mëkateve dhe i përmbahet ligjeve të Allahut. Në kohë të fundit, ajo çka ndodhi në Irak, ka qenë shkak i zgjimit të shumë muslimanëve në shumë vende të botës.