Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Burimi: USULI FIKHU ISLAM
Vendi i sunetit në krahasim me Kur’anin
Si argument suneti e zë vendin e dytë, menjëherë pas Kur’anit. Është burim i dytë prej burimeve të sheriatit, sepse Kur’ani është argument i prerë dhe i sigurt, ndërsa suneti është jo i prerë dhe i pasigurt. Pa dyshim se e sigurta është sqaruese i Kur’anit, e sqaruesi pason të sqaruarën. E sqaruara ka përparësi të jetë e para. Kjo vërtetohet nga transmetime të shumta, e një prej tyre është hadithi i Muadh bin Xhebelit: E, me çka do të gjykosh, o Muadh?, të cilin hadith e kemi treguar më herët.
Pastaj, praktika e Ebu Bekri Sidikit në ixhtihadin e tij, letra e Omerit r.a., kur ia dërgon kadiut Sherif, ku i thotë: Shiko çka është e qartë për ty në librin e Allahut dhe mos pyet askë tjetër. Po nëse nuk e sheh në librin e Allahut paso sunetin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.
Ibn Mes’ud r.a. ka thënë: Atij të cilit i paraqitet rasti të gjykojë, le të gjykojë me atë çka është në librin e Allahut. Po nëse paraqitet diçka çka nuk është në librin e Allahut, le të gjykojë ashtu siç ka gjykuar Pejgamberi s.a.v.s..
Ndërsa, sa i përket sunetit, nga aspekti i përcaktimit të dispozitave, në librin “Risale” Imam Shafiiju r.a. ka sqaruar kështu:61
Suneti ose mund të jetë sunet i fortë, i cili sunet vërteton dispozitën Kur’anore,
ose sunet sqarues i Kur’anit,
ose për të argumentuar me të shfuqizimin e një dispozite të Kur’anit, për të cilën Kur’ani ka heshtur.
Këto katër forma nevojiten të sqarohen në detaje:
E para: Që suneti të vërtetojë një dispozitë, e cila është në Kur’an.Kështu dispozita ka dy burime. Shembull: Urdhri për faljen e namazit, dhënien e zekatit, agjërimin e ramazanit, kryerjen e haxhit, pastaj ndalimin e idhujtarisë, dëshmimi i rrejshëm, sjelljen e keqe ndaj prindërve, vrasjen e njeriut pa të drejtë, ndalesën e marrjes së pasurisë të tjerëve pa të drejtë. Shembull: Nuk lejohet asgjë për muslimanin, përpos ajo çka është e pastër për veten e tij.62 Ky hadith është vërtetues i fjalës së Allahut të Lartmadhëruar: “O ju që keni besuar, mos hani pasurinë e njëri-tjetrit me padrejtësi”.
Mirësia ndaj grave.
Shembull: Hadithi: “Frikësojuni Allahut dhe silluni mirë ndaj grave”.63 Ky hadith është në përputhshmëri me fjalën e Zotit të Lartmadhëruar: “Dhe jetoni me to me mirësi
E dyta: Që suneti të jetë sqarues i Kur’anit. Këtu do t’i përmendim tri mënyra të sqarimit.
- –Që Kur’ani të sqarojë atë që Kur’ani e thotë globalisht. Shembull: Hadithet të cilat sqarojnë mënyrën e faljes së namazit, e përqindjes së zekatit, mënyrën e kryerjes së haxhit, shitblerjen e vlefshme dhe të pavlefshme, llojet e kamatës, perin e bardhë dhe perin e zi te ajeti i agjërimit.
- –Që Kur’ani të specifikojë përgjithësimin e Kur’anit. Shembull: Hadithi i Pejgamberit s.a.v.s.: “Nuk lejohet njeriu të martohet as me hallën, as me tezën, as me vajzën e vëllait, as me vajzën e motrës”.64 Ky është specifikim i fjalës gjenerale të Zotit të Lartmadhëruar: “Dhe ju është lejuar juve, përpos këtyre”.
