SURETU BURUXHË

Dr. Musli Vërbani

Hutbe të xhumasë II

Me komentim të sureve të xhuzit Amme Nga sureja En-Nebeë deri te sureja El-Lelj

Çdo herë kur lexohet dhe studiohet Kur’ani ndikon në zemrën e njeriut.

Çdo herë kur lexohet dhe analizohet Kur’ani ndikon në ndërgjegjen e njeriut.

Çdo herë kur lexohet dhe studiohet Kur’ani e forcon moralin e njeriut.

Çdo herë kur lexohet dhe studiohet Kur’ani forcohet edukata e njeriut.

Pejgamberi a.s. ka qenë edukata Kur’anore.

Pejgamberi a.s. ka pasqyruar programin e jetës duke e vënë në praktikë Kur’anin.

Kur’ani është shërim i zemrave dhe ushqim i mendjes.

Pejgamberi a.s. ka kaluar sprova të ndryshme.

Kur’ani ka zbritur për ta forcuar zemrën e Muhamedit a.s.

Kur’ani ka zbritur për ta forcuar zemrën e besimtarëve në përgjithësi.

Kur’ani ka zbritur për ta forcuar zemrën tënde siç thotë Zoti i Madhërishëm:

“Ashtu (e zbritëm pjesë-pjesë) që me të të forcojmë zemrën tënde dhe Ne e sollëm atë ajet pas ajetit (dalëngadalë).” (Furkan, 32).

Kur’ani sqaron se pse janë sprovuar besimtarët, si kanë fituar besimtarët dhe si janë ndëshkuar armiqtë e besimit.

Kur’ani sqaron të dënuarit në çdo kohë dhe në çdo vend dhe përgëzimin për fitore.

Besimtarë të nderuar!

Surja Buruxhë flet për personat e të dënuarve në hendek.

Konfrontimi në mes të së drejtës dhe të padrejtës, është i lashtë dhe i thellë, mirëpo në fund dështojnë të padrejtët.

Konfrontimi në mes të besimit dhe pabesimit është i rrezikshëm, ashtu që ti mund të hasësh se të padrejtët kanë bë krime të mëdha për të mbrojtur të padrejtën e tyre, mirëpo në fund humbin dhe shkatërrohen.

Në fund triumfon e drejta dhe të drejtët, ndërsa e padrejta dhe ushtria e së padrejtës pësojnë disfatë.

Këto janë fakte historike të mrekullueshme. Shembull të rrallë të banorëve të Uhdudit.

Po fillojmë me ajetin e parë të suretu Buruxhë ku Zoti i Madhërishëm thotë:

“Pasha qiellin me plot yje,” (El-Buruxhë: 1)

Allahu i Madhërishëm është betuar në qiellin dhe orbitat e saj: Orbitat janë rrugët e trupave qiellor ose të yjeve të mëdhenj.

Ato janë dymbëdhjetë orbita të dymbëdhjetë yjeve. Me renditje dhe të sistemuar.

Ky betim për këtë çështje tregon për vlerën madhështore të saj.

Ky betim për këtë çështje tregon për rëndësinë madhështore të saj.

Kjo e tregon Madhështinë e Zotit.

Pastaj Zoti i Madhërishëm thotë:

“Pasha ditën e premtuar,” (El-Buruxhë, 2)

Është betuar në ditën e premtuar e cila i pret pabesimtarët në atë ditë në të cilën ditë i pret shpagimdënimi.

Është betuar në ditën e premtuar për besimtarët në të cilën shpërblehen për besimin e tyre.

Është betuar në ditën e premtuar për durimtarët, në të cilën ditë shpërblehen për durimin e tyre siç thotë Zoti i Madhërishëm:

“të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë!” (Zumer, 10).

Mjerë për pabesimtarët për atë ditë.

O ju besimtarë, priteni atë ditë kur do të gëzoheni.

O ju besimtarë, priteni atë ditë kur do të jeni të lumtur dhe të kënaqur.

Pastaj Zoti i Madhërishëm thotë:

“Pasha atë që dëshmon dhe atë që dëshmohet!” (El-Buruxhë: 3)

Pasi është betuar për ditën e premtuar të gjykimit, është betuar për ata të cilët e dëshmojnë këtë ditë,

 Është betuar për të dëshmuarit, dhe për ndodhitë apo për krimet e bëra, si f.v.: Është betuar për pjesëtarët e Uhdudit.

