Libri përmban fetva mbi temat:
KAPITULLI I PARË: NAMAZI
KAPITULLI I DYTË: ZEKATI
KAPITULLI TRETË: AGJËRIMI
KAPITULLI I KATËRT: HAXHI
KAPITULLI I PESTË: KURBANI
KAPITULLI I GJASHTË: KUR’ANI
KAPITULLI I SHTATË: TË NDRYSHME
–
Formati b5
faqe: 111
–

—
Dr. Musli Vërbani
MË ËSHTË PARASHTRUAR PYETJA,
PO E PARAQES PËRGJIGJEN
Kaçanik
Titulli:
Më është parashtruar pyetja, po e paraqes përgjigjen
Autor:
Dr. Musli Vërbani
Korrektor:
Burim Bunjaku
Përgatitja kompjuterike:
Ridvan Vërbani
Si falet namazi i pendimit?
Nëse bën ndonjë mëkat, merr abdes dhe fali dy rekate namaz nafile.
Ky namaz:
- Falet vetëm.
- Nuk falet në xhemat (grup).
- Falet për mëkate të mëdha.
- Falet për mëkate të vogla.
- Falet për mëkate të përcaktuara.
- Falet për mëkatet e papërcaktuara.
- Falet në të gjitha kohët.
Prej sa rekateve përbëhet namazi i pendimit?
Namazi i pendimit përbëhet prej dy rekateve.
Në rekatin e parë këndojmë si vijon:
Sureja Fatiha dhe
Ajeti 135 i Sures Ali Imran
“Vel-l ledhiine idha fealuu faahisheten Ev dhalemuu enfusehum Dhekerulllaahe Festegfiruu li dhunuubihim Ve men jegfirudh dhunuube il-lellaah Ve lem jusirr-rruu alaa maa fealuu ve hum jealemuun.”
Përkthimi:
“Edhe ata të cilët kur bëjnë ndonjë mëkat imoraliteti ose i bëjnë padrejtësi vetes së tyre, e përmendin All-llahun dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre. E kush i fal mëkatet përveç All-llahut? Dhe nuk vazhdojnë me vetëdije në gabimet që kanë bërë…” (Ali Imran, 135)
Në rekatin e dytë këndojmë si vijon:
Sureja Fatiha dhe
Ajeti 100 i Sures Nisaë
Ve men jeamel suuen ev jedhlim nefsehu thumme jestegfiril-lahe jexhidil laahe Gafuuren Rahiimen.
Përkthimi: Kush bën ndonjë të keqe ose i bën padrejtësi vetes, pastaj kërkon falje te All-llahu, ai e gjen All-llahun Falës dhe Mëshirues. (Nisa, 110)
Hadithi për namazin e pendimit: Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nëse një njeri mëkaton me ndonjë mëkat, pastaj merr abdes në përputhje me rregullat e parapara dhe i fal dy rekate, e pastaj i kërkon falje Allahut, Allahu ia fal atij mëkatet”.
Ku është dallimi ndërmjet faljes së natës, faljes së Teravihës dhe faljes së Tehexhudit?
Dallimi është në atë se:
Teravija falet pas namazit të Jacisë.
Tehexhudi falet në pjesën e tretë (fundit) të natës.
Falja e natës është falja e Teravihës dhe Tehexhudit.
Kjo do të thotë se: Nëse dëshiron namaz nate, e fal Teravihën, dhe nëse dëshiron të falësh Tehexhudin duhet të flesh dhe pastaj të zgjohesh e ta falësh namazin e Tehexhudit në vetmi, në pjesën e fundit të natës.
A lejohet të këndohen më shumë se një sure e shkurtër në një rekat apo është e domosdoshme të këndohet vetëm një sure e shkurtër?
Përgjigjja:
Po! Lejohet të këndohen më shumë se një sure e shkurtër në një rekat, si për shembull:
Në rekatin e parë këndon: Sureja Kevther, Sureja Kafirune, Sureja Nasr dhe…
Në rekatin e dytë këndon: Sureja Leheb, Sureja Ihlas, Sureja Felek dhe Sureja Nas.
Po ashtu, mund të këndohet edhe si në vijim:
Në rekatin e parë: Sureja Ihlas dhe Sureja Felek, ndërsa…
Në rekatin e dytë: Vetëm Sureja Nas.
A është e lejuar që një imam të u bëhet imam xhematit dy herë për namazin e Xhumasë, kur nuk është e mundur që i tërë xhemati ta falë Xhumanë vetëm një herë?
Përgjigjja:
Një imam nuk mund ta udhëheqë xhematin dy herë për të njëjtin farz, pasi që namazi i dytë për imamin do të ishte nafile, ndërkohë që nuk është e drejtë që muktediu (falësi/ai që ndjek imamin) të falë namazin farz (të obligueshëm) pas një imami që fal namaz nafile (namaz vullnetar).
A mundem t’i bashkoj namazet gjatë udhëtimit?
Përgjigjja:
Jo, nuk mundesh t’i bashkosh namazet gjatë udhëtimit, por mundesh vetëm t’i shkurtosh namazet gjatë udhëtimit nëse ai udhëtim është distancë prej 81 km dhe qëndron në vendin e udhëtimit më pak se 15 ditë.
Namazet mundesh t’i bashkosh:
Nëse je në Arafat dhe Muzdelife në kohën e Haxhit, përderisa ti je duke e kryer Haxhin.
Cila është dispozita e namazit Tehexhud?
Përgjigjja:
Kemi:
- Namaz nafile të ditës dhe
- Namaz nafile të natës.
Sa i përket namazit nafile të natës: Kemi:
Namaz nafile të natës së para gjumit dhe
Namaz nafile të natës pas gjumit, që do të thotë se për t’u falur ky namaz duhet fjetur, pastaj pas fjetjes duhet zgjuar dhe duhet falur ky namaz.
Namazi nafile i natës së para gjumit është namazi Teravihë. Namazi i natës së pas gjumit është namazi Tehexhud. Namazi nafile i natës (Teravihës) falet në pjesën e parë të natës. Namazi nafile Tehexhud falet në pjesën e fundit të natës, që do të thotë se: Nëse natën e ndajmë në tri pjesë, atëherë namazi Tehexhud falet në pjesën e tretë të natës (në pjesën e fundit).
Mendub (i pëlqyer) për muslimanët, vaxhib (i detyrueshëm) për Muhamedin a.s.
E kam falë namazin e Vitrit, a më lejohet të fal namaz nafile?
Përgjigjja:
Po, lejohet.
Po a nuk është namazi i Vitrit namazi i fundit!?
Po, namazi i Vitrit është namazi i fundit, andaj nëse fal namaz nafile pas namazit të Vitrit e fal edhe njëherë namazin e Vitrit (në fund).
Si duhet t’i falë namazet kaza?
Përgjigjja:
Ka dallim ndërmjet personit të rregullt të namazit dhe personit të çrregullt të namazit.
Personi i rregullt (Ehli Tertibë) është ai i cili prej moshës së pubertetit nuk i ka ikur (nuk ka lënë) asnjë namaz pa falur.
Personi i çrregullt (Jo Ehli Tertibë) është ai i cili gjatë jetës së tij ka shumë namaze pa i falur.
Personi i rregullt (Ehli Tertibë) në rend të parë e fal namazin e Drekës, të Ikindisë, të Akshamit, pastaj të Jacisë.
Personi i çrregullt (Jo Ehli Tertibë) nuk i fal sipas rregullit; me fjalë të tjera, ai e fal Akshamin e Jaciën e pastaj Drekën dhe Ikindinë.
A më lejohet t’i bashkoj namazet nëse jam udhëtar?
Jo, namazet nuk bashkohen gjatë udhëtimit.
Namazet lejohen të bashkohen:
Për haxhiun në Arafat.
Dhe për haxhiun në Muzdelife kur ai është në Ihram.
Në raste të tjera lejohet shkurtimi por jo bashkimi i namazeve.
Çfarë quajmë namaz të Teravihëve?
Përgjigjja:
Teravihë do të thotë pushim. Namazi i Teravihëve do të thotë: Namazi me PUSHIME.
Në të kaluarën, gjatë faljes së këtij namazi, janë bërë pushime duke kënduar Salavatet ose duke thënë tekbiret. (Ky është konsideruar dhe konsiderohet minimumi i pushimit).
Namazi i Teravihëve falet pas namazit të Jacisë dhe para Vitrit.
Gjatë faljes së këtij namazi mund të zhvillohet procedura si në vijim:
Duke bërë shkëputjen dhe duke pushuar derisa të këndohen Tekbiret ose Salavatet.
Duke bërë shkëputjen duke kënduar tekbire pas 12 rekateve me tre Selame, e pastaj duke pushuar (ose duke pirë çaj, kafe, apo duke ngrënë diçka), e pastaj falen edhe 8 rekate me dy selame.
Duke bërë shkëputjen në 8 rekate me dy selame, e pastaj duke pushuar (ose duke pirë çaj, kafe, apo duke ngrënë diçka, prej 5 minutash deri në një orë), e pastaj duke falur 8 rekate me 2 selame, e pastaj duke pushuar (ose duke pirë çaj, kafe, apo duke ngrënë diçka), e pastaj falen 4 rekate.
Duke falur 4 rekate, pastaj duke pushuar (ose duke pirë çaj, kafe, apo duke ngrënë diçka prej 5 minutash deri në 1 orë).
Pastaj 4 rekate, pastaj duke pushuar (ose duke pirë çaj, kafe, apo duke ngrënë diçka).
Pastaj 4 rekate, pastaj duke pushuar (ose duke pirë çaj, kafe, apo duke ngrënë diçka).
Pastaj 4 rekate, pastaj duke pushuar (ose duke pirë çaj, kafe, apo duke ngrënë diçka).
Duke i falur 20 rekate duke dhënë selam në çdo 2 rekate dhe pas çdo 2 rekateve duke pushuar.
Shihet se pushimi pas çdo 4 rekateve (ose 2 rekateve) mund të zgjasë prej 5 minutash edhe më shumë se 5 minuta, më shumë se 30 minuta, edhe më shumë se 1 orë.
Çfarë është më prioritare për gruan, të falë namazin e Teravihës në Xhami apo në shtëpi?
Përgjigjja:
Kemi tri lloje të namazeve:
- Namazin e Xhumasë – Farz
- Namazin e Bajrameve – Vaxhib
- Namazin e Teravihës – Nafile
Kështu që:
Namazi i Xhumasë është Farz për burrat, ndërsa nuk është Farz për gratë.
Namazi i Bajrameve është Vaxhib për burrat siç është Vaxhib edhe për gratë.
Namazi i Teravihës është Nafile për burrat siç është Nafile edhe për gratë.
Nëse gratë marrin pjesë (ose janë të pranishme) në namazin e Xhumasë, namazi i tyre është i vlefshëm.
Nëse gratë nuk marrin pjesë në namazin e Bajrameve, llogaritet se e kanë lënë vaxhibin.
Nëse gratë e falin namazin e Teravihës me xhemat në Xhami, namazi i tyre ka 25 (27) shpërblime më shumë sesa nëse falen vetëm në shtëpitë e tyre.
Kjo ka të bëjë me çështjen e obligueshmërisë dhe të shpërblimit të tyre, mirëpo ne kemi edhe çështjen tjetër: Çfarë është prioritet për to?
Prioritet për gratë është falja e namazit në shtëpitë e tyre. Kjo për shkak të natyrshmërisë së tyre dhe për mosngarkimin e tyre me çështje të cilat e rëndojnë. Duhet ta kuptojmë se është bërë lehtësim për to. Po ashtu duhet ditur se ndonjëherë prioriteti kalon në çështje sekondare (jo-prioritare).
Sa i përket namazit të natës, më mirë është që ta falin në shtëpi, si gratë ashtu edhe burrat.
Sa i përket namazit të Teravihës i cili organizohet në Xhami edhe për gratë, atëherë kemi dy çështje:
E para: Nëse gruaja ndien vështirësi dhe ka një dozë brengosjeje se mund të neglizhojë mosfaljen e namazit të Teravihës, atëherë më prioritare për të është falja e namazit të Teravihës në Xhami.
E dyta: Nëse gruaja është më e ditur dhe nuk ndikon në neglizhimin e saj për mosfaljen e namazit të Teravihës në shtëpi, atëherë më prioritare është falja e namazit të Teravihës në shtëpi.
A lejohet falja e namazit nafile ulur për personin i cili është i shëndoshë?
Përgjigjja:
Namazi nafile, sikurse namazi farz, përbëhet prej të gjitha pjesëve të tij.
I sëmuri i cili nuk mund të qëndrojë në këmbë mund të falet ulur në namazet farze.
I shëndoshi i cili mund të qëndrojë në këmbë, nuk mund të falet ulur në namazet farze, ndërsa…
I shëndoshi i cili mund të qëndrojë në këmbë, mund të falet ulur në namazet nafile, mirëpo në këtë rast shpërblimi është dyfish më i vogël në krahasim me faljen nafile në këmbë. Kjo do të thotë se:
Nëse i fal tetë rekate nafile ulur, e ka shpërblimin e katër (4) rekateve.
Nëse i fal njëzet (20) rekate ulur, e ka shpërblimin e dhjetë (10) rekateve.
A lejohet të falet Teravihja duke shikuar në Mushaf?
Përgjigjja:
Po, lejohet të falet Teravihja duke shikuar në Mushaf.
A lejohet të falet Farzi i Jacisë (dhe farzeve të tjera) duke shikuar në Mushaf?
Përgjigjja:
Jo, nuk lejohet të falet Farzi i Jacisë (dhe farzeve të tjera) duke shikuar në Mushaf.
Pse lejohet të shikohet në Mushaf kur falet Teravihja dhe pse nuk lejohet të shikohet në Mushaf kur falet Jacia (dhe farzet e tjera)?
Përgjigjja:
Ka dallim ndërmjet namazit Farz dhe namazit Nafile. Namazi nafile, siç është namazi i Teravihës, është i rangut më të ulët se namazi Farz.
Ku është dallimi ndërmjet namazit të natës dhe namazit Teravihë?
Përgjigjja:
Namazi i Teravihës dhe i natës nuk dallohen nga aspekti se që të dyja janë i njëjti namaz për nga koha e faljes (gjatë natës), ndërsa Namazi i Natës dhe Teravihës dallohet vetëm në atë se namazi i Teravihës falet me xhemat dhe bëhen pushime pas dy (ose katër) rekateve, ndërsa namazi i natës falet veç e veç dhe nuk falet me xhemat.
Pejgamberi a.s. e ka pasur farz namazin e natës derisa ka ndërruar jetë, mirëpo ai e ka pasur të drejtën e zgjedhjes që ta falë në kohëzgjatje:
- Ose në kohëzgjatje të gjysmës së natës,
- Ose në kohëzgjatje të më shumë se gjysma e natës,
- Ose në kohëzgjatje të më pak se gjysma e natës.
Sahabët nuk e kanë pasur farz:
As namazin e natës,
As përzgjedhjen e kohëzgjatjes.
