Dr. Vehbetu Zuhejli Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Dispozita e ixhtihadit
Kur te një person plotësohen kushtet e sheriatit dhe arrin aftësinë për të përpiluar ligje të sheriatit nga argumentet parciale, a e ka obligim të bëjë ixhtihadë, apo jo? Dijetarët kanë thënë: Kur një personi i ndodhë ndonjë rast, apo pyetet për një çështje, atëherë:
- për të ixhtihadi është farz individual (farz ajn),
- ndonjëherë ixhtihadi është farz kolektiv (farz kifaje),
- ndonjëherë është i pëlqyer,
- ndonjëherë është haram.
- Farz personal (ajn) është për një person të cilit i ndodhin ngjarjet, e nëse ai arrin te konkluzioni përfundimtar me ixhtihadin e tij, atëherë ai e ka për detyrë të veprojë me atë konkluzion dhe nuk i lejohet ta pasoj dikë tjetër prej muxhtehidëve për të drejtën e tij dhe për të drejtën e tjerëve, sepse dispozita (ligji) e muxhtehidit është dispozitë (ligj) e Allahut për çështjen në të cilën ka bërë ixhtihad në bazë të mendimit të tij, andaj muxhtehidi duhet të veproj me atë mendim, sepse ai ligj është ligj i Allahut të Lartmadhëruar.
Ixhtihadi është farz personal (ajn) edhe nëse ndodh që muxhtehidi pyetet për një çështje e cila veçse ka ndodhur, dhe ekziston frika se mund të kaloj në kuptim jo sheriatik, dhe nuk ka tjetër muxhtehid që të bëjë ixhtihad.
Kjo nga shkaku se mosmarrja me ixhtihad nënkupton vonimin e sqarimit nga koha kur është paraqitur nevoja, e kjo ligjërisht është e ndaluar.
Karafiju thotë: Medhhebi i Malikut dhe pjesa dërrmuese e dijetarëve mendojnë se në atë rast ixhtihadi është obligim dhe nuk lejohet të pasohet.
- Por nëse nuk frikësohet se ekziston rreziku i humbjes së çështjes dhe ekzistojnë muxhtehidë tjerë, ajo çështje është obligim kolektiv (kifaje), dhe nëse ndonjëri prej muxhtehidëve bën ixhtihadë, atëherë të tjerët lirohen nga ai obligim. Nëse asnjëri nuk bën ixhtihadë, atëherë që të gjithë bëhen mëkatarë.
- Ixhtihadi i pëlqyer: Është ixhtihadi për një çështje e cila nuk ka ndodhur, pa marrë parasysh a pyetet për atë çështje apo jo.
- Ixhtihadi haram – është të bërit ixhtihadë në kundërshtim me tekstin e Kur’anit, ose sunetit, ose në kundërshtim me ixhmain.
Përpos këtyre rasteve, ixhtihadi është i lejuar.