Sexhdeja dhe sexhdeja falënderuese

Dr. Musli Vërbani

 

SEXHDEJA DHE SEXHDEJA FALËNDERUESE

 

 

“Bën sexhde dhe afroju Krijuesit tënd!” Kështu përfundon suretul “Alek”, pra afrimi tek Zoti bëhet nëpërmjet sexhdes, qoftë ajo sexhde sexhde e namazit, qoftë ajo sexhde sexhde e leximit të Kur’anit, qoftë ajo sexhde sexhde e falënderimit.

“Me asgjë njeriu nuk mund t’i afrohet Zotit më shumë se sa nëpërmjet sexhdes.”

Në trupin e njeriut pjesa më e fortë janë eshtrat siç janë: eshtrat e ballit, eshtrat e duarve dhe eshtrat e këmbëve, e kështu edhe sexhdeja përbëhet nga eshtrat e ballit pastaj eshtrat e duarve, eshtrat e gjunjëve dhe në fund eshtrat e këmbëve.

Përpos këtyre pjesëve, në sexhde merr pjesë edhe zemra. Zemra ka ushtrinë e saj të dukshme (të dukshme me sy këto janë: duart, këmbët, sytë, veshët, gjuha dhe gjymtyrët e tjera të dukshme) dhe të padukshme. Të gjitha janë në shërbim të zemrës dhe i binden zemrës. Zemra disponon me to dhe i urdhëron ato. Organet janë krijuar t’i nënshtrohen zemrës, nuk mund t’i kundërvihen asaj. Kur zemra e urdhëron syrin të shikojë – ai shikon, kur zemra urdhëron duart të kapin – ato kapin, kur zemra urdhëron këmbën të ecë ajo ecë, andaj zemra duhet të jetë pjesa kryesore në sexhde për këtë arsye sexhdeja është e kushtëzuar me sexhden e zemrës.

Fytyra është ajo pjesa më e lartësuar e njeriut. Në fytyrë njeriu e njeh dhimbjen, gëzimin, dëshpërimin, zemërimin, smirën, andaj me sexhde tregohet se fytyra i nënshtrohet Krijuesit të saj dhe askujt tjetër.

Përpos zemrës, në sexhde, çdo qelizë e trupit duhet të merr pjesë aktive.

Sexhde bëjnë edhe krijesat tjera si trupat qiellor dhe çdo atom në gjithësi, por sexhdeja e tyre ndryshon prej sexhdes së njeriut sepse sexhdeja e tyre nënkupton nënshtrimin e plotë të tyre ndaj Krijuesit. Këtë e tregon Kur’ani ku në shumë ajete përshkruan sexhden e të gjitha krijesave si të diellit, të hënës, të yjeve, maleve, drunjve, të kafshëve dhe çdo krijese tjetër.

Sexhdeja është dritë e cila ndriçon nga brendësia në jashtësi!. Në sexhde njeriu ulet në shkallën më të ultë për të arritur deri te më e larta. Për këtë duhet bërë sexhde dhe duhet ditur se “Asnjë musliman nuk do t’i bëjë sexhde Zotit, e që Ai mos ta ngrejë atë për një shkallë dhe do ta çlirojë nga mëkatet”.

Sexhdeja është edhe adhurim i cili e largon shejtanin nga njeriu siç thotë Muhamedi a.s.: “Kur njeriu ta lexojë sexhden e leximit të Kur’anit dhe të bëjë sexhde, shejtani vetmohet duke qarë dhe duke thënë: mjerë për mua, njeriut i është urdhëruar sexhdeja, dhe iu bind dhe do ta fitojë xhenetin, kurse mua më është urdhëruar, e kam refuzuar dhe më përket xhehenemi!”

Përpos aspektit të adhurimit sexhdeja e ka edhe dobinë në aspektin biologjik dhe psikologjik.

 

Aspekti biologjik i sexhdes

 

Sexhdeja është një aktivitet trupor dhe kjo ndihmon në shërimin e shumë sëmundjeve trupore. Përulja e trupit gjatë sexhdes bënë që të forcohen muskujt e barkut, këmbëve dhe kofshëve. Sexhdeja përmirëson edhe aktivitetin e traktit të zorrëve, kështu ndihmon në problemin e lirimit të zorrëve.

Lëvizja trupore dhe aktiviteti trupor gjatë sexhdes përmirëson aftësitë psikofizike, dhe aktivizon qarkullimin e gjakut, ulë tensionin e gjakut dhe ndihmon qarkullimin e tij në enët e gjakut.

Kontakti i shtatë pjesëve të trupit me tokën liron energji, kjo do të thotë se me rënien në sexhde ngarkesa negative e trupit lirohet.

