Mendubi apo Suneti (ligji edukativ)

MENDUBI APO SUNETI (LIGJI EDUKATIV)

            Mendub, gjuhësisht, do të thotë lutje për veprim.

            Mendub, në terminologji, do të thotë: “Atë çka e kërkon Ligjvënësi: kryerjen e veprimit nga i ngarkuari me kërkesë jo të prerë”. Ndërsa sa i përket specifikave: është ajo për të cilën vepruesi falënderohet, e mosvepruesi nuk mallkohet94. Ky është definicioni i dispozitës së mendubit. Kështu mendon Bezdaviju në librin e tij “Fshehtësitë e Usulit”.

            Ligji edukativ-Nedebi përkufizohet:

-ose prej mënyrës së kërkesës, ashtu që kërkesa nuk është e domosdoshme, si, fjala vjen, thënia e Ligjvënësit: “Sunet (mirë) është kështu”, dhe thënia e Pejgamberit s.a.v.s.: “Kush merr abdes në ditën e xhumasë, për të është begati, por ai i cili pastrohet, pastrimi është edhe më i vlefshëm dhe më i begatshëm”. 95

-Ose mund të vijë në mënyrën urdhërore, por që ekziston ndonjë tregues i fjalisë, i cili e shndërron urdhëresën në jourdhëresë, pa marrë parasysh se ai tregues është tregues i vet tekstit (kur’anor apo të sunetit),

-ose është rregull i përgjithshëm i sheriatit, si, fjala vjen, ajeti: “O ju të cilët keni besuar kur të jepni borxh në mes vete deri në afat të caktuar, shkruane atë (regjistrojeni)”. Urdhri për të shkruar (regjistruar) borxhin është për nedeb, jo për vaxhib, sepse argument është treguesi, i cili e ka shndërruar prej vaxhibit në nedeb, e tregues është vet ajeti, ku Zoti i Lartmadhëruar thotë: “Dhe nëse i besoni njëri-tjetrit, atëherë le t’i jepet atij që i besohet emaneti”. E, kjo do të thotë që borxhdhënësi t’i besojë borxhmarrësit dhe besimi i tij duhet të jetë edhe pa u shkruar (regjistruar) borxhi i dhënë. E, ky është treguesi tekstual (kur’anor).

            Ngjashëm me këtë është edhe ajeti kur’anor: “Dhe lironi me pagesë (të mëvonshme), nëse i shihni dhe i dini se për ta është e dobishme”. Shndërrues i kësaj urdhërese prej vaxhibit në nedeb me tregues të jashtëm, e ai tregues është se pronari është i lirë të veprojë si të dojë me pronën e tij. Është e njohur se nedebi nuk parasheh dënim për mosveprimin e tij.

  Usulijinët kanë dhënë mendime të ndryshme rreth Ligjit parapëlqyes (mendubit )se a është i urdhëruar apo jo?

            Malikijtë dhe shumica e shafi’ijve dhe hanbelijve të cilët mendojnë se96 mendubi është i urdhëruar. Këtë mendim e përkrahin, se veprimi i mendubit quhet dëgjueshmëri dhe për këtë të gjithë janë pajtuar, e me të plotësohet praktikimi i urdhrit;  praktikimi i urdhrit quhet dëgjueshmëri, e kjo tregon se urdhri ndahet në urdhër, që kërkon obligim (vaxhibin), dhe urdhër, i cili është për edukim- nedeb.

            Ata të cilët nuk pajtohet në këtë mendim, e prej tyre janë hanefijtë, Ibn Sebekiju i shafi’ijve, thonë se:97 “ Mendubi nuk është i urdhëruar, përpos nëse vjen në mënyrë alegorike dhe bazohet në thënien e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.: “Po të mos kisha menduar se do t’ia vështirësoja gjendjen umetit tim, do t’i kisha urdhëruar për përdorimin e misvakut (larjen e dhëmbëve) për çdo namaz”.98 Pasi që veprimi i mendubit është veprim për të cilën nuk është urdhëruar prej Pejgamberi s.a.v.s. tregon se të vepruarit e mendubit nuk është e urdhëruar. Në këtë kuptim, ky mendim është kundërshtuar me atë se hadithi kërkon obligueshmëri (vaxhib), e jo edukim (nedeb).

