“Zekat” apo “Sadaka”

Dr. Musli Vërbani

 

 

“Zekat” apo “Sadaka”

 

Populli është solidar, humanitar dhe ndihmëtar. Gjithmonë ka qenë e theksuar kjo ndihmë dhe ky solidaritet, e sidomos para luftës (në Kosovë, 1999), gjatë luftës dhe pas luftës. Kjo ndihmë dhe ky solidaritet është prezent edhe në ditët e sotit.

Dy institucione në islam siç janë zekati dhe sadakaja janë institucione të rëndësishme për shoqërinë. Ajo çka duhet të dimë është se çka është zekat dhe çka është sadaka dhe a është sadakaja zekat dhe zekati sadaka dhe pse nuk përqendrohemi në zekatin dhe pastaj në sadakanë, por çuditërisht jemi shumë sadakadhënës dhe nuk jemi aq zekatdhënës. Kjo, për shkak të mosdijes apo ka diçka tjetër?. Këtë dëshirojmë ta sqarojmë në vijim.

Çka është zekati dhe çka është sadakaja?

Fjala zekat gjuhësisht do të thotë: rritje, pastrim, etj..

Fjala sadaka rrjedh prej fjalës sidk dhe do të thotë: sinqeritet.

Termi sadaka nënkupton: dhënie vullnetare, kontribut vullnetar apo ndihmë vullnetare.

 

Zekati është farz, kush nuk e jep është mëkatar i madh.

Sadakaja nuk është farz dhe kush nuk e jep nuk është mëkatar.

 

Zekati është i përcaktuar në përqindje.

Sadakaja nuk është e përcaktuar në përqindje.

Edhe pse çdo zekat është edhe sadaka, çdo sadaka nuk është zekat, ashtu sikurse çdo namaz është lutje e çdo lutje nuk është namaz, sepse namazi i ka kushtet e saj dhe nëse i mungon vetëm një kusht atëherë nuk është namaz.

Argument kur’anor për dhënien e zekatit kemi ajetin: “Dhe faleni namazin dhe jepeni zekatin…” (El-Bekare : 43).

Argument nga suneti për zekatin është hadithi: “Është ngritur islami mbi pesë shtylla:…, dhënia e zekatit…”

Domethënia e sadakasë nuk kufizohet vetëm tek dhënia e lëmoshës me mjete materiale por ka kuptim më të gjerë sepse çdo punë (vepër) e mirë konsiderohet sadaka.

Sadakaja ka kuptimin e lëmoshës dhe të bamirësisë. Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Thuaju robërve të Mi ta falin namazin dhe të japin nga ajo që Ne i kemi furnizuar, fshehtas dhe haptas, …” (Ibrahim : 31)

Specifika e zekatit është se prej pasurisë ndahet vetëm 2.5% (në disa artikuj 5%, në disa tjera 10% dhe në disa 20%) dhe nuk lejohet as më pak as më shumë se kjo, ashtu sikurse nuk pranohet që namazin e akshamit prej tri rekateve të falet dy rekate.

Në dallim prej zekatit, sadakaja mund të jepet edhe më pak e edhe më shumë se 2.5%, pra është e papërcaktuar.

 

Kategoritë e merituara për marrjen e zekatit dhe sadakasë

 

Edhe sa i përket kategorive marrëse të zekatit dhe sadakasë ka dallime, kështu që ata të cilët e meritojnë zekatin e meritojnë edhe sadakanë, ndërsa ata të cilët e meritojnë sadakanë mund të mos e meritojnë zekatin. Sa i përket kategorive të zekatit Zoti i Lartmadhëruar ka thënë:

“Allahu caktoi që zekati t’iu takoj vetëm:

të varfërve,

të ngratëve,

punonjësve,

atyre që duhet përfituar (në islam),

e duhet dhënë për lirim nga robëria,

të mbyturve në borxhe,

dhe atij që ka mbetur në rrugën e Allahut…” (Et-Tevbe : 60)

Në këto kategori në të cilat është caktuar të jepet zekati jepet edhe sadakaja, por sadakaja jepet edhe në kategoritë e tjera përpos këtyre kategorive.

