Shkaqet dhe fuqia absolute

Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Shkaqet dhe fuqia absolute

 

 

A mos i ka treguar Zoti i Lartmadhëruar (Zekerijait a.s.) për mënyrën se si pa kurrfarë shkaku do t’ia dhuroj atij djalin?!

Shkaqet na dëshmojnë që gruaja plakë dhe sterile nuk mund të lind fëmijë. Kur kësaj i shtohet edhe pleqëria e burrit të saj, atëherë gjasat e pamundësisë së  lindjes janë edhe më të mëdha, bile kjo sipas shkaqeve dhe ligjeve njerëzore llogaritet si absurditet. Mirëpo, Allahu është Ai i cili i ka caktuar ato shkaqe dhe ato shkaqe para fuqisë së Tij në momentin kur dëshiron Ai nuk kanë vlerë. Zoti i Lartmadhëruar pejgamberit të tij nuk i ka treguar mënyrën se si do të realizohet ai proces, mirëpo Zoti i Lartmadhëruar thotë:

“Kështu, Allahu vepron çka të dëshirojë.”

(Rast tjetër) Mejremja, bija e Imranit, edhe pse kishte parë mrekulli mbinatyrore të shumta, u habit kur u përgëzua nga melekët se do të lind Isain a.s.. Asaj i kishte ardhur pranë ushqim prej pemëve të cilat kishin qenë jashtë sezonit dhe i kishin ardhur pa ia sjellë askush, pra pa ndërmjetësim. Ato kanë qenë begati nga Allahu, të realizuara pa kurrfarë shkaku, mirëpo prapë se prapë kur u përgëzua me një djalë, ajo kërkonte shkaqe. Këtë e tregon Zoti i Lartmadhëruar:

“(Merjemja tha) – Si mund të kem djalë kur nuk më ka prekur njeri dhe nuk jam e pandershme.

(Meleku) I tha: – Kështu është! Zoti ka thënë: Për Mua kjo është shumë e lehtë. Ne, atë do ta bëjmë shenjë për njerëzimin dhe mëshirë nga ana Jonë. Dhe kjo punë ka marrë fund.” (El Merjem : 30,31)

Në suren Ali Imran:

“Ajo tha: – Zoti im! Si mund të kem unë fëmijë, kur nuk më ka prekur asnjë njeri?!

Tha (meleku): Kështu Allahu krijon ç’të dojë Vet. Kur merr vendim për diçka, vetëm thotë bëhu dhe ajo bëhet.” (Ali Imran : 47)

Kështu, kur Merjemja ka bërë pyetje, se si është e mundur të lind djalë përderisa ajo nuk ka qenë e prekur nga asnjë njeri, kur dihet se “fëmija lind” me shkaqet e kësaj bote dhe shkaqet na mësojnë se fëmija nuk mund të lind pa kontaktin e burrit me gruan. Zoti i Lartmadhëruar nuk i ka treguar se në çfarë mënyre do të realizohet lindja e fëmijës, por vetëm i ka thënë:

“Tha: Kështu tha Zoti yt.”

Kështu, ne e shohim se kur Zotin e Lartmadhëruar e kanë pyetur pejgamberët e tij, të cilët nga të gjithë njerëzit i ka zgjedhur Allahu dhe i ka ngarkuar që programin qiellor ta transmetojnë në tokë dhe ka ndodhur çka ka ndodhur, Ai u ka thënë:

“Tha: Kështu ka thënë Zoti yt.”

Kështu është sqaruar edhe kur kemi folur për argumentet e gjithësisë të cilat Allahu do t’ia shfaq robërve të Tij kur të afrohet dita e gjykimit, e cila do të ndodh në momentin e saj. Nuk ka më fjalë, as pyetje se si do të ndodh, pasi që ne e kemi parë fuqinë absolute të Allahut. Dhe nuk ka asgjë në qiell dhe në tokë që i bën ballë Allahut.

Për atë se çka do të ndodhë dhe si do të paraqiten shenjat, kur të afrohet fundi për tu shkatërruar kjo botë, Zoti i Lartmadhëruar në Kur’anin fisnik thotë:

“Dhe kur të vjen realizimi i fjalës Sonë kundër tyre, Ne do të bëjmë që nga toka të del një kafshë, e cila do t’u flas atyre, për shkak se nuk i janë bindur shenjave dhe shpalljeve Tona.” (En-Neml : 82)

Zoti i Lartmadhëruar na tregon se, pasi që njeriu do të arrij në kulmin e zhvillimit shkencor dhe kur të llogarit se ka arritur të zotëroj çdo gjë dhe kur të mendoj se toka i është nënshtruar atij, atëherë do të vjen Zoti i Lartmadhëruar me fuqinë e tij, me shenja, përballë të cilave ai (njerëzimi) do të jetë i paaftë.