Po ashtu, ky drejtim argumentohet me atë se po të kishte qenë mendubi i urdhëruar, jo në mënyrë alegorike, atëherë mosvepruesi i mendubit do të kishte qenë mëkatar i madh, ndërsa mëkati i madh është mosveprimi i urdhrit dhe veprimi i ndalesës; ndërkaq, është e njohur se moskryerësi i mendubit nuk llogaritet mëkatar i madh.

            Disa nuk dëshirojnë ta llogarisin mendubin në ligj ngarkues,99 sepse nuk është ngarkesë, aso lloj ngarkese, që në të të ketë vështirësi. Mirëpo, e vërteta është se ai është prej llojeve të ligjit ngarkues, ngase llogaritet se është vaxhib të besohet se është menduar, ose gjithmonë në të ka ngarkesë dhe vështirësi, pra është shkak që sjell shpërblim në veprimin e tij e që quhet dëgjueshmëri, e dëgjueshmëria nënkupton edhe të urdhëruarën edhe mendubin.

            Dispozita e mendubit: ne veç e kemi përkufizuar se është ligji që vepruesi meriton shpërblim, ndërsa mosvepruesi nuk dënohet.

Llojet e mendubit (Ligjit edukativ)

            Mendubi është tri llojesh:100

  1. Mendubi, i cili kërkon veprimin e tij në formën e sigurt: Është veprimi për të cilin mosvepruesi nuk meriton dënim, por meriton kërcënim dhe qortim. Shembull: Veprimet plotësuese të vaxhibeve fetare, si, fjala vjen: namazi me xhemaat,101 ezani, ikameti, po ashtu çdo veprim që Pejgamberi s.a.v.s. e ka vepruar prej veprimeve fetare rregullisht dhe rrallë i ka ndodhur të mos i ketë kryer. Por, ai nuk i ka kryer vetëm e vetëm për të mos i bërë obligative, si, fjala vjen: larja e gojës dhe e hundës gjatë abdesit; të lexuarit e një pjese të Kur’anit në namaz pas fatihas. Këto dy lloje të suneteve quhen sunete të rregullta dhe të sigurta,  apo sunete udhëzuese.

            Dispozita e këtij ligji është se vepruesi meriton shpërblim, mosvepruesi nuk meriton dënim, por meriton kërcënim dhe qortim. Nëse janë prej simboleve fetare, si, fjala vjen: ezani dhe namazi me xhemat, janë pajtuar se për mospraktikimin e tyre, ato duhet luftuar për shkak të nënçmimit të sunetit.

  1. Mendubi i ligjësuar veprimi i tij: Vepruesi shpërblehet, ndërsa mosvepruesi nuk meriton dënim, as qortim e as kërcënim, si, fjala vjen: çështjet që Pejgamberi s.a.v.s. nuk i ka vepruar rregullisht, por i ka vepruar një herë apo shumë herë, por edhe nuk i ka kryer. Shembull: Katër rekate para farzit të jacisë ose të gjitha nafilet (punët vullnetare), si, fjala vjen: sadakatë për të varfrit, ose agjërimin e ditës së martë dhe të enjte të çdo jave. Ky lloj quhet me vlerë ose mustehab.

            Dispozita e këtij lloji: Vepruesi meriton shpërblim, ndërsa mosvepruesi nuk meriton dënim as qortim.

