Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Si e pasqyron Kur’ani fisnik fundin e botës
Prej argumenteve të cilat do të pasojnë, nga të cilat njeriu vazhdimisht nuk është i sigurt, e të cilat janë parahyrje e fundit të botës, për disa prej tyre na lajmëron Zoti i Lartmadhëruar, i cili thotë:
“Kur dielli të humb shkëlqimin dhe mblidhet;
Kur yjet të rrëzohen;
dhe malet do të fluturojnë;
Kur devet me barrë do të braktisen;
dhe egërsirat të grumbullohen;
Kur detet do të pëlcasin nga vlimi;
dhe shpirtrat (me trup) bashkohen;
Kur foshnja e varrosur për së gjalli pyetet se për çfarë faji ishte vrarë;
Kur fletët (librat) do të shpërndahen;
dhe kur qielli do të zhvishet (nga zbukurimi);
Kur xhehenemi do të flakëroj;
dhe xheneti do të afrohet;
(atëherë) çdo njeri do ta kuptoj se çka ka punuar dhe përgatitur.” (Et Tekvirë : 1-14)
Kur do të paraqiten këto dukuri të lloj-llojshme?
(Përgjigjet Shaëraviu) Do të paraqiten atëherë kur Zoti i Lartmadhëruar do ta frymëzoj gjithësinë dhe tokën të shkatërroj çdo gjë dhe pastaj pas disa çasteve do të shkatërrohet e tërë gjithësia dhe merr fund. Në lidhje me këtë Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Kur të dridhet toka me dridhjen e saj,
kur të nxjerr barrën nga brendia e saj,
e njeriu të thotë: – Ç’po i ndodh asaj?
Kjo (po ndodh), sepse Zoti yt e ka frymëzuar atë.”
Atë ditë njerëzit do të paraqiten grupe-grupe që t’i shohin veprat e tyre.
Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një grimë, do ta gjejë atë.
E kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një grimë, do ta gjejë atë.” (Ez-Zilzal : 1-7)
Shpallje do të thotë shpalosje e fshehtësisë prej Shpaluesit deri te ai i cili e pranon të shpaluarën me kusht që këtë shpallje të mos mundet ta kuptoj askush tjetër pos pranuesit të të shpaluarës.
Zoti i Lartmadhëruar i shpallë çka të dëshiroj, atij që Ai dëshiron. Shpallja nuk ka të bëjë vetëm me pejgamberët, por përfshinë krijesa të shumta. Zoti i Lartmadhëruar u ka shpallur pejgamberëve të vet, por i ka shpallur edhe nënës së Musait a.s.:
“Kështu, Ne e frymëzuam nënën e Musait: Jepi gji atij dhe kur të ndiesh frikë për sigurinë e tij, hidhe në lum.” (El Kasas : 7)
E ka frymëzuar edhe bletën, ashtu siç tregon në ajetin fisnik:
“Zoti yt e frymëzoi bletën (duke i thënë): Ndërto shtëpi në male dhe në lisa dhe në atë që kanë ngritur njerëzit.” (En-Nahl : 68)
Allahu i ka frymëzua Havarijunët që ta pasojnë Isën a.s., djalin e Merjemës, për të cilët thotë:
“Dhe, kur i frymëzuam Havarijunët: Besomëni mua dhe pejgamberët.” (El Maide : 111)
Frymëzimi mund të vijë edhe prej të tjerëve përpos Zotit të Lartmadhëruar. Këtë e bazojmë në thënien e Zotit të Lartmadhëruar:
“Pa dyshim se shejtanët frymëzojnë dhe nxisin miqtë e vet që t’ju kundërshtojnë juve.” (El Enam : 121)
Mirëpo, frymëzimi legjislativ është posaçërisht shpallja e Zotit të Lartmadhëruar ndaj pejgamberëve.
