Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
Burimi: USULI FIKHU ISLAM
Ligjet e Kur’anit
Ligjet e Kur’anit janë të shumëllojshme.29
- Ligjet e besimit: të cilat janë të ndërlidhura me atë që i ngarkuari e ka obligim të besojë Allahun, në melekët e Tij, në librat e Tij, në pejgamberët e Tij dhe në ditën e gjykimit
- Ligjet e moralit, të cilat janë të ndërlidhura me atë që i ngarkuari të pajiset me vlera njerëzore dhe të zhvishet nga imoraliteti.
- Ligjet praktike: të cilat janë të ndërlidhura me veprimet e të ngarkuarit, me fjalët e tij, me sjelljet e tij, me aktet dhe veprimtaritë në përgjithësi. Ky lloj ka të bëjë me ligjet e fikhut të Kur’anit, e që shkenca e usulit ka këtë qëllim, që është dy llojesh.
- –Ligjet e adhurimit; siç janë namazi, agjërimi, zekati, haxhi, përbetimet e adhurimet tjera me të cilat kihet për qëllim organizimin e raporteve të njeriut me Zotin e tij.
- –Ligjet e raporteve ndërnjerëzore, si f.v. aktet, dënimet, pra, në përgjithësi, organizimin e jetës në mes të njerëzve, pa marrë parasysh raportet se a kanë të bëjnë në mes të njerëzve si individ, apo grupe-grupe.
Këto ligje janë si vijon:
- Ligjet e statusit personal. Janë ligje që kanë të bëjnë me familjen, duke filluar prej krijimit të familjes, pra martesën, raportet në mes tyre, e pastaj raportet farefisnore.
- Ligjet e të drejtës qytetare, të cilat kanë të bëjnë me raportet në mes të njerëzve, si shitblerja, qiramarrja, sigurimi, borxhi, mbajtja e premtimit, kryerja e obligimeve. Me këto ligje kihet për qëllim organizimin e raporteve të individëve në aspekt material dhe të drejtës qytetare.
- Ligjet kundërvajtëse. Këto ligje kanë të bëjnë me veprat për të cilat i ngarkuari dënohet. Me këto ligje kemi për qëllim ruajtjen e jetës së njerëzve, pasurinë e tyre, të drejtën e tyre, nderin e tyre. Me këto ligje definohen marrëdhëniet e individit me individin dhe të individit me shoqërinë.
- Ligjet e krimeve penale. Këtu bëjnë pjesë ligjet që kanë të bëjnë me gjykimin e njerëzve në mes vete, dëshminë, përbetimin. Me këto ligje bëhet organizimi i jetës, ashtu që vendoset në peshojë drejtësia në mes të njerëzve.
- Ligjet kushtetuese. Janë ligje që kanë të bëjnë me rregullat bazë kushtetuese. Kihet për qëllim definimi i marrëdhënieve të qeveritarit dhe të qeverisurit, si dhe përkufizimin se çfarë të drejtash kanë individët dhe shoqëritë.
- Ligjet shtetërore. Janë ligje që kanë të bëjnë me shtetin në raport me çështjet tjera. Ky është kodi ndërkombëtar i përgjithshëm, veprimtaria me jomuslimanët të cilët jetojnë në shtetin islam, e ky është kodi ndërkombëtar me status special. Me këto ligje kihet për qëllim përcaktimi i ligjeve të shtetit islam me shtetet tjera, si në luftë, ashtu edhe në paqe, dhe përcaktimi i marrëdhënieve të muslimanëve me jomuslimanët në vendet islame.30
- Ligjet ekonomike dhe financiare. Janë ligje që kanë të bëjnë me pasurinë e qytetarëve, të drejtat, përgjegjësitë dhe obligimet e qytetarëve ndaj shtetit në shtimin e buxhetit shtetëror. Me këto ligje kihet për qëllim rregullimin e raporteve në mes të të pasurve e të varfërve dhe në mes të shtetit e qytetarëve.