Është betuar për të torturuarit e hendekut.

Është betuar për të persekutuarit e hendekut.

Dëshmitarë: janë melekët mbrojtëse dhe melekët tjerë.

Të dëshmuarit: janë njerëzit.

Besimtarë të nderuar!

Pas betimit vjen edhe arsyeja e betimit,e, arsyeja e betimit është:

“Mallkuar qofshin ata të zotët e hendeqeve,

Të zjarrit më plot lëndë djegëse,

Kur ata rrinin ulur rreth tij,

Dhe dëshmonin atë që bënin me besimtarët.

E nuk patën pse t’i urrejë, përveç që e besuan All-llahun, ngadhënjyesin, të lavdëruarin,

Të cilit i takon sundimi i qiejve e i tokës, e All-llahu është dëshmitar i çdo sendi.” (El-Buruxhë: 4-9)

Mallkuar qofshin pjesëtarët e hendekut të cilët e kanë mbushur hendekun me dru dhe pastaj kanë ndezur zjarr të madh në të.

Ata ishin komunitet pabesimtarë i vendit Nexhranë në Jemen.

Kanë kërkuar nga besimtarët në Zot të largohen nga feja, pra nga feja monoteiste, mirëpo besimtarët kanë refuzuar.

 Atëherë e kanë hapur një hendek të gjatë, e kanë ndezur një zjarr në atë hendek, i kanë dërguar besimtarët pranë hendekut që të ktheheshin nga feja e tyre, mirëpo besimtarët kanë refuzuar, dhe kështu ata i kanë hedhur në të.

Thënia e Allahut të Madhërishëm: “Mallkuar qoftë për hapësit e hendekut” (El-Buruxhë: 4). Është përgjigje e betimit që do të thotë: Janë mallkuar dhe janë dëbuar nga mëshira e Allahut.

Thënia e Allahut: “Zjarrin të cilin e kanë ndezur”. Zjarri: është zëvendësim i ndezjes (së zjarrit) nga fjala paraprake “hapësit e hendekut”.

Besimtarë të nderuar!

Cila është historia e pronarëve të hendekut?

Pabesimtarët në rend të parë kanë çelë hendek.

Pastaj janë ulur përreth hendekut.

I kanë tubuar besimtarët dhe ua kanë ofruar opsionin për të hy në pabesim, kush refuzonte, e hidhnin në hendek dhe digjej në zjarr.

Ekzistojnë transmetime se në zjarr janë hedhur 20.000 persona.

Janë mallkuar ata pabesimtarë të cilët i kanë dënuar besimtarët me zjarr.

I kanë hedhur në hendek të digjeshin, ndërsa ata qëndronin ulur nëpër kolltukë rreth hendekut, e ata ishin: Mbreti dhe paria e tij.

Ata i shihnin se si veprohej me besimtarët të cilët ishin të ulur në zjarr me tentativën për t’i kthyer ata në fenë idhujtare.

Kështu ata do të dëshmojnë se çka kanë vepruar në ditën e gjykimit, ashtu që gjuhët e tyre, këmbët e tyre dhe duart e tyre do të dëshmojnë kundër tyre.

Kjo dëshmon se zemrat e pabesimtarëve të cilët i kanë djegur besimtarët kanë qenë zemra të ngurta, bile edhe më të ngurta se gurët. Ata kanë qenë të pamëshirshëm dhe jonjerëzorë. Kjo si rezultat i pabesimit, të padrejtës dhe të devijimit.

Shkak i atyre torturave, dhe djegies së tyre në zjarr: Ata pabesimtarë kriminel në Nexhran të Jemenit, te besimtarët asgjë tjetër nuk e kanë konsideruar të keqe pos besimin e tyre.

Ata pabesimtarë kriminelë, e kanë urryer vetëm besimin e besimtarëve në Zot i Cili nuk mposhtet.

I Cili gjithmonë Lartmadhërohet dhe Lavdërohet.

I Cili është Sundimtar i tokës dhe çdo gjë kthehet tek Ai.

Ai meriton të besohet se është Zoti Një. Allahu është dëshmitar dhe e di se çka kanë vepruar me besimtarët. Atij nuk mund t’i fshihet asgjë.