Kjo është sa i përket Namazit të natës (Kijamu Lejl) gjatë Ramazanit dhe gjatë 12 muajve të vitit.
Sa i përket Namazit të Teravihës (Kijamu Lejli Ramazan), apo siç quhet Kijamul lejl gjatë Ramazanit, themi si në vijim: Në një natë nga netët e Ramazanit sahabët janë falur bashkë me namazin e Pejgamberit a.s. (Kijamu Lejl), i cili sot quhet Namazi Teravih (namaz nate me pushime). Ky namaz Nate u ka pëlqyer shumë sahabëve, mirëpo pastaj Pejgamberi a.s. ka vazhduar faljen e namazit të natës (Kijamul-Lejl) në shtëpinë e tij, por jo në Xhami. Kjo nga shkaku:
- Të mos bëhet obligativ për sahabët (për umetin e tij).
- Të mos mendojnë sahabët se namazi i natës është obligim edhe për ta.
Kështu pra:
Nëse falet namazi i natës gjatë Ramazanit, quhet Namaz Teravih.
Nëse falet namazi i natës gjatë 11 muajve dhe gjatë Ramazanit gjatë kohës së natës, quhet Namaz Nate (Kijamul-lejl).
Nëse agjërohet, si për shembull: në netët e mëdha, në ditët e bardha etj., etj., dhe bëhet falje (namaz) nate sikurse namazi i Teravihës, nuk quhet Teravih por namaz nate (Kijamu Lejli). Nëse agjërohet në Ramazan dhe bëhet falje (namaz) nate, quhet Teravih në vend se të quhet namaz nate (Kijamu Lejli). Kjo vetëm për shkak të mënyrës së faljes me pushime dhe jo për diçka tjetër.
Namazi i natës (Kijamu Lejli) i cili e ka marrë epitetin Teravih dhe siç e falim sot 20 rekate në Ramazan me xhemat është prej kohës së Omerit r.a., i cili nuk e ka thënë prej mendjes së vet, por prej transmetimeve të sahabëve se Pejgamberi a.s. e ka falur një herë gjatë Ramazanit dhe se Omeri r.a. e ka vërejtur se sahabët e praktikonin atë namaz, por të shpërndarë në Xhaminë e Pejgamberit a.s.
Pra, gjatë muajit të Ramazanit Omeri r.a., i ka parë sahabët duke u falur:
Disa janë falur të shpërndarë veçmas.
Disa janë falur në grupe.
Atëherë Omeri r.a. i ka thirrur të gjithë sahabët dhe i ka bashkuar në një rresht, me fjalë të tjera, në një xhemat dhe për imam të tyre e ka caktuar Ubej b. Ka’bin.
Këtë veprim të Omerit r.a.:
E kanë pëlqyer të gjithë sahabët.
Nuk e ka kundërshtuar asnjëri prej sahabëve.
E kanë vazhduar dhe nuk e kanë kundërshtuar Halifet e drejtë pas tij.
Si duhet vepruar për foshnjën e vdekur 7 muajshe?
Përgjigjja:
Si për 7 muajsh, si për 70 vjeç, rregullat janë të njëjta. Si për 1 muajsh, si për 100 vjeç, rregullat janë të njëjta.
I pastrohet xhenazja (kufoma).
Varroset.
I falet namazi i xhenazes (kufomës).
Në lutjen brenda namazit të xhenazes lutja ndryshon.
Kur jepet Zekati dhe a mund të jepet Zekati me këste?
Përgjigjja:
Zekati jepet gjatë 365 ditëve të vitit. Mund të definohet (përcaktohet) shuma e dhënies së Zekatit, si p.sh.: Përcaktohet se për një vit është obligim të jepet 1200 euro Zekat, ashtu që zekatdhënësi mund të caktojë që për çdo muaj të japë nga një këst prej 100 eurosh Zekat, që do të thotë: 12 muaj nga 100 euro plotësohen 1200 euro.
Zekati është obligativ në kohën e caktuar apo në kohën e paraparë, por:
Nëse zekatdhënësi e parasheh se është më e dobishme për zekatmarrësin (ose edhe për veten e tij), mund të japë Zekatin me këste, ashtu që mund ta ndajë në 12 këste dhe për çdo muaj e jep këstin e caktuar të Zekatit. (P.sh.: 1200 euro të Zekatit i ndan në 12 këste nga 100 euro dhe i jep për çdo muaj nga 100 euro).
A mund të jepet Zekati para kohe?
Përgjigjja:
Zekati mund të jepet edhe para kohës së dhënies së Zekatit, ashtu që e jep një apo dy vite para obligueshmërisë së Zekatit, nëse e sheh të arsyeshme se është më e dobishme (ose e nevojshme) për zekatmarrësin. Edhe në këtë rast mund të jepet Zekati me këste ose në tërësi.
A mund të jepet Zekati me vonesë?
Përgjigjja:
Zekati mund të jepet edhe me vonesë, ashtu që personi nuk e ka dhënë për vitet paraprake dhe dëshiron (ose i ka rënë ndërmend) se nuk e ka dhënë Zekatin.
Edhe këtë shumë të Zekatit mund ta japë me këste ose në tërësi (pa këste).
Këtë po e them nga shkaku se shumë njerëz japin sadaka (lëmoshë, donacione, etj.), ndërsa nuk e kanë dhënë shumën e Zekatit, me fjalë të tjera nuk e kanë kryer obligueshmërinë e Zekatit.
Kur jepet Zekatul Fitri?
Përgjigjja:
Zekatul Fitri jepet pas Ramazanit dhe para Bajramit, me fjalë të tjera, prej kohës së agimit të Bajramit të Fitrit e deri në fillimin e faljes së namazit të Bajramit të Fitrit.
Pse atëherë zakonisht jepet në ditët e fundit të Ramazanit?
Zekatul Fitri është e drejtë e robërve të Allahut, për këtë arsye është bërë lehtësim ashtu që dhënia e Zekatul Fitrit sa më shpejt të arrijë në destinacionin e duhur, në dorën e të merituarit.
A lejohet t’i jepet Sadekatul Fitri vajzës?
Përgjigjja:
Jo, nuk lejohet t’i jepet Sadekatul Fitri vajzës.
Pse nuk lejohet t’i jepen fitrat vajzës?
Nga shkaku se e ke për obligim të përkujdesesh për të, dhe nëse i jep fitrat ose Zekatin vajzës, konsiderohet sikurse i ke dhënë për veten tënde.
Si rrjedhojë e kësaj, nuk lejohet t’u jepen fitrat as djalit të vajzës (nipit), as vajzës së vajzës (mbesës), e kështu me radhë.
Mirëpo kjo nuk do të thotë se nuk lejohet t’u jepen sadakatë (lëmoshat) tjera, dhuratat e kështu me radhë.
A lejohet t’i jepet Sadekatul Fitri djalit?
Përgjigjja:
Jo, nuk lejohet t’i jepet Sadekatul Fitri djalit.
Pse nuk lejohet t’i jepen fitrat djalit?
Nga shkaku se e ke për obligim të përkujdesesh për të, dhe nëse i jep fitrat ose Zekatin djalit, konsiderohet sikurse i ke dhënë për veten tënde.
Si rrjedhojë e kësaj, nuk lejohet t’u jepen fitrat as djalit të djalit (nipit), as vajzës së djalit (mbesës), e kështu me radhë.
Mirëpo kjo nuk do të thotë se nuk lejohet t’u jepen sadakat (lëmoshat) tjera, dhuratat e kështu me radhë.
A lejohet t’i jepet Sadekatul Fitri nënës?
Përgjigjja:
Jo, nuk lejohet t’i jepet Sadekatul Fitri nënës.
Pse nuk lejohet t’i jepen fitrat nënës?
Nga shkaku se e ke për obligim të përkujdesesh për të, dhe nëse i jep fitrat ose Zekatin nënës, konsiderohet sikurse i ke dhënë për veten tënde.
Si rrjedhojë e kësaj, nuk lejohet t’u jepen fitrat dhe Zekati as gjyshës, as stërgjyshës (qoftë për nga nëna, qoftë për nga baba), e kështu me radhë.
Mirëpo kjo nuk do të thotë se nuk lejohet t’u jepen sadakat (lëmoshat) tjera, dhuratat e kështu me radhë.
A lejohet t’i jepet Sadekatul Fitri babait?
Përgjigjja:
Jo, nuk lejohet t’i jepet Sadekatul Fitri babait.
Pse nuk lejohet t’i jepen fitrat babait?
Nga shkaku se e ke për obligim të përkujdesesh për të, dhe nëse i jep fitrat ose Zekatin babait, konsiderohet sikurse i ke dhënë vetes sate.
Si rrjedhojë e kësaj, nuk lejohet t’u jepen fitrat dhe Zekati as gjyshit, as stërgjyshit (qoftë për nga nëna, qoftë për nga baba), e kështu me radhë. Kjo sepse edhe në këtë rast konsiderohet sikurse i ke dhënë fitrat për veten tënde.
Mirëpo kjo nuk do të thotë se nuk lejohet t’u jepen sadakatë (lëmoshat) tjera, dhuratat e kështu me radhë.
A lejohet t’i jepet Sadekatul Fitri vëllait?
Përgjigjja:
Po, lejohet t’i jepet Sadekatul Fitri vëllait.
Po më është thënë se pasi vëllai është bërë për fitra, mos ia jep as ato fitra!?
Kjo është tallje me ligjet e Allahut. Vëllait i ndihmohet me Sadekatul Fitrin, me Zekatin, me lëmoshat tjera, me dhuratat tjera dhe me të gjitha mënyrat e mundshme.
Vëllait i ndihmohet në të gjitha mënyrat, si në forma materiale ashtu edhe morale. Si me fitra, si me Zekat, si me mbështetje ekonomike dhe financiare.
Nuk ka dallim njëra prej tjetrës.
A lejohet t’i jepet Sadekatul Fitri motrës?
Përgjigjja:
Po, lejohet t’i jepet Sadekatul Fitri motrës.
Po më është thënë se pasi motra është bërë për fitra, mos ia jep as ato fitra!?
Kjo është tallje me ligjet e Allahut. Motrës i ndihmohet me Sadekatul Fitrin, me Zekatin, me lëmoshat tjera, me dhuratat tjera dhe me të gjitha mënyrat e mundshme.
Motrës i ndihmohet në të gjitha format, si në forma materiale ashtu edhe morale. Si me fitra, si me Zekat, si me mbështetje ekonomike dhe financiare.
Nuk ka dallim njëra prej tjetrës.
Sa është Nisabi i Zekatit në pemë, perime dhe drithëra?
Përgjigjja:
Edhe pse Zekatit të pemëve, perimeve dhe drithërave shumë pak i është kushtuar kujdes në të kaluarën, interesimi për të dhënë Zekat në këto produkte vazhdimisht po shtohet, kështu që duhet ditur se:
Zekati i pemëve dhe perimeve jepet kur sasia e tyre e arrin Nisabin.
Pra, nëse pronari i pemëve dhe perimeve ka më pak se 1092 kg, nuk jep Zekat, ndërsa kur arrin në 1092 kg e më shumë, e jep Zekatin.
Muhamedi a.s. ka thënë: “Nuk ka Zekat në (sasinë) më pak se 5 Evthak (barrë)”.
Zoti i madhërishëm thotë:
“Dhe shpenzoni nga të mirat (pasuria) të cilat i keni fituar dhe prej atyre që i përfitoni prej tokës (pemëve dhe perimeve)”.
Muhamedi a.s. po ashtu e ka caktuar edhe shumën e dhënies së pemëve dhe perimeve duke thënë:
“Çka e ka ujitur qielli me shi, jepet 10% Zekat”.
Ndërsa arat apo plantacionet të cilat nevojitet të ujiten me mjete, për arsye se shpenzohet mund dhe angazhim, atëherë përqindja e Zekatit zvogëlohet prej 10% në 5%.
Për këtë Muhamedi a.s. ka thënë:
“Çka ujitet me kafshë dhe me mjete tjera, atëherë Zekati është 5%”.
Duhet ditur se Zekati i pemëve dhe perimeve jepet në kohën e të vjelurave ose të korrurave. Thotë Zoti i Lartmadhëruar:
“Dhe jepeni pjesën e caktuar (Zekatin) ditën e të korrurave”. (El-En’am, 141)
A jepen fitrat para Ramazanit?
Përgjigjja:
Jo, nuk jepen fitrat para Ramazanit.
A jepen fitrat pas Bajramit?
Jo, nuk jepen fitrat pas Bajramit.
A jepen fitrat gjatë muajit Ramazan?
Jo, në esencë nuk jepen fitrat gjatë muajit Ramazan.
Kur jepen fitrat?
Fitrat jepen pas Ramazanit dhe para Faljes së Bajramit, e ajo kohë është distanca kohore prej faljes së Sabahut e deri në faljen e namazit të Bajramit. Pra, (përafërsisht) prej orës 5:50 min. e deri në 6:41 min. kur fillon falja e Bajramit, ndërsa pasi të falet Bajrami nuk pranohen fitrat.
Po pse atëherë ne i japim fitrat gjatë Ramazanit!?
Kemi dy lloje të të drejtave:
- Të drejtën ndaj Zotit
- Të drejtën ndaj njeriut
E drejta ndaj Zotit nuk mund të kryhet para kohe si p.sh.: Nëse e fal namazin e Drekës para kohës së Drekës, namazi nuk pranohet.
E drejta ndaj njeriut mundet të kryhet edhe para kohe, që në këtë rast ne e kryejmë para kohe me qëllim që fitrat të arrijnë te njeriu edhe para kohës së dhënies së fitrave.
Pra, dijetarët kanë bërë lehtësim vetëm nga shkaku se është e drejtë e njeriut, edhe pse ajeti kur’anor thotë: “Ka shpëtuar ai i cili e ka dhënë Zekatin (e fitrit) e pastaj e përmend Zotin e vet dhe e fal (namazin e Bajramit)”. (El-A’la)
Çfarë është Zekati i Fitrit dhe kundërvlera e Zekatul Fitrit?
Përgjigjja:
Zekati i Fitrit është të japësh nga artikujt ushqimorë në Grurë, Elb, Hurma e kështu me radhë.
Kundërvlera e Zekatit të Fitrit është të japësh në të holla (Euro, Franga, Dollarë, Dinarë e kështu me radhë).
Andaj, kur përmendet fjala Zekat dhe destinimi i saj, automatikisht ka të bëjë me atë se ku destinohet Zekati i pasurisë, aty destinohet edhe Zekati i shëndetit (trupit).
Çfarë është Zekati dhe kundërvlera e Zekatit dhe çfarë është Zekatul Fitri dhe çfarë është kundërvlera e Zekatul Fitrit dhe destinimi i tyre?
Përgjigjja:
Zekati ndahet në:
Zekatin e pasurisë dhe
Zekatin e shëndetit (trupit).
Kur përmendet fjala Zekat dhe destinimi i saj, automatikisht ka të bëjë me atë se ku destinohet Zekati i pasurisë, aty destinohet edhe Zekati i shëndetit (trupit).
