A është e mundur që pejgamberi s.a.v.s. të gabojë në ixhtihadë?

Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

A është e mundur që pejgamberi s.a.v.s. të gabojë në ixhtihadë?

 

 

Dijetarët janë pajtuar se, pejgamberi s.a.v.s. nuk miraton një çështje gabim me ixhtihadin e tij, ashtu që ai gabim të mos kalojë te umeti i tij dhe ai gabim të veprohet në umetin e tij.

Dijetarët nuk janë pajtuar në atë se a lejohet që pejgamberi s.a.v.s. të gaboj kur bën ixhtihadë.

Një pjesë e dijetarëve, e prej tyre Raziju dhe Bejdaviju deklarojnë se: Është e pamundur që kur Muhamedi s.a.v.s. bën ixhtihadë, të gabojë. Gjithmonë ai është i pagabueshëm në ixhtihadin e tij.

Ibn Sebkiju deklaron: E vërteta është se pejgmberi s.a.v.s nuk mund të gaboj për shkak të pejgamberisë, i cili titull e bën që të jetë i pagabueshëm në ixhtihadin e tij.

Shumica e dijetarëve deklarojnë se lejohet që pejgamberi s.a.v.s. të gabojë në ixhtihadin e tij, në çështje të cilat nuk kanë të bëjnë me kumtimin e shpalljes, me kusht që të mos i aprovohet ai gabim.

Argumentet

 

Argumentet e të parëve

 

E para: Po të lejohej gabimi në ixhtihadin e tij, atëherë ne do ta kishim obligim ta pasonim atë, sepse ne jemi të urdhëruar që ta pasojmë atë, në bazë të thënies së Zotit të Lartmadhëruar:

قُلْ إِن كُنتُمْ تُحِبُّونَ اللَّهَ فَاتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمُ اللَّهُ

“Thuaj: Nëse dëshironi ta doni Allahun, më pasoni mua, se do t’ju dojë Allahu.” (Ali Imranë : 31) e kjo do të na shpinte në pavlefshmëri, e Zoti i Lartmadhëruar nuk na urdhëron për gjëra të pavlefshme, por urdhëron në drejtësi dhe në bamirësi.

Replikë: Çështja se ai mund të gabojë kur bën ixhtihad nuk nënkupton se patjetër duhet të pasohet, sepse pejgamberi s.a.v.s. nuk miraton çështje gabim. Çështja se duhet të pasohet, është të pasohet ixhtihadi i drejtë (i qëlluar) në këndvështrimin e dijetarit, edhe nëse është në kundërshtim me realitetin.

Dhe kur ta pranojmë argumentin, do të ishte i kundërshtuar me obligimin e pasimit të njeriut të rëndomtë në muxhtehidin për atë që e shpie edhe pse ekziston mundësia se ai ixhtihadë të jetë gabim.

E dyta: Po të lejohej gabimi në ixhtihadë, atëherë umeti do të ishte në rangun e tij, dhe umeti (ixhmai) është i garantuar në pagabueshmëri, edhe pse ixhtihadi i pejgamberit s.a.v.s. ka përparësi ndaj ixhtihadit të ixhmait sepse pagabueshmëria e ixhmait është si rezultat i thënies së pejgamberit s.a.v.s.

Replikë – Specifikimi i unifikimit të umetit (ixhmait) nuk e degradon përsosmërinë e pejgamberit s.a.v.s. sepse pejgamberi s.a.v.s. është i specifikuar me gradë më të lartë.

Hanefijtë e replikojnë edhe atë se, kur ixhtihadi i tij arrin rezultatin përfundimtar, atëherë ixhmai nuk favorizohet nga teksti.

 

Drejtimi i dytë argumentohet me atë se: po të mos lejohej gabimi në ixhtihadin e tij, atëherë nuk do të ndodhte, por gabimi veçse ka ndodhur, për këtë arsye lejohet ndodhia e gabueshmërisë së tij me argumentet si në vijim:

E para: Thënia e Zotit të Lartmadhëruar: “Allahu të ka falur, për atë se i ke lejuar ata.” (Et-Tevbe : 43). Siç e sqaruam më herët, Zoti i Lartmadhëruar e ka kritikuar pejgamberin s.a.v.s. për atë se i ka lejuar disa hipokritë që të mos merrnin pjesë në betejën e Tebukut. Gabimi i tij kuptohet se ishte në lejimin e tyre, e argumentim për këtë është kritika ndaj tij dhe mënyra se si i është tërhequr vërejtja.