Zoti i Madhërishëm thotë:

“Është i sigurt se ata që i sprovuan besimtarët dhe besimtaret dhe nuk u penduan; ata kanë dënimin e Xhehennemit dhe dënimin e djegies.” (El-Buruxhë, 10)

Do t’i dënon ashtu siç e meritojnë për veprat e tyre.

Ky është kërcënim i ashpër për hapësit e hendekut dhe premtim për mirësi për ata besimtarë të cilët janë dënuar për fenë e tyre, të cilët kanë duruar dhe nuk janë zmbrapsur nga feja e tyre, pavarësisht situatave të vështira.

 Ky është kërcënim i ashpër për të ngjashmit me persekutuesit e Hendekut dhe njëkohësisht premtim për mirësi për ata besimtarë të cilët janë dënuar për fenë e tyre, të cilët kanë duruar dhe nuk janë zmbrapsur nga feja e tyre pavarësisht situatave të vështira.

Mënyra e shpagimit do të jetë për të dy grupet.

– Ata të cilët, me zjarr i kanë djegur besimtarët dhe besimtaret në Zot, në pejgamber dhe nuk i kanë lërë të lirë në fenë e tyre, dhe i kanë detyruar: ose të digjen në zjarr, ose që të zmbrapseshin nga feja e tyre, e pastaj nuk janë penduar nga veprimet e tyre të shëmtuara, dhe nga devijimi i keq i tyre, ata, për devijimin e tyre, në botën tjetër i pret dënimi i xhehenemit. Ata do të dënohen me zjarr. Kjo nga shkaku se dënimi shkon paralelisht me llojin e krimit (veprës).

– Fjala “Dënim me zjarr” është rikonfirmim për dënimin e xhehenemit, ose xhehenemi dhe zjarri: janë dy nivele të zjarrit.

Besimtarë të nderuar!

Zoti i Madhërishëm thotë:

“Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, ata kanë Xhennete nën të cilët burojnë lumenj, e ai është suksesi më i madh.” (El-Buruxhë: 11)

– Sa i përket atyre të cilët kanë besuar në Zotin, në pejgamberët, në ditën e gjykimit, në melaqet, në librat e Zotit, të cilët kanë vepruar vepra të mira, duke i zbatuar urdhrat e Allahut dhe duke u larguar nga ndalesat, e prej tyre janë edhe ata të cilët kanë duruar nga zjarri i hendekut të cilët kanë qëndruar stoik në fenë e tyre dhe nuk janë zmbrapsur, të cilët nuk e kanë tradhtuar fenë, ata të cilët i posedojnë dy atribute: Besimin dhe veprat e mira, ata shpërblehen me xhenetet ku nën pallatet e tyre dhe nën pemët e atyre xheneteve rrjedhin lumenj.

Ky shpërblim dhe këto të mira të përmendura më lartë janë sukses dhe fitim i madh i pakrahasueshëm me diçka tjetër.

Ky është shpërblim për besimin e tyre dhe për devotshmërinë e tyre.

Njeriu duhet ta kuptojë dallimin në mes përfundimit të atyre të cilët këmbëngulin në devijim dhe të atyre të cilët e kanë besimin e sinqertë.

Besimtarë të nderuar!

Në ajetet në vijim Zoti i Madhërishëm thotë:

“Është e vërtetë se goditja e Zotit tënd është e fortë.

Në të vërtetë, Ai është që e fillon (krijimin) dhe e rikthen.” (El-Buruxhë: 12, 13)

Prej mirësisë absolute të Allahut të Madhërishëm dhe prej mëshirës së plotë të Tij: Është ajo se gjithmonë, në vende të ndryshme na tregon për fuqinë absolute dhe të pakufishme të Tij.

Fuqia e Zotit është absolute. Fuqi e krijimit dhe e shpikjes.

Fuqi gjithëpërfshirëse dhe e përgjithmonshme.

Fuqi dhe përpikëri në të njëjtën kohë.

Para fuqisë së Tij nuk mund të qëndron asnjë fuqi tjetër.

Përmendja e kësaj fuqie bëhet për t’i frikësuar pabesimtarët dhe për t’i motivuar besimtarët.

Përmendja e kësaj fuqie bëhet për të forcuar besimin e besimtarëve përballë rreziqeve dhe vështirësive, për të duruar në rast të sprovave dhe fatkeqësive.