Këtu bën pjesë buxheti shtetëror, me fjalë të tjera pasuria shtetërore e përgjithshme dhe e veçantë si “Ganime” dhe “enfalë “(pasuria prej lufte) dhjetëpërqindëshi, haraxhi, xehet e pasuritë natyrore dhe pasuria e qytetarëve, si zekati, sadakaja, përbetimet dhe borxhet; pasuria familjare: si shpenzimet ndaj familjes, trashëgimia dhe testamenti; pasuria e qytetarëve, si: profiti tregtar, i qirasë, profiti nga shoqëritë aksionare dhe të gjitha fitimet tjera nga shërbimet prodhimit dhe të ardhurat prej dënimeve me të holla, si fitimi prej kefareteve, dijeve dhe fidjes.
Kur’ani këto ligje ose i ka shpjeguar dhe i ka definuar detajisht, ashtu që e ka shpjeguar çdo imtësi, si f.v. në ibadete, në statusin personal dhe në trashëgimi. Urtësia e këtyre ligjeve është çështje adhurimi dhe, me një fjalë, mendja nuk mund të ndërhyjë në urtësinë e këtyre ligjeve dhe se në këto ligje nuk ka reforma, as evoluim, e as zhvillim në bazë të zhvillimit të jetës së njeriut.
Ose: Kur’ani bën sqarim të përgjithshëm, ashtu që paraqet rregullat e përgjithshme dhe parimet bazë, e nganjëherë paraqet edhe detaje të atyre rregullave. Urtësia në këto ligje është t’i bëhet hapësirë dijetarëve të sqarojnë dhe të vendosin atë që është më e përshtatshme dhe në harmoni me nevojat e dobitë dhe që plotëson domosdoshmërinë dhe zhvillimin në bazë të gjeneratave dhe vendeve. Në këtë mënyrë realizohet përjetshmëria e sheriatit islamik dhe përshtatshmëria e saj për çdo kohe dhe për çdo vend. Shembull për këtë është se Zoti i Lartmadhëruar ka vendosur rregullat e përgjithshme të ligjeve qytetare. Zoti i Lartmadhëruar thotë: “O ju, të cilët keni besuar, mos e hani pasurinë e juaj mes jush me padrejtësi, përpos nëse është tregti në pajtim mes jush”. Zoti i Lartmadhëruar e ka lejuar shitblerjen, e ka ndaluar kamatën, e ka lejuar pengëzimin pasi që i ka sqaruar ligjet për muxhtehidët, varësisht çka e shohin se ç’është më e dobishme për ta.
Sa i përket ligjeve kushtetuese, Zoti i Lartmadhëruar ka vendosur bazat e ligjit islam me thënien “Dhe konsultohuni për çështjet” dhe “çështja e tyre është se konsultohen mes vete”.
Sa i përket ligjeve shtetërore në nivel ndërkombëtar, Zoti i Lartmadhëruar e ka sqaruar bazën në mes të muslimanëve dhe të tjerëve: Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë Allahu i do të drejtët. Allahu ju ndalon t’i bëni miq ata që luftojnë kundër jush, për shkak të fesë, dhe ju dëbojnë nga vatrat tuaja, si dhe mbështesin të tjerët që t’ju dëbojnë. Kushdo që i bën ata miq, është punëmbrapshtë. (Mumtehine 8,9)
Sa i përket ligjeve të luftës dhe të paqes, Zoti i Lartmadhëruar ka vendosur rregullin “Dhe luftoni në rrugë të Allahut ata të cilët ju luftojnë juve, e mos e teproni. Vërtet, Allahu nuk i do tepruesit”
Baza e të gjitha këtyre ligjeve është një ajet në Kur’anin fisnik: Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon në mënyrë që të jeni të kujdesshëm dhe të mendoni..Zbatoni besëlidhjen e Allahut, kur ta merrni mbi vete, dhe mos e thyeni betimin, pasi e keni bërë atë, sepse Allahun e keni bërë dorëzënësin tuaj. Vërtet, Allahu e di se çka veproni. (en-Nahl; 90,91)31
Sqarimet e të gjitha këtyre çështjeve janë në disponim të dijetarëve të umetit dhe udhëheqësve të sinqertë, të cilët i plotësojnë kushtet ashtu siç i parasheh Kushtetuta e famshme islame.