Ndodh shpesh që gjatë namazeve të xhumasë, hoxha të kërkoj prej xhematit ndihma për: raste të vërshimeve, tërmeteve, shërimin e të sëmurëve, jetimëve, nevojtarëve, ndërtimin e shtëpive të skamnorëve, ndërtimin e ndonjë shkolle, ndonjë spitali, furnizimi me ujë të pijshëm, etj.. Ndonjëherë në atë tubim të mjeteve ka kategori që duhet të japin zekatin, kështu që imami duhet ta informoj xhematin se ai i cili nuk e ka kryer dhënien e zekatit të jep pjesën e zekatit në rend të parë, kështu që ndonjë xhematli i cili i jep f.v. 50 ose 100 euro ai duhet të shkon në shtëpi dhe prej shumës të cilën e ka pas të përcaktuar 2.5% të atij viti të zbres dhe vetëm atëherë kur të arrin limitin e zekatit ai herëve tjera le të jep sadaka.

Ka xhematë që me dekada ka dhënë sadaka kurse njëkohësisht e ka pasur obligim zekatin dhe ajo shumë e ka kaluar limitin (nisabin) e zekatit të tij dhe asnjëherë nuk është informuar që të jep zekat dhe pastaj sadaka, kështu që ai nuk është liruar nga obligueshmëria e zekatit edhe pse ka dhënë sadaka edhe pse atë lëmoshë (ndihmë humanitare) e ka dhënë në kategori ku është e paraparë zekati.

Falja e bajramit nuk do të thotë se lirohesh nga mosfalja e namazit të sabahut. Dhënia e sadakasë nuk do të thotë se lirohesh nga dhënia e zekatit. Dhurimi i dhuratës dikujt nuk do të thotë se lirohesh nga borxhi të cilin ia ke atij.

Natyrisht se në rend të parë ai xhemat është dashtë pyetet para namazit të xhumasë se a e ka dhënë zekatin dhe nëse e kanë dhënë zekatin atëherë vetëm pas zekatit të jepet sadakaja në të cilën bën pjesë edhe donacioni, dhënia, dhurata, kontributi (vetkontributi) edhe ndihma vullnetare apo si do që të titullohet.

Një çështje tjetër… Në një prej kategorive marrëse të zekatit është edhe kategoria “amilijne alejha” (administratorët).  Në fund të Ramazanit, imami edhe pse e merr pagën e paraparë për punën të cilën e kryen,  e merr shpërblimin për shërbim të muajit të Ramazanit  dhe cakton një xhematli për te mbledh zekatin (fitrin). Nga tubimi i zekatit (fitrit) në atë xhami ai i merr 5% të tubimit të zekatit (zekatul fitrit ). Nëse i tubon 3000 euro i merr 150 euro, ndonëse për këtë nuk e informon xhematin.

Gjatë gjithë muajit të Ramazanit hoxha (hoxhallarët) ka thënë se zekati nuk jepet për ndërtimin e xhamive dhe të mirëmbajtjes së tyre apo për ndërtimin dhe për mirëmbajtjen e objekteve administrative të Këshillave të Bashkësive Islame, ndërsa 15% të shumës totale e ndajnë për paga dhe për këshillin.

Tubues të zekatit (administratorët) “amilijne alejha” nuk janë ata të cilët tubojnë mjete vetëm për një kategori (për veten e tyre), në këtë rast për medresenë, por “amilijne alejha” (administratorët) janë ata të cilët e tubojnë zekatin për të gjitha kategoritë e përmendura në Kur’an (në mënyrë të qartë). Profesorët e medreseve ua mësojnë nxënësve dhe u thonë mos pranoni se nuk ju takon juve zekati (fitri), ndërsa ata vet marrin paga prej tubimit të mjeteve të zekatit nëpër xhami ku ato shërbejnë gjatë muajit të Ramazanit.

Nëse institucioni i cili e tubon zekatin për të varfrit dhe për kategoritë e përcaktuara dhe një pjesë të tyre e ndan apo e ndal edhe për medresetë atëherë ky institucion mund të quhet “amilijna alejha” (administratorët) dhe ju takon zekati, por si të quhen “amilijne aleja” kur ata janë ngrënës të zekatit dhe jo tubues të zekatit!?

Është interesant të dëgjohen imamët në xhaminë në hyrje të së cilës shkruhet: “Kjo xhami është ndërtuar nga arka e zekatit të Kuvajtit.” Ata (imamët) thonë se: Zekati nuk jepet për ndërtimin e xhamive. Ndërsa pas namazit të xhumasë thonë: Xhematë, sot do të tubojmë mjete për ndërtimin e xhamisë në “x” vendin apo në “x” fshatin. Ata tubojnë mjete të sadakasë për xhami ndërsa në këtë rast të sadakasë (ndërtimi i xhamisë) lejohet të jepet edhe zekati.

Lini një koment