Para se të ndodh fundi i botës, Zoti i Lartmadhëruar e frymëzon tokën. Parashtrohet pyetja, si?
(Përgjigjet Shaëraviu) Ne kemi thënë më herët, te Allahu nuk ka si. Disa prej njerëzve do të thonë se toka është e ngurtë dhe nuk ka mend dhe nuk logjikon, e si mund ta frymëzoj atë Zoti i Lartmadhëruar?.
Ne u themi: Zoti i Lartmadhëruar për çdo krijesë prej krijesave të Tij, ka bërë gjuhë të posaçme me të cilën flet. Atë gjuhë ne nuk mund ta kuptojmë, mirëpo e kupton Krijuesi dhe e kupton e krijuara. Për këtë arsye Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Dhe nuk ka asgjë që nuk e madhëron Atë duke e lavdëruar, por ju nuk mund ta kuptoni madhërimin e tyre.” (El Isra : 44)
Kjo nënkupton se çdo gjë në gjithësi e lavdëron dhe e adhuron Zotin e Lartmadhëruar, mirëpo dituria jonë është e kufizuar, për këtë ne nuk mund ta dëgjojmë dhe nuk mund t’i kuptojmë këto lavdërime. Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Ne i nënshtruam malet dhe shpendët, që bashkë me Davudin të madhërojnë (Allahun).” (El Enbija : 79)
Mos gabo të mendosh se krijesat të cilat i shohim, nuk kuptojnë apo janë më pak të logjikshme se ti. Ato krijesa mund të kenë kapacitet më të madh të diturisë sesa ti. Na është e njohur se buburreci ka logjikuar, sepse kur ushtria e Sulejmanit ka mundur t’i shkel dhe t’ua dëmtoj mbretërinë, ai i ka thirr buburrecat e tjerë që të kenë kujdes dhe të hyjnë në shtëpitë dhe vendstrehimet e tyre, për të ikur nga njerëzit dhe të shpëtojnë nga shkelja dhe thyerja e tyre. Lexo thënien e Zotit të Lartmadhëruar:
“Kur arritën në luginën e milingonave, një milingonë tha: – O milingona, hyni në vendbanimet tuaja, që të mos ju shkel Sulejmani dhe ushtria e tij, duke mos ju parë.” (En Neml : 18)
– Si logjikoi ky buburrec se Sulejmani dhe ushtria e tij do të kalonin në drejtim të folesë së tyre?
– Nga kush e ka mësuar?
– Si e logjikoi se nëse Sulejmani dhe ushtria e tij do të kalonin afër folesë së tyre, do të shtypnin folenë e buburrecave dhe do t’i thyenin ato?
– Si e ka mësuar dhe si ka logjikuar buburreci se nëse buburrecat do të hynin në vendet e tyre, do të shpëtonin nga shtypja?
(Shaëraviu përgjigjet) Patjetër se buburreci duhet të ketë pasur dituri apo mendje, e cila ia ka mundësuat ta kuptoj këtë. Ne nuk i dimë aftësitë e vërteta të buburrecit, por ne gabimisht e nënçmojmë duke u bazuar në vogëlsinë e saj dhe në atë se mund ta mbysim me lehtësi. Lexo çka i ka thënë Hud-Hudi Sulejmanit a.s.:
“Nuk vonoi shumë, e ajo erdhi dhe tha: – Kam marr vesh diçka që ti nuk ke marr vesh deri tani dhe kam sjell informacion të vërtetë prej vendit të quajtur Sebeë. Kam parë një popull që sundohej nga një grua. Ajo posedonte çdo gjë dhe kishte një front madhështor. Kam parë se ajo dhe populli i saj adhuronin diellin, e jo Allahun. Shejtani ua kishte zbukuruar veprat e tyre, duke i larguar nga rruga e drejtë, prandaj nuk ishin të udhëzuar.