E dyta: Sa i përket rregullit të lirimit të robërve të Bedrit, Zoti i Lartmadhëruar ka thënë:

مَا كَانَ لِنَبِيٍّ أَن يَكُونَ لَهُ أَسْرَىٰ حَتَّىٰ يُثْخِنَ فِي الْأَرْضِ

“Për asnjë pejgamber nuk qe me vend të ketë robër derisa ta ketë dërmuar me luftë (armikun) në tokë..” (El-Enfal : 67)

Kjo kritikë ka qenë për Muhamedin a.s. i cili mori kompensim për robërit e luftës, ashtu siç e dha propozimin Ebu Bekri, dhe nuk e pranoi mendimin e Umerit i cili propozoi ekzekutimin e tyre, kështu që është paraqitur gabim në të vepruarit sipas mendimit të parë, e argument është ky ajet i cili ia tërheq vërejtjen pejgamberit s.a.v.s.

E treta: Është kritikuar pejgamberi s.a.v.s. me thënien e Zotit të Lartmadhëruar:

وَإِذْ تَقُولُ لِلَّذِي أَنْعَمَ اللَّهُ عَلَيْهِ وَأَنْعَمْتَ عَلَيْهِ أَمْسِكْ عَلَيْكَ زَوْجَكَ

“(Përkujto) Kur i the atij që All-llahu e kishte shpërblyer (me besim) e edhe ti i pate bërë mirë: Mbaje bashkëshorten tënde dhe kij frikë nga All-llahu!” (El-Ehzab : 37)

Kritika për mbajtjen sekret martesën me Zejnebe bint Xhahshin, gruan e robit Zejd, pas shkurorëzimit të saj, dhe pas kalimit të idetit të saj, për të shpallur të pavlefshme prej Zotit të Lartmadhëruar ligjin e adoptimit, ligj i cili ekzistonte në kohën e injorancës.

Këto që i thamë më parë i vërteton edhe hadithi i çiftëzimit të hurmave: “Një herë, pejgamberi s.a.v.s. kalon pranë një shoqërie e cila bënte çiftëzimin e hurmave, ndërsa pejgamberi s.a.v.s. u thotë: Po nëse nuk veproni ashtu do të ishte më mirë. Ato hurma nuk sollën fryte. Pastaj pas një kohe kalon pranë tyre dhe i pyet: Çka u bë me hurmat? Ata iu përgjigjën: Na ke thënë kështu, dhe kështu!? Atëherë pejgamberi s.a.v.s. u tha: Ju jeni më të ditur për çështjen e jetës suaj, ose, ju e dini më së miri çka është më e mira dhe më e dobishmja për jetën e juaj.”

Sa i përket çiftëzimit të hurmave, në një transmetim tjetër pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Nëse është e dobishme për ju, veprojeni atë, sepse unë jap vetëm një mendim personal timin, dhe mos ma zini për të madhe për atë mendim personal timin, mirëpo, kur unë ju tregoj juve diçka nga Allahu, pranojeni, sepse unë nuk gënjej për Allahun.”

Në një transmetim tjetër ka thënë: “Pa dyshim se unë jam vetëm një njeri, dhe nëse u them diçka për fenë tuaj, pranojeni, por nëse them diçka nga ideja ime, atëherë unë jam vetëm njeri.” në tekst tjetër “Atë çka u lajmëroj juve se është prej Allahut, ajo çështje është çështje për të cilën nuk ka dyshim.”

 Në transmetim tjetër “Pa kurrfarë dyshimi se unë jam njeri sikurse ju, atë çka e flas prej Allahut është e drejtë, përderisa atë që e them nga vetja ime, unë jam vetëm njeri, e qëlloj por edhe mund të gaboj.”

Është raportuar se Ibn Abasi ka thënë: “Çdonjërit mund t’i pranohet ose mund të mos i pranohet mendimi i tij, përpos pejgamberit s.a.v.s., të cilit çdoherë i pranohet mendimi i tij.” që do të thotë, i pranohet mendimi i tij (Muhamedit a.s.) në çështje të cilat i shpallen dhe jo në çështje të ixhtihadit (në çështje të ixhtihadit mund edhe të mos i pranohet mendimi). Prej rasteve të tilla është: Vendimi i pejgamberit s.a.v.s. që të arrij marrëveshje paqeje me fisin Gatafan për një të tretën e fryteve të pemëve të Medinës.

Lini një koment