“dasma” apo “martesa”

Dr. Musli Vërbani

“dasma” apo “martesa”

Martesa dhe dasma dhe dënimi i shpenzimeve të dasmës

Për shkak të rëndësisë që ka familja në islam, ashtu siç janë paraparë kushtet e namazit, haxhit, agjërimit, zekatit, po ashtu janë të parapara edhe kushtet e martesës (aktit të kurorëzimit). Ato kushte janë:

  1. Oferta dhe pranimi;
  2. Dy dëshmitarë.

Mehri është vaxhib dhe nuk bën pjesë në kushtet e Nikahit.

Oferta dhe pranimi

Martesës i paraprinë fejesa. Fejesa është akt i cili nuk është i domosdoshëm që dy palët t’i përmbahen. Koha në mes të fejesës dhe aktit të kurorëzimit nuk është e përcaktuar, ajo mund të zgjasë një kohë të shkurtë (në të kaluarën ka zgjatur me vite). Pas kësaj kohe caktohet dita e dasmës në të cilën ditë bëhet edhe kontrata e martesës.

  • Në ditën e fejesës (myzhdes – lajmit përgëzues) në momentin e kërkimit të dorës së vajzës ngrihet familjari i vajzës dhe thotë: Në bazë të librit të Allahut dhe traditës së të dërguarit të Allahut e keni kërkuar dorën e filanes (x vajzës).
  • Familjari i dhëndrit ngrihet dhe thotë: Po, është e vërtetë, e kemi kërkuar.
  • I autorizuari i vajzës thotë: dhe tani e jap dorën e filanes (x vajzës), në bazë të librit të Zotit dhe traditës së të dërguarit të Allahut.

Më së shumti me rastin e fejesës e kanë përdorur tekstin si në vijim: Zoti e ka urdhëruar, ndërsa pejgamberi e ka praktikuar (Këtë tekst e kanë thënë si në vijim: Allah nemrile, pejgamber kaullile).

Kjo është bërë me rastin e fejesës, ndërsa në rastin e martesës, pasi që nusja të hipë në automjetin e paraparë, familjari i vajzës i thotë familjarit të dhëndrit: Gjaku i imi, robi i yti dhe rruga e mbarë. Kësaj i thuhet e ka bërë “Teslimin” (dorëzimin). Edhe pse ky Teslim (dorëzim) bëhet kur të gjithë krushqit janë në automjet dhe askush nuk i dëgjon përpos atyre dyve në mes vete, kur dihet se kanë pasur kohë të mjaftueshme deri sa kanë qëndruar në vendin e pritjes së krushqve.

Akti i kurorëzimit mund të bëhet gjatë ceremonisë së dasmës ku janë dasmorët dhe atë në këtë mënyrë [Kjo mënyrë praktikohet gjatë fejesës (myzhdes) dhe nuk bëhet gjatë martesës].

  • NGRIHET I AUTORIZUARI I DHËNDRIT PARA TË PRANISHMËVE E THOTË: A e pranon për bashkëshort filanin (x personin) në bazë të librit të Allahut dhe traditës së të dërguarit të Allahut.
  • PASTAJ, I AUTORIZUARI I VAJZËS PARA TË PRANISHMËVE THOTË: Po, e pranoj filanen (x vajzën) si bashkëshorte të filanit (x djalit), në bazë të librit të Zotit dhe traditës së të dërguarit të Allahut.

Nëse gjatë aktit të kurorëzimit janë të pranishëm dhëndri dhe nusja, atëherë bëhet kështu:

  • DJALI PARA TË PRANISHMËVE THOTË: A pranon të martohesh me mua në bazë të librit të Allahut dhe traditës së të dërguarit të Allahut?
  • VAJZA PARA TË PRANISHMËVE THOTË: Pranoj të martohem me ju në bazë të librit të Zotit dhe traditës së të dërguarit të Allahut.

Shihet qartë se në tekst të ofertës dhe pranimit janë fjalët: “në bazë të librit të Zotit” që do me thënë që burri do ta trajton bashkëshorten sipas porosive të Zotit në Kur’an. Do të sillet mirë me bashkëshorten dhe do ta respekton dhe nderon atë sepse sjellja e mirë me bashkëshorten është urdhër kur’anor, thotë Zoti i Lartmadhëruar: “Jetoni e silluni mirë me to (me gratë e juaja)!” (En-Nisa : 19)

Pasi që oferta dhe pranimi bëhen para dëshmitarëve ndërsa Dëshmitari i parë dhe Mbikëqyrës është Zoti i Lartmadhëruar, kontrata bëhet me emrin e Tij, në dëgjueshmërinë e Tij, në pajtim me urdhëresat e Tij.

