Dr. Vehbetu Zuhejli Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Kushtet e ixhtihadit
Shprehjet e autorëve ndryshojnë në përcaktimin e rrugëve të ixhtihadit, mirëpo në përmbajtjen e saj janë një, por me disa dallime të thjeshta (të vogla).
Sipas Gazaliut: Për të qenë muxhtehid kushtëzohen dy kushte:
Kushti i parë: Që të ketë përfshirje në perceptimin e ligjit, ashtu që të ketë aftësi që me mendjen e tij të ketë ndikim në hulumtim, saqë t’i jep përparësi asaj që duhet t’i jepet përparësi dhe të vonoj atë që duhet lënë mbrapa.
Kushti i dytë: Të jetë i drejtë, që të jetë larg mëkateve që shkaktojnë padrejtësi nga ana e tij, sepse ai i cili është i padrejtë, nuk i pranohet fetvaja, edhepse në esencë (praktikisht) mund të bëjë ixhtihad, prapëseprapë ky nuk është kusht që ai të lejohet të merret me ixhtihadë.
Shatibiju e shpreh kështu: Nivelin e ixhtihadit e arrin ai i cili cilësohet me dy cilësi:
E para: Që plotësisht t’i kuptoj objektivat e sheriatit.
E dyta: Aftësia për të përpiluar ligj duke u bazuar në kuptimin e objektivave të sheriatit.
Si e shpreh Amediu dhe Bejdaviju?
Për muxhtehidin kushtëzohen dy kushte:
E para: Të jetë i ngarkuar dhe besimtar në Allahun dhe në pejgamberin e Tij.
E dyta: Që të jetë i ditur dhe të ketë njohuri për t’i perceptuar ligjet e sheriatit dhe llojet e tij dhe rrugët e ligjësimit, dhe formën e tregueshmërisë prej argumenteve.
Këto mendime dhe të ngjashme me to, mund t’i elaborojmë dhe t’i caktojmë kushtet si në vijim, dhe atë se kush duhet të arrij nivelin e ixhtihadit:
E para: Që personi t’i kuptoj kuptimet e ajeteve legjislative të përmendura në Kur’anin fisnik, gjuhësisht dhe ligjërisht. Nuk kushtëzohet të mësohen përmendësh, dhe as që të mësohet përmendësh i tërë Kur’ani, por mjafton që të dijë vendin e tyre ashtu që të kthehet te ato vende kur të kërkohet nevoja. Gazaliu, Raziu dhe Ibni Arabij i kanë paraparë se numri i ajeteve legjislative është pesëqind ajete.
Shevkaniju thotë: “Mendimi i përkufizimit deri në këtë nivel është vetëm nga aspekti i jashtëm, për të krijuar bindje të sigurt se në Kur’anin fisnik ekzistojnë ajetet prej të cilave prodhohen ligje të panumërta, bile ai i cili ka perceptim të drejtë dhe analizë të plotë mund të nxjerrë ligje nga ajetet e Kur’anit të cilat tregojnë vetëm shembuj dhe tregime. Është thënë, se me ato ajete (të tregimeve dhe shembujve) qëllimi është të tregohet për ligjet të cilat kanë prioritet në vete, por jo për detyrim dhe obligim.”
Përderisa, sa i përket kuptimit të ajeteve gjuhësisht, ky kusht plotësohet duke ditur fjalët veç e veç, fjalitë përbërëse, specifikat e fjalëve se çfarë kuptimi kanë, ose nëpërmjet bazës së saj burimore arabe, ose nëpërmjet mësimit të rregullave të gjuhës arabe, si mësimit të gramatikës, sintaksës, morfologjisë dhe shkencave tjera gjuhësore.
Sa i përket njohurisë legjislative, duhet që t’i dijë arsyet dhe kuptimet të cilat ndikojnë në ligje, format treguese të fjalëve në kuptim, si, nga të shprehurit e fjalës, tregueshmërisë së fjalës, apo anulimit retorik të fjalës ose tregueshmërisë shprehimore ose tregueshmërisë kuptimore. Njohuria e llojeve të fjalëve si, fjala e përveçme, fjala globale, fjala interpretuese, etj.