Ata nuk i përuleshin në sexhde Allahut, i Cili nxjerr gjithçka që është e fshehur në qiej dhe në tokë dhe e di çfarë mbani fshehur dhe çka e tregoni haptazi. Allahu është Një, s’ka Zot tjetër pos Tij. Zotit të arshit të madh.” (En Neml : 22-26)
– Si ka mundur Hud-Hudi të shkel në një vend në të cilin nuk ka mundur të shkel Sulejmani a.s., i cili ka pasur ushtri dhe fuqi të cilën nuk e ka pasur asnjë njeri?
– Kush e informoi Hud-Hudin se ajo tokë është vendi i Sebeit dhe atë vend e qeverisë një grua dhe se ajo është mbretëreshë dhe se e ka një front (seli) të madh dhe se ajo dhe populli i saj e adhurojnë diellin në vend të Allahut dhe se ky është pabesim dhe se shejtani ua ka zbukuruar atë veprim dhe i ka penguar që të drejtohen në rrugën e Allahut dhe se për atë arsye ata nuk udhëzohen?
– Kush ia mësoi Hud-Hudit adhurimin e të vetmit Allah dhe se Atij i takon sundimi i qiejve dhe tokës, si dhe çështjet tjera të cilat i përmend ajeti fisnik?
– Si e logjikoi këtë Hud-Hudi derisa ne as që mendojmë për një gjë të tillë?
– Si i mësoi Hud-Hudi të gjitha këto informacione dhe si e diti se ai vend quhet Sebeë?
(Përgjigjet Shaëraviu) Kjo dhe rastet tjera të cilat i tregon Kur’ani fisnik, na dëshmojnë se ekzistojnë krijesa të Allahut të cilat posedojnë dituri të cilën ne nuk e dimë dhe se ato krijesa mund të bëjnë dallime dhe të analizojnë, dhe se edhe pse ato janë krijesa instiktive, Zoti u ka dhënë detyra, të cilat mund t’i kryejnë në këtë botë. Kur është kështu me kafshët, shpendët dhe insektet, atëherë pse të mos jetë që toka dhe qiejt, flasin dhe dëgjojnë. Lexo thënien e Zotit të Lartmadhëruar:
“Pastaj Ai iu kthye qiellit që ishte në gjendje tymi, e i tha atij dhe tokës: Binduni me dëshirë ose me padëshirë. Ata u përgjigjën: Ne bindemi me bindje të plotë.” (El Fussilet : 11)
Zoti i Lartmadhëruar u ka folur qiejve dhe tokës, ndërsa qiejt dhe toka pasi e kanë dëgjuar fjalën e Zotit të Lartmadhëruar i janë përgjigjur. Në lidhje me këtë Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“Kur qielli qahet,
duke dëgjuar me bindje Zotin e vet,
siç e ka për detyrë.
Kur toka të sheshohet
dhe të flakë atë që ka brenda dhe të zbrazet,
duke dëgjuar me bindje Zotin e vet,
siç e ka për detyrë.” (El Inshikak : 1-5)
Pjesa “…duke dëgjuar me bindje…” ka kuptimin se ka dëgjuar për detyrën e saj. Parashtrohet pyetja: Çfarë dimë ne për fundin e kësaj bote?
(Përgjigjet Shaëraviu) Kur Zoti i Lartmadhëruar na ka sqaruar disa ligje të gjithësisë, ne e kemi llogaritur se gjithësia na është nënshtruar dhe jemi bërë arrogant duke deklaruar se mund të bëjmë ç’të dëshirojmë. Ne menduam se mundemi që të veprojmë sipas dëshirës tonë, ashtu që ne e urdhërojmë gjithësinë dhe ajo na bindet neve. Nëse i analizojmë këto ajete, kuptojmë se në këtë gjithësi ka dituri (ligje) të pakufishme të cilat janë të panjohura për ne dhe ajo çka e dimë në krahasim me atë çka nuk e dimë është shumë e paktë.