Sexhdeja ndikon pozitivisht edhe në eliminimin e lodhjes gjatë aktivitetit të njeriut, qoftë ajo ditore, javore apo mujore.

 

Aspekti psikologjik i sexhdes

Sexhdeja përmirëson aftësitë psiko-fizike dhe ndihmon në shërimin e sëmundjeve psikologjike, mundëson lirimin nga stresi dhe ngarkesa negative e trupit, po ashtu sexhdeja përforcon koncentrimin dhe e edukon njeriun për durim dhe qëndrueshmëri.

Në sexhde njeriu duhet të ketë kujtesën vetëm në Madhështinë e Allahut. Akti i sexhdes është i ndërlidhur me cilësinë e durimit çka tregon se është ilaç për tensionin nervor.

 

Sexhdeja falënderuese

Ne bëjmë sexhde të namazit, po ashtu edhe kur të lexojmë Kur’anin por parashtrohet pyetja se sa bëjmë sexhde kur të dëgjojmë ndonjë lajm të mirë apo kur të ndodhë ndonjë begati apo e mirë.

Nëse njeriut i ndodhë ndonjë mirësi, menjëherë bie në sexhde ashtu siç është dhe e falënderon Allahun për atë mirësi që ia ka dhënë. Me fjalë tjera sexhdeja e falënderimit bëhet në rast kur dëgjon për ndonjë gëzim të madh, që është arritur ndonjë dobi ose është larguar ndonjë dëm, qoftë ai personal apo shoqëror e kolektiv.

Sexhdja e falënderimit është vetëm një sexhde, që do të thotë nuk përbëhet prej dy sexhdeve.

Sexhdeja e falënderimit nuk ka ndonjë kusht prej kushteve të namazit. Sexhdeja e falënderimit mund të bëhet edhe pa abdes.

Sexhdeja e falënderimit bëhet pa marrë tekbir fillestar.

Në sexhde të falënderimit nuk kushtëzohet drejtimi në drejtim të kibles. Pas sexhdes së falënderimit nuk jepet selam.

Sexhdeja e falënderimit nuk ka ndonjë dua të posaçme që kërkohet të thuhet, por mjafton çfarëdo lutje që përmban falënderim dhe madhërim të Allahut.

Kur Allahu i jep njeriut ndonjë prej mirësive të veçanta dhe në atë moment, ai nuk e ka ditur se në sheriatin islam ekziston sexhde për atë mirësi. Dhe pas një kohe të gjatë apo të shkurtër e ka kuptuar se për një mirësi të tillë sexhden e falënderimit mund ta bëjë edhe më vonë.

Ne, në ditët e sotshme, në media shohim se si ndonjë futbollist musliman pas dhënies së golit bie në sexhde, sexhdeja e tyre gëzon edhe shumë të tjerë dhe dëshmon për nënshtrimin dhe përulësinë e tyre ndaj Krijuesit të tyre dhe gëzon dhe i bënë krenarë shumë muslimanë, mirëpo disa dijetarë japin fetva se është bidat duke u arsyetuar se sexhdeja e falënderimit bëhet për ndonjë mirësi ndërsa në futboll nuk kanë kurrfarë mirësie muslimanët por përkundrazi kanë dëme por arsyetimi i tyre se është bidat dëshmon se e bëjnë bidat edhe atë e cila nuk është bidat sepse sexhdeja e falënderimit është sexhde e cila bëhet siç transmetohet nga Ebu Bekrete i cili ka thënë se të dërguarit të Allahut kur i vinte ndonjë lajm që e gëzonte ose që gëzohej binte në sexhde në shenjë falënderimi ndaj Allahut.

 

Përfundim

Përfundojmë me atë se, sexhdeja bëhet në thellësi të natës dhe në mes të ditës në namaz dhe jashtë namazit. Zoti i  Lartmadhëruar  i  lavdëron  sexhdebërësit  kur  thotë:

“Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjeshtë në Tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë (të këqija), ata përgjigjen (me mirësi): “Paqe!”, dhe ata që e kalojnë natën duke iu falur Zotit të tyre në  sexhde  dhe  në  këmbë.” (Furkan, 63 – 64).

Për ata të cilët bëjnë sexhde Zoti i Lartmadhëruar thotë:

“Njerëz të tillë do të shpërblehen me xhenet të lartë për durimin e tyre dhe do të mirëpriten e do të gjejnë paqe. Aty do të qëndrojnë përherë; sa vendbanim dhe vendstrehim i mrekullueshëm që është ai!” (Furkan, 75 – 76)

 

Lini një koment