Andaj duhet të sqarojmë se: Çfarë është Zekati dhe kundërvlera dhe çfarë është Zekati i Fitrit dhe kundërvlera e Zekatul Fitrit?
Në rend të parë po sqarojmë Zekatin e pasurisë dhe kundërvlerën e saj.
Zekati i arit është kur nga 100 gr. ar të japësh 2,5 gr. ar (p.sh. një unazë).
Kundërvlera e Zekatit të 100 gr. ar është të japësh në të holla (Euro; Franga; Dollarë e kështu me radhë) vlerën sa kushtojnë 2,5 gr. ar.
Zekati i grurit është kur nga 1000 kg grurë të japësh 50 kg (respektivisht 100 kg grurë).
Kundërvlera e grurit është kur nuk i jep 50 kg grurë por e jep vlerën sa kushtojnë 60 kg grurë (Euro; Franga; Dollarë; e kështu me radhë).
Krahaso kështu mollët; pemët; perimet; drithërat e kështu me radhë.
Nëse i ke 91 gram ar dhe i jep 2,5 gram ar Zekat, atëherë vitin tjetër nuk e ke obligim Zekatin nga shkaku se ke zbritur nën nivelin e Nisabit të Zekatit.
Nëse i ke 91 gram ar dhe e jep kundërvlerën prej 128 eurosh Zekat dhe të mbeten 91 gram ar deri në vitin tjetër, atëherë vitin tjetër e ke obligim Zekatin nga shkaku se nuk ke zbritur nën nivelin e Nisabit të Zekatit.
Nëse i ke 100 gram ar dhe për çdo vit i jep nga 2,5 gram ar, atëherë pas pesë viteve zbret nën nivelin e Nisabit të Zekatit, pas atyre viteve nuk e ke për obligim Zekatin.
Nëse i ke 100 gram ar dhe për çdo vit e jep kundërvlerën prej 130 eurosh, atëherë edhe pas pesë viteve e ke për obligim Zekatin.
Kush duhet ta japë Zekatin e arit (Alltanit): Vjehrra, nusja apo djali?
Përgjigjja:
Zekati jepet për çdo vit.
Vjehrra posedon ar (alltan) në vete.
Nusja posedon ar (alltan) në vete.
Vjehrra e jep Zekatin e arit për veten e saj.
Nusja e jep Zekatin për veten e saj.
Burri (djali) e jep Zekatin për veten e vet.
Pse, edhe pse jetojmë brenda një kulmi (brenda një familjeje) secili e jep Zekatin për veten e vet?
Kështu që:
Nëse vjehrra posedon 70 gr ar, pastaj nusja posedon 70 gr ar dhe burri (djali) i posedon 4000 euro (të pa qarkulluara për një vit), asnjëri nuk jep Zekat, edhe pse shuma e përgjithshme e tyre (të tre personave) e ka rritur Nisabin.
Nëse vjehrra e arrin Nisabin (kuotën) e 91 gr të arit, e jep Zekatin nga ari i vet.
Nëse nusja e arrin Nisabin (kuotën) e 91 gr të arit, e jep Zekatin nga ari i vet.
Nëse burri (djali) i posedon 6000 euro të paqarkulluara për një vit të plotë, e jep Zekatin nga 6000 eurot e paqarkulluara të veta.
Kur bëhet obligim Zekati?
Përgjigjja:
Zekati nuk varet nga personi, por varet drejtpërdrejtë nga pasuria.
Pra, pasi mbi një pasuri është bërë farz që të jepet Zekati, nëse ajo pasuri humbet, largohet edhe detyrimi i Zekatit, por nëse ia dhuron dikujt apo bie një shtëpi, atëherë duhet dhënë Zekati.
Nëse një person ka pasuri më tepër se masa e Nisabit, por njëkohësisht ka edhe borxhe, atëherë:
Nëse pjesa e pasurisë minus borxhin është më e madhe se Nisabi, duhet të japë Zekat mbi pjesën e mbetur.
Nëse pjesa e mbetur pas borxhit është më pak se Nisabi, atëherë nuk është nevoja të jepet Zekati.
Nëse një person i fal një të varfëri paratë që i ka pasur dhënë borxh, pavarësisht nëse ka bërë apo jo nijet për Zekat, quhet sikur e ka dhënë Zekatin e atyre parave (ose mallit).
Por nëse i fal vetëm një pjesë të borxhit, duke e quajtur prej Zekatit, p.sh. nëse i fal 50 mijë lekë nga totali i 100 mijë lekë që është borxhi, quhet se ka dhënë Zekat vetëm për pjesën e falur, jo për pjesën e mbetur.
Në të njëjtën kohë nëse një person i fal një të varfëri sasinë e borxhit, duke e llogaritur si Zekat i pasurisë që ka në shtëpi, kjo vlen vetëm për pasurinë që ka në shtëpi, nuk vlen edhe për sasinë e dhënë borxh.
Nëse dikush dëshiron që njëkohësisht edhe të shpëtojë nga borxhi borxhliun e varfër edhe të japë Zekatin e të gjithë ose të një pjesë të pasurisë, atëherë i jep borxhliut si Zekat një sasi parash sa vlera e borxhit, pastaj me këto para borxhliu i shlyen borxhin.
Nëse një person përveç nevojave thelbësore, ka pasuri sa vlera e Nisabit, por nga ana tjetër ka borxh në të njëjtën vlerë, nuk është nevoja të japë Zekat.
Por nëse ia falin borxhin, pasi kalon një vit nga data e faljes, duhet të japë Zekat.
Nëse një person që ka borxh Zekati (nuk e ka dhënë Zekatin pavarësisht se i ka plotësuar kushtet) vdes pa lënë amanet pagesën e Zekatit, kjo sasi nuk merret prej trashëgimisë së tij.
Tashmë pasuria e tij u ka kaluar trashëgimtarëve.
Nëse trashëgimtarët dëshirojnë, mund ta paguajnë Zekatin nga pjesa takuese e tyre.
A më duhet të jap Zekatin për pasurinë të cilën e kam dhënë borxh?
Përgjigjja:
Borxhlinjtë janë dy llojesh:
Borxhliu i mirë dhe
Borxhliu i vështirë.
Nëse borxhliu është i mirë dhe e di se mund të ta kthejë borxhin në çdo kohë, e jep Zekatin pa e kthyer borxhin borxhliu.
Nëse borxhliu është i vështirë dhe e di se nuk mund të ta kthejë borxhin ose është person i cili ka falimentuar, nuk jepet Zekati, vetëm se, nëse e kthen borxhin brenda vitit, e jep Zekatin kur ta pranosh borxhin prej borxhmarrësit.
A duhet të jepet Zekati për çdo vit?
Përgjigjja:
Nëse i ke 100 gram ar dhe për çdo vit i jep kundërvlerën prej 128 eurosh, atëherë edhe pas pesë viteve e ke për obligim Zekatin.
Nëse i ke 91 gram ar dhe i jep 2,5 gram ar Zekat, atëherë vitin tjetër nuk e ke obligim Zekatin nga shkaku se ke zbritur nën nivelin e Nisabit të Zekatit.
Nëse i ke 91 gram ar dhe e jep kundërvlerën prej 128 eurosh Zekat dhe të mbeten 91 gram ar deri në vitin tjetër, atëherë vitin tjetër e ke obligim Zekatin nga shkaku se nuk ke zbritur nën nivelin e Nisabit të Zekatit.
Nëse i ke 100 gram ar dhe për çdo vit i jep nga 2,5 gram ar, atëherë pas pesë viteve zbret nën nivelin e Nisabit të Zekatit, pas atyre viteve nuk e ke për obligim Zekatin.
A lejohet Zekati për lozën e epërme dhe për lozën e poshtme?
Përgjigjja:
Zekati nuk lejohet për lozën e poshtme dhe lozën e epërme.
Çfarë nënkuptojmë me lozën e epërme dhe lozën e poshtme?
Loza e poshtme janë:
- Fëmijët (djem dhe vajza).
- Fëmijët e fëmijëve (fëmijët e djemve dhe fëmijët e vajzave), e kështu me radhë.
Loza e epërme janë:
- Prindërit (baba, nëna).
- Gjyshët dhe gjyshet nga ana e babait.
- Gjyshët dhe gjyshet nga ana e nënës, e kështu me radhë.
Sa i përket familjarëve tjerë si p.sh.: vëllezërve, motrave, axhallarëve, tezeve, dajallarëve, hallave (dhe fëmijëve të tyre) u takon Zekati.
Muhamedi a.s. ka thënë: “Sadakaja (Zekati) për të varfërin është sadaka, por, për farefisin ka rëndësi të dyfishtë: sadaka dhe lidhje farefisnore.”
Nga hadithi kuptojmë se Zekati (sadakaja) për farefisin ka vlerë të dyfishtë:
- Vlerë të sadakasë dhe
- Vlerë të lidhjes farefisnore.
Lidhja farefisnore ndërlidh dhe forcon lidhjen me Allahun, ndërsa ndërprerja e lidhjes farefisnore ndërpret dhe dobëson lidhjen me Allahun.
Urtësia e këtij rregulli
Ligji Islam nuk e lejon Zekatin për lozën e epërme dhe lozën e poshtme sepse zekatdhënësi e ka për obligim përkujdesjen dhe t’i ushqejë këto kategori dhe nëse u jep këtyre kategorive Zekatin, atëherë ai ka realizuar përfitim personal sepse shpenzimi për këto kategori duhet të jetë nga pasuria e tij personale, përveç Zekatit, ndërsa Zekati dhe përkujdesja nuk mund të jenë në të njëjtën kohë për një person.
Kush e ka të drejtën e tubimit të Zekatit?
Përgjigjja:
Të drejtën e tubimit të Zekatit e ka shteti Islam. Është mirë që Zekati të jepet haptazi dhe të dihet (publikohet).
Pse lejohet të jepet Zekati (dhe Zekatul Fitri) për Medrese (në institucionet e Bashkësive Islame) dhe nuk lejohet për Xhami?
Përgjigjja:
Një kategori prej kategorive të Zekatit është kategoria “Fi sebili-Lah” (në rrugë të Allahut).
Termi “Fi sebilil-Lah” ka kuptim të ngushtë dhe kuptim të gjerë.
Në kuptim të ngushtë: Termi “Fi sebilil-Lah” nënkupton se Zekati duhet t’i jepet vetëm luftëtarit në rrugë të Allahut dhe atë: Për armatosjen e luftëtarit në rrugë të Allahut, veshmbathjen dhe ushqimin e luftëtarëve për beteja.
Në kuptim të gjerë: Termi “Fi sebilil-Lah” nënkupton se Zekati jepet si për medrese ashtu edhe për xhami.
Pastaj, në kuptim edhe më të gjerë, Zekati jepet si për objekte fetare ashtu edhe për objekte publike të cilat janë në interes të përgjithshëm shoqëror.
Mendimi se Zekati duhet t’i jepet personit fizik dhe jo personit juridik do ta kishte kuptimin në kohën kur Zekatin e tubon shteti Islam. Përderisa në mungesë të tubimit të Zekatit nga shteti Islam, atëherë është e njëjtë si tubimi i Zekatit për Medrese ashtu edhe tubimi i Zekatit për Xhami. Kjo sepse që të dyja i takojnë kategorisë “Fi sebilil-Lah” në kuptim të gjerë.
Kur jepet Zekati për të korrurat dhe për pemët e perimet?
Përgjigjja:
Për të korrurat, për pemët dhe perimet, Zekati jepet kur të korren të korrurat ose kur të mblidhen pemët dhe perimet.
A lejohet të jepet Sadekatul Fitri për embrionin?
Përgjigjja:
Embrioni ndahet në dy faza:
- Embrioni para 4 muajve dhe
- Embrioni pas 4 muajve.
Për embrionin para 4 muajve nuk jepet Sadekatul Fitri.
Për embrionin i cili është pas 4 muajve dhe nëna e ndien lëvizjen e fëmijës, ose vërtetohet nëpërmjet gjinekologut qoftë edhe disa çaste para faljes së Bajramit të Fitrit, ai embrion konsiderohet person fizik dhe juridik dhe jepet Sadekatul Fitri edhe për të.
Embrioni në këtë fazë posedon edhe të drejta tjera të sheriatit si p.sh., e ka edhe të drejtën e trashëgimisë (nëse vdes). Me fjalë të tjera, nëse lind i vdekur, atëherë ajo foshnje e lindur e vdekur trashëgon dhe trashëgohet.
A jepet Zekati për xhami?
Përgjigjja:
Po, jepet Zekati për Xhami.
Pyetje tjetër: Po a nuk jepet Zekati vetëm për persona fizik dhe jo për persona juridik në bazë të parafjalës “Li” e cila qëndron para kategorive të Zekatit!?
Përgjigjja:
Edhe Xhamitë edhe Bashkësitë islame edhe medresetë janë persona juridik, me fjalë të tjera nuk janë persona fizik, kështu që:
Lejohet të jepet Zekati për ndërtimin e Xhamisë.
Lejohet të jepet Zekati për pagesën e qirasë së Xhamisë.
Lejohet të jepet Zekati për mirëmbajtjen e Xhamisë.
Lejohet të jepet Zekati për pagesën e Imamit dhe punonjësve tjerë të Xhamisë.
Faktikisht Zekati është praktikuar (është tubuar) për nivelin qendror (për administratorët; për Kryetarin e B. Islame), kështu që lejohet edhe për nivelin lokal (për punonjësit e Këshillave: Imamëve etj., etj.).
Zekati për Xhami (në nivel lokal) është i njëjtë sikurse dhënia për B. I. (nivel qendror) dhe për medresetë.
Që të dyja, edhe Xhamitë (Nivelet lokale) edhe Bashkësitë Islame (Nivelet Qendrore) të cilat tubojnë mjete për medrese bëjnë pjesë në kategorinë “Fi sebilil-Lah” që nënkupton “në rrugë të Allahut”, e që në kohën e sodit e quajmë: Për “pronë publike”. Pra, për person juridik dhe jo për person fizik.
A jepet Zekati për paga mujore?
Përgjigjja:
Nuk jepet Zekati për paga mujore, ndërsa nëse punëdhënësi i transferon pagat mujore në konto gjatë 12 muajve nga 1000 euro, që do të thotë se, punëdhënësi i ka lëshuar 12000 euro përgjatë 12 muajve dhe nga ato 12000 euro, pra për çdo muaj nga 1000 euro dhe, në më shumë se 6 muaj i ke pasur në konto (mbi Nisabin) 6000 euro, atëherë e jep Zekatin e atyre 6000 eurove, që i bie se i jep Zekat 150 euro. Pra, për shumën e mbetur në konto prej pagave, jo për të gjitha pagat. (Nuk i jep Zekat për 12000 euro por për 6000 euro).
Unë i kam 30 lopë. Lopët i mbaj në stallë (ahur). Sa duhet të jap Zekat?
Përgjigjja:
Asnjë lopë nuk jep Zekat.
Pse?
