Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu. Dr. Musli Vërbani
Mbështetja në Allahun
Mbështetja në Allahun është çështje e zemrave dhe jo veprim i pjesëve të trupit. Pjesët e trupit veprojnë, zemrat mbështeten në Allahun. Për këtë arsye, patjetër duhet të përqendrohemi në thënien e Zotit të Lartmadhëruar:
“Vetëm Atij i jam mbështetur.”
Pse nuk është përdorur forma “ i jam mbështetur Atij”?
Ne themi: Ti nëse thua, i jam mbështetur filanit, atëherë ti i je mbështetur atij, por edhe dikujt tjetër, që do të thotë është e mundur ta simpatizosh më pastaj, por nëse thua “Vetëm Atij i mbështetem” iu ke mbështetur vetëm Atij, pa i bërë as shok dhe as rival. Rasti identik përmendet në “Suretul Fatiha” ku Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Vetëm Ty të adhurojmë” dhe nuk ka thënë “të adhurojmë ty” sepse thënia “Vetëm Ty të adhurojmë” ka kuptimin se Adhurimi i tërësishëm dhe i plotë i bëhet Allahut dhe në atë adhurim nuk i bashkëngjitet dikush tjetër pos Allahut.
Ti, kur t’i mbështetesh Allahut, në të vërtetë ti i je mbështetur Zotit tënd dhe Zotit të kësaj gjithësie, i Cili të ka nënshtruar ty çdo gjë, bile edhe ato çka janë jashtë mundësive tua, siç janë: dielli, shiu, erërat, etj., të cilat fuqi në gjithësi i ka nënshtruar që të të shërbejnë ty. Dhe këtë gjithësi e ka bërë që të funksionoj për ty. Për këtë arsye, Zoti i Lartmadhëruar na ka mësuar që të themi:
فَإِن تَوَلَّوۡاْ فَقُلۡ حَسۡبِيَ ٱللَّهُ لَآ إِلَٰهَ إِلَّا هُوَۖ عَلَيۡهِ تَوَكَّلۡتُۖ وَهُوَ رَبُّ ٱلۡعَرۡشِ ٱلۡعَظِيمِ ١٢٩
“Vetëm Atij i mbështetemi dhe Ai është Zot i arshit të madh.” (Et Tevbe : 129)
E gjithë ajo që e kemi folur për krijesat dhe për gjithësinë të cilën e ke para dhe që ta ka nënshtruar dhe botën që e sheh dhe nuk e sheh (të cilën nuk e di) të gjitha këto janë pronë e Allahut, ashtu që i bën të gjitha çështjet të jenë nën fuqinë e Zotit të Lartmadhëruar.