  1. Mendubi shtesë: Është prej përsosmërive të të ngarkuarit, si, fjala vjen: çështjet e rëndomta, të cilat i ka vepruar Pejgamberi s.a.v.s., varësisht prej rastit, si për shembull: të ngrënit dhe të pirit sipas mënyrës së të Dërguarit s.a.v.s.; po ashtu, të ecurit; të fjeturit; të veshurit sipas mënyrës së Pejgamberi s.a.v.s.. Të vepruarit kështu është prej çështjeve plotësuese dhe llogariten prej punëve të mira të të ngarkuarit, sepse tregon dashurinë dhe ndjenjat ndaj të të Dërguarit s.a.v.s.. Mirëpo, ai i cili nuk i kryen në këtë mënyrë, këto çështje nuk llogariten vepra të këqija, sepse nuk janë sunete të shkallës së suneteve udhëzuese, siç i kemi përmendur më herët. Ky lloj quhet sunet shtesë, mustehab (e pëlqyer), edukative dhe e vlefshme.

            Dispozita e këtij suneti: Mosvepruesi nuk meriton as dënim, as kërcënim e as qortim, ndërsa vepruesi meriton shpërblim, nëse ka për qëllim të mbështeturit e tij sipas mënyrës së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.

            Kjo është mënyra e ndarjes së sunetit te hanefijtë, ndërsa të tjerët nuk bëjnë dallim te llojet e suneteve. Të tjerët të gjitha i quajnë: nafile, mendub, sunet nafile mustehab, (vullnetaret, e parapëlqyer, e mirë ose mirësi).102

A është e domosdoshme që të dispozitohet nafileja(vepra vullnetare) apo jo?

            Në këtë çështje dijetarët nuk janë pajtuar.

Shafi’ijtë thonë: “Nuk është e domosdoshme të dispozitohet për nafile dhe nuk dënohet mosvepruesi103, sepse nafilja në vetvete është e dispozituar në këtë mënyrë, që do të thotë “jo e domosdoshme”, ashtu që vepruesi të shpërblehet, ndërsa mosvepruesi nuk dënohet. Dhe, përderisa është dispozituar në këtë mënyrë, nevojitet të mbetet ashtu dhe nuk bëhet e domosdoshme, sepse vërtetësia e një çështjeje në vetvete nuk ndryshohet me ridispozitim, sepse ashtu e ruan titullimin nafile, pa marrë parasysh se a kryen apo jo.104

            Hanefijtë thonë: Nafilja patjetër duhet të dispozitohet, e nëse nafilja e namazit apo e agjërimit dispozitohet, ajo nafile kërkohet të kryhet. E, nëse nuk kryhet, kërkohet të kryhet me vonesë (kada). Argument për këtë është thënia e Zotit të Lartmadhëruar: “Dhe mos i zhdukni veprat e juaja”,  sepse ajo çka kryhet, bëhet se është kryer për Allahun, e ajo është obligative të ruhet, e nuk ka rrugë tjetër të ruhet ajo çka kryhet, përpos që të obligohet e vazhdueshmja.

            Po ashtu, argument tjetër është se nafilja mund të shndërrohet në vaxhib, sepse, nëse një njeri përbetohet për një nafile, vaxhib e ka që atë nafile ta kryejë. Përbetimi bëhet nëpërmjet të folurit, ndërsa nafilja, e cila është dispozituar, bëhet nëpërmjet veprimit, e ajo çka vendoset nëpërmjet veprimit, është më prioritar se sa ajo çka vendoset nëpërmjet të të folurit.

            Nga këto mendime rezulton se ai, i cili dispoziton nafilen, e pastaj e prish (ose nuk e kryen), sipas Imam Shafiijut, nuk e ka vaxhib ta kryejë kada, ndërsa, sipas drejtimit Hanefij, e ka vaxhib ta kryej kada (me vonesë), ashtu siç e përmendëm më lart. Kush dëshiron të studiojë më thellë dhe të shikojë polemikat e mëtutjeshme, le të lexojë libra të tjerë,si për shembull “Keshfil esrar alel usul”, nga autori Bezdaviju, vëll.1/623105.

Marrur nga libri “Usuli fikhu islam” i autorit Dr. Vehbetu Zuhejli.

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Lini një koment