Termi “AAMMIN”

Dr. Musli Vërbani

Termi “AAMMIN”

 

Si shqiptohet termi “Aammiin”?

 

Ky term përbëhet prej tri shkonjave: A, M dhe N.

Nëse thuhet “AAAAmiin” është gabim, sepse “elifi” nuk zgjatet më shumë se dy vokale nëse pas saj nuk qëndron sukuni (pazanori) dhe as teshtidi sepse shkronja “M” nuk është përforcuar, me fjalë tjera është thënë pa teshtid.

Nëse thuhet AAAA-MMIIJN është në rregull. Pra nëse thuhet me shkronjën “M” të dyfishuar që do të thotë me teshtid, atëherë kjo është në rregull sepse pas zgjatjes katërvokalëshe është “M” me teshtid dhe në shkencën e texhvidit kur sukuni është pas zanores së gjatë atëherë shkaktohet zgjatimi i domosdoshëm dhe ky zgjatim i domosdoshëm duhet të zgjatet 4 vokale dhe 5 vokale.

 

Çka nënkupton termi “Aammiin”?

 

Termi “Aammin” nënkupton:

  • “pranoje”,
  • “ashtu qoftë” (për kohën e ardhshme), dhe
  • “ashtu është” (për kohën a tashme).

Kështu pra, termi “aammiin” ka kuptimin edhe të miratimit të diçkaje por edhe e ka kuptimin e lutjes.

 

 

Dispozita e fjalës” Aammin”

 

Si çdo çështje edhe termi “aamin “duhet të ketë dispozitën e vet.

Dispozita e termit Aammiin nuk është farz.

Dispozita e termit Aammiin është sunet.

 

 

 

Dipozita e e termit “Aammin” është sunet të bëhet me zë apo pa zë?

 

Në përgjithësi për këtë çështje kemi tri drejtime:

Drejtimi parë: Thuhet me zë.

Drejtimi i dytë: Nuk thuhet as me zë as pa zë (nuk thuhet fare).

Drejtimi i tretë: Thuhet pa zë.

 

 

Argumentet:

 

Drejtimi parë, të cilët deklarojnë se thuhet me zë argumentohen si në vijim:

Hadithi i Muhamedit a.s: “Kur të thotë imami “Aamiin”, thoni edhe ju aamiin, sepse kur ndokush prej jush në namaz thotë amiin, melekët në qiell thonë “Aammin”, dhe nëse përputhen njëra me tjetrën, atëherë i falen mëkatet që i ka bërë më parë.”

Për këtë drejtim paraqitet çështja se nëse imami e thotë amin-in pas xhematit a konsiderohet se është pasues i xhematit apo jo?!

Dihet se imami nuk mund të jetë pasues i xhematit, por ai është udhëheqës i xhematit dhe xhemati nuk guxon asnjë pjesë (rukn) të namazit  ta kryej para imamit, e po ashtu edhe xhemati nuk guxon ta thotë aamiinin para imamit.

 

Drejtimi i dytë, të cilët deklarojnë se aammini nuk thuhet as me zë as pa zë argumentohen si në vijim:

 

Termi “Aammin” nuk është fjalë arabe dhe

Termi “Aammin” nuk është e shkruar në Kur’an.

Po të ishte termi “aamiin” në Kur’an, atëherë do të thuhej, por nuk mund ta gjesh të shkruar në Mus-haf, kështu që nuk mund të jetë as në të lexuar sepse ajo që nuk është e shkruar në Kur’an nuk është Kur’an dhe nëse thuhet aamiin me zë pas “Fatihasë” do të ishte sikurse të shtohej diçka në Kur’an, gjë e cila është e ndaluar.

 Drejtimi i tretë, të cilët deklarojnë se thuhet pa zë argumentohen si në vijim:

 

Në esencë ky drejtim as nuk e anashkalon në tërësi por as nuk e thotë që të thuhet me zë (e mos të flasim për me zë të lartë).

Ky drejtim është drejtimi mesatar, pra në mes të drejtimit të parë dhe të dytit.

Ky drejtim argumentohet me hadithin e transmetuar nga Vaili r.a. – i cili ka thënë: “U fal i Dërguari i Allahut – alejhi selam, e kur e këndoi (gajril magdubi alejhim we led daaliin), tha “amiin” dhe e uli me të zërin.”

Argument tjetër është: transmetohet nga Babai i Vailit se ka thënë: “Aliu dhe Abdullahu nuk e këndonin me zë: “bismilahin”, “eudhubilahin” dhe as “amiinin” (në namazin e tyre)”.

Të thënët “Amiin” në heshtje ka qenë praktikë e Umerit, Aliut dhe Abdullah ibn Me’udit r.a dhe e pasuesve të tyre.

 

 

Termi Amin e ka kuptimin e lutjes dhe lutja preferohet të bëhet pa zë

 

Termi “Amin” e ka kuptimin e lutjes: “Pranoje”.

Çdo lutje në përgjithësi, e lutja “aammin” në veçanti, në bazë të ajeteve të Kur’anit më e vlefshme është të thuhet në heshtje dhe me përulmëni dhe jo me zë të lartë. Këtë e argumentojmë me thënien e Zotit të Lartmadhëruar në Kur’an: “Luteni Zotin tuaj të përulur e në heshtje.” (El – Earaf : 55)

Muhamedi a.s. kur i ka parë disa persona që ishin duke udhëtuar, të cilët i kishin ngritur zërat e tyre duke bëre dua, u ka thënë: “Ju nuk po i luteni një të shurdhri e as njërit që është i fshehur, Atij të Cilit po i luteni është i Gjithdëgjueshëm, është afër.”

Për Zekerijain a.s., Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Kur ai (Zekerijai) iu lut Zotit të vet me një zë të ulët…” (Merjem : 3)

Nëse termi “aammiin” është lutje, atëherë lutja “Aamin” thuhet në heshtje, sepse këtë e dëshmon fjala e Allahut ne Kur’an.

 

Termi “aamiin” dhe thënia “eudhubilah minesh-Shejtanirr-Rraxhimë”

 

Termi “amin” nuk është i shkruar në Kur’an.

Për fjalën “eudhu bilah”, Zoti i Lartmadhëruar ka urdhëruar që të thuhet, e këtë e hasim te ajeti i Kur’anit: “Kur të lexosh Kur’anin, thuaj: “eudhu bilahi minesh-shejtanirr-rraxhiimë.” (Kërkoj mbrojtjen e All-llahut prej shejtanit të mallkuar).” (En-Nahël : 98)

Në namaz, termi “aammiin” nuk është më parësore se termi “eudhubilah” që të thuhet, sepse nuk ka ardhur në hadithë që Muhamedi a.s. të ketë thënë Eudhu bil-lahi minesh Shejtanirr Rraxhiim” me zë në namaz, edhe pse ky term është në Kur’an.

Përfundojmë në atë se, kur e kemi parasysh se termi “Aammiin” nuk është në Kur’an, atëherë më parësore është që ky term të këndohet në heshtje, e edhe më parësor se “eudhubilahi”, kur e dimë se “eudhubilahi” këndohet në heshtje në namaz.

Lini një koment