Shembull: hadithi i Pejgamberit s.a.v.s. “Ka ndaluar çdo egërsirë mishngrënëse (shqyese) dhe çdo shpend kthetrashqyes”.65 Ky hadith ka qenë specifikim i asaj se arabët ushqeheshin me ato shpendë dhe kafshë, me ajetin : “Thuaj: prej asaj që më është shpallur nuk shoh asgjë të ndaluar prej ushqimeve, me të cilat ushqeheni, përpos nëse është coftëtinë ose gjak rrjedhës, ose mish derri, sepse këto janë fëlliqësirë ose mëkat, sepse janë thrrur jo në emër të Allahut.”
Shembull: hadithi: “Vrasësi nuk trashëgon asgjë”,66 është specifikuar prej ajeteve të trashëgimisë në suretu Nisaë. Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Ju porosit Allahu qëpër fëmijët tuaj mashkullit i takon sa dy femrave”.
- –Që suneti të përcaktojë të papërcaktuarën e Kur’anit, ose të shpjegojë qëllimin e Kur’anit, kur Kur’ani e tregon diçka të paqartë. Shembull: Hadithi ka përcaktuar vendin e prerjes së dorës, e ai vend është kyçi i shuplakës së dorës.67 Ky është përcaktim i papërcaktimit të ajetit: “Vjedhësit dhe vjedhëses prejuani duart e tyre”.
Shembull: përsëritja e pastrimit të pjesëve të abdestit dhe obligueshmëria e pastrimit të bërrylave. Është sqarim i ajetit: “Pastroni fytyrat tuaja dhe duart deri në bërryla”.68 Në këtë ajet është e mundur të përsëritet, por edhe të mos përsëritet pastrimi i pjesëve; po ashtu, mund të pastrosh edhe të mos pastrosh bërrylat. Por, hadithi i ka sqaruar gjërat e paqarta.
E treta: -Që suneti të tregojë të shfuqizuarën dhe shfuqizuesin e Kur’anit. Medhhebi Shafiij nuk e lejon që Kur’ani të shfuqizohet me sunet, duke u bazuar në ajetin: “Ne nuk shfuqizojmë ndonjë ajet, apo të harrojmë atë, e që Ne të mos sjellim më të mirë se ajo, apo të ngjashëm me atë”, sepse folja “Ne sjellim” tregon se Ai i cili sjell të ngjashëm, apo më të mirë, është Allahu i Lartmadhëruar. E, kjo ndodh vetëm atëherë kur shfuqizues është Kur’ani, ndërsa dy fjalët “më të mirë se ajo, apo të ngjashëm” tregon që zëvendësuesi të jetë më i mirë se e zëvendësuara ose së paku i ngjashëm me të. E, suneti nuk është kështu. Por, suneti është ai që sqaron shfuqizimin e Kur’anit me Kur’an.
Shembull i kësaj është thënia e Zotit të Lartmadhëruar:
“Juve ju është bërë obligim ajo se kur ndonjërit prej jush i vjen vdekja, le të lërë testament për prindërit dhe të afërmit, është obligim i të devotëshmëve që ta përcjellin me drejtësi”. El Bekare,180
Ky ajet është shfuqizuar me ajetet e trashëgimisë, mirëpo njohja e këtij shfuqizimi është bërë nëpërmjet sunetit.
Mendimin e Shafiijut e ka kundërshtuar mendimi i shumicës absolute të dijetarëve, e po ashtu edhe Bejdeviju dhe Esneviju nga vetë dijetarët e medhhebit Shaffij. Ata thonë: Se suneti ndonjëherë shfuqizon Kur’anin. E kanë ilustruar me shembullin: “Për trashëgimtarët nuk ka testament”.69 Ajetin të cilin e kemi cekur më herët: “Ju kemi bë obligim kur ndonjërit i vjen vdekja” nuk është shfuqizuar ajeti i trashëgimisë, sepse ky ajet nuk bie ndesh me ajetin e testamentit për të afërmit; sepse, e para, është për një të tretën e pasurisë, ndërsa testamenti zbatohet me një të tretën. Do ta sqarojmë më detajisht në temën e shfuqizimit.
E katërta: -Që suneti të jetë vendosës dhe vërtetues i dispozitës për të cilën ka heshtur Kur’ani, e që ajo dispozitë të jetë vendosur drejtëpërsëdrejti prej sunetit, e për atë dispozitë nuk ka tekst Kur’anor. Shembull: Hadithet që tregojnë për gurëzimin e prostitutit të martuar,
-dispozita e përbetimit dhe një dëshmitari.
