Procesi i rimarrjes sipas së drejtës trashëgimore islame (Er-red)

Dr. Musli Vërbani

Procesi i rimarrjes sipas së drejtës trashëgimore islame (Er-red)

 

Në islam, procesi trashëgimor kalon në tri faza:

 

Faza e parë

 

Në këtë fazë marrin pjesë ata të cilët kanë të drejtë në pjesën e përcaktuar (farz) me ajet kur’anor, të cilët quhen farzmarrës. Nëse në këtë fazë trashëgimia shpërndahet e gjitha dhe nuk mbetet asnjë pjesë, atëherë nuk kalohet në fazën e dytë.

 

Faza e dytë

 

Në këtë fazë marrin pjesë ata të cilët kanë të drejtë trashëgimore në mënyrë të papërcaktuar, të cilët quhet asaba. Trashëgimtarët asaba marrin atë pjesë që mbetet pasi të trashëgojnë trashëgimtarët e përcaktuar (farz) me ajet kur’anor.

 

Faza e tretë

 

Në këtë fazë hyjnë ata të cilët marrin pjesë kur nuk ekzistojnë trashëgimtarët me të drejtë të papërcaktuar (asaba) me ajet, pra këta marrin pjesë atëherë kur nuk ekzistojnë trashëgimtarët asaba, e këta quhen trashëgimtarë rimarrës.

 

Definicioni: Rimarrja ka kuptimin e kthimit, pra kur i kthen të drejtën dikujt. Tek fukahatë (ekspertët e fikhut), rimarrje do të thotë marrje e pjesës tepricë, e cila ka mbetur pasi është trashëguar pjesa farz dhe nuk ka mbetur asnjë trashëgimtarë asaba.

Nga definicioni mund të shohim se përderisa ka trashëgimtarë asaba, nuk ka rimarrje, por nëse nuk ka trashëgimtarë asaba, atëherë vjen në pyetje  marrja e pjesë së mbetur për së dyti.

Rimarrja është e kundërta e Aulit, sepse auli është zvogëlimi i pjesës farz për shkak se ka shumë farzmarrës, ndërsa rimarrja është shtimi i pjesës farz për shkak se nuk ka trashëgimtarë të tjerë dhe ka tepricë të pjesëve trashëgimore.

Rimarrja realizohet vetëm nëse përmbushen tri kushte:

  • Që personi të jetë me të drejtë farzmarjeje;
  • Që të mos ketë trashëgimtarë asaba;
  • Që të ketë pjesë tepricë.

 

Trashëgimtarët, të cilët kanë të drejtë rimarrjeje, janë të gjithë farzmarrësit, përveç bashkëshortëve. Kjo do të thotë se trashëgimtarë rimarrës janë:

  • Vajza,
  • vajza e djalit,
  • motra e vërtetë,
  • motra prej babait,
  • motra prej nënës,
  • nëna,
  • vëllai prej nënës.

Djali nuk është rimarrës, nga shkaku se ai është trashëgimtar asaba, e trashëgimtari asaba e merr tepricën e pasurisë që nga fillimi, pa marrë parasysh sa është ajo dhe nuk ka çka të mbetet përderisa është ai.

Sa i përket babait dhe gjyshit, ata kanë dy cilësi: edhe cilësinë e farzmarrësit, edhe cilësinë e trashëgimtarit asaba, që do të thotë se ata e marrin tërësinë e mbetur si trashëgimtarë asaba dhe nuk ndodhë që të jenë rimarrës.

Burri dhe gruaja nuk janë rimarrës, nga shkaku se afërsia e tyre nuk është për nga gjaku, por për nga shkaku, pra të afërsisë për shkak të kurorëzimit;  me vdekjen e njërit prej tyre skadon afati i  kurorëzimit dhe eliminohet shkaku. Për këtë arsye, ata nuk kanë të drejtë rimarrjeje, por secili prej tyre trashëgon pjesën farz të tij, e çka të mbetet tepricë e rimarrin trashëgimtarët e tjerë.

Procesi i  rimarrjes nuk është përmendur në Kur’an dhe në Sunet, për këtë arsye  dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme rreth Rimarrjes:

 

Mendimi i parë

Nuk ka proces të rimarrjes, por pjesa tjetër i takon arkës qendrore të muslimanëve, nëse nuk ka trashëgimtarë të llojit asaba.

 

Mendimi i dytë

Procesi i rimarrjes është e drejtë trashëgimore dhe rimarrin farzmarrësit, përveç bashkëshortëve.

 

Mendimi i tretë

Procesi i rimarrjes është e drejtë trashëgimore në islam dhe rimarrin farzmarrësit, por edhe bashkëshortët nëse nuk janë rimarrësit farz.

 

Lini një koment