Nga shkaku se nuk jepet Zekati për lopët në stallë apo në ahur, Zekati jepet vetëm për bagëtinë (Devetë; Buallicat; Lopët; Delet; Dhitë) të cilat ushqehen me kullosa në fushë.
E kam edhe një pyetje tjetër: I kam 40 dele. Gjatë verës i dërgoj në bjeshkë ndërsa gjatë dimrit i mbaj në stallë (ahur). A duhet të jap Zekat?
Përgjigjja:
Nëse 5 muaj e 28 ditë i kullot delet në bjeshkë nuk jep dele Zekat.
Nëse 6 muaj e një ditë i kullot delet në bjeshkë, e jep një dele Zekat. Pra, Zekati jepet për delet të cilat kullosin më shumë se 6 muaj në fushë (bjeshkë) dhe nuk jepet për delet të cilat kullosin në fushë (bjeshkë) më pak se 6 muaj.
Pse janë tri tarifa të Zekatul Fitrit?
Përgjigjja:
Asnjëherë nuk kam qenë i pajtimit që të jenë tri tarifa të Zekatul Fitrit. Duhet të jetë vetëm një tarifë.
Po ta tregoj një shembull (për të bërë krahasim): Nëse e ke për obligim që për 10.000 euro të japësh 250 euro Zekat dhe ti i jep 300 euro. Nuk quhet Zekat 300 euro por quhet 250 euro Zekat dhe 50 euro Sadaka (lëmoshë vullnetare).
Njëjtë: Nëse caktohet tarifa e Zekatit 3 – 5 – 10 euro (ose 5 – 7 – 10 euro), atëherë nuk ke dhënë Zekatul Fitër 10 euro, por 3 euro (ose 5 euro) Zekatul Fitër dhe 7 euro Sadaka (lëmoshë vullnetare).
Unë jam që tarifa të jetë standarde, e artikuluar dhe uniforme (unikate).
Sa për çmimin e Fidjes (Zekatul Fitrit) duhet të merren (duhet ta caktojnë) ekspertët e ekonomisë së tregut me dijetarët kompetentë Islam (jo të hotelerisë) për kundërvlerën e dy shujtave.
Sa është Nisabi për të dhënë Zekatin?
Përgjigjja:
Nëse 5500 euro (e më shumë) i ke pasur në konto (ose në arkën tënde) për një vit të plotë, e ke për obligim Zekatin. I jep Zekat.
Nëse 6000 euro i ke pasur në konto për një vit të plotë, e ke për obligim Zekatin, atëherë 125 euro i jep Zekat.
Nëse mbi 5500 euro i ke pasur për një vit të plotë pa qarkulluar, ke për obligim Zekatin.
Nëse i ke pasur 10 000 euro pa qarkulluar për një vit të plotë, atëherë e jep Zekatin 250 euro. Pra, 9750 euro janë financa të tuajat ndërsa 250 nuk janë të tuajat.
Vërejtje:
Nëse në fillim të vitit i ke 5500 euro dhe gjatë vitit ke pasur qarkullim të hyra dhe të dalura mbi këtë shumë të caktuar, atëherë e jep Zekatin nga shuma e mbetur në konto në vlerë me më shumë se 5500 euro.
Më tha: Bashkëshortja i ka 910 gr ar, kundërvlera e të cilit është 59000 euro dhe më duhet për çdo vit të jap Zekatin për arin e bashkëshortes. E, po më bie shumë me dhënë nga rroga, për çdo vit nga 200 euro. (Për 5 vite duhet të jap 1000 euro).
I thashë: Jo, ti nuk e ke për obligim me dhënë Zekatin për arin e bashkëshortes, por bashkëshortja e ndan një unazë të vlerës prej 200 eurosh dhe ajo, ose e jep unazën Zekat, ose i jep 200 euro Zekat, pra kundërvlerën e arit të saj.
Si jepet FIDJA E Ramazanit?
Përgjigjja:
Fidja: është e papërcaktuar (Mutllak).
Jepet për çdo ditë të Ramazanit.
Jepet në fillim të Ramazanit për 30 ditë.
Jepet në fund të Ramazanit për 30 ditë.
I jepet 30 individëve.
I jepet një individi 30 herë.
Jepet edhe pas Ramazanit, e cila nuk konsiderohet dhënie Kaza.
Nuk ka asgjë të përbashkët me Fitrin i cili e ka kohën e caktuar para Bajramit të Fitrit.
A lejohet gjuetia në Ramazan?
Përgjigjja:
Agjëruesi ka të drejtë të gjuajë gjahun edhe gjatë muajit të Ramazanit dhe atë gjatë ditës, përderisa është agjërueshëm.
Haxhiu dhe Umreliu e kanë të ndaluar gjuetinë gjatë kohës së Haxhit, përderisa janë në Mekë dhe në Medinë. Përderisa kur të jenë në vendlindje, edhe gjatë muajve Dhul-ka’de dhe Dhul-Hixhe u lejohet gjuetia, ashtu siç u lejohet atyre gjuetia pas kryerjes së Haxhit kur të kthehen në vendlindje.
Për këtë arsye ka qenë keqkuptim dhe mentalitet i gabuar se ai i cili është Haxhi e ka të ndaluar gjuetinë. Ajo që është e ndaluar, është e ndaluar për Haxhiun në Mekë ose në Medinë. Përderisa sa i përket muajit Rexheb, Dhul-ka’de dhe Dhul-Hixhe, Haxhiut i lejohet gjuetia edhe gjatë këtyre muajve pasi të kthehet në vendlindje.
A lejohet për gruan që të përdorë medikamente për të ndërprerë ciklin mujor, ashtu që të agjërojë muajin Ramazan?
Përgjigjja:
Po, lejohet për gratë të përdorin medikamentet para dhe gjatë muajit Ramazan, për të vonuar ciklin mujor (menstruacionin) që të mos bëhet pengesë për agjërim, për falje të Teravihëve etj.
Nuk ka mëkat për këtë veprim nga shkaku se: “Në esencë çështjet dhe veprimet janë të lejuara, përderisa nuk ekziston ligj për ndalimin e tyre”. Në këtë rast nuk kemi ligj ndalimi.
Vërejtje: Mirë është që për këtë çështje apo veprim të konsultohet me mjekun dhe me ekspertët e kësaj fushe, ashtu që të sigurohet se nuk e dëmton veten për të ardhmen e saj. Kjo duke u bazuar në hadithin: “Mos dëmtoni dhe mos u dëmtoni”. Pra, nuk duhet ta dëmtojë veten e vet nëse një veprim i tillë e dëmton, në të kundërtën nuk ka kurrfarë pengese për një veprim të tillë.
Si bëhet nijeti i agjërimit?
Përgjigjja:
Nijeti i agjërimit të Ramazanit bëhet:
- Nijet me zemër dhe
- Nijet me shprehje (me fjalë).
Nijeti me zemër dhe me shprehje mund të jetë:
- Nijet mujor (në pako) dhe
- Nijet i përditshëm (për çdo ditë brenda 29-30 ditëve të Ramazanit).
Pra: Nijeti me zemër dhe nijeti me shprehje mjafton një herë në fillim të muajit Ramazan, edhe pse mund të bëhet për çdo ditë.
Nëse nuk bëhet nijeti me shprehje, është i zëvendësuar nga nijeti me zemër. Nijeti me zemër është nijeti i cili nuk shprehet me fjalë.
Një variantë e nijetit shprehimor: “E bëra nijet që të agjëroj Ramazanin, me besim dhe bindje të plotë se do ta ketë në konsideratë agjërimin tim. Zoti im, gjatë këtij muaji më fal, më beko dhe më shto dituri!”
Vërejtje: Mjafton të thuhet: “Zoti im, e bëra nijet të agjëroj muajin e Ramazanit.” Nëse bëhet për çdo ditë, thuhet: “Zoti im, e bëra nijet të agjëroj këtë ditë të Ramazanit.”
Si bëhet nijeti i agjërimit? (2)
Përgjigjja:
Kemi:
Nijetin mujor të agjërimit siç është nijeti i agjërimit për muajin Ramazan.
Mjafton të bëhet një herë në fillim të muajit dhe nuk bëhet Nijet ditëve tjera.
Kemi Nijetin ditor prej ditëve të muajit Ramazan.
Përveç që bën Nijetin në fillim të muajit për të agjëruar muajin Ramazan, e bën nijet në mënyrë të vazhdueshme për çdo ditë të muajit Ramazan.
Pastaj, kemi:
Nijetin me zemër të agjërimit të muajit Ramazan.
Nijeti i zemrës është nijeti bazë. Dhe, nëse e bën një herë me zemër për të agjëruar muajin, është plotësuar Nijeti.
Kemi Nijetin shprehimor të agjërimit të muajit Ramazan.
Nijeti shprehimor është i lejuar, edhe pse nuk është i domosdoshëm, që do të thotë se nuk e prish esencën e agjërimit dhe nuk ndikon në agjërim, por e përforcon Nijetin e zemrës.
“Zoti ynë, e vendosa me zemër ta agjëroj këtë muaj të Ramazanit. Na prano agjërimin dhe na prano veprat e mira gjatë agjërimit të këtij muaji të Ramazanit.”
A prishet agjërimi nëse zgjohem apo kam fjetur ditën dhe kam mbetur xhunub?
Përgjigjja:
Jo, agjërimi vazhdon dhe është në rregull agjërimi i asaj dite.
A prishet agjërimi nëse kam kontaktuar me gruan dhe kam fjetur i papastër dhe jam zgjuar i papastër?
Përgjigjja:
Jo, agjërimi është në rregull.
A ka shpërblim agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Sheval?
Përgjigjja:
Agjërimi i 6 ditëve të muajit Sheval është sikurse të ishte agjëruar i tërë viti.
Muhamedi a.s. ka thënë: “Ai i cili agjëron muajin Ramazan dhe e pason me 6 ditë tjera të muajit Sheval, ka shpërblim sikurse të kishte agjëruar tërë kohën.”
Kjo, mund të bazohet edhe në ajetin Kur’anor: “Kush vjen me një (vepër) të mirë, ai (në Ditën e Gjykimit) shpërblehet dhjetëfish…” (En’am, 160).
Nga kjo rezulton se: Për 30 ditë, shpërblimi është shpërblimi i 300 ditëve. Shtoja kësaj edhe 6 ditë me 60 shpërblime, rezulton të jetë 360 ditë (shpërblime), aq sa janë ditët e kalendarit hënor.
A lejohet të agjërohet dita e premte?
Përgjigjja:
Lejohet të agjërohet vetëm Dita e Premte nëse nuk specifikohet, kështu pra, në këtë rast ai i cili dëshiron, ka 5 opsione (alternativa):
Opsioni i parë: Ai i cili i agjëron ditët e bardha, i agjëron ditën e Mërkurë, të Enjte dhe të Premte.
Opsioni i dytë: Ai i cili agjëron ditën e Hënë dhe të Enjte, e agjëron të Hënën (nëse e ka agjëruar), të Enjten dhe të Premten.
Opsioni i tretë: Agjërohet dita e Enjte dhe e Premte për të mos e lënë vetëm Ditën e Premte ditë të agjërimit të vetmuar, por të bëhen dy të rresht.
Opsioni i katërt: Agjërohet vetëm dita e Premte dhe kjo është në rregull. Kjo sepse nuk është specifikuar qëllimisht, por rastësisht ka ndodhur Dita e Premte të jetë edhe Ditë e Beratit. Ndërsa dihet se:
Mekruh Tehrimen (e papëlqyer e rëndë) është kur përveç këtij rasti (ose të ndonjë rasti të këtij lloji) e specifikon të agjërohet vetëm Dita e Premte.
Opsioni i pestë: Agjërohet edhe Dita e Premte edhe Dita e Shtunë për të mos e lënë Ditën e Premte Ditë të vetmuar agjërimi, por të bëhen dy të rresht.
Çfarë nënkupton agjërimi i 6 ditëve të muajit Sheval?
Përgjigjja:
Muaji Ramazan është muaji i kalendarit hënor. Muaji Sheval është muaji i kalendarit hënor (jo diellor).
Kush i ka agjëruar 30 ditë (eventualisht 29 ditë) ka shpërblimin e 300 ditëve (eventualisht të 290 ditëve). Kush nuk i ka agjëruar 30 ditë (eventualisht 29 ditë) nuk e ka dënimin e 300 ditëve (eventualisht të 290 ditëve) por të 30 ditëve (eventualisht të 29 ditëve).
Kush i agjëron 6 ditë të muajit Sheval, e ka shpërblimin e 60 ditëve. Nga ky aspekt, kush i agjëron edhe këto 6 ditë të muajit Sheval, ka shpërblim sikurse të ketë agjëruar tërë vitin hënor.
Jo vetëm në agjërim, por edhe në veprat tjera (gjatë gjithë jetës), Allahu për çdo të mirë shpërblen dhjetëfish e më shumë!
Si agjërohen 6 ditët e muajit Sheval?
Përgjigjja:
Vetëm dita e parë e Fitër Bajramit nuk lejohet të agjërohet. Përderisa teksti i Hadithit ka ardhur i papërcaktuar, atëherë edhe ditët e agjërimit të muajit Sheval nuk janë të përcaktuara. Pra, nuk janë përcaktuar ditët e fillimit, as të mesit as të mbarimit të muajit Sheval.
Po ashtu nuk janë përcaktuar të jenë rresht 6 ditë apo të ndara. Kështu pra: Brenda muajit Sheval mund të agjërohen:
Prej ditës së dytë të muajit Sheval deri në ditën e shtatë të muajit Sheval.
Mund të agjërohen edhe nga dy ditë të javëve të muajit Sheval.
Mund të agjërohen edhe 6 ditët e fundit të muajit Sheval.
Mund të agjërohen 6 ditë të ndara me njëra tjetrën gjatë muajit Sheval.
Si agjërohen ditët e Shevalit?
Përgjigjja:
Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit është i papërcaktuar. Nga kjo kuptojmë se mund të agjërohen:
Ditët e renditura në fund të muajit Sheval si p.sh.: 24, 25, 26, 27, 28 dhe 29.
Ditët e renditura në fillim të muajit Sheval si p.sh.: 2, 3, 4, 5, 6 dhe 7.
Ditët me ndërprerje të muajit Sheval si p.sh.: 8, 11, 14, 18, 22 dhe 25.
Pra, ditë të pacaktuara.
Mund të agjërohen ditë të Shevalit dhe pastaj ditët kaza të muajit Ramazan.
Mund të agjërohen ditët kaza të Ramazanit dhe pastaj ditët e Shevalit.
Mund të agjërohen tri ditë të Ramazanit kaza dhe pastaj tri ditë të muajit Sheval dhe pastaj tri ditë kaza të Ramazanit dhe tri ditë të muajit Sheval.
Pra, renditje të pacaktuara.
Në muajin Sheval lejohet të agjërohet edhe agjërimi nafile i gjashtë ditëve të Shevalit por lejohet edhe agjërimi i ditëve Kaza të Ramazanit.
