Dr. Vehbetu Zuhejli Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Ixhtihadi i sehabeve në kohën e pejgamberit s.a.v.s.
Dijetarët janë pajtuar se, lejohet ixhtihadi i sehabeve pas pejgamberit a.s, por nuk janë pajtuar në lejimin e ixhtihadit të tyre në kohën e pejgamberit s.a.v.s. dhe atë në shumë drejtime:
- Disa dijetarë të usulit thonë se, logjikisht kjo nuk lejohet, disa të tjerë thonë se, logjikisht kjo nuk lejohet dhe se nuk ka ndodhur.
- Shumica absolute e dijetarëve thonë se lejohet ixhtihadi në kohën e pejgamberit s.a.v.s. edhe në prezencën e tij, edhe në mosprezencën e tij dhe kjo veç edhe ka ndodhur.
- Disa e bëjnë dallimin dhe thonë:
– lejohet ixhtihadi i atij i cili nuk është në prezencën e tij, ndërsa
– nuk lejohet ixhtihadi në prezencën e tij.
Argumentet
Ata të cilët thonë se nuk lejohet logjikisht, janë argumentuar me argumentet si në vijim.
E para: Pa kurrfarë dyshimi se ixhtihadi i sehabiut nënkupton edhe atë se, ata i nënshtrohen gabimit, përderisa ixhtihadi i tyre në kohën e pejgamberit s.a.v.s. është ixhtihadë përballë mundësisë së rrugës së sigurt dhe mosgabimit, dhe diturisë bindëse dhe të sigurt, andaj ky ixhtihadë (pas pejgamberit s.a.v.s.) logjikisht është i pakuptueshëm.
E dyta: Sehabet ktheheshin te pejgamberi s.a.v.s. për të mësuar (kuptuar) dispozitën e ndonjë ngjarjeje të re. Po të ishte i lejuar ixhtihadi i tyre, nuk do të kishte qenë nevoja të ktheheshin tek ai.
Replika ndaj argumentit të parë është se, sehabet nuk kanë mundur të shkonin te pejgamberi s.a.v.s. për çdo rast, pasi ndonjëherë kanë qenë larg, e ndonjëherë edhe janë kthyer te ai e nuk e kanë gjetur dispozitën e asaj ndodhie të ligjësuar nga shpallja, atëherë çështja mbetej e hapur për ixhtihadë.
Replika e argumentit të dytë: Lejimi i ixhtihadit për sehabet nuk nënkupton se ata nuk duhet të kthehen te pejgamberi s.a.v.s. sepse ata kthehen te ai atëherë kur nuk arrijnë deri te dispozita për ngjarjen nëpërmjet ixhtihadit, ose për shkak të lehtësimit të kuptimit të dispozitës nëpërmjet rrugës së pejgamberit s.a.v.s.
Janë argumentuar edhe me atë se, nuk ka ndodhur ixhtihadë prej tyre, sepse po të kishte ndodhur do të na ishte raportuar, por, përderisa nuk na është raportuar tregon se nuk ka ndodhur.
Replikë e këtij argumentimi në dy aspekte:
E para: Mosraportimi mund të jetë për shkak se ka ndodhur shumë rrallë ixhtihadë prej tyre.
E dyta: Janë raportuar shumë raste të ixhtihadit prej disa prej sehabeve, si f.v., Ebi Bekrit, Sead bin Muadhit, Amr bin el-Asit, Muadh bin Xhebelit, Ebi Musa el-Eshariut, e të tjerë, të cilët do t’i sqarojmë më vonë dhe nuk thuhet se këto janë raportime të vetmuara, siç e tregon Gazaliu, dhe nuk lejohet që të bazohet në to sepse kjo çështje është prej çështjeve të pasigurta dhe dihet se informatat e vetmuara tregojnë për argument të pasigurt, por prapë se prapë mjaftojnë të llogariten si argument.
Argumentet e shumicës absolute
Shumica absolute e dijetarëve argumentohen se, logjikisht kjo lejohet, sepse nuk është absurditet po të presupozonim se ka ndodhur ixhtihadi prej sehabeve në kohën e pejgamberit s.a.v.s. Kështu që është e lejuar dhe është rrugë e vërtetimit se logjikisht është i lejuar dhe janë argumentuar se ka ndodhur në raste të shumta, e prej tyre:
- Hadithi i mirënjohur i Muadhit, kur pejgamberi s.a.v.s. e ka dërguar për gjykatës në Jemen, atë së bashku me Musa el-Esharijun dhe i ka pyetur:
-Me çka do të gjykoni?
Ata përgjigjen: – Me librin e Allahut.
-Po nëse nuk e gjeni zgjidhjen aty? – i pyet i dërguari s.a.v.s..
-Me sunetin e të dërguarit të Allahut – i përgjigjen.
-Po nëse nuk e gjeni zgjidhjen aty?
-Do të analogojmë me çështje të ngjashme, nëse është shumë e përafërt do të veprojmë me të.
-Keni thënë të drejtën dhe ia keni qëlluar – u thotë pejgamberi s.a.v.s.
Ky është miratim se është i lejuar ixhtihadi i sehabëve kur pejgamberi s.a.v.s. nuk është në mesin e tyre.