-Të ndaluarit e mëndafshit dhe zbukurimit me ari për meshkuj.
-Sadekatul fitri.
-Obligueshmëria e “dijes” dhe “Akiles”.
-Të ndaluari e mishit të gomarit,
-lirimi i robit e të ngjashme.
Vërehet se Shafiiju e ka pranuar që suneti është për të shtuar në Kur’an, suneti është përcjellës i Kur’anit dhe se suneti kthehet në të; është brenda kornizave të bazave të përgjithshme të dispozituara në Kur’an. Ixhtihadi i Pejgamberit s.a.v.s. është në dispozitat bazore në Kur’an dhe në thelbin legjislativ. Atëherë, nuk mund të ndodhë mospajtim në mes të dispozitave Kur’anore dhe të sunetit
- Medhhebet e sehabëve dhe dijetarëve rreth të vepruarit me hadithin e vetmuar dhe argumentimi me të
E para: -Siç kemi cekur më parë, sehabet janë pajtuar se lejohet të veprohet me hadithin e vetmuar. Hadith i vetmuar është hadithi, të cilin e kanë transmetuar një ose dy, pa arritur në shkallën e shumësit të madh, e as të vogël. Sehabet me kësi hadithi kanë vepruar aq shumë, sa që rastet janë të panumërta. Prej atyre rasteve janë: pranimi i hadithit të Ebu Bekri Sidikit në ditën Sekif, kur iu është drejtuar popullit Kurejsh.70 Hadithi i tij: “Pejgamberët varrosen aty ku vdesin”.
Po ashtu hadithi: “Ne pejgamberët nuk trashëgohemi; atë që e lëmë mbetet (jepet) sadaka”.71
Kanë vepruar me hadithin e Mugirete bin Shuëbes dhe Muahmed bin Muslemes se Pejgamberi s.a.v.s. ia ka dhënë gjyshes një të gjashtën.72
-Omeri r.a ka vepruar me hadithin e Amr bin Hazmit në “Dije”.
Po ashtu, Omeri r.a me hadithin e Abdurrahman bin Aufit në pranimin e xhizjes prej zjarrputistëve: “Veproni me to, siç veproni me pasuesit e librit”. 74
-Othmani r.a. ka vepruar me hadithin e Ferias bin Malikut për vendin e qëndrimit të gruas në periudhën e Idetit pas vdekjes së burrit të saj. E, ai hadith është: “Qëndro (në shtëpi të burrit) deri sa të përfundojë ideti”.75 (në shtëpinë e burrit).
-Ibn Abasi ka vepruar me hadithin e Ebi Seid el Hudrijit për kamatën në të holla, pasi që para kësaj nuk gjykonte për kamatizim në “NESIE”(mallra me malëra shtesë).76
-Shumica absolute e dijetarëve kanë gjykuar me hadithin e Aishes r.a. për obligueshmërinë e Guslit, kur të takohen dy organet seksuale.77
Përpos rasteve të sipërpërmendura, ka edhe shumë raste të tjera,.78
Vetëm se sehabet dallohen në rrugën e vërtetësimit të sunetit me hadithe të vetmuar dhe asaj çka transmetohet, vetëm e vetëm për ta bërë më të fuqishme, sa më bindëse, sa më të besueshme vërtetësinë e hadithit nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s.
Ebu Bekri Sidiki dhe Omeri r.a. nuk pranonin hadithin e vetëm, përpos me dëshminë e dy vetëve (sehabeve), të cilët e kanë dëgjuar hadithin prej Pejgamberit s.a.v.s.
Shembull: Ngjarjen e trashëgimisë së gjyshes, të cilën e cekëm më parë. Ajo (gjyshja) shkon te Ebu Bekri Sidiki dhe e kërkon të drejtën e saj trashëgimore.
Ebu Bekri i thotë asaj: Nuk shoh se ke të drejtë, sipas Kur’anit, dhe nuk di se Pejgamberi s.a.v.s. ka treguar se të takon ty pjesë trashëgimie. Pastaj, pyet njerëzit.