Lejohet agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit edhe pse personi në fjalë ka për të agjëruar edhe agjërim Kada (Kaza) të Ramazanit.
Agjërimi Kaza mund të agjërohet në njëmbëdhjetë muajt tjerë të vitit të kalendarit hënor, përveç në muajin Ramazan.
Nëse personi e bën nijetin për agjërim të dyfishtë, edhe të Kazasë së Ramazanit edhe të nafiles së Shevalit, atëherë nuk llogaritet se ka agjëruar të dy agjërimet (12 ditë) por vetëm njëra prej tyre, pra vetëm gjashtë ditë të njërës prej tyre.
Cilat ditë llogariten, të muajit Sheval apo të Kazasë së muajit Ramazan?
Përgjigjja:
Ebu Jusufi mendon se agjërimi llogaritet automatikisht si agjërim i Kazasë së Ramazanit (dhe zhvleftësohen ditët e muajit nafile të Shevalit).
Muhamedi mendon se agjërimi automatikisht llogaritet si agjërimi i gjashtë ditëve të Shevalit dhe jo i Kazasë së Ramazanit.
Argumentet:
Ebu Jusufi, nxënës i Ebu Hanifes, thotë se nijeti farz është më i fuqishëm. Kjo sepse është obligative agjërimi Kaza dhe i cili kërkohet në këtë rast, kështu që zhvleftësohet nafilja dhe fuqizohet obligativja.
Muhamedi, po ashtu nxënës i Ebu Hanifes, mendon se nijeti i agjërimit nafile është farz, kështu që llogariten ditë të nafiles së Shevalit dhe jo të Kazasë së Ramazanit. Kjo sepse nuk zhvleftësohet nijeti bazë i cili është nijeti i nafiles së Shevalit.
Përfundim: Nuk lejohet nijeti i agjërimit të dyfishtë sepse llogaritet vetëm njëra prej tyre. Lejohet të agjërohet dhe të bëhet nijeti në njërën prej tyre dhe të agjërohen veç e veç.
Çfarë quajmë I’tikaf?
Përgjigjja:
I’tikaf quhet qëndrimi në xhami për ta adhuruar Allahun në mënyrë të posaçme, duke qenë agjërueshëm. I’tikafi është Sunet Kifaje Muekede në dhjetë ditët e fundit të muajit Ramazan. I’tikafi është Mustehab në ditët tjera përveç dhjetë ditëve të fundit të muajit Ramazan.
A ka Bajram të vogël dhe Bajram të madh?
Përgjigjja:
Jo, nuk ka Bajram të Vogël dhe Bajram të Madh, por ka vetëm Bajram të Fitrit dhe Bajram të Kurbanit:
Në Bajramin e Fitrit jepet Zekatul Fitri për shkak të agjërimit të Ramazanit.
Në Bajramin e Kurbanit, bëhet therja e Kurbanit dhe shpërndahet për nevojtarët.
Që të dy Bajramet ndërlidhen me çështje humanitare, me qëllim që gjatë tërë vitit të shtrihet dora e ndihmës së muslimanëve në mes vete dhe të mbizotërojë humanizmi.
Kur fillon dhe kur mbaron koha e Tekbireve të Fitër Bajramit?
Përgjigjja:
Tekbiri është sunet si për burra ashtu edhe për gra. Tekbiri bëhet në shtëpi. Tekbiri bëhet në xhami. Tekbiri bëhet në rrugë.
Koha e Tekbirit fillon me perëndimin e diellit, me fjalë të tjera me iftarin (kohën e Akshamit) e ditës së fundit të Ramazanit. Koha e Tekbirit përfundon me faljen e namazit të Fitër Bajramit.
Zoti i Madhërishëm thotë:
“…ashtu që, t’i plotësoni ditët e numëruara (të agjërimit) e ta madhëroni Allahun për atë që ju ka udhëzuar, ashtu që të jeni falënderues.” (El-Bekare, 185)
Formula e Tekbirit është si në vijim:
All-llahu Ekber, All-llahu ekber. Laa ilahe il-lell-llahu Vall-llahu Ekber All-llahu ekber ve lil-lahil-hamd.
Variant tjetër i Tekbirit:
All-llahu Ekber, All-llahu ekber, All-llahu ekber. Laa ilahe il-lell-llahu Vall-llahu Ekber All-llahu ekber ve lil-lahil-hamd.
A lejohet tregtia në Haxh dhe Umre?
Përgjigjja:
Po, lejohet tregtia para Haxhit, gjatë Haxhit dhe pas Haxhit.
Nuk po e kuptoj! A lejohet tregtia edhe gjatë Haxhit dhe Umres?
Po, edhe gjatë kohës kur je në Ihram, të lejohet tregtia.
Haxhi është panair ndërkombëtar tregtar në Islam. Kjo, sepse përveç profiteve të botës shpirtërore, në Haxh realizohen edhe profite të tjera ekonomike (materiale) nëpërmjet tregtisë. Zoti i Madhërishëm në Kur’an thotë:
“Që t’i prezantojnë dhe t’i realizojnë dobitë (profitet) e tyre dhe ta përmendin Allahun në ditët e caktuara (të therrjes së Kurbanit)” (El-Haxh: 28).
A e kuptove? Realizohen dy lloje të profiteve:
- Profiti material dhe
- Profiti shpirtëror.
A lejohet Haxhi për dëshmorin, edhe nëse nuk ka lënë porosi për të kryer Haxhin për të para dëshmorisë?
Përgjigjja:
Po, lejohet për dëshmorin, i cili ka vdekur dhe nuk e ka kryer Haxhin gjatë gjithë jetës së tij. Nuk kushtëzohet që të ketë lënë porosi.
Kjo nga shkaku se vëllezërit nga feja e marrin pozitën e vëllezërve nga nëna, siç ka thënë Allahu i Madhërishëm:
“Vërtet besimtarët janë vëllezër” (Huxhurat: 10).
Po ashtu edhe hadithi i njeriut i cili ka thënë: “Lebbejke për Shubremen.” Pejgamberi a.s. e ka pyetur: “Kush është Shubreme?” Ai i ka thënë: “Vëllai im,” ose i ka thënë: “I afërmi im”. Pastaj i ka thënë: “A e ke kryer Haxhin për veten tënde?” Ai i ka thënë: “Jo!” (Pejgamberi a.s.) I ka thënë: “Kryeje Haxhin për veten tënde, pastaj kryeje Haxhin për Shubremen.”
A lejohet zëvendësimi për Haxh?
Përgjigjja:
Kemi obligime materiale dhe obligime fizike. Për obligime materiale lejohet autorizimi. Për obligime fizike nuk lejohet autorizimi, rrjedhimisht zëvendësimi. Kjo në raste kur personi është i shëndoshë.
Kur një personi i mungon shëndeti (fiziku, plogështia etj.) lejohet zëvendësimi.
Lejohet zëvendësimi për Haxh për personin e vdekur i cili nuk ka lënë porosi.
Lejohet zëvendësimi për Haxh për tjetrin i cili ka lënë porosi.
Lejohet për të vdekurin i cili nuk e ka kryer Haxhin gjatë jetës së tij.
Argument: Hadithi i njeriut i cili ka thënë: “Lebbejke për Shubremen.” Pejgamberi a.s. e ka pyetur: “Kush është Shubreme?” Ai i ka thënë: “Vëllai im,” ose i ka thënë: “I afërmi im”. Pastaj i ka thënë: “A e ke kryer Haxhin për veten tënde?” Ai i ka thënë: “Jo!” (Pejgamberi a.s.) I ka thënë: “Kryeje Haxhin për veten tënde, pastaj kryeje Haxhin për Shubremen.”
Si bëhet nijeti i Haxhit për tjetrin?
A duhet ta bëjë nijetin në çdo vend, ose në çdo veprim prej veprimeve të Haxhit, si p.sh.: Kur ta veshë Ihramin, të thotë: “Lebbejke Allahume (Të përgjigjem Ty o Zoti im) për filanin, apo filanen?” Pastaj edhe te Tavafi e thotë nijetin, apo mjafton nijeti vetëm tek Ihrami?
Përgjigjja:
Mjafton nijeti i parë tek Ihrami kur thotë: “Lebbejke Allahume për filanin…” dhe prej atij momenti, të gjitha veprimet e Haxhit janë për atë person (për të cilin e ka bërë nijetin).
Nuk është e domosdoshme që ta thotë nijetin për çdo veprim të Haxhit. P.sh: Në namaz, nijeti kërkohet te Tekbiri i Ihramit (Tekbiri fillestar). Nuk është e domosdoshme të bëhet në të gjitha pjesët e namazit. Kështu bëhet nijeti i Haxhit, te veshja e Ihramit.
Nëse ndonjëri e kryen Haxhin për tjetrin, a ka shpërblim?
Përgjigjja:
Nuk ka shpërblim sa i përket Haxhit. Kjo sepse Haxhi është për filanin (tjetrin). Mirëpo njeriu, gjatë Haxhit bën veprime tjera të cilat nuk kanë të bëjnë me Haxhin. Ai falet në Qabe, namazi është për veten e tij, e jo për atë për të cilin e kryen Haxhin.
Lexon Kur’an në Qabe, pastaj edhe bën Tavaf nafile (vullnetar). Tavafi vullnetar dhe veprimet tjera nuk kërkohen për kryerjen e Haxhit, këto janë për veten e tij. Kur i lutet Zotit, kur e përmend Zotin, të gjitha këto veprime janë për veten e tij, ndërsa veprimet e Haxhit janë për atë për të cilin e kryen Haxhin.
A mund të shkoj në Haxh për tregti dhe për përfitime materiale?
Përgjigjja:
Në Hadith thuhet: “Veprat shpërblehen në bazë të qëllimit. Çdo njeri shpërblehet për qëllimin e tij.” Në këtë çështje vlen kjo çështje parimore për shumë raste.
Nëse qëllimi bazik është shkuarja për Haxh, atëherë nuk ka kurrfarë pengese që njëkohësisht Haxhiu të merret edhe me tregti, kështu që i bashkon të dy çështjet: Edhe Haxhin edhe tregtinë.
Kjo është njëjtë me ata të cilët shkojnë në shërbim të Haxhilerëve, siç është personi i stafit mjekësor, ose i stafit përgjegjës, apo institucioni për mbikëqyrje të Haxhilerëve. Ai e kryen edhe detyrën edhe Haxhin në të njëjtën kohë.
Nuk ka kurrfarë pengese në bashkimin e dy çështjeve. Shpërblimi është në bazë të nijetit, siç thotë Allahu i Madhërishëm:
“Nuk keni mëkat atëherë kur i kërkoni mirësitë nga Zoti juaj” (El-Bekare: 198).
Disa prej Sahabëve kanë menduar se njeriu nuk e ka të lejuar tregtinë gjatë Haxhit, ose kanë menduar se e kanë të ndaluar të shkojnë në treg, e kështu me radhë. Atëherë Allahu ua ka sqaruar atyre se nuk ka kurrfarë pengese për ato çështje.
Nëse qëllimi bazik është për Haxh, atëherë e merr shpërblimin e plotë të Haxhit.
Nëse qëllimi për Haxh është sekondar, pra Haxhi i bashkëngjitet tregtisë, atëherë e merr shpërblimin në masën sa e ka pasur qëllimin, nëse do Allahu.
A më lejohet të marr borxh për të kryer Haxhin?
Përgjigjja:
Ke të drejtë të veprosh ashtu, mirëpo Allahu nuk e ka ngarkuar që të marrë borxh për të kryer Haxhin.
Borxhi është brengë e natës dhe mërzi e ditës. Pejgamberi a.s. e ka mësuar Ummetin, që të kërkojnë mbrojtje prej Allahut nga borxhi i rëndë dhe nënshtrimi para njerëzve. Pejgamberi a.s. kërkonte mbrojtje prej Allahut të mos bënte mëkate dhe të mos ngarkohej me borxh. I kanë thënë: “Pse e parasheh që të kërkosh shumë mbrojtje nga Allahu nga ngarkesa e borxhit?” Ka thënë: “Njeriu kur të ngarkohet me borxhe, flet dhe gënjen, premton dhe tradhton (nuk e mban premtimin).”
Për këtë arsye nuk është e pëlqyer për muslimanin që ta lidhë veten e tij dhe ta burgosë veten e tij me borxhe. Por nëse e bën një veprim të tillë sepse e ka rastin e volitshëm dhe nuk mund të ketë një rast të dytë, ndërsa para vetes ka perspektivë dhe e di se do të jetë në gjendje për ta kthyer borxhin, nuk ka kurrfarë pengese dhe ndalese, ndërsa në të kundërtën, nuk i lejohet.
A mund të shkoj në Haxh ndërsa nëna nuk pajtohet?
Përgjigjja:
Obligimi i Haxhit është për atë i cili ka mundësi.
Nëna nuk e ka obligim Haxhin përderisa nuk posedon pasuri të veten për Haxh, ajo nuk e ka obligim Haxhin dhe Allahu nuk e ka ngarkuar atë. Po ashtu, nëna nuk e ka të drejtën që ta ngarkojë birin e saj për diçka çka nuk mundet, mirëpo nëse i biri ka mundësi të shkojë në Haxh, atij i bëhet obligative.
Kur njeriut i jepet mundësia për Haxh, ai duhet ta kryejë menjëherë dhe të mos e vonojë, siç figuron në Hadith: “Përshpejtoni (nxitoni) në kryerjen e Haxhit, sepse asnjëri nga ju nuk e di se çka mund t’i ndodhë të nesërmen.” Kjo nga shkaku se i shëndoshi mund të sëmuret, i riu plaket, i gjalli vdes, i pasuri mund të varfërohet.
Ai i cili e ka gjendjen e mirë ekonomike mund t’i vështirësohet në të ardhmen. Askush nuk e di se çka do të ndodhë në të ardhmen. “Njeriu nuk mund të dijë se çka do t’i ndodhë të nesërmen” (Llukman: 34). Për këtë arsye, njeriut kur t’i jepet mundësia, shkon i vetëm, dhe jo edhe me nënën e tij, ndërsa nënës së tij i thotë: “Nëse dëshiron Zoti (in sha Allah) do të mundohem që edhe për ty.”
Vetëm se, nëse ndien dhimbje dhe dëshiron ta gëzojë nënën, dëshiron të sillet mirë ndaj saj, dhe e vonon Haxhin për ndonjë rast tjetër, me shpresë (për të shkuar së bashku) për ndonjë rast tjetër, nuk mendoj se bën mëkat por e konsideroj veprim të mirë.
A lejohet Haxhi për të burgosurin dhe a duhet leje?
Përgjigjja:
Në Haxh kemi adhurimin fizik personal, të cilin njeriu duhet ta kryejë vetë për veten e tij.
Allahu i Madhërishëm në disa raste ka paraparë lehtësime ashtu që të kryhen disa adhurime në mënyrë të veçantë, si p.sh.: Njeriu vdes dhe nuk i është dhënë mundësia që ta kryejë farzin e Haxhit, posaçërisht në rastet kur ka pasur mundësi të shkojë në Haxh, por që më pastaj i është vështirësuar gjendja. Kështu që Allahu Famëlartë e ka lejuar që në vend të tij, Haxhin për të e kryen djali i tij apo ndonjë i afërm i tij.