Shembuj të torturave të besimtarëve nga pabesimtarët janë të shumta te popujt e mëhershëm, siç janë: nga Firauni dhe ushtria e tij, nga firauni dhe Themudi, nga populli Tubia, nga banorët e Ejketes, e kështu me radhë.

Ky është premtim dhe paralajmërim për ndodhitë e mëparshme të cilat tregojnë për fuqinë absolute të Allahut për të zbatuar paralajmërimin e Tij, dhe për të realizuar premtimin e Tij.

Hakmarrja ndëshkuese e Zotit tënd, pra dënon me forcë të madhe dhe në shpejtësi.

Të dënuarit do të dënohen ashpër.

Allahu kur dënon, i dënuari e ndien fortë dhembjen.

Allahu e dyfishon dënimin ndaj atyre të cilët dëshiron t’i dënon.

Allahu Famëlartë ka fuqi jashtëzakonisht të madhe. Ai është i Fuqishmi absolut dhe çka të dëshiron bëhet sa çelë e mbyll sytë, ose edhe më shpejtë se kjo.

Kjo përhapë frikën para pabesimtarëve kurejshit dhe te të ngjashmit me ta. Fuqinë absolute të Tij e konfirmon ajo se Allahu Famëlartë është Ai i Cili e ka filluar krijimin për të parën herë në këtë botë, e Ai po ashtu ka mundësi që t’i rikthen të gjallë pas vdekjes së tyre. E ka filluar krijimin me zanafillën e tyre, e pastaj i rikrijon për t’i tubuar.

Në kuptim të përgjithshëm, kjo është e përgjithshme për të gjitha sendet. Është shprehje se Zoti vepron çdo gjë, pra e ka krijuar çdo gjë që është e krijuar, dhe e rikthen çdo gjë që kthehet. Këto, paralelisht shkojnë për të gjitha sendet (krijimin dhe rikrijimin).

Besimtarë të nderuar!

Zoti i madhërishëm thotë:

“Ai është që falë mëkatet, është i dashur.

Është i zoti i Arshit, të madhëruar!

E punon atë që dëshiron.” (El-Buruxh: 14-16)

Allahu i Madhërishëm e konfirmon premtimin fisnik, duke i paraqitur pesë atributet e Tij, e ato janë:

– Ai falë shumë, dhe mirësia e Tij është e gjerë.

Falë: do të thotë se i fsheh gabimet e robërve besimtarë, atëherë kur pendohen dhe kthehen tek Ai, dhe se Ai (Allahu) i do shumë të devotshmit, dashamirët e Tij dhe të ndershmit pranë Tij.

Qëllimi: Të devotshmit i shpërblen siç është më së miri.

“Gafurul-Vedudë” janë dy atribute.

E para: I fshinë gabimet e robërve të Tij.

E dyta: Butësia dhe mirësia ndaj robërve të Tij.

Allahu është Sundimtari i Arshit të madh. Më i larti i të gjitha krijesave. Madhështia e Tij shprehet në çdo gjë.

Allahu është më Fisniku dhe më Bujari. Lartësia e Tij dhe Madhështia e Tij është mbi çdo gjë. Allahu i Madhërishëm e ka specifikuar arshin për ta nderuar arshin, dhe për të tërhequr vërejtjen se Arshi është prej krijesave më të mëdha.

Fjala “Mexhidë”, e cila në bazë të disa lexuesve lexohet me zanoren “i” (mixhidë) është cilësi e arshit. Kjo dëshmon se fjala “Mexhd” (Famë) dhe të cilësuarit “I famshëm” është fjalë e cila mund të përdoret dhe të cilësohen shumica e krijesave.

Të lexuarit me zanoren “e” (mexhidë) në rasën emërore, e cila lexohet te shumica dërmuese e dijetarëve, tregon për atributin e Allahut të Madhërishëm.

Pastaj Allahu i Madhërishëm e informon pejgamberin e Tij për historinë e firaunit dhe të Themudit për ta inkurajuar dhe për ta forcuar në misionin e tij.

Përfundim

“A të ka ardhur ty lajmi i ushtrive.

Të faraonit dhe të Themudit?” (El-Buruxhë: 17, 18)

O pejgamber, a të ka ardhur lajmi për një pjese pabesimtarësh të cilët i kanë përgënjeshtruar pejgamberët e tyre, të cilët kanë përgatitur ushtri për t’i vra pejgamberët?