Ngritet Mugirete bin Shuëbe dhe thotë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. se asaj i takon një e gjashta.
Ebu Bekri i thotë: A ka ndonjë tjetër që e ka dëgjuar me ty.
Atëherë dëshmon Muhamed bin Muslemete për të njëjtën gjë dhe e zbaton.
Kështu ka vepruar edhe Omeri. Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Ebi Sejid el Hudriji, i cili ka thënë: Kam qenë ulur në një kuvend prej kuvendimeve të Ensarëve, aty i frikësuar hynë Ebu Musa el-Eshariju.
Në kuvend e pyesin: Pse je frikësuar?
Ai përgjigjet: Më ka urdhëruar Omeri që të shkoj tek ai. Shkova tek ai, kam kërkuar leje, por për shkak se nuk ka dëgjuar, nuk më është dhënë leje, jam kthyer.
Pas një kohe më ka pyetur: Pse nuk ke ardhur në kohë të caktuar.
I kam thënë: Unë kam ardhur, kam dhënë selam (kam kërkuar leje) tri herë. Pasi që nuk kam marrë përgjigje, jam kthyer, sepse Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Nëse ndonjëri nga ju kërkon leje tri herë dhe nuk i jepet leja, le të kthehet nga ka ardhur”.79
Omeri më ka thënë: Për këtë patjetër duhet të më sjellësh dëshmi, se e ka thënë kështu (Muhamedi a.s).
Ata thanë: Dëshmi do të ketë prej ndonjërit prej neve?
Atëherë ngritet Ebu Saidi dhe dëshmon vërtetësinë.
Pastaj Omeri thotë: Unë nuk të kam akuzuar për asgjë, por çështja ishte se në pyetje ishte hadithi i Pejgamberis.a.v.s..
Aliu r.a. kërkonte nga transmetuesi i hadithit që të përbetohet se ai e ka dëgjuar hadithin nga Pejgamberi s.a.v.s.. Ai ka thënë: Kur kam dëgjuar ndonjë hadith nga Pejgamberi s.a.v.s., ka pasur dobi sa ka dashur Allahu. Kur dikush më ka treguar ndonjë hadith, e kam detyruar të përbetohet, e pasi që është përbetuar, i kam besuar.
Ndonjëherë sehabiju e ka kthyer prapë hadithin ose për shkak të mosbesimit të transmetuesit, ose e ka ditur se ai hadith është shfuqizuar, ose për shkak se ka pasur hadith më të fuqishëm se ai, sipas mendimit të tij. Këtë do ta sqarojmë me shembuj praktik.
Omeri r.a. nuk e ka pranuar hadithin e Fatimes bin Kajsit, kur ka kërkuar vendbanim.
Ajo ka thënë: Burri im më ka lëshuar, e nuk më ka lënë mua i Dërguari i Allahut vendbanim dhe as furnizim.80
Omeri i përgjigjet asaj: Nuk e kemi lënë anash librin e Zotit tonë, e as të pejgamberit tonë, për shkak të një gruaje, për të cilën nuk dimë a gënjen apo flet të vërtetën, a e ka mbajtur përmendësh (hadithin), apo e ka harruar.
Ajshja r.a. nuk e ka pranuar hadithin e Ibni Omerit: I vdekuri dënohet për shkak të vajtimit të familjes së tij,81 sepse Zoti i Lartmadhëruar ka thënë: “Nuk e bart barrën e tjetrit askush”, që do të thotë se njeriu nuk dënohet për shkak të mëkatit të tjetrit.
Ibn Abasi nuk e ka pranuar hadithin e Ebu Hurejres: Kush e bart xhenazen, le të marrë abdest. Ai(Ibn Abasi) ka thënë: Bartja e xhenazes nuk na obligon abdesin.