Me Haxhin për të vdekurin, është edhe Haxhi për plakun i cili nuk ka mundësi të shkojë në kryerjen e Haxhit as me automjet dhe as me aeroplan, po ashtu nuk mund t’i kryejë obligimet e Haxhit as në këmbë dhe as duke e bartur.
Me të është edhe i sëmuri me sëmundje kronike i cili nuk mund të shërohet. Me të meta fizike si p.sh.: i çalë e të ngjashëm (të cilët nuk mund t’i kryejnë obligimet e Haxhit).
Sa i përket të burgosurit, ai nuk i takon kësaj kategorie. Kjo sepse Allahu mund t’ia mundëson që të lirohet nga burgu. Kështu që nga gjendja e jashtëzakonshme mund të kalojë në gjendje të zakonshme.
“Ne, kështu, i ndërrojmë ditët në mes njerëzve” (Ali Imran: 140).
Ne nuk mund t’i humbim shpresat për të nesërmen. Nuk duhet humbur kurrë besimin për diçka, pse “…vetëm populli jobesimtarë e humb shpresën në All-llahun.” (Jusuf: 87).
Nga kjo kuptojmë se analogjia e të burgosurit me plakun, ose me të sëmurin kronik është analogji e pabazë. Kjo analogji është e padrejtë dhe e pavend. Andaj nuk lejohet Haxhi për të burgosurin, qoftë me lejen e tij, qoftë pa lejen e tij.
A lejohet kryerja e Haxhit për personin i cili ka borxh në bankë, duke ditur se ai e ka për detyrë ta paguajë borxhin? Me fjalë të tjera: Cila është dispozita për atë i cili merret me tregti dhe ka borxhe tregtare, dhe ka borxh ndaj tregtarëve. A i lejohet të shkojë në Haxh?
Përgjigjja:
Nëse borxhi është borxh i cili duhet të paguhet me këste në bankë, ashtu që banka i ndalë nga paga e tij mujore, si p.sh.: Nëpërmjet bankës e ka blerë një automjet me këste. Ky mund të shkojë në Haxh, dhe nuk ka kurrfarë mëkati apo pengese.
Sa i përket borxhit tregtar, borxhi tregtar nuk konsiderohet pengesë për të shkuar në Haxh. Kjo nga shkaku se tregtari vazhdimisht është në aktivitet ku i kanë borxhe dhe ka borxhe. Me rëndësi është që t’i kenë atij më shumë borxhe se sa u ka borxh të tjerëve, ose së paku, sa u ka borxh të tjerëve, të tjerët t’i kenë borxh atij.
Pra, ai ka mundësi të shkojë në Haxh.
Kur të shkoj në Haxh, a mundem që t’i bëj dy Umre, një për babën dhe një për nënën?
Përgjigjja:
Nëse prindërit në të kaluarën gjatë jetës së tyre e kanë kryer Umren, nuk ka nevojë të bëhet Umre për ta. Por, nëse nuk kanë bërë Umre:
Disa dijetarë thonë: Umreja është vaxhib, për këtë arsye lejohet të bëhet Umre për ta.
Disa dijetarë thonë: Umreja nuk është vaxhib, andaj nuk duhet bërë Umre për ta. Kjo nga shkaku se askush nuk mund të kryejë vepër vullnetare për tjetrin. Por lejohet vetëm për detyra obligative (farze) ashtu që njeriu të çlirohet nga farzi kur të kryhet farzi për të. Pra lejohet për ata të cilët e parashohin se Umreja është vaxhib.
Ekzistojnë mendime të dijetarëve se: Njeriu, gjatë një udhëtimi nuk ka të drejtë të bëjë më shumë se një Umre. Disa dijetarë tjerë mendojnë se mund të bëhen më shumë se një Umre. Në këtë mendim vërejmë tolerancë dhe hapësirë për të bërë më shumë se një Umre.
A i nevojitet leja gruas nga burri i saj për të shkuar në Haxh? Disa gra janë të sprovuara nga burrat e tyre jo të devotshëm. Cili është ligji për të nëse ai me këmbëngulësi nuk e lejon?
Përgjigjja:
Gruaja duhet të kërkojë leje nga burri i saj, mirëpo nëse burri refuzon, dhe është Haxhi i parë për të, pra Haxhi farz, Haxhi Islam, ajo ka të drejtë të shkojë në Haxh pa lejen e burrit të saj. Kjo nga shkaku se ky Haxh është farz për të dhe është i patjetërsueshëm për të.
Haxhi është e drejtë prej të drejtave ndaj Zotit dhe obligimi i Zotit duhet të kryhet. Nuk dëgjohet krijesa, për të bërë mëkat ndaj Krijuesit. Kjo, ngase dëgjueshmëria ndaj burrit është obligim, por edhe Haxhi është obligim. Në këtë rast, burri nuk ka të drejtë ta pengojë kryerjen e farzit. Kjo është e ngjashme sikurse ta ndalonte të falet. Kjo nuk lejohet. Kështu që, nëse e ndalon nga Haxhi, Haxhi ka përparësi. Mirëpo nëse e ka kryer Haxhin e parë (farz), dhe dëshiron të shkojë në Haxh vullnetar, ajo nuk ka të drejtë të shkojë vetëm se me lejen e tij.
Nëse shkon në Haxh, patjetër se duhet të plotësojë kushtin e kujdestarit (dhe Mahremit). P.sh. është e patjetërsueshme të jetë me të djali, ose vëllai.
Disa dijetarë kanë thënë: Mjafton që të jetë në shoqëri me gra të besueshme.
Disa kanë thënë: Mjafton që të jetë në shoqëri me të një grua e besueshme.
Disa kanë thënë: Mjafton që rruga të jetë e sigurt.
Natyrisht, në të kaluarën ka qenë rrezik për femrën nga shkaku se udhëtimi ka qenë në vende shkretinore dhe nëpër lugina të rrezikshme, kështu që ka qenë rrezik për shëndetin fizik të gruas ashtu siç ka qenë frikë për reputacionin e saj. Për këtë arsye ka qenë e patjetërsueshme kujdestari, ose gratë besnike, ose një grua besnike, ose të ekzistojë siguria në rrugë.
A lejohet që të përdoren medikamente për të ndërprerë ciklin mujor, ashtu që të ketë mundësi t’i kryejë ritet e Haxhit?
Përgjigjja:
Sa i përket asaj se gruaja përdor medikamente për të vonuar ciklin mujor (menstruacionin). Nuk ka mëkat për këtë veprim. Kjo nga shkaku se: “Në esencë sendet dhe veprimet janë të lejuara, përderisa nuk ekziston ligj për ndalimin e tyre”. Në këtë rast nuk kemi ligj ndalimi.
Nuk ka kurrfarë pengese që të përdoren medikamente për të shkuar në Haxh, ashtu që të sigurohet në kryerjen e rregullave të Haxhit dhe të mos vonohet për asgjë.
A lejohet që të përdoren medikamente për të ndërprerë ciklin mujor, ashtu që të ketë mundësi t’i kryejë ritet e Umres?
Përgjigjja:
Lejohet për gratë, të përdorin medikamentet kur shkojnë në Umre, ashtu që menstruacioni të mos bëhet pengesë për kryerjen e Umres.
Ajo çka duhet të themi: “Nuk duhet përdorimi i medikamenteve të cilat shkaktojnë ndonjë dëm”. Mirëpo ne themi: “Me kushtin që të mos dëmtohet në të ardhmen”, siç ka thënë Pejgamberi a.s. “As mos dëmtoni dhe as mos u dëmtoni”. Njeriu nuk duhet ta dëmtojë veten e vet dhe të mos e dëmtojë tjetrin. Për këtë arsye duhet që për këtë çështje të konsultohet me mjekun, e të ngjashme.
Nëse nuk e merr atë veprim, dhe hyn në ciklin mujor (menstruacion), çështja është se nëse i vijnë menstruacionet pasi e ka bërë nijetin për Umre, dhe ka hyrë në Ihram për Umre, duhet të presë sa t’i përfundojë menstruacioni, e pastaj e kryen Umren. Kështu veprohet nëse ka hapësirë për të kryer Haxhin Temettu, në të kundërtën hyn në Umre të Haxhit dhe e kryen Haxhin Kiran (Umre dhe Haxh në të njëjtin Ihram). Pra, nëse ka mundësi para ditës së nëntë e kryen Umren, dhe llogaritet Haxh Temettu.
Përderisa, nëse nuk ka mundësi para ditës së nëntë, atëherë kalon në Haxh Kiran dhe thotë (e bën nijetin): “Zoti im, hyra në Ihram për Ty, për ta kryer Haxhin dhe Umren në të njëjtin Ihram”. Në këtë gjendje, i njëjti veprim vlen edhe për Haxhin edhe për Umren.
Nëse supozojmë se i vonohet menstruacioni edhe më shumë dhe nuk e kryen Tavafin Thelbësor, dhe pret ditën e parë të Bajramit të Kurbanit, ditën e dytë, ditën e tretë, e edhe më shumë, ndërsa ajo është e varur me Agjencinë e Haxhit të saj e cila i ka orët e numëruara, dhe ajo nuk mund të ndahet nga grupi i saj, po ashtu edhe mund t’i ikë fluturimi i aeroplanit, atëherë i lejohet asaj ta kryejë Tavafin me menstruacion. Kjo pasi të jetë e siguruar. Pra nuk bën mëkat.
Për atë e cila nuk e bën Tavafin Thelbësor, për shkak se i paraqitet cikli mujor (menstruacioni) para Tavafit Thelbësor, dhe ka frikë se grupi me të cilën ka shkuar në Haxh shkon para saj (në vendlindje). Si duhet të veprojë në këtë rast?
Disa dijetarë thonë: Ajo duhet të presë një deve apo një lopë Kurban. “Ajo nuk ka kurrfarë kompensimi”. Kjo, ngase ajo ka vepruar në bazë të mundësive. Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Frikësojuni Allahut me aq sa keni mundësi” (Et-Tegabun: 16).
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nëse ju urdhëroj për diçka, zbatojeni në bazë të mundësisë.” Kjo është ajo “mundësia”.
Dihet se kushti bie në rast pamundësie. Qëndrimi në këmbë në namaz është farz, mirëpo, nëse një njeri nuk mund të falet në këmbë, ai falet ulur. Nëse nuk mundet të falet ulur, falet i shtrirë.
Falësi duhet të falet me abdes. Nëse nuk ka ujë, merr Tejemum. Nëse nuk mund të marrë Tejemum, atëherë ai falet edhe pa abdes edhe pa Tejemum.
Falësi duhet të drejtohet në drejtim të Kibles. Nëse nuk mundet, Allahu thotë: “Të Allahut janë lindja dhe perëndimi, ngado që drejtoheni, jeni drejtuar kah Allahu” (El-Bekare: 115).
Kështu pra, kushti bie në rast pamundësie. Kjo është fjalë e drejtë, kështu duhet të japim fetva në kohën tonë, për atë të cilën i hyn koha dhe nuk mund të pastrohet. Ajo bën Tavaf edhe pse është me menstruacion dhe nuk ka pengesë. Pastaj i kërkon falje Allahut të Madhërishëm.
A e ka plotësuar Haxhin ai i cili vdes pas qëndrimit në Arafat?
Përgjigjja:
Ai i cili vdes pas ditës së Arafatit nuk e ka plotësuar Haxhin. Kjo nga shkaku se e ka të patjetërsueshëm Tavafin Thelbësor të Haxhit.
Të gjithë dijetarët janë dakorduar se Tavafi Thelbësor është kushti i dytë i Haxhit (pas Arafatit). Po që se shkon dhe e bën Tavafin e pastaj vdes, atëherë e ka plotësuar Haxhin. Kjo nga shkaku se i ka plotësuar dy kushtet themelore, e ato janë:
Qëndrimi në Arafat dhe
Tavafi Thelbësor: “Dhe le të bëjnë Tavafin në shtëpinë e lashtë.” (El-Haxh: 29)
Mirëpo ai shpërblehet për qëllimin (nijetin) e tij, dhe pozitën e tij se është brenda ligjeve të Haxhit dhe qëndrimi i tij në këtë vend të rëndësishëm. Për çështjen e Hixhretit, Allahu i Madhërishëm ka thënë: “E kush del prej shtëpisë së vet si migrues tek All-llahu dhe i dërguari i Tij, dhe e zë vdekja (në rrugë), ai e merr shpërblimin e merituar tek Allahu.” (Nisa: 100). Pejgamberi a.s. ka thënë: “Veprat shpërblehen në bazë të qëllimit (nijetit), çdo njeri shpërblehet se çfarë qëllimi (nijeti) ka pasë.”
Cili lloj i Haxhit është më i vlefshmi: Haxhi Temettu, Kiran apo Ifrad?
Përgjigjja:
Zoti i Madhërishëm në Kur’an thotë: “Kryejeni Haxhin dhe Umren vetëm për Zot.”
Haxhi në Islam është farz dhe shtyllë e Islamit.
Umreja është Sunet.
Haxhi kryhet vetëm në kohë të caktuar, pra në muajt e Haxhit.
Umreja kryhet gjatë gjithë vitit, pra, edhe gjatë muajve të Haxhit edhe në kohën e Haxhit.
Haxhi dhe Umreja mund të kryhen gjatë kohës së Haxhit.
Haxhi pa Umre është vetëm Haxh (Ifrad).
Haxhi me Umre në një pako quhet Haxhi Kiran dhe Haxhi Temettu.
Haxhi në një pako me një Ihram dhe me një rregullore të përbashkët quhet Haxh Kiran.
Haxhi në një pako por me kryerje të rregullave të Haxhit në vete dhe të Umres në vete quhet Haxh Temettu.
Nga kjo rezulton se: Tri lloje (rite të kryerjes së Haxhit) të Haxhit janë të ligjësuar dhe të pranuar:
- Haxhi Ifrad (vetëm Haxh, pa Umre).
- Haxhi Kiran (Haxhi dhe Umreja bashkarisht, me veshje të një Ihrami).
- Haxhi Temettu (Haxhi dhe Umreja të ndara, me veshje të dy Ihrameve veç e veç).
Disa thonë se Haxhi Ifrad është më i vlefshmi, nga shkaku se Ihrami mbahet pandërprerë dhe se gjatë këtij Haxhi ka vështirësi të shumta.
Disa thonë se Haxhi Kiran është më i vlefshmi. Haxhi Kiran është Haxhi të cilin e ka praktikuar Pejgamberi a.s. Pejgamberi a.s. e ka bashkangjitur Haxhin me Umren. Për këtë arsye disa kanë thënë se: Allahu pajtohet me Pejgamberin vetëm për atë çka është më e vlefshme dhe më e mira. Në të edhe Haxhi edhe Umreja shkojnë paralelisht së bashku, me një veshje të Ihramit sikurse në rastin e Haxhit Ifrad. Kështu qëndron për një kohë të gjatë dhe privohet nga ajo që tjerët e kanë të lejuar. Të qëndruarit në gjendje të çrregullt është e vështirë.