O pejgamber, a je i informuar se si janë ndëshkuar dhe çka ju ka ndodhur?

Kjo për shkak të zhytjes së tyre në pabesim dhe të thelluar në devijim.

E prej atyre historive është:

– Historia e firaunit dhe ushtrisë së Tij.

– Historia e fisit Themudë, fis arab, popull i Salihut a.s.

Qëllimi i temës për ta:

– Kryeneçësia dhe veprimet e atyre pabesimtarëve dhe

– Për të treguar se çka ju ka ndodhur më pastaj, si janë dënuar.

Këta pabesimtarë të cilët të kundërshtojnë lëri pas shpine, mos u intereso për ta. Ngase, Allahu është hakmarrë ndaj tyre të cilët kanë qenë të fuqishëm, e të mos bëhet pyetja për këta?

Në këtë rast është përmendur vetëm firauni ngase ai ka qenë udhëheqësi i popullit të tij dhe familjes së tij.

“Por, këta që mohuan (idhujtarët), vazhdojnë me gënjeshtër.” (El-Buruxhë: 19)

Allahu është larguar nga tema për gjendjen e firaunit dhe të Themudit, dhe paraqet çështje se ata pabesimtarë të cilët nuk e besojnë pejgamberinë e Muhamedit a.s. nuk kanë fakte dhe argumente, por vetëm përgënjeshtrojnë për shkak të xhelozisë.

O pejgamber, e vërteta është se ata idhujtarë arab qëndrojnë në idenë e tyre të rreptë dhe të përgënjeshtrojnë ty pa kufi.

Përgënjeshtrojnë edhe mesazhin tënd, dhe nuk marrin mësim nga ajo çka i ka ndodhur pabesimtarëve të mëhershëm.

“Po All-llahu ata i ka rrethuar (nuk mund t’i shpëtojnë)!” (El-Buruxhë: 20)

Allahu i Madhërishëm i paralajmëron ku thotë: “Allahu është pas tyre dhe i ka në dorë, i ka të përfshirë (në dënim)”. (El-Buruxhë: 20).

Pra, Allahu ka mundësi t’i dënon tani, ashtu siç i ka dënuar ata. Allahu është Triumfues, nuk mund t’i ikin Atij, dhe nuk kanë mundësi të mbrohen prej Tij. Ai ka mundësi të bën çka të donë dhe kur të dëshiron. Ata kur të ngërthehen, nuk mund të ikin.

Allahu i Madhërishëm u kundërpërgjigjet përgënjeshtrimit të kurejshitëve të cilët e përgënjeshtronin Kur’anin, dhe thotë:

“Por, ky është Kur’ani Famëlartë.

Në një pllakë të ruajtur mirë (në Levhi Mahfudhë).” (El-Buruxhë: 21, 22)

Ky Kur’an të cilin e kanë përgënjeshtruar është i çmuar, me vlerë të madhe, në sistemimin e tij dhe në metodologjinë e tij dhe është mrekulli mbinatyrore.

Kur’ani është i bekuar dhe fisnik, dhe nuk është ashtu siç pretendojnë se është poezi, se është fall dhe se është magji, por është fjalë e Allahut, e ruajtur, i siguruar nga ndryshimi apo nga deformimi, dhe është i shkruar në Levhi Mahfudhë.

Ajo është ajka e librit.

Kjo është një paraqitje e përgënjeshtrimit kurejshit dhe deklasimin e tyre me kundërpërgjigje dhe informim se ky libër është Kur’ani Famëlartë. Nuk ka të pavërteta në të.

Kur’ani është fjalë e Allahut i zbritur nga “Levhi Mahfudhi” ku janë të përmbledhura të gjitha çështjet.

“LevhiMahfudhi” është ajo për të cilën na ka informuar Allahu. Duhet ta besojmë ashtu siç na ka treguar Allahu, edhe pse nuk e dimë esencën (bazën) e saj. Janë shumë çështje sekrete të cilat ne nuk i dimë. Panjohuria për të është për të përhapur frikë në ne.

Duhet të frikësohemi që të mos befasohemi.

Duke e falënderuar Zotin po e përfundojmë komentimin e sures Buruxhë.

Lini një koment