Aliu r.a. nuk e ka pranuar hadithin e Muakal bin Senanit el Eshxhaijut, kur i thotë Ibn Mes’udit: Ka gjykuar në dispozitiv për kompensim, nëse gruas i vdes burri para se të kontaktojë seksualisht, që ajo të marrë mehrin, sepse asaj i takon mehri i ngjashëm me një grua paralele as më shumë, e as më pak. Kam gjykuar, sepse kështu ai ka thënë, se kështu ka gjykuar Pejgamberi s.a.v.s. me rastin e Birua bint Vashik el Eshxhaije. Ibn Mes’udi është gëzuar për së tepërmi kur e sheh se ngjashëm ka gjykuar Pejgamberi s.a.v.s.82
Mirëpo, Aliu r.a. nuk ka vepruar me këtë hadith dhe nuk ka paraparë që asaj t’i takojë mehri. Ai ka thënë: Ne nuk e lëmë librin e Allahut për shkak të thënies së një beduini. Aliju r.a. ka kundërshtuar që t’i jepet diçka gruas, nëse burri i saj vdes para kontaktimit seksual. Ai i ka i dhënë përparësi Krijuesit ndaj hadithit të vetmuar, i cili nuk është i vërtetë, sipas mendimit të tij.
Ky mospranim dhe ky qëndrim i sehabeve nuk është se me sunet nuk argumentohet, por nuk e kanë pranuar dhe kanë marrë qëndrim, për shkak se ka munguar ndonjë kusht, ose ka pasur argument përballë sunetit, ose për shkak se çështja e ka kërkuar të jetë ashtu.
E dyta: Argumentimi me hadithin e vetmuar. Atyre të cilët duke argumentuar se është argumenti i dyshimtë, është e mundur që të ketë në të mashtrime dhe rrena prej transmetuesve, dhe për shkak se me të ka shumë që kanë thënë me hamendje, sipas dëshirave, e që është vështirë se mund të dallohet e vërteta prej të pavërtetës.
Në lidhje me këtë çështje është përgjigjur Shafiiju. Argumentimet e tij do t’i reduktojmë në pesë pika:
E para: Në sheriat Kijasi është i vërtetuar me Kur’an ose me sunet. E, kjo do të thotë se gjykimi bëhet me dëshminë e dy dëshmitarëve, ose dëshmia e një burri dhe një gruaje; aty nuk e lejon etika të hyjnë meshkujt. Gjykimi: Domosdoshmëria e dhënies përparësi anës së vërtetë ndaj të pavërtetës.
E dyta: Pejgamberi s.a.v.s. ka apeluar që të ruhet fjala e tij, veprat e tij dhe veprimi me to, pa marrë parasysh në mënyrë individuale apo kolektive. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:”Zoti e bekoftë robin, i cili dëgjon thënien time, e mëson përmendësh, e ruan dhe e përcjell. Ndoshta përcjellës i fikhut është ai i cili nuk është dijetar. Ndoshta bartësi i fikhut është më i vlefshëm se fekihu, i cili është më i mirë se ai vet. Tri gjëra nuk e mashtojnë zemrën e muslimanit: sinqeritei i punës vetëm për Allah, këshilla për muslimanët dhe përmbajtja ndaj xhematit. Thirrja e tyre përfshin ata të cilët vijnë pas tyre.83Nuk ka ndikim në përcjellje, vetëm nëse përcjellësi i fjalës është argument i cili pranohet prej pranuesit”.
E treta: Është vërtetuar se sehabet kanë përcjellur ligjet e sheriatit me hadith të vetmuar, ndërsa, Pejgamberi s.a.v.s. i ka aprovuar. Përpos kësaj Pejgamberit s.a.v.s. i ka mjaftuar që një transmetues t’ia përcjellë ligjin, siç ka qenë rasti me ngjarjen e kthimit të falësve në mesxhidin Kuba, ku një njeri ka lajmëruar për ndryshimin e kiblës dhe e ka ndryshuar.
E katërta: Pejgamberi s.a.v.s. ka dërguar në të njëjtën kohë dymbëdhjetë sehabe tek dymbëdhjetë mbretër për t’i thirrur në islam. Pejgamberi s.a.v.s. u dërgonte letra udhëheqësve nëpërmjet një njeriu.
E pesta: Sehabet kanë pranuar një lajm, nëse nuk kanë gjetur argument në Kur’an apo sunet, siç e përmendëm më parë. Ata kanë gjykuar për një çështje me mendimin e tyre; kur e kanë mësuar një hadith, e kanë kthye mendimin e tyre personal, ashtu siç ka vepruar Omeri, i cili kishte gjykuar që të trashëgohet dija e të vrarit për “Akiletihi”. Pastaj, e ka kthyer (ndryshuar) mendimin me hadithin e Dahak bin Sufjanit, ku thuhet : “Gruaja trashëgon nga Dija e burrit të saj”.