- Në betejën e Hunejnit pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: Kush vret një luftëtar të anës kundërshtare ai meriton armën e tij.” Ebu Katade e vret një luftëtar të palës kundërshtare, për këtë edhe e meritonte armatimin e të vrarit. Disa prej sehabeve e kanë parë këtë, mirëpo dikush tjetër e kishte marrë armatimin e të vrarit dhe shkon te pejgamberi s.a.v.s. për t’i treguar dhe për ta qetësuar Kataden, se ai e kishte marrë armatimin, duke i thënë pejgamberit s.a.v.s se armatimi i atij të vrari ishte tek ai dhe se duhej ta pranonte se i përkiste atij. Ebu Bekri i thotë atij i cili e kishte marrë armën e të vrarit: -Jo, për Zotin. O i dërguar i Allahut lejoje që ta marrë Esedi prej Esvedit (Ebu Katade). Pejgamberi s.a.v.s thotë: – Ashtu qoftë, të vërtetën e ka thënë (Ebu Bekri).
Ky është miratim i pejgamberit s.a.v.s. për ixhtihadin e Ebu Bekri Sidikit në prezencën e tij.
Vetëm se (analisti i këtij hadithi) këtë ngjarje e ka replikuar si në vijim:
Ixhtihadi i Ebu Bekrit për këtë rast nuk nënkupton të drejtën e zgjedhjes së mendimit të tij në mënyrë absolute, nga shkaku se Ebu Bekri r.a. e ka ditur se është në prezencë të Muhamedit a.s., që nëse nuk e thotë të vërtetën, përmirësohet.
Kjo do të thotë se ky rast nuk është rast i llojit të ixhtihadit sepse nuk ka pasur mundësi të gaboj dhe nuk ka pasur mundësi të zgjedh në mes të mendimit të tij dhe ixhtihadit dhe vendimit të pejgamberit s.a.v.s.
Unë nuk e përkrahi mendimin e analistit sepse tema e ixhtihadit në këtë rast nuk ka të bëjë me bazën e vërtetimit të së drejtës së pasurisë së luftëtarit, por tema është kompensimi i pasurisë së luftës, ndërsa Ebu Bekri e ka paraparë se cili është më meritor se tjetri dhe pejgamberi s.a.v.s. e miratoi ixhtihadin e tij.
- Është vërtetuar se pejgamberi s.a.v.s. është pajtuar me gjykimin e Sead bin Muadhit për fisin Beni Kurejdha, pastaj kur ka gjykuar për ekzekutimin e burrave të tyre dhe robërimin e grave të tyre, pejgamberi s.a.v.s. pasi e ka miratuar propozimin e mendimeve të tyre ka thënë: “Unë kam gjykuar për ta, me gjykimin e Allahut, me të cilin ka gjykuar mbi shtatë qiej.”
- Pejgamberi s.a.v.s. i ka thënë Amr bin Asit: “Gjyko për këto çështje.
Ai i përgjigjet – Po si të bëj ixhtihadë kur ti je prezent?
Pejgamberi s.a.v.s. i thotë: – Po! Nëse ia qëllon i ke dy shpërblime, nëse nuk ia qëllon, e ke vetëm një shpërblim.”
Ukbete bin Amirit dhe një sehabiu tjetër u thotë që të gjykojnë për një çështje të ngatërresës së dy individëve që ishin në konflikt në mes vete, pejgamberi s.a.v.s. u thotë: Bëni ixhtihadë, nëse ia qëlloni i keni nga dhjetë shpërblime, ndërsa nëse nuk ia qëlloni e keni nga një shpërblime.
Pejgamberi s.a.v.s. ia ka miratuar Amr bin Asit kur ai ua falë namazin shokëve të tij, pasi që për shkak të papastërtisë nuk kishte marrë gusël, por tejemum, duke u argumentuar me thënien e Zotit të Lartmadhëruar:
وَلَا تَقْتُلُوا أَنفُسَكُمْ
“Dhe mos e mbytni veten tuaj.” (En-Nisa : 29)
Pejgamberi s.a.v.s. ua ka miratuar dy njerëzve tejemumin, pastaj njërit i ka thënë kur të gjen ujë të merr abdes dhe ta përsëris namazin, dhe tjetrit i ka thënë të mos e përsëris namazin.
Këto raste, dhe raste tjera të ngjashme, dëshmojnë për lejimin e ixhtihadit të sehabeve dhe se ixhtihadi i sehabëve ka ndodhur edhe në prezencën e pejgamberit s.a.v.s. edhe në mosprezencën e tij.
Përderisa, sa i përket atyre të cilët bëjnë dallimin në mes të prezencës dhe mosprezencës, bazohen në argumentin e miratimit të rastit të Muadh bin Xhebelit, me ixhtihadin e tij kur pejgamberi s.a.v.s. e ka dërguar në Jemen, dhe disa raste tjera të cilat i përmendëm, mirëpo ixhtihadi në prezencën e pejgamberit s.a.v.s. nuk lejohet sepse pejgamberi s.a.v.s. është burim i ligjeve të sheriatit. Këtë mendim e favorizon Shevkaniju.
Përfundim – Unë nuk e shoh të arsyeshme që ta zgjasë më shumë këtë temë, sepse siç e thotë Fahru Razi, mospajtimi i tyre nuk prodhon ndonjë efekt juridik në fikh, sepse ixhtihadin e sehabijut nëse e miraton pejgamberi s.a.v.s. është argument ligjor i sunetit miratues dhe jo prej ixhtihadit të sehabes, por nëse nuk arrin te Muhamedi a.s. atëherë bën pjesë në temën e mospajtimit në mes të sehabeve, të cilën e kemi sqaruar.