SURETU TEKVIRË (2)

Dr. Musli Vërbani

Hutbe të xhumasë II

Me komentim të sureve të xhuzit Amme Nga sureja En-Nebeë deri te sureja El-Lelj

Në pjesën e dytë të sures Tekvirë flitet:

– Për vërtetësinë e shpalljes dhe

– Për vërtetësinë e pejgamberisë së Muhamedit a.s., ku Zoti i Madhërishëm thotë:

     “Betohem fuqimisht në yjet që tërhiqen (ditën, e ndriçojnë natën),

Që udhëtojnë e fshihen (si dreri në strofkë),

Qëllimi është për shtatë planetët (trupat) e sistemit diellorë: Diellin, Hëna, Marsi, Saturni, Venera,etj., – Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.

Pastaj Zoti i Madhërishëm thotë:

Pasha natën kur ajo ia beh me errësirë.

Pasha agimin kur ia shkrep!” (Et-Tekvirë: 15-18)

Betohem në natën e cila paraqitet me errësirën e saj, pasi në të vërehet frikë.

Betohem në agimin i cili agon dhe vazhdimin e dritës deri në mesditë e cila ndriçon në pikën më të lartë të saj, në zenit.

Përgënjeshtrimi ndaj pejgamberit njëkohësisht nënkupton përgënjeshtrimin e shpalljes së Zotit dhe të Kur’anit të zbritur.

Përkundër asaj se Kur’ani është mrekulli mbinatyrore dhe se arabët e kishin të pamundur që ta mposhtnin, apo ta zhduknin, apo ta humbnin, gjë që dëshmon se Kur’ani është fjalë e Allahut Famëlartë të cilin e ka zbritur shpirti besnik Xhibrili a.s. në zemrën e Muhamedit a.s., kështu që Kur’ani është i zbritur nga Zoti i Plotfuqishëm, që të jetë paralajmërues në gjuhën e qartë arabe.

Këtu vërejmë anën tjetër të reagimit ndaj idesë së arabëve dhe pretendimeve të tyre me çështjen e Kur’anit. Allahu betohet në yjet dhe në trupat qiellorë të cilat qarkullojnë në orbitat e tyre.

Zoti betohet në natën dhe në agimin se Kur’ani është fjala e Allahut e shpallur nëpërmjet Xhibrilit a.s.

Zoti betohet në të gjithë yjet të cilët humben në hapësirën qiellore, pra humbin gjatë ditës nën dritën e diellit, dhe paraqiten gjatë natës në pozitat e tyre, ashtu siç del kaprolli nga strofulli i saj.

Arsyeja e betimit:

Zoti tregon arsyen e betimit ku thotë:

“S’ka dyshim se ai (Kur’ani) është thënie e të dërguarit fisnik (që e pranoi prej Zotit).

Që është i fortë dhe që ka vend të lartë te Zoti i Arshit.

Që është i respektuar atje (në mesin e engjëjve) dhe besnik.

Nuk është i marrë shoku juaj (Muhamedi)!” (Et-Tekvirë: 19-22)

Përgjigjja apo arsyeja e betimit:

Ky Kur’an, është i bartur nga i dërguari fisnik i Allahut. E, ai është Xhibrili a.s.

Xhibrili i posedon këto atribute specifike:

– Është i fuqishëm për ta mbrojtur dhe për ta siguruar plotësisht dhe saktësisht dhe për ta përcjellë në mënyrë të sigurt.

– Ai është i ngritur lartë.

– Ai ka pozitë të veçantë te Allahu Famëlartë.

– I dëgjueshëm te melaqet, melaqet kthehen te ai dhe e dëgjojnë.

– Është besnik në përcjelljen e shpalljes dhe në zbatimin e urdhrave.

Xhibrili ka pozitë të lartë te Allahu i Madhërishëm.

Xhibrili ka pozitë të lartë dhe qëndron lartë.

Xhibrilit i pranohet fjala. Është i sinqertë në atë që e thotë, besnik në atë që e dërgon, në përcjelljen e shpalljes dhe në zbatimin e urdhrave.

O ju banorë të Mekës, shoku i juaj Muhamedi nuk është i çmendur siç pretendoni. O ju banorë të tokës, shoku i juaj Muhamedi nuk është i çmendur siç pretendoni.

O ju ateistë, shoku i juaj Muhamedi nuk është i çmendur siç pretendoni.

Thënia e Allahut “Shoku juaj” është atribut se ata dinë për çështjen e tij, dhe se ai është më i mençuri dhe më i kompletuari.

Besimtarë të nderuar!

Zoti i madhërishëm thotë:

“Dhe se ai e pat parë atë (Xhibrilin) në horizontin e qartë lindor.

Dhe ai nuk është që në të fshehtën (shpalljen) ka dyshim (ose ua lë mangu).” (Et-Tekvirë: 23, 24)

Për Zotin, Muhamedi a.s. e ka pa Xhibrilin në formën e tij të vërtetë, ai i ka gjashtëqind krahë.