Këto argumentime i kanë vërtetuar shumica absolute e dijetarëve,84 duke argumentuar me mendimin e tyre se është vaxhib të vepruarit me lajmin e vetmuar. E, pastaj kanë shtuar argumentime të tjera prej Kur’anit logjik:85
Sa i përket Kur’anit, Zoti i Lartmadhëruar ka thënë:”Dhe kur Allahu mori besatimin prej atyre te cilëve iu është dhënë libri që ta sqarojnë atë (Librin) dhe mos ta fshehin”.
Zoti i Lartmadhëruar ka marrë besatim prej atyre të cilëve iu është dhënë libri që t’ua sqarojnë njerëzve dhe mos të fshehin asgjë prej tyre. Ky ka qenë sqarim për secilin prej tyre, sepse ligjërimi është për çdo njeri, aq sa ka mundësi. E, është e pamundur që të gjithë të kenë mundësi. Atëherë bëhet e qartë se ligjërimi është për çdonjërin, nga shkaku se shumësi është për kolektivin, por që përfshin secilin veç e veç. Po mos të ishte lajmi i vetmuar argument, nuk do të kishte urdhëruar sqarimin kolektivit veç e veç. Zoti i Lartmadhëruar ka thënë:”Po mos të jetë një grup prej çdo grupi të tyre, të cilët specializohen në fe dhe që të këshillojnë popullin e tyre, nëse ata kthehen prapa, e që qëllimi i tyre është që t’ua tërheqin vërejtjen”.
Dihet se skuadra është prej tre vetëve, ndërsa më pak se skuadra është miniskuadra, ose prej një individi, ose prej dy individëve, ndërsa pjesa e ajetit që të tërheqin vërejtje, i cili mund të realizohet prej fjalës së një individi, apo dy vetëve. Po mos të ishte lajmi i vetmuar argument, nuk do të kishte qenë obligim që dëgjuesi ta përqëndrojë mendjen dhe që të kujdeset çka thotë tërheqvërejtësi, i cili është në pjesën e ajetit “me qëllim që të jeni të kujdesshëm (vëmendshëm)”.
Është urdhër prej Zotit të Lartmadhëruar, që do të thotë është obligim vëmendësia.
Sa i përket anës logjike, lajmi mund të jetë i vërtetë dhe i pavërtetë, ndërsa vërtetësia për drejtësi është e kushtëzuar në transmetim tek i cili anon vërtetësia më shumë se gënjeshtra; e vetëm atëherë merret vendim që të veprohet me lajmin e vetmuar në fetva, dëshmi, dhe në çështjet e dynjasë, si f.v. lajmi i mjekut se diçka të bën dëm e të ngjashme, si në mendimet në luftëra etj etj.
Mospranuesit me lajmin e vetmuar prej të cilëve janë: Xhebaniju, Kashaniju, një pjesë e mutekeliminëve, disa Revadij kanë sjellë disa argumente, të cilat çdo analizues i kupton se janë argumente të dobëta. Për këtë arsye, nuk e shoh të arsyeshme t’i përmend këtu, pasi që mjaftojnë argumentet e shumicës absolute të dijetarëve që i përmendëm më parë.
E treta: Medhhebi i dijetarëve të katër medhhebeve për veprimin me lajmin e vetmuar.
Hanefijtë për të vepruar me lajmin e vemtuar (personal) i kushtëzojnë tre kushte:86
- –Që transmetimi të mos veprojë të kundërtën e asaj që e transmeton. Nëse e kundërshton, atëherë veprohet me mendimin e tij, e jo me transmetimin e tij, sepse kundërshtimi i tij me veprim është për shkak të shfuqizimit të asaj thënie, pasi që e ka mësuar të kundërtën. Për këtë arsye, nuk kanë vepruar me lajmin e Ebu Hurejres, kur ka treguar hadithin për qenin: Kur e lëpin qeni enën e ndonjërit prej jush, le ta lajë shtatë herë, njërën prej atyre shtatë herëve ta bëjë pastrimin me dhe.87 I ka mjaftuar Ebu Hurejres që ai vetë në vepër ta bëjë pastrimin tri herë, siç ka transmetuar Darukutniju.
