“shkollë” apo “mësonjëtore”

Dr. Musli Vërbani

“shkollë” apo “mësonjëtore”

 

Fjala shkollë rrjedhë nga greqishtja skoli  –  σχολή. Pra, në etimologji, kjo fjalë nuk ka asgjë të përbashkët me gjuhën shqipe.

Fjala alfabet rrjedh prej kombinimit të dy shkronjave greke, ἀ = alpha (lexo: Alfa) dhe β = Beta, pra edhe kjo fjalë është me prejardhje greke dhe nuk ka asgjë të përbashkët me gjuhën shqipe.

Arsimi është tërësia e njohurive dhe e shprehive që jepen me sistem e sipas një programi në mësonjëtore e kurse të ndryshme për të mësuar e për të edukuar brezin e ri dhe masat e gjera punonjëse.

Historia e arsimit tonë është histori më vete. Shkrimi i gjuhës shqipe ka kaluar nëpër shumë faza deri në ditët e sotme. Në fillim, gjuha është mësuar vetëm gojarisht, e pastaj edhe me të shkruar, kështu duke u përdorur ndonjëherë shkronjat latine e ndonjëherë edhe shkronjat greke, shkronjat latine janë përdorur nga shkrimtarët arbëreshë kurse shkronjat greke janë përdorur nga kisha ortodokse.

Feja islame, që njihet si fe e diturisë, e zhvilloi shkrimin e shqipes me shkronja arabe. Feja islame pati një ndikim të madh në çdo popull me të cilin kontakoi, e kësisoj ndodhi edhe me shqiptarët, andaj shohim se si letërsia e bejtexhinjve përbëhet nga poezi të shkruara me shkronja arabe. Intelektualët shqiptarë muslimanë veprat letrare në gjuhën shqipe i shkruan duke e përdorur shkrimin arab dhe ky lloj shkrimi gjeti shtrirje në të gjithë trevat shqiptare.

Me propozim të Sami Frashërit, ka filluar të bëhet shndërrimi i shkrimit arab në shkronja joarabe, duke u mbështetur në shkronja latine e duke e plotësuar me disa shkronja greke dhe me shkronja të tjera të veçanta, e ky lloj alfabeti është i njohur si “Alfabeti i Stambollit” e cila ishte edhe bazë për alfabetin e ardhshëm në Manastir.

Sot, rreth historisë së zhvillimit të mësonjëtoreve shqipe merren për bazë shkollat laike dhe nuk merren për bazë shkollat fetare, e në këtë rast mësonjëtoret islame, të cilat kanë qenë të shpërndara anë e kënd trojeve shqiptare, por narrativi i sotëm e merr si pikënisje mësonjëtoren e Korçës, të cilën e pason shkolla e Prizrenit.

Mësonjëtorja e Korçës është mësonjëtorja dhe jo shkolla e parë, e kjo mësonjëtore është e vitit 1887. Kësaj mësonjëtore nuk i ka parapri Kongresi i alfabetit të Manastirit i cili nga ana kronologjike u mbajt më vonë, si dhe parashtrohet pyetja se a është mësuar në këtë mësonjëtore me alfabetin e manastirit i cili më vonë do të jetë alfabeti kryesor?. Në këtë mësonjëtore lëndët që mësoheshin ishin: shkrim dhe këndim, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, mësim natyre, etj.

Shkolla shqipe me shkronja arabe (islame) ka pasur edhe para kësaj kohe, e këto janë quajtur mektebe dhe medrese. Në medrese është mësuar: shkrim dhe këndim, gramatika, historia, gjeografia, aritmetika, shkencat natyrore si, matematika, fizika, etj.

Sot Manastiri nuk ka asnjë shkollë shqipe ndërsa është baza dhe qyteti i alfabetit.

Në botë sot njihen dy lloje të shkollave:

  • – Mësonjëtoret (shkollat) fetare; dhe
  • – Mësonjëtoret (shkollat) laike.

Në islam, kemi mësonjëtore fetaro-shkencore, dhe nuk ekzistojnë vetëm mësonjëtore (shkolla) fetare edhe nëse sistemi arsimor është i natyrës fetare, sepse nuk ndahet feja nga shkenca, sepse në fe mësohet edhe për këtë botë edhe për botën tjetër, dhe ky lloj mësimi është obligim islam.

Pas luftës së dytë botërore, Kosova mbeti nën kthetrat e sistemit komunist. Pas kësaj, mësonjëtoret (mektebet) të cilat kanë shpjeguar mësim fetar janë shndërruar në shkolla, ndërsa hoxhallarët (mësuesit e mektebeve) kaluan prej mësimit fetarë në mësim të kësaj bote.

Sistemi komunist kishte dy qëllime: Dëshironte që mektebet e xhamive t’i shndërronte në shkolla laike dhe këtë synonte ta bënte duke i uzurpuar ato dhe duke deklaruar se këto janë prona publike dhe qëllimi kryesor ishte që në këto objekte të mësohej vetëm për këtë botë.

Feja islame është e kundërta e sistemit komunist. Në mësonjëtore islame mësohet edhe për këtë botë edhe për botën tjetër.

Sistemi komunist dëshironte që mësuesit të ligjëronin vetëm materializmin apo ligjet e kësaj bote, kurse hoxhallarët janë edhe për ligjet e kësaj bote por edhe për ligjet e ndodhitë e botës tjetër.

Në esencë fjala shkollë që në gjuhën greke shqiptohet shkoli ka të bëjë vetëm me mësimin që të largon nga punët e rënda, e jo më shumë.

Parashtrohet pyetja: A duhet ta quajmë mësonjëtoren shkollë apo mësonjëtore? A ta quajmë alfabetin abecedë apo abecedën alfabet. Kjo çështje duhet shikuar me kujdes, pasi këto çështje nuk janë sekondare, por janë çështje thelbësore të arsimit dhe këto e identifikojnë dhe e mbrojnë çështjen kombëtare.

Lini një koment