 E ka pa në lindje të diellit, apo kur dielli ka qenë në pjesën më të lartë pasi ka lindur dielli, ashtu që e ka kuptuar se është melaqja afër ashtu që të ishte i qetë dhe i sigurt se i zbriste shpalljen Xhibrili e jo shejtani i mallkuar.

 Muhamedi a.s., në atë që i zbret shpallja dhe për çka informohet nuk është dembel dhe që neglizhon mësimin dhe kumtimin.

Përfundim

Atëherë kur Kurejshitët thoshin se Muhamedi është fallxhorë sikurse edhe sot që thonë se Muhamedi është vetëm fallxhorë.

 Atëherë kur thoshin se Kur’ani është fjalë e shejtanit. Zoti ka reaguar dhe reagon duke thënë:

“Dhe ai (Kur’ani) nuk është thënie e djallit të mallkuar!

Pra, ku jeni, kah shkoni?

Ai (Kur’ani) s’është tjetër pos këshillë për njerëzit!

Për atë nga mesi juaj që dëshiron të gjendet në të vërtetën.” (Et-Tekvirë: 25-28)

 Pra, Kur’ani nuk është fjalë e shejtanit i cili mundohet të përvjedhë fjalët, i cili (shejtani) është dëbuar dhe është gjuajtur me trupa qiellorë, është mallkuar, e kështu me radhë. Kjo nga shkaku se Kur’ani nuk është as poezi dhe as fall siç thonë kurejshitët.

Nuk është poezi as fall siç thonë ateistët.

Cilën rrugë e trasoni, kur nga të gjitha rrugët kjo është rruga më e qarta të cilën e kam qartësuar për ju!?

Po deri ku po shkojnë mendjet e juaja për të përgënjeshtruar këtë Kur’an, përderisa ju është sqaruar dhe ju është kristalizuar!?

Po deri ku po shkojnë mendjet e juaja për të përgënjeshtruar këtë Kur’an, përderisa ua kemi sqaruar se me të vërtetë është prej Allahut!?

 Ky deklarim dhe ky qëndrim e ka kuptimin: Ku ka drejtim tjetër për ndokënd, përpos këtyre fakteve të ofruara?.

Ku ka cak tjetër për ndokënd, përpos këtyre fakteve të ofruara?.

Kur’ani është këshillë dhe mësim për gjithë njerëzimin.

Kur’ani është këshillë e cila ju bënë dobi dhe ju paralajmëron për atë që ju dëmton.

Ai njeri i cili dëshiron që të jetë në rrugë stabile, ai e gjen në këtë Kur’an.

Nuk ka udhëzim tjetër përpos Kur’anit.

Ai njeri i cili dëshiron besimin dhe devotshmërinë, ai e gjen në këtë Kur’an.

Nuk ka udhëzim tjetër përpos Kur’anit.

Ai njeri i cili dëshiron të vërtetën, Ai i drejtohet Kur’anit dhe udhëzohet me të.

 Nuk ka udhëzim tjetër përpos Kur’anit.

Në këtë rast fjala “Dhikr-këshillë” është infinitiv e që ka kuptimin e marrjes së këshillës prej Kur’anit.

Allahu i Madhërishëm e ka specifikuar çështjen e këshillës për atë i cili dëshiron, kjo për të nderuar, për t’i kushtuar vëmendje dhe për të sqaruar se përfiton ai i cili vepron me këshillat dhe është stabil.

Pastaj Zoti i madhërishëm thotë:

“Po ju nuk mundeni, por vetëm nëse dëshiron All-llahu, Zoti i botëve!” (Et-Tekvirë: 29)

Allahu i Madhërishëm sqaron për përfitimin e njeriut në mënyrë gjenerale, për përfitimin në rrugën e drejtë dhe për përfitimet tjera, të cilat janë krijesa (përfitime) prej krijesave të Allahut, dhe për vendosjen e besimit në gjoksin e njeriut dhe thotë: “Dhe nuk dëshirojnë…”, pra nuk e dëshirojnë rrugën e drejtë, dhe nuk mund ta arrini atë përpos me vullnetin e Tij dhe me harmonizimin e Tij.

Vullneti Im nuk është imponim te ju. Atë që dëshiron Allahu e udhëzon, e kush dëshiron devijon, por e gjithë kjo është brenda kornizës së vullnetit të Allahut të Madhërishëm. Zotit të njerëzve dhe xhinëve dhe i gjithë botës.

Ne besojmë në Zotin me vullnetin e Tij.

Është transmetuar se kur ka zbritur ajeti “Për atë i cili dëshiron nga ju drejtohet në rrugë të drejtë”. (Et-Tekvirë: 28). Ebu Xhehli ka thënë: Kjo çështje është për ne, nëse dëshirojmë drejtohemi në rrugë të drejtë, nëse nuk dëshirojmë nuk drejtohemi në rrugë të drejtë, atëherë ka zbritur ajeti “Nuk dëshirojnë asgjë tjetër përpos asaj çka dëshiron Allahu”.

Duke e falënderuar Zotin po e përfundojmë komentimin e sures Tekvirë.

Lini një koment