- –Që tematika e hadithit të mos jetë temë që është e përhapur çdokund, e kanë nevojë njerëzit për sqarim. Pra, çështja është që t’i plotësojë kërkesat për transmetimin e tij në mënyrë të shumënumërt dhe të njohur. Transmetimi i tij në një rrugë mund të lindë dyshimin në vërtetësinë e burimit nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. Për këtë arsye, nuk kanë vepruar me hadithin e ngritjes së duarve në ruku në namaz.88 Vërehet se Shafiijtë e kanë vërtetuar këtë hadith prej shtatëdhjetë sehabeve.
- –Që hadithi të mos jetë në kundërshtim me Kijasin dhe me bazat e sheriatit, nëse transmetuesi nuk është Fekijh, sepse transmetimi i hadithit bëhet me kuptim të pranuar në mes të transmetuesve e jo tekstualisht. Mirëpo, nëse transmetuesi nuk është fekihë, është e mundur që t’i ikë diçka nga kuptimi, nga i cili kuptim do të ndërtohej ligji (dispozita). Nga transmetuesit, që nuk janë fukaha, janë: Ebu Hurejre, Selam Farisiju, Enes Bin Maliku. Për këtë arsye, nuk e kanë marrë parasysh në veprim hadithin e Ebu Hurerjes për delen apo Devën, e cila nuk është mjelur. Është hadithi i Pejgamberit s.a.v.s.: Mos e lini delen apo lopën të pamjelur (për ta shitur). Kush e blen, ai ka të drejtë të zgjedhë në mes të dy çështjeve, pasi që ta mjelë: nëse dëshiron, e mban në pronësi, e nëse dëshiron, e kthen së bashku me një enë (saa) me hurme.89
Ata thonë: Ena (saa) me hurme është zëvendësim për qumështin e mjelur. E, kjo është në kundërshtim me Kijasin dhe rregullat e sheriatit. Është në kundërshtim me kompensimet e dënimit, ku rregull është: “E ngjashmja me të ngjashmen dhe sasia e njëjtë me sasi të njëjtë”. Po ashtu, është në kundërshtim me rregullin “EL haraxhu bid-Daman”.(Dëmshpërblimi për shkak të shfrytëzimit, nëse e kthen mallin),90 e cila e bën “GILEN (kompenzimin)” si rezultat, në vend të të njëjtit artikull atij të cilit duhet paguar dënimi. Kjo dëshmon se qumështi është i blerësit të deles apo deles, ndërsa çështja, për t’ia kthyer një enë (saa) me hurme, është në kundërshtim me këtë rregull.
E vërteta është se ky kusht është mendimi i Isa bin Ebanit dhe atyre që e pasojnë prej Hanefijve të mëvonshëm. Te ata bazë është që t’i jepet përparësi haberit (hadithit të vetmuar) absolutisht, sepse Ebu Hurejre ka qenë Fekijhë; edhe vetë Ebu Hanife e konsideron Fekijh. Ai e ka pranuar hadithin për prishjen e agjërimit. Muhamedi s.a.v.s. ka thënë: “Kush ha ose pi me harresë, le të plotësojë agjërimin e tij, sepse Allahu e ka ushqyer dhe ia ka mundësuar të pijë”.92
Ebu Hanife ka thënë: Po të mos ishte ky transmetim, do ta kishte marrë për bazë Kijasin, pra prishjen e agjërimit.
Hanefijtë nuk e kanë pranuar hadithin e mosmjeljes së deles apo deves për shkaqe të tjera, jo duke e kritikuar sehabijen, si thënia: Hadithi është hadith Mudtarib, ose i shfuqizuar, ose nuk është vërtetuar vërtetësia e tij. Me një fjalë, dijetarët e kanë diskutuar, kanë gjetur arsye të mospranimit dhe në fund e kanë refuzuar. Seneani në librin “Subule Selam” shkruan: Hadithi është bazë për ndalimin e mashtrimit në shitblerje dhe ndalimin për mosmjelje të deles, para shitjes së tyre, dhe të drejtën e zgjedhjes së vazhdimit të kontratës ose prishjen e saj prej blerësit.