Disa kanë thënë se Haxhi Temettu është më i vlefshmi. Haxhi Temettu është Haxhi për të cilin Pejgamberi a.s. i ka urdhëruar shokët e tij ta kryejnë. Në rend të parë i ka urdhëruar që të çlirohen nga Haxhi Kiran dhe të veprojnë çështjet të cilat i kanë pasur të ndaluara gjatë Haxhit Kiran. Nga shkaku se kjo është më e lehtë, Pejgamberi kështu e ka përzgjedhur. Pejgamberi, çdo herë kur ka përzgjedhur në mes dy çështjeve e ka përzgjedhur më të lehtën, e cila nuk ka qenë mëkat, dhe ka thënë: “Po të mos e kisha përgatitur Kurbanin (Hedj), do të isha çliruar nga Ihrami së bashku me ju.” Kështu ai do të çlirohej nga Ihrami ashtu siç ishin çliruar Sahabët. Disa e kanë pyetur: “A mos është kjo posaçërisht për ne apo do të jetë rregull e përgjithmonshme?” Ka thënë: “Jo, kjo është përgjithmonë kështu që Umreja ka hyrë brenda Haxhit deri në Ditën e Gjykimit.”
Disa thonë se Haxhi Temettu është më i vlefshmi, nga shkaku se këtë e ka dëshiruar Pejgamberi a.s. E, Pejgamberi e dëshiron atë që është më e vlefshme (më e mira). Me këtë i ka urdhëruar Sahabët, ndërsa ai urdhëron atë çka është më e mira, e ajo çka është më e lehta. Kjo nga shkaku se çlirohet nga Ihrami i Umres, dhe njeriu qëndron i lirë me të gjitha çështjet për jetë. Kjo është mirësi prej Allahut dhe lehtësim për robërit e Tij.
Unë e preferoj Haxhin Temettu nga dy të tjerat, mirëpo secilin lloj të Haxhit të cilin e kryen Muslimani është i pranuar.
Disa fanatikë thonë: Pejgamberi ka urdhëruar Haxhin Temettu dhe nuk lejohen dy llojet tjera. Kjo është e papranueshme. Dijetarët janë dakorduar se çdonjërin prej llojeve të Haxhit të cilin e kryen Muslimani është i ligjësuar dhe i lejuar.
Si bëhet nijeti i Haxhit për tjetrin?
Përgjigjja:
Mjafton nijeti i parë tek Ihrami kur thotë: “Lebbejke Allahume për filanin…” dhe prej atij momenti, të gjitha veprimet e Haxhit janë për atë person (për të cilin e ka bërë nijetin).
Nuk është i domosdoshëm që ta thotë nijetin për çdo veprim të Haxhit. P.sh.:
Nuk është e domosdoshme nijeti te kryerja e Tavafit.
Nuk është i domosdoshëm nijeti te kryerja e Sa’jit.
Nuk është i domosdoshëm nijeti te qëndrimi në Arafat.
Nuk është i domosdoshëm nijeti te gjuajtja e gurëve e kështu me radhë.
Krahaso nijetin te rasti i namazit: Në namaz, nijeti kërkohet vetëm te Tekbiri i Ihramit (Tekbiri fillestar). Nuk është e domosdoshme të bëhet në të gjitha pjesët e namazit. P.sh.: Nuk bëhet nijeti gjatë Ruku-së, gjatë Sexhde-s e kështu me radhë. Kështu bëhet nijeti i Haxhit, te veshja e Ihramit.
Kur fillon dhe kur mbaron koha e Tekbireve të Teshrikut të Bajramit të Kurbanit?
Përgjigjja:
“Dhe madhëroni Allahun në (tre) ditët e caktuara (të Teshrikut)”; (Bekare: 203)
Juristët muslimanë kanë rënë dakord që Ditët e Teshrikut janë tre, porse ata ndajnë mendime të ndryshme nëse dita e Bajramit (dita e parë e Kurban Bajramit) është apo jo prej Ditëve të Teshrikut, ku mendimi më parësor është se ditët e Teshrikut janë ditët që vijnë menjëherë pas ditës së (parë të) Kurbanit dhe mbi këtë mendim veprojnë tanimë muslimanët në sezonin e kryerjes së Haxhit (pelegrinazhit të madh në Mekë).
Ditët e Teshrikut, dita e njëmbëdhjetë, e dymbëdhjetë dhe e trembëdhjetë e Dhulhixhes, janë tri ditët që vijnë pas ditës së Kurban Bajramit. Ditët e Teshrikut janë ditë feste. Ato janë ditë ngrënie, pirje dhe përmendje e Allahut, dhe shfaqjeje gëzimi dhe mbajtjeje të lidhjeve farefisnore.
Formula e Tekbirit është: “ALLAAHU EKBER, ALLAAHU EKBER, LAA ILAAHE IL-LALLAAH, ALLAAHU EKBER, ALLAAHU EKBER, UE LILAAHIL-HAMD”
Në lidhje me përmendjen e Allahut thotë: “Këtu futen përmendja e Allahut në therjen e Kurbaneve (d.m.th: Bismilah Allahu Ekber) dhe Tekbiret”.
Kur thuhet Tekbiri i Teshrikut?
Përgjigjja:
Thuhet prej ditës së parë të Dhulhixhes (nëntë ditë para Bajramit të Kurbanit) pastaj vazhdon në ditën e Arafatit e deri pas namazit të Ikindisë të ditës së katërt të Bajramit të Kurbanit. Ky Tekbir thuhet edhe para namazit edhe pas namazit, me fjalë tjera kur të duash (në çdo kohë).
Formula e Tekbirit të Teshrikut: “ALLAAHU EKBER, ALLAAHU EKBER, LAA ILAAHE IL-LALLAAAH, ALLAAHU EKBER, ALLAAHU EKBER, VE LILAAHIL-HAMD”
Kur fillon dhe kur mbaron koha e Tekbireve të Fitër Bajramit?
Përgjigjja:
Tekbiri është Sunet si për burra ashtu edhe për gra. Tekbiri bëhet në shtëpi. Tekbiri bëhet në xhami. Tekbiri bëhet në rrugë.
Koha e Tekbirit fillon me perëndimin e diellit, me fjalë të tjera me iftarin (kohën e Akshamit) e ditës së fundit të Ramazanit. Koha e Tekbirit përfundon me faljen e namazit të Fitër Bajramit.
Zoti i Madhërishëm thotë:
“…ashtu që, t’i plotësoni ditët e numëruara (të agjërimit) e ta madhëroni Allahun për atë që ju ka udhëzuar ashtu që të jeni falënderues.” (El-Bekare: 185)
Formula e Tekbirit është si në vijim: “All-llahu Ekber, All-llahu ekber. Laa ilahe il-lell-llahu Vall-llahu Ekber All-llahu ekber ve lil-lahil-hamd.”
Si të veproj nëse Kurbani ka qenë mbarsë?
Përgjigjja:
Ndodh që njeriu e blen një Kurban, dhe edhe shitësi edhe blerësi nuk e dinë se ajo kafshë është mbarsë.
Nëse ajo kafshë prehet për Kurban dhe rastësisht rezulton se ka qenë mbarsë, dhe foshnja (e vogla) e kafshës shpëton, atëherë për kundërvlerën e saj jepet sadaka, dhe kafsha e vogël rritet dhe shfrytëzohet.
Si duhet të veproj autorizuesi i therrjes së Kurbanit?
Përgjigjja:
Ata të cilët autorizojnë të tjerët për prerjen e Kurbanit (me fjalë të tjera, e kanë bërë pagesën në forma të ndryshme) është e parapëlqyer të veprojnë si në vijim:
- Të marrin abdes.
- T’i falin dy rekate nafile (vullnetare) namaz.
Të autorizuarit e presin Kurbanin brenda tri ditëve të Bajramit të Kurbanit.
Këto dy rekate nafile (vullnetare) mund të falen brenda tri ditëve të Bajramit të Kurbanit.
Pse e përmendim Allahun kur e therrim Kurbanin?
Përgjigjja:
Blegtoria është e rëndësishme për jetën e njeriut. Në çdo supermarket ekziston:
- Këndi i Mishit dhe produkteve të mishit dhe
- Këndi i qumështit dhe produkteve të qumështit.
Bagëtia është pjesë përbërëse e jetës së njeriut. Kjo mirësi që bagëtia t’i nënshtrohet njeriut është mirësi e Allahut. Duhet shprehur falënderim dhe Lavdërim ndaj Zotit për mirësitë prej Tij. Për këtë arsye, kur të therret Kurbani thuhet:
NË EMËR TË ALLAHUT, ALLAHU ËSHTË MË I MADHI, ZOTI IM, PREJ TEJE DHE PËR TY
“Bagëtinë dhe sakrifikimin e tyre e kemi bërë për ju si një nga simbolet dhe rregullat e ligjeve të Allahut, dhe ju keni dobi nga ato (Bagëtia). Prandaj:
– Përmendeni emrin e Allahut mbi ato, ndërsa i radhisni në këmbë (për t’i therur).
– Dhe kur të rrëzohet trupi i tyre (therren), hani prej (mishit të) tyre dhe
– Ushqeni edhe atë që lyp (të varfërin dhe nevojtarin),
– (Ushqeni) edhe atë që nuk lyp (të pasurin).
Kështu pra, Ne i kemi vënë ato (bagëtinë) në shërbimin tuaj, që ju të jeni falënderues.” (Haxh, 36)
Kurbani prehet për të mirën e njeriut, për t’u bërë njeriu i devotshëm dhe për të edukuar veten për sakrificën e kohës, për sakrificën e mundit dhe për sakrificën e të mirave materiale për të mirën e njeriut.
Për këtë arsye Allahu i Madhërishëm thotë: “Që të përjetojnë dobitë e tyre” (Haxh)
Si duhet vepruar me rastin e prerjes së Kurbanit?
Përgjigjja:
Para se të prehet kurbani është e parapëlqyer:
Të merret abdes.
Të falen dy rekate nafile namaz (këto dy rekate nafile mund të falen edhe pas prerjes së kurbanit).
Përcillet kurbani deri te vendi i prerjes.
Mjeti i prerjes duhet të jetë sa më shumë i mprehtë, me qëllim që prerja të bëhet sa më e shpejtë dhe kafshës të mos i shkaktohen mundime, sepse Muhamedi s.a.v.s. ka thënë: “Kur t’i preni kafshët, preni ashtu që të jetë më së lehti, më së shpejti dhe më së miri”.
Nuk është mirë që mjeti të mprihet në prezencën e kafshës.
Kurbani rrëzohet në krah të majtë.
Nëse ka mundësi, të kthehet në drejtim të Kibles (Qabes).
I lidhen tri, eventualisht të katërt këmbët.
Me dorën e majtë i kapet koka, ndërsa me dorën e djathtë bëhet prerja.
A është obligim mosshkurtimi i thonjve dhe flokëve për atë i cili ka vendosur të bëjë therjen e Kurbanit?
Përgjigjja:
Nuk është obligim (vaxhib) mosshkurtimi i thonjve dhe mosshkurtimi i flokëve për atë i cili ka vendosur të therë Kurban për Bajramin e Kurbanit.
Sikurse kemi lloje të ndryshme të namazit (dhe adhurimeve të tjera), kemi edhe lloje të ndryshme të Kurbanit.
Përpos llojeve të tjera të Kurbanit, kemi:
- Kurbanin Hedj dhe
- Kurbanin Ud-hije (Kurbani me rastin e Bajramit të Kurbanit).
1. Kurbani Hedj është Kurbani të cilin e ther Haxhiu dhuratë për shkak të bashkëngjitjes së Haxhit dhe Umres në të njëjtën kohë, të cilat në Sheriatin Islam quhen: Haxhi Kiranë dhe Temetuë. Kështu pra:
Kurbani hedj vaxhib është kurbani, të cilin e pret haxhiu kur kryen haxhin Temetuë dhe Kiranë, pa kryer ndonjë vepër të ndaluar gjatë mbajtjes së ihramit.
Nëse haxhiu gjatë kohës sa është në Ihram shkurton flokët ose i shkurton thonjtë, ai me atë rast ka kryer vepër të ndaluar i cili kërkon kompensim, kështu që, përpos Kurbanit Hedj të Haxhit Kiranë ose Temetuë, e ther edhe një Kurban Hedj për shkak të shkurtimit të flokëve ose për shkak të prerjes së thonjve.
Nëse haxhiu shkurton flokët për shkak të ndonjë sëmundjeje në kokë ose parfumohet për shkak të një domosdoshmërie, ose vesh rroba për shkak të domosdoshmërisë, ai ka të drejtë të zgjedhë në mes të kurbanit, ushqimit të gjashtë të varfërve ose agjërimit të tri ditëve. Kjo argumentohet me ajetin kur’anor:
“Dhe kush është i sëmurë ose ka dhembje në kokë e rruhet (apo i shkurton flokët), për atë shkak ai duhet të kompensojë me agjërim, sadaka ose kurban”. (El-Bekare, 196)
Po ashtu kemi hadithin e Muhamedit s.a.v.s., kur i thotë Keab bin Uxhres:
“A po të dhemb koka? Ai thotë – po. Muhamedi s.a.v.s. i thotë: “Shkurtoji flokët, dhe, ose preje një kurban, ose agjëro tri ditë, ose ushqeji një grup prej gjashtë personave të varfër”.
2. Kurbani Ud-hije nuk është Kurban i Haxhit Kiranë dhe as i Haxhit Temetuë, dallon në rregulla të therjes, si për shembull:
Prerja e kurbanit hedj e ka vendin vetëm në Mekë, Muzdelife dhe Minë, ndërsa në asnjë vend tjetër nuk lejohet të prehet, sepse hedj do të thotë të dhuruarit në vend të posaçëm, e ai vend është Meka.
Ku bëhet prerja e Kurbanit Ud-hije?
Përgjigjja:
Prerja e Kurbanit Ud-hije mund të bëhet në çdo vend të botës, edhe në Mekë.
Kush vendos të therë Kurbanin Ud-hije (në vendet tona) dhe i shkurton flokët ose shkurton thonjtë, nuk obligohet të therë dy Kurbanë sikurse me rastin e Haxhit Kiranë dhe Temetuë, por nëse vendos të mos i shkurtojë flokët dhe të mos i shkurtojë thonjtë, kjo është mendub (e parapëlqyer) dhe nuk bën asnjë vepër të ndaluar nëse i shkurton flokët apo i shkurton thonjtë.
Edhe ky lloj kurbani ndahet në dy lloje:
- Kurbani hedj vaxhib dhe
- Kurbani hedj nafile (vullnetar).
Ndërsa, kurbani hedj i demit (gjakut) është kurbani vaxhib për shkak të moskryerjes së ndonjë vaxhibi të haxhit, ose për shkak të kryerjes së ndonjë veprimi të ndaluar.
