Sfida vlen edhe për sot dhe do të vazhdoj

Muhamed Muteveli Esh-Shaëravi

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Sfida vlen edhe për sot dhe do të vazhdoj

 

Sfida për njeriun është qysh prej kohës së zbritjes së Kur’anit fisnik. Sfida do të bëhet edhe para përfundimit të botës. Kësaj sfide askush nuk ka mundur t’i dalë në ballë, sepse sfidues është Zoti i Lartmadhëruar. Sa herë që kalon një kohë, Zoti vjen me sfida edhe më të mëdha për njerëzimin.

Parashtrohet pyetja: Pse?

(Përgjigjet Shaëraviu): – Sepse sa herë që koha kalon, dobësohet vija e besimit dhe njerëzit orientohen në shkencë dhe vetëmashtrohen me mendjen e tyre. Zoti i Lartmadhëruar ju ka sqaruar atyre për diturinë e tyre të paktë në krahasim me fuqinë e Zotit.

Ndoshta disa pyesin: A dobësohet Kur’ani afër fundit të botës ashtu siç dobësohet vija e besimit?!

Ne themi: Jo!

Imani (besimi) dobësohet, por Kur’ani lartësohet. Këtë ne e shohim edhe sot, përderisa besimi (imani) dobësohet, Kur’ani lartësohet. Ne shohim edhe interesim për botimin e mus’hafit, me ujë të arit. Ne e shohim se çdo njeri dëshiron të ketë në shtëpinë e tij shumë mus’hafa, ose në automjet, ose në vendin e punës. Nëse bën një hulumtim, do të shohësh se ata nuk e kanë lexuar asnjëherë. Ne e shohim se edhe jomuslimanët shfaqin interesim që të botojnë mus’hafin në formate të ndryshme dhe të mëdha. Dëgjojmë se si ndonjë njeri e shkruan Kur’anin vetëm në një faqe të madhe. Janë botuar mus’hafe në Japoni, Itali, Gjermani. E gjithë kjo është aktuale, saqë Zoti i Lartmadhëruar ka bërë që edhe jomuslimanët të botojnë Kur’anin, në atë mënyrë që i takon merita fjalës së Lartmadhërisë së Tij. Për këtë arsye, është për tu habitur kur e sheh atë i cili nuk është musliman që është në shërbim të botimit të Kur’anit, ndërsa nuk është në shërbim të librit të fesë së cilës i takon.

Çështja e Kur’anit do të lartësohet, nga shkaku se është i ruajtur nga Zoti i Lartmadhëruar. Ndërsa sa herë që kalon koha, çështja e besimit dobësohet.

Ka qenë dashur të jetë e kundërta, duke pasur parasysh ngritjen dhe zhvillimin arsimor të njeriut dhe duke zbuluar atë që Allahu ua ka mundësuar të zbulojnë sekretet e gjithësisë dhe ligjet të cilat kanë ndikuar në zhvillim dhe përparim. Pas kësaj shohim thënien e Zotit të Lartmadhëruar:

“Me të vërtetë, jeta e kësaj bote i ngjanë shiut që Ne e lëshojmë nga qielli, e me të përzihet toka dhe bën bimë, me të cilat ushqehen njerëzit dhe kafshët. E, kur toka vishet e zbukurohet dhe kur banorët e saj mendojnë se janë zotërues të saj (tokës), iu vjen urdhri i Ynë, natën ose ditën dhe Ne e bëjmë atë të korrur, thuaja se nuk kishte qenë e stolisur dje. Kështu pra, Ne i shpjegojmë argumentet për popullin që logjikon.” (Junus : 24)

Në këtë ajet fisnik, Zoti i Lartmadhëruar na e tregon realitetin e kësaj bote që nga fillimi deri në fund të saj, prej fillimit deri në mbarim. Çdo gjë që është në këtë tokë ka zbritur nga qielli, para se të vijnë krijesat, që ta kryejnë detyrën e tyre në tokë.

Zoti i Lartmadhëruar, jetën e kësaj bote na e shëmbëllen me ujin i cili zbret nga qielli. Pa ujin, i cili zbret nga qielli nuk mund të ketë jetë në tokë. Nëse ndalet shiu, do të vdiste çdo gjë që është në të, si njerëzit dhe gjallesat, po ashtu edhe bimët, dhe toka do të shndërrohej në shkretëtirë, me fjalë tjera do të bëhej tokë e vdekur.

Kështu pra, të gjitha shkaqet e jetesës vijnë nga qielli. Uji zbret i pastër si loti, pastaj përzihet me dheun e tokës dhe u sjell njerëzve çka u nevojitet për ushqim dhe për ushqimin e bagëtisë së tyre. U sjell atyre ushqim dhe ujë dhe çka e siguron jetën e tyre.

Atëherë, njerëzit fillojnë ta stolisin tokën. Çdo gjë çka është në tokë është stoli e saj. Kjo bazohet në thënien e Zotit të Lartmadhëruar:

“Çdo gjë që gjendet në tokë, Ne e kemi bërë stoli për të, për të provuar se kush prej tyre punon më së miri.” (El Kehf : 7)

Duhet që të përqendrohemi te teksti i ajetit fisnik, se përse Zoti i Lartmadhëruar nuk ka thënë “…stoli për ju…”? (Por ka thënë “…stoli për tokën…”)

(Përgjigjet Shaëraviu): Kjo, nga shkaku se askush nuk mund ta pronësoj asgjë që është në tokë, ajo mbetet në tokë deri sa të trashëgohet toka (nga vetja) dhe çka ka në të. Pronësimi i tokës është vetëm një term alegorik i pronës, sepse ato ‘prona’ zëvendësohen me ‘pronar’ të ri të asaj që kanë pronësua. P.sh.: Unë them: – “Unë e pronësoj këtë ndërtesë”, mirëpo pasi që të ndahem nga kjo botë, do të kaloj prej një dore në dorë tjetër, te shumë njerëz, e secili prej tyre do të thotë se e ka pronësua, e pastaj e lënë pas vete dhe vazhdon tjetri e bën bartjen, e kështu me radhë. Kështu pra, çdo gjë që është në tokë, duke fillua prej kopshteve të cilat janë në të, pemëve, ndërtesave të ndërtuara në mënyrë artistike të cilat kane pamje të bukura dhe tërheqëse, janë stoli me të cilat kënaqen edhe ata të cilët nuk i pronësojnë por që vetëm i shikojnë.

E vërteta është se ne jemi duke e stolisur tokën. Sa herë që njeriu zhvillohet në aspektin teknologjik dhe shpik mjete të reja, toka  zbukurohet shume e më shumë,  kështu njeriu e zbukuron tokën dhe bën vendbanime (metropole) të zbukuruara për veten, gjeneratë pas gjenerate, deri sa të trashëgohet e tërë toka me gjithë çka ka në të.

Nëse dëshirojmë ta përkufizojmë me fjalë të shkurta çështjen e përfundimit të tokës, atëherë themi se: Me Zotin e Lartmadhëruar nuk ka si. Kur Zoti i Lartmadhëruar thotë bëhu ajo bëhet, dhe çdo herë që njeriu zhvillohet, mendon se e ka zotëruar tokën dhe gjithçka ka në të dhe mendon se ka mundësi të bëj në të çka të dëshiroj. E, atëherë vjen urdhri i Zotit i cili e shkatërron çdo gjë. Ajo stolisje dhe ai zhvillim nuk paraqitet si dukuri prej dukurive të fshehta të cilat duhet besuar, por është një fakt dëshmues i cili tregon fundin e botës.

Lini një koment