Medhhebi Malikij: Për të vepruar me hadithin e vetmuar, Imam Maliku e ka kushtëzuar që të mos jetë në kundërshtim me banorët Medinas,93 sepse vepra e banorëve Medines zë vendin e transmetimit të Pejgamberit s.a.v.s. dhe si transmetim i një grupi të një grupi i cili është më prioritar se sa transmetimi i një personi te një person tjetër. Përpos kësaj, Medinasit janë më të diturit për ndonjë prej çështjeve apo gjendjeve të Pejgamberit s.a.v.s. Për këtë arsye, Malikijtë nuk e kanë pranuar “Të drejtën e zgjedhjes (prishjes apo vazhdimit të kontratës) në kuvend, e jo më vonë. Është hadithi të cilin e ka transmetuarHakim bin Hazani r.a. se Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: Shitblerja është e drejtë zgjedhjeje përderisa nuk ndahen (shitësi dhe blerësi). Nëse kanë qenë të drejtë dhe kanë sqaruar pikat e shitblerjes, qoftë e bekuar shitblerja e tyre. Po, në qoftë se janë rrenacakë dhe fshejnë të metat e tyre, mos qoftë e bekuar shitblerja e tyre94.
Dijetarët e kanë debatuar mendimin e Imam Malikut për ixhmain e banorëve të Medinës, sepse ata nuk janë të pagabueshëm, për shkak se ata nuk përfaqësojnë të gjithë umetin, siç do të sqarojmë më vonë.
Medhhebi Shafiij: Për të vepruar me hadithin e vetmuar, Imam Shafiiju kushtëzon katër kushte të përcipta dhe precize. Sipas mendimit të tij, ato janë:95
- Që tranmsetuesi të jetë i devotshëm në fenë e tij dhe i sinqertë në hadithin e tij.
- Që të jetë i mençur, i logjikshëm në atë që thotë dhe ta dijë çka thotë, ashtu që të ketë mundësi ta transmetojë hadithin pikë për pikë, ashtu siç e ka dëgjuar, pa deformim të fjalëve, e jo që të transmetojë hadithin me kuptim.
- Që të jetë i saktë në atë që transmeton, ashtu që ta ketë mbajtur përmendësh mirë, nëse nuk e përcjell hadithin prej librit të tij.
- Që hadithi të mos jetë në kundërshtim me hadithet e dijetarëve, nëse që të dy hadithet flasin për të njëjtën tematikë. Këto kushte i kushtëzojnë te secila gjeneratë e transmetuesve derisa hadithi i pashkëputur të arrijë deri te Pejgamberi s.a.v.s., ose deri te tabiinët.
Me një fjalë, shart për të vepruar me hadithin e vetmuar te Shafiijt është zinxhiri i vërtetë dhe i pashkëputur. Për këtë arsye, Shafiijtë nuk kanë vepruar me hadithin mursel, por me kushtet të cilat do t’i sqaroj më vonë.
Medhhebi Hanbelij: Për të vepruar me hadithin e vetmuar, Imam Ahmedi kushtëzon që zinxhiri i transmetuesve të jetë i plotë dhe i drejtë, sikurse Shafiiju, përpos që e kundërshton Shafiijun sa i përket veprimit me hadith mursel, sepse te Hanbelijtë veprohet me hadithin mursel. Mirëpo, te ata është hadith i dobët dhe i jepet përparësi fetvasë së sehabes ndaj hadithit të tillë.96
Nga kjo kuptohet se Hanbelijtë janë fukahatë që më së shumti veprojnë me sunet, pastaj janë Malikijtë, më pas Shaffijt, e pastaj Hanefijtë. Bazë e mospajtimit është të marrit si rezervë dhe ngritjen e vlerës së sunetit.
Hanefijtë mendojnë se të vepruarit “rezervë” janë rregullat e përgjithshme.
Shumica absolute mendojnë se “rezerva” është të vepruarit me sunet sa më shumë të jetë e mundur.