E dyta: Që t’i dijë hadithet ligjore dhe hadithet tekstuale, siç i sqaruam më herët. Nuk është e domosdoshme t’i dimë përmendësh të gjitha hadithet e sunetit, por nevojitet që të ketë mundësi që të kthehet te ato hadithe kur të përpilon ndonjë ligj, ashtu që t’i dijë vendet e hadithit në bazë të indeksit. Ibn Arabiu e ka përcaktuar numrin prej tre mijë haditheve. Raportohet se Ahmed bin Hanbeli ka thënë: Bazat me të cilat sillet njohuria për hadithet e pejgamberit s.a.v.s. duhet të arrij shifrën e njëmijë e dyqind haditheve.
Sipas mendimit tim, ashtu siç e kemi vërejtur te çështja e Kur’anit që numri nuk është i saktësuar, po ashtu edhe hadithet me përmbajtje ligjore janë të shumta dhe janë të shpërndara në libra të ndryshme (andaj vështirë se mund të saktësohet numri). Shevkaniu ka thënë: “Nuk ka hamendje dhe nuk ka dyshim se, muxhtehidi patjetër duhet të dijë çka përmbajnë koleksionet të cilat i kanë përmbledhur ekspertët e kësaj fushe, siç janë gjashtë koleksionet bazë: Sahihu i Buhariut, Muslimit, suneni i Ebu Davudit, Termidhiut, Nesaiut dhe Ibni Maxhes, dhe koleksionet tjera të rëndësishme (suneni i Bejhekiut, Darukutnijut dhe Darumijut) duke pasur në konsideratë se çka përmbajnë musnedet, regjistrat dhe librat, autorët e të cilave i kanë paraparë se janë të sakta (shembull, sahihu i Ibni Huzejmes, sahihu i Ibni Habanit, sahihu i Hakim Nisaburit), ashtu që muxhtehidi të mos i qaset mendimit të tij, ose kijasit, kur veçse ekziston teksti. Kjo ka të bëjë me përmbajtjen e hadithit.
Po ashtu, nevojitet të dihet senedi i hadithit, e cila është rruga e cila e ka sjellë deri tek ne, si hadithet “mutevatir”, hadithet “meshhur” dhe hadithet “ahad”, dhe nevojitet që të dinë personalitetin e transmetuesve, drejtësinë, të metat e tyre, në mënyrë që ta dalloj hadithin e saktë nga i dobëti. Nuk kushtëzohet që t’i dijë transmetuesit thellësisht, por llogaritet se duhet të dijë aq sa i nevojitet të kuptoj në librat e hadithit, për të metat dhe drejtësinë e transmetuesve.
Duke pasur parasysh se hulumtimi i identitetit të transmetuesve në kohën e sodit është pothuajse i pamundur, për shkak të largësisë së gjatë kohore deri tek ata, mjafton që të llogariten të drejtë nga dijetarët e umetit të cilët janë pajtuar në shkencën e hadithit siç janë, Buhariu, Muslimi, Begaviju, dhe dijetarët e tjerë të shkencës së hadithit.
E treta: Njohuria e shfuqizimit dhe të shfuqizuarës në Kur’an dhe në sunet, pra, posaçërisht të ajeteve dhe të haditheve, ashtu që muxhtehidi të mos bazohet në ligjin e shfuqizuar i cili nuk është aktiv pasi që aktiv është ligji shfuqizues, sepse bën ixhtihad në atë çka është e pavlefshme. Mjafton që të kthehet në librat e kësaj teme, shembull, libri i Ibni Huzejmes, libri i Xhaëfer en-Nuhasi, libri i Ibni el-Xhevzijut dhe el-Hazimijut, të Ibni Hazmit, të Tahavijut në konceptet e gjurmuara, e të tjera. Nuk kushtëzohet të diturit e të gjithë atyre librave dhe të përmbajturit përmendësh të tyre, por mjafton që për çdo ngjarje të jep fetva për ndonjë ajet apo hadithë ose që ta dijë se ai hadithë apo ajet është i interpretuar.
E katërta: Që të ketë aftësi të dijë çështjet e ixhmait dhe vendet tyre (vendimet) ashtu që të mos jep fetva në kundërshtim me ixhmain. Nuk është e domosdoshme që t’i dijë përmendësh të gjitha çështjet unanime dhe çështjet kundërshtuese, por për çështjen të cilën jep fetva, duhet ta dijë se ajo fetva nuk është në kundërshtim me ixhmain, por që është çështje e pajtueshmërisë së një medhhebi i cilit do qoftë, ose duhet që të mbizotëroj mendimi te ai se, ajo ngjarje ka qenë në kohën për të cilën nuk kanë debatuar autoritetet e ixhmait. Mjafton që të mbështetet te libri “Meratibul ixhmaë” të Ibni Hazmit.