Njeriu ka arritur të shkojë në hënë, e ndoshta do të shkon edhe në Mars.

Shkenca për çdo ditë na sjellë diçka të re.

Njeriu të gjitha gjatësitë e hapësirave qiellore i ka shkurtuar.

Ka arritur në një situatë ku, në qoftë se ndodhë ndonjë aksident në ndonjë vend, do t’i shohësh të gjithë njerëzit nga të katër anët e tokës duke shkuar për informim në atë vend.

Ka arritur në pikën ku, njeriu mund të flet me çdo vend të botës dhe që në momentin e mbajtjes së një fjalimi, zëri i tij arrin të dëgjohet në tërë tokën.

Shpikjet tjera që do të vijnë në të ardhmen, do të jenë edhe më shumë të avancuara dhe, kur njeriu do të mashtrohet me diturinë e tij, të testuar me atë që e ka realizuar, Zoti i Lartmadhëruar ua nxjerr atyre një kafshë nga toka. Kjo kafshë do t’i sfidojë aftësitë e njerëzve. E tërë dituria e cila u është dhënë dhe çdo zbulim shkencor të cilin Zoti i Lartmadhëruar ua ka mundësuar që ta zbulojnë në gjithësi, do të jetë e paaftë që ta bëj kafshën të flas, e, Zoti i Lartmadhëruar do ta nxjerr kafshën e Tij nga toka që t’u flet atyre.

Mirëpo, ajo kafshë, ashtu që mrekullia mbinatyrore të jetë edhe më e madhe a do të flet vetem me një gjuhë, apo do të flasë me të gjitha gjuhët e tokës,?.

(Përgjigjet Shaëraviu) Kur të del ajo, askush nuk do të mund të bëjë asgjë. Kjo kafshë të gjithë njerëzve do t’ua dëshmoj se dituria e tyre është e cekët dhe e kufizuar. Njerëzit kanë menduar se me atë çka kanë arritur shkencërisht, e kanë zotëruar çdo gjë në tokë, mu atëherë, nën hijen e asaj bindjeje false, e shohin këtë kafshë e cila u flet atyre, e cila i sfidon dhe dëshmon se si ka ndodhur ai (zhvillim shkencor).

Ne, veç e kemi sqaruar më herët, se për Allahun nuk ka si. Kjo kafshë do të jetë prej shenjave të cilat tregojnë se dita e gjykimit është çështje e cila veç do të ndodhë gjithsesi.

Për këtë shenjë (ditën e gjykimit) do të flasë kafsha?

Shenja tjetër, prej shenjave të cilat na flet i dërguari i Allahut s.a.v.s. është:

“Nuk do të ndodhë dita e gjykimit derisa të lind dielli nga perëndimi i saj.”

Njerëzit në këtë botë e shohin se dielli lind nga Lindja. Kjo lindje e diellit nga lindja është bërë me dëshirën e Zotit të Lartmadhëruar, i cili e përmbys dhe e ndryshon këtë ligj dhe këtë rregull, në kohën e përfundimit të botës!

Parashtrohet pyetja: Si do të ndodhë kjo?

(Përgjigjet Shaëraviu) Nuk kërkohet nga ne që ta dimë. E rëndësishmja është se sistemi i gjithësisë do të rrokulliset. Zoti i Lartmadhëruar do ta ndryshoj sistemin statik, për të cilin kanë besuar të gjithë se është i përgjithmonshëm dhe se nuk do të ndryshoj dhe nuk do të zëvendësohet me sistem tjetër. Madje njerëzit do të mendojnë se dituria e tyre të cilën e kanë arritur, do tu jep mundësi që të kenë fuqi ta pengojnë ndryshimin. Pastaj, në një çast të vetëm paraqiten shenjat e Allahut, të cilat i rrëzojnë të gjitha pretendimet (iluzionet). Atëherë njerëzve u sqarohet paaftësia dhe dobësia e tyre dhe se përballë fuqisë së Allahut të Lartmadhëruar nuk mund të bëjnë asgjë sepse askush pos fuqisë së Tij (absolute) nuk ka fuqi të ndryshoj diçka.

Lini një koment