Martesa është një mjet i marrëdhënieve permanente, jo vetëm ndërmjet burrit dhe gruas, por edhe ndërmjet tyre dhe Zotit, që do të thotë se besëlidhja e fortë e tyre të jetë edhe për kohëra të mira dhe aso të vështira. Mbi dhuratën e martesës Zoti i Lartmadhëruar thotë në Kur’an: “…dhe kur ato kanë marrë nga ju besë të fortë?” (En-Nisa : 21)

Fjalët “sipas traditës së të dërguarit të Allahut”. Kjo nga shkaku se Muhamedi a.s. ka thënë: “Martesa është tradita ime dhe kush nuk e pason traditën time nuk është prej meje.” Po ashtu Muhamedi a.s. ka thënë: “Më i miri prej jush, është ai që sillet më mirë me familjen e tij.”

Akti i kurorëzimit i bërë në prezencën e dëshmitarëve, qoftë në prezencën e dasmorëve, qoftë në prezencën e disa dëshmitarëve është valid. Pastaj mund të regjistrohet në gjendjen civile të cilën e bëjnë nëpunësit për çështjet martesore dhe këtë më parë e kanë bërë edhe në ndonjë letër jozyrtare, ndërsa sot bëhet edhe në libra të xhamisë ku jepet certifikata e martesës.

Regjistrimi bëhet për të siguruar të drejtën e të martuarve. Është urdhër kur’anor për të regjistruar borxhin sepse me regjistrimin e tyre ruhen të drejtat e njerëzve. Thotë Zoti i Lartmadhëruar: “Nëse jepni borxh deri në një afat të caktuar, regjistrojeni.” (El-Bekare : 282), kështu që kur bëhet regjistrimi i borxhit atëherë më primare do të ishte që të bëhet regjistrimi i atyre çështjeve që kanë të bëjnë me nderin dhe pasardhësit.

Pas plotësimit të kushteve edhe ruknit të martesës (dy dëshmitarëve dhe pëlqimit bashkëshortor) bashkëshortët e kanë të lejuar kontaktin martesor.

Vendi i aktit të martesës

 

Akti i martesës është e pëlqyeshme të bëhet në xhami, por nëse nuk bëhet në xhami mund të bëhet në shtëpi por edhe në ndonjë objekt tjetër, por mund të bëhet edhe në ndonjë ambient të hapur. Kjo do të thotë se nuk ka shumë rëndësi se ku kryhet akti i martesës, në xhami apo shtëpi.

Dallimi në mes të dasmës dhe martesës

 

Dasma është aheng, ndërsa martesa është kontratë në mes të dy bashkëshortëve, këta dy terma kanë dallim me njëra me tjetrën. Nikahi është farz ndërsa dasma është sunet. Mund të ketë martesë pa dasmë, ndërsa nuk mund të ketë dasmë pa martesë.

Sikurse në shumë çështje tjera edhe në dasmë më shumë rëndësi i jepet çështjeve sekondare se sa atyre primare. Primare është martesa, ndërsa sekondare është dasma. Nikahi është kurorëzimi, ndërsa dasma është ahengu apo ceremonia e kurorëzimit.

Dasma është ceremonia e martesës dhe jo kusht i saj, nuk është traditë shoqërore por është e bazuar në islam. Vetë pejgamberi a.s., shokët e tij dhe muslimanët e parë, organizonin ceremoni dasme. Qëllimi i dasmës është në dy gjëra:

  1. Grumbullimi i gjithë familjarëve dhe njerëzve të dashur; dhe
  2. Ushqimi.

 

Dasma është gëzim për çiftin, për njerëzit dhe të afërmit e tyre, ato shërbejnë për afrimin mes familjarëve, farefisit, miqësisë dhe shoqërisë.

Dita e dasmës është një ditë e veçantë, pasi atë ditë fillon të themelohet një familje e re muslimane. Islami kërkon familje të lumtura, të gëzuara dhe të konsoliduara.

Dita e dasmës duhet të jetë një ditë e shënuar, ditë në të cilën arrihet dhe realizohet kënaqësia e Zotit të Madhëruar. Ajo është një ditë ku themelohet një familje e re, një shtëpi e re, shtëpi e cila duhet të jetë vend i qetësisë, harmonisë, i adhurimit dhe faltore e Zotit të Lartmadhëruar. Zoti i Lartmadhëruar në Kur’an e tregon rastin e Musait a.s. kur ka thënë: “Ndërtoni shtëpi për popullin tuaj në Egjipt dhe shndërrojini ato në faltore.” (Junus : 87). Realizimi i fjalëve të Musait a.s. për ne: “Shndërroni shtëpitë në faltore.” Nënkupton që ato shtëpi të bëhen qendra në të cilat:

  • Forcohet besimi;
  • Gjendet qetësia dhe lumturia shpirtërore;
  • Lexohet dhe studiohet Kur’ani;
  • Lexohen libra fetarë, arsimor, shkencor;
  • Përkujtohet, lavdërohet dhe madhërohet Zoti i Lartmadhëruar.