E pesta: Që të dijë format e kijasit, dhe rrugën e përpilimit të ligjeve nga tekstet.
Interesat e njerëzve dhe bazat themelore të ligjit sepse kijasi është rregull i ixhtihadit, në të cilën ndërtohen shumë ligje parciale.
Disa janë përcaktuar në atë se ixhtihadi i ka vetëm këto kushte, ndërsa unë e shoh të domosdoshme t’i shtoj edhe disa kushte tjera.
E gjashta: Që të dijë gjuhën arabe dhe shkencat e saj të gramatikës, sintaksën, metodat, sqarimet, kuptimet, etj., sepse Kur’ani dhe suneti janë në gjuhën arabe, dhe duhet të dijë fjalët e thjeshta dhe fjalitë përbërëse të gjuhës arabe, nuk lejohet të jap fetva pa i ditur kuptimet e gjuhës, specifikat dhe përmbajtjen e saj, e prej tyre njohuria e ligjit të përgjithshëm, fjalët alegorike, fjala e papërcaktuar dhe e përcaktuar, dispozita e fjalëve treguese, fjalët e përdorimit të rrallë. Nuk kushtëzohen që këto çështje t’i mësoj thellësisht, por mjafton që të ketë aftësi në përpilimin e ligjeve prej literaturës gjegjëse dhe t’i kuptoj ato, si p.sh., libri i autorit Er-Rabi Esfehanijut “Mufredatul Kur’an” dhe libri i Ibni Ethirit “En-Nihajetu fi garibil hadithë vel ether.”
Me plotësimit e këtij kushti, nuk është qëllimi të arrij nivelin e lartë gjuhësor sikurse të Halilit, Mebretit, e të Esmeijut e të Sibevejhit, dhe as që ta dijë të gjithë gjuhën arabe dhe të jetë i thelluar në gramatikë, por mjafton që të dijë aq sa të ketë aftësi të kuptoj të folurit arab, zakonet e tyre, përdorimin e gjuhës së tyre deri në atë masë sa të dalloj fjalën e qartë, fjalën shumë të qartë, fjalën globale, fjalën në kuptim të drejtë prej fjalës alegorike, fjalën e përgjithshme prej fjalës së veçantë, fjalën e interpretuar dhe fjalën e painterpretuar, fjalën e përcaktuar prej fjalës së papërcaktuar, fjalën tekstuale prej të kuptuarit të fjalës, fjalën e thënë dhe fjalën e kuptuar prej saj, dhe kjo aq sa ka të bëjë në të në lidhje me të kuptuarit e Kur’anit dhe të sunetit dhe të mbizotëroj mënyrën e ligjërimit, perceptimin e fakteve dhe qëllimet prej atyre fjalëve.
Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij kushti, disa e kanë paraparë që ky kusht të jetë kushti i parë, sepse njohuria e mjaftueshme dhe cilësore e gjuhës llogaritet sikurse mjeti me të cilën arrihet diçka, kush nuk di të dirigjoj mjetin dhe nuk e di përdorimin e atij mjeti, nuk mund të prodhoj prodhimin me përsosmëri ashtu siç ka thënë edhe Shehrestaniju.
E shtata: Që të jetë i ditur në shkencën e usuli fikhut, pasi që argumenti parcial tregon për ligjin nëpërmjet mënyrës së caktuar, si f.v., mënyra urdhërore, mënyra ndaluese, mënyra e përgjithshme, mënyra e veçantë, e të ngjashme, dhe në momentin e përpilimit të ligjit patjetër se duhet të dihen këto mënyra dhe dispozitën e secilës prej tyre. Dhe e gjithë kjo kuptohet prej shkencës së usuli fikhut.
Fahru Rraziju në librin “El Mahsulë” thotë: Pa dyshim, prej shkencave më të rëndësishme për muxhtehidin është shkenca e usuli fikhut.
Gazaliu thotë: Pa kurrfarë dyshimi se shkenca më madhështore e ixhtihadit është që të përfshihen tri çështje: Hadithi, gjuha (arabe) dhe usuli fikhu.
Shevkaniju ka tërhequr vërejtjen se: “Nuk mjafton që të dijë çështjet e usulit të cilat i kanë caktuar muxhtehidët, por patjetër duhet të dijë këto baza nga vetja e tij, ashtu siç i kanë perceptuar dijetarët e umetit para se të themelohet shkenca e usulit, dhe që të shikoj në çdo çështje me shikim të pavarur që të arrijë deri te e vërteta dhe të jetë i përgatitur në të kuptuarin e gjuhës arabe dhe të përcjell mënyrat e përdorimit të fjalëve, dhe metodologjinë e prozës dhe poezisë arabe, shkrimin arab, ligjërimin arab, se në të kundërtën ai mund të jetë muxhtehid brenda kornizës së imamit të një mehdhebi dhe kësisoj nuk është muxhtehid i pavarur.”
E teta: Që t’i perceptoj objektivat e përgjithshme të sheriatit në përpilimin e ligjeve, sepse të kuptuarit e teksteve dhe zbatimi i tyre në një ndodhi varet prej njohurisë së objektivave të sheriatit.
Kush dëshiron që të përpiloj një ligj të sheriatit nga një argument i tij duhet që të dijë sekretet e ligjësimit dhe objektivat e tij të përgjithshme në ligjësimin e ligjeve sepse tregueshmëria e kuptimit të fjalës mund të ketë shumë kuptime dhe i jepet prioritet njërit prej tyre atëherë kur e sheh se ai kuptim pikësynon objektivin e Ligjvënësit.
Ndonjëherë ndodhë një ngjarje e re, për të cilën nuk ekziston ligj në tekstet e sheriatit, atëherë duhet të shkohet te istihsani, ose te parimi i interesit ose te tradita, e të ngjashme, e kjo nëpërmjet objektivave të përgjithshme të sheriatit prej ligjësimit.
Qëllimi në këto opinione është që të sigurohen interesat e njeriut duke u sjellë dobi atyre, ose duke larguar dëmin prej tyre, sepse në mënyrë të vazhdueshme është konfirmuar se vendosja e sheriatit është në interes të robërve edhe për këtë botë edhe për botën tjetër. Zoti i Lartmadhëruar thotë:
رُّسُلًا مُّبَشِّرِينَ وَمُنذِرِينَ لِئَلَّا يَكُونَ لِلنَّاسِ عَلَى اللَّهِ حُجَّةٌ بَعْدَ الرُّسُلِ
“Të dërguar, lajmgëzues e kërcënues, ashtu që pas dërgimit të dërguarve njerëzit të mos kenë fakt (arsyetim) para All-llahut…” (En-Nisa : 165)
Pastaj në ajetin tjetër:
وَمَا أَرْسَلْنَاكَ إِلَّا رَحْمَةً لِّلْعَالَمِينَ
“E Ne të dërguam ty (Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.” (El-Enbija : 107)
Nuk mund të fshihet e vërteta se kandari i përcaktimit të së mirës dhe të keqes nuk është ashtu siç e shohin njerëzit, por siç e sheh Ligjvënësi, sepse njeriu ndonjëherë të dëmshmen e sheh si të dobishme dhe e lejon, si p.sh., vjedhjen, ose pirjen e alkoolit, e ndonjëherë të dobishmen e sheh si të dëmshme, si p.sh., dhënien e zekatit e llogarit si pakësim të pasurisë, apo shkuarjen në luftë e sheh si të dëmshme edhe pse në të është dobia e përgjithshme. Zoti i Lartmadhëruar thotë:
وَلَوِ اتَّبَعَ الْحَقُّ أَهْوَاءَهُمْ لَفَسَدَتِ السَّمَاوَاتُ وَالْأَرْضُ وَمَن فِيهِنَّ
“E, sikur të përputhej e vërteta me dëshirat e tyre, do të shkatërroheshin qiejt e toka dhe çdo gjë që gjendet në to.” (El-Muëminunë : 71)
Këto janë kushtet e ixhtihadit të cilat shpijnë në konkluzionin e drejtë dhe të plotë.
Vetëm se, siç thotë Gazaliu, këto kushte kushtëzohen në të drejtën e muxhtehidit absolut, pra në të drejtën e muxhtehidit i cili jep fetva për të gjitha ligjet, dhe sipas mendimit të shumicës absolute të dijetarëve janë kushte për ixhtihadin i cili nuk pjesëzohet – siç do të shohim në temën – Lejohet që dijetari ta arrijë gradën e ixhtihadit për disa çështje, dhe jo për disa çështje tjera.