Dhurata martesore (mehri)

 

Mehri nuk është kusht i martesës, që do të thotë është vaxhib, por nuk është kusht i martesës. Kjo argumentohet me ajetin kur’anor: “Grave jepni dhuratën e kurorës së tyre (mehrin) më të mirë.” (En-Nisa : 4)

Gjatë martesës shumica e neglizhojnë mehrin, e konsiderojnë diçka simbolike edhe pse kjo nuk është simbolike. Edhe pse shuma e saj nuk është e përcaktuar dhe nuk ka as minimum dhe as maksimum të saj. Mehri është dhuratë ekskluzivisht për bashkëshorten dhe jo për familjen e saj. Është e ditur se dhurata shpirtërore është më e madhe dhe më e rëndësishme se dhurata materiale, por prapë se prapë pas dhuratës shpirtërore vjen edhe ajo materiale. Zoti i Lartmadhëruar thotë: “…dhe u keni dhënë ndonjërës prej tyre thesare pasuri.” (En-Nisa)

Ligjërata dhe lutja

 

Pas ofertës dhe pranimit, dhe pas deklarimit para dëshmitarëve është mirë të mbahet një ligjëratë (fjalim) dhe në fund të bëhet një lutje dhe të përfundon procedura e martesës, ndërsa ahengu mund të vazhdoj.

Dënimi në bazë të shumës së shpenzimeve të dasmës

 

Shpenzimet e dasmës nuk janë çështje kontraktuale, nuk janë pjesë e aktit të kurorëzimit. Ato as që llogariten si shpenzime të aktit të kurorëzimit por thjesht janë dëshirë e dasmorit për të treguar bujarinë, gëzimin dhe lumturinë e vet.

Shpenzimet e dasmës asnjëherë nuk duhet të merren si bazë për tu dënuar në rast të shkurorëzimit.

Shpenzimet e dasmës asnjëherë nuk duhet të merren si bazë që ajo shumë në të ardhmen të llogaritet gjatë trashëgimisë së anëtarëve të familjes.

Në dasma ftohet edhe hoxha. Në të shumtën e rasteve hoxha më shumë merret si prijës simbolik se sa si një kryerës i procedurave (rregullave) të martesës (nikahit) të cilat i përmendëm si më lartë.

Tek ne shpesh po ndodh që për një dasmë të shpenzohen mesatarisht 7000-8000 euro. Në atë dasmë në vend të përkujtimit të Zotit bëhet vallëzimi dhe këndimi. As nuk bëhet regjistrimi, as akti i kurorëzimit. Bëhen shpenzime të nevojshme dhe të panevojshme, të përcaktuara dhe të papërcaktura. Prijësi fetar (hoxha) ndoshta nuk e ka kryer asnjë procedurë të paraparë në islam të cilat i cekëm si më parë por thjesht ka hipë në automjet, ka shkuar krushq, është kthyer në shtëpi sa që edhe në rastin e dorëzimit (teslimit) të gruas nuk prezanton dhe pas një kohe të shkurtë për çështje të imta, duke e pasuar epshin dhe për shkak se ndarja është bërë si një çështje e zakonshme dhe si një rrobë e cila lehtë mund të hiqet dhe të ndërrohet, vjen deri te shkurorëzimi, pasi që shkurorëzimi bëhet me shkas dhe pa shkas, ftohet familja e vajzës dhe ftohet hoxha së bashku me këshillin ndërmjetësues dhe familjari i vajzës kërkon nga ata që të dënohet familja e dhëndrit me një shumë dasme. Kur pyeten: Pse? Përgjigja është: Shpenzimet e dasmës kanë kushtua 7000-8000 euro dhe dënimi duhet të jetë aq sa kanë qenë shpenzimet e një dasme.

Në vend se të merren alternativat dhe shkaqet që të pengohen shkurorëzimet, hapen dyer të cilat e stimulojnë shkurorëzimin, kurse dënimi për raste të tilla është rrugë e së keqes dhe jo rrugë e ndërtimit të ardhmërisë së brezave të rinj.

Lini një koment