Siç po shihet, kurbani hedj vaxhib është për shumë arsye, e ato janë:
- Për shkak të kryerjes së haxhit Temetuë ose Kiran,
- Për shkak të moskryerjes së ndonjë vaxhibi dhe
- Për shkak të veprimit të ndalesave të caktuara.
Kurbani hedj është tri llojesh: Deve, lopë dhe bagëti.
Kurbani hedj nafile (vullnetar) quhet kurbani, të cilën e ther njeriu (haxhiu) vetëm për t’iu afruar Allahut pa e pasur vaxhib. Ky lloj kurbani është i parapëlqyer (mustehab) për atë, i cili ka vendosur të shkojë në haxh (Ifrad) ose në umre jashtë muajit të haxhit, pra dëshiron të dhurojë prej vetes së tij ndonjë kurban. Kjo argumentohet me veprimin e të Dërguari të Allahut s.a.v.s., i cili ka dhuruar njëqind deve kurban.
Në cilin vend bëhet therrja e Hedjit (Dhuratë)?
Përgjigjja:
Transmeton Xhabiri r.a. se Muhamedi s.a.v.s. ka thënë:
“Mina konsiderohet vend për therje të kurbanit hedj, Muzdelifeja konsiderohet vend për therje të kurbanit hedj dhe çdo kënd i Mekës konsiderohet vend për therje të kurbanit hedj”. (Ebu Davudi dhe Ibni Maxhe)
Cila është dispozita ligjore për atë i cili ka mundësi të presë kurban, sunet apo farz?
Përgjigjja:
Te shumica absolute e dijetarëve, kurbani është sunet.
Imam Ebu Hanife mendon se është vaxhib prerja e kurbanit për atë i cili ka mundësi.
Nga frika se të mos e konsideronin kurbanin Vaxhib, Ebu Bekri dhe Omeri nuk kanë prerë kurban.
Edhe pse është sunet i fortë për ata të cilët kanë mundësi, pasi nëpërmjet kurbanit krijohet mundësia e sigurimit të ushqimit për veten, për familjen dhe për të varfrit, pastaj edhe i rritet vlera e festave të muslimanëve përballë festave të idhujtarëve, pasi të prehet kurbani.
“Fale namazin për Zotin tënd, dhe there kurbanin”. (El-Kevther: 2).
A lejohet të ushqehesh nga Kurbani Hedj (Dhuratë)?
Përgjigjja:
Nëse kurbani hedj është për shkak të haxhit Temetuë ose Kiran, ose vullnetar, lejohet të ushqehet haxhiu prej mishit të atij kurbani.
Nëse kurbani hedj është për shkak të Ihsarit, gjakut, përbetimit ose kefareteve (dënimeve) të haxhit, nuk lejohet të ushqehet nga ai kurban, sepse është vërtetuar se Pejgamberi s.a.v.s. kur ka qenë i penguar ta kryejë haxhin, në vitin e Hudejbijes, ia ka dërguar kurbanet Nexhijete Eslemijut dhe i ka thënë: “Ti dhe bashkudhëtarët e tu të mos hani asgjë nga mishi i kurbanit hedj”.
Kur është koha e therjes së Kurbanit Hedj (Dhuratë)?
Përgjigjja:
Kurbani Hedj i haxhit Temetuë dhe Kiran nuk lejohet të prehet në kohë tjetër, pos prej pas faljes së Bajramit e deri në namazin e akshamit të ditës së tretë të Kurban Bajramit.
Kurbani hedj i llojeve të tjera si të kefareteve, nedhrit, i gjakut, etj. lejohen të prehen në çdo kohë, pra përveç tri ditëve të Kurban Bajramit, lejohen në çdo ditë tjetër të vitit, edhe pse më së miri është që të theret gjatë tri ditëve të Kurban Bajramit.
Hedji Nedhr është atëherë kur ndokush përbetohet se do të presë kurban e do t’i ushqejë të varfrit ose përbetohet se do të presë kurban, me fjalë të tjera, i premton Allahut bindshëm se do të presë kurban dhe do t’i ushqejë të varfrit.
Në Fitër Bajram, kur jepen fitrat, në vend të hurmave, elbit apo grurit, jepet kundërvlera me të holla siç është e njohur kundërvlera në 2 euro, 3 euro, 5 euro dhe 10 euro. Kjo për arsye se për të varfrin është më lehtë shfrytëzimi i të hollave për nevojat e veta për ushqim. Parashtrohet pyetja: A lejohet që të varfërit t’i jepen 120 euro në vend të Kurbanit dhe ai t’i shpenzojë ato të holla për nevoja të ndryshme ose edhe për nevoja ushqimore?
Përgjigjja:
Assesi nuk lejohet të paguhet kundërvlera në vend të prerjes së kurbanit. Mirëpo:
Lejohet që të autorizohet i varfëri që ta presë Kurbanin ashtu që i jepen të varfrit 140 euro dhe ai e blen Kurbanin në emër të atij i cili e ka autorizuar, pastaj i varfëri e prenë Kurbanin në emër të të autorizuarit dhe e konsumon mishin e atij Kurbani.
“Tek Allahu nuk shkon as mishi, as gjaku i tyre (Kurbaneve), por
Tek Allahu arrin devotshmëria e juaj. Kështu,
Ai i ka vënë ato (Bagëtinë) në shërbimin tuaj, që ju ta madhëroni Allahun sepse ju ka udhëzuar. Dhe përgëzoi vepërmirët”. (Haxh, 36).
Në cilat raste prehet Kurbani Hedj?
Përgjigjja:
Kurbani Hedj prehet në këto raste:
Nëse haxhiu kontakton seksualisht para qëndrimit në Arafat, haxhi i prishet, por përveç kësaj ai duhet të therë një dele kurban, e pastaj e kryen haxhin kaza në vitin tjetër.
Nëse haxhiu e kryen tavafin thelbësor xhunub, ose femra me menstruacione, ose në kohën e lehonisë.
Nëse haxhiu e kryen haxhin Kiranë dhe e kryen ndonjë gabim prej gabimeve të haxhit që obligon therjen e kurbanit, ai i ther dy kurbane, sepse haxhi i tij nuk është as Ifrad, as Temetuë, por Kiranë. P.sh. nëse rruhet apo i shkurton flokët para therjes së kurbanit, ai një kurban e pret për shkak të vonimit të vaxhibit dhe një tjetër për shkak se është në haxhin Kiranë. Pra, dënimi me një kurban Hedj për shkak të vonimit.
Veshja e rrobave, mbulimi i kokës, prerja e thonjve dhe të parfumuarit.
Nëse shkurton një të katërtën e flokëve e më shumë, ose një të katërtën e mjekrës e më shumë, ther një dele kurban.
Nëse në të njëjtën kohë i shkurton thonjtë e njërës këmbë ose të njërës dorë, e ther një dele kurban.
Nëse gjatë tavafit të umres, para rrotullimit të katërt, haxhiu kontakton seksualisht me bashkëshorten, e pret një dele kurban dhe i zhvleftësohet umreja dhe e bën kaza një umre tjetër, ndërsa nëse pas katër rrotullimeve kontakton seksualisht me bashkëshorten dhe para shkurtimit të flokëve, e pret një dele kurban hedj.
Kush i shkurton flokët apo rruhet pas tri ditëve të Kurban Bajramit, e ka vaxhib prerjen e kurbanit hedj.
Kush e bën tavafin thelbësor pas tri ditëve të Kurban Bajramit, vaxhib e ka prerjen e kurbanit hedj.
Kurbani hedj prehet për haxhin Temetuë dhe Kiran, ashtu siç kemi përmendur më parë.
Nëse haxhiu vendos ta kryejë haxhin Kiran, ai për çdo gabim pret dy kurbane hedj si dënim: një për haxhin e tij dhe një për umren e tij. Përveç nëse e tejkalon kufirin e Mikatit të Ihramit, atëherë ai e pret vetëm një dele kurban.
A e ka vaxhib udhëtari prerjen e Kurbanit?
Përgjigjja:
Në Sheriatin Islam: Udhëtar quhet personi i cili e kalon distancën prej 82 km. gjatësi e më shumë, pa marrë parasysh nëse atë udhëtim e kalon: duke ecur në këmbë, ose me mjet transportues si p.sh. me automjet, aeroplan etj., dhe pa marrë parasysh nëse ai udhëtim është i lehtë dhe komod apo i vështirë, dhe që pas udhëtimit, në vendin e destinimit qëndron më pak se 15 ditë.
Mjafton vetëm udhëtimi për të mos qenë obligative (vaxhib) prerja e Kurbanit.
Nëse gjatë tri ditëve të Kurban Bajramit një person e kalon këtë distancë prej 82 km e më shumë, nuk e ka obligim (vaxhib) prerjen e Kurbanit.
Ebu Bekri dhe Omeri r.a. kur kanë qenë udhëtarë, nuk kanë prerë Kurban.
Kujtojmë atë se në të kaluarën (ndoshta edhe sot) ka ndodhur që një person e ka kaluar distancën prej 1000 km e më shumë, për t’u kthyer në vendlindje, për të prerë Kurban, e që më pastaj, pasi e ka prerë Kurbanin dhe pas Kurban Bajramit, është kthyer në Kurbet.
Nuk themi se Kurbani i tillë nuk pranohet, por themi se ai Kurban për të është Kurban nafile (vullnetar), e jo Kurban vaxhib (obligativ), edhe pse e ka pasur vaxhib.
A prehet Kurbani natën e Bajramit?
Përgjigjja:
I vdekuri, para vdekjes:
- Ose ka lënë porosi (vasijet) të prehet Kurban për të,
- Ose nuk ka lënë porosi (vasijet) të prehet Kurban për të.
Për të vdekurin i cili ka lënë porosi, është vaxhib të prehet kurban për të, qoftë prind i vdekur, qoftë familjar i vdekur.
Për të vdekurin i cili nuk ka lënë porosi, nuk është vaxhib të prehet kurban për të, por nëse prehet, ai Kurban është Kurban nafile (vullnetar), qoftë prind i vdekur, qoftë familjar i vdekur.
I vdekuri, i cili para vdekjes ka lënë porosi (vasijet) që t’i prehet kurbani, ai vasijet (porosi) patjetër duhet t’i plotësohet dhe prehet kurbani për të në ditën e Kurban Bajramit, e jo natën e Bajramit, dhe mishi i atij kurbani shpërndahet në tërësi.
I vdekuri, i cili para vdekjes nuk ka lënë porosi (vasijet) që t’i prehet kurbani, prehet kurbani për të në ditën e Kurban Bajramit, e jo natën e Bajramit, dhe mishi i atij kurbani nuk shpërndahet në tërësi, por ndahet në tri pjesë dhe shpërndahet.
Kurbani për të gjallët theret prej ditës së parë e deri në ditën e tretë të Kurban Bajramit.
Kurbani për të vdekurit theret prej ditës së parë e deri në ditën e tretë të Kurban Bajramit.
Në Suretul “Kevther” Zoti i Madhërishëm ka thënë:
“Fe Sal-li li Rabbike venhar” që do të thotë: Fale namazin (e Bajramit) dhe there Kurbanin.
Nuk ka thënë:
“Venhar, Fe Sal-li li Rabbike” që do të kishte kuptimin: “There Kurbanin e pastaj fale namazin (e Bajramit)”.
Në Islam kemi dy festa vjetore:
Të dy festat ndërlidhen me humanizëm, mirësjellje, tolerancë dhe paqe.
Të dy festat kanë të bëjnë me kontributin e muslimanit për të tjerët në praktikë, e jo vetëm në teori.
Kjo dëshmon se përkrahja ndaj të tjerëve duhet të manifestohet në praktikë dhe jo vetëm në teori.
Në Fitër Bajram: Përkrahja ndaj të tjerëve manifestohet duke u dhënë mjete materiale për të fituar kënaqësinë e Allahut dhe për t’u afruar tek Ai.
Në Kurban Bajram: Përkrahja ndaj të tjerëve manifestohet duke sakrifikuar, e pastaj prej asaj sakrifice t’u jepet tjerëve, për të fituar kënaqësinë e Allahut dhe për t’u afruar tek Ai.
A lejohet të prehet Kurban kafsha e egër?
Përgjigjja:
Kemi:
- Kafshë shtëpiake dhe
- Kafshë të egra (jo shtëpiake).
Me fjalë të tjera:
- Dhi shtëpiake (të buta) dhe
- Dhi të egër.
Po ashtu:
- Buallica shtëpiake dhe
- Buallica të egra.
Lopë shtëpiake dhe Lopë jo-shtëpiake si p.sh. Bizonët etj.
Dhia e egër, Buallica e egër, Bizoni (Lopët e egra), kaprolli etj. janë kafshë të egra, mishi i të cilave mund të konsumohet, mirëpo edhe pse mishi i këtyre kafshëve të egra lejohet të konsumohet, nuk lejohen të prehen kurban, sepse Zoti i Lartmadhëruar ka thënë:
“Ne i kemi caktuar çdo populli vendtherjen (e kurbanit), që ta përmendin emrin e All-llahut, për arsye se i furnizoi ata me kafshët. Zoti juaj është një Zot, andaj vetëm Atij dorëzohuni, e përgëzo të dëgjueshmit”. (El-Haxh, 34)
Po ashtu nuk kemi dëgjuar se ndonjë prej Sahabëve të ketë prerë kurban prej kafshëve të egra.
Që kurbani të arrijë moshën e caktuar dhe të paraparë:
Delja dhe dhia duhet t’i kenë një vit të plotë e më shumë;
Lopa dhe buallica duhet t’i kenë dy vjet e më shumë;
Deveja duhet t’i ketë pesë vjet e më shumë.
Çfarë lejohet të prehet për Kurban?
Përgjigjja:
- Deveja pesë vjeçare;
- Lopa dy vjeçare;
- Buallica dy vjeçare;
- Qengji dash mbi gjashtë muaj që ka mish si delja një vjeçare;
- Dhia një vjeçare;
- Bagëtia e cila nuk ka brirë nga lindja;
- Bagëtia që nuk e ka një pjesë të bririt;
- Kafsha e tredhur, por më mirë është të mos jetë e tredhur.
Cilat kafshë janë mekruh të priten Kurban?
Përgjigjja:
Kafshët të cilat janë mekruh të prehen janë:
- Kafsha me veshë të shqyer;
- Kafsha me vesh të shpuar;
- Kafsha me një pjesë të bishtit të këputur;
- Kafsha e qethur.
Cili mish i Kurbanit është më i vlefshmi?
Përgjigjja:
Kurbani më i vlefshëm është: kurbani deve, pastaj lopë, pastaj dash, e pastaj cjap.
Kjo nëse kafshët kanë sasi të mishit të njëjtë. Fjala vjen, mishi i devesë për shtatë persona është 350 kg., ndërsa edhe lopa e ka sasinë e mishit 350 kg., dhe po ashtu shtatë desh, apo shtatë cjep, kanë 350 kg., dhe po ashtu shtatë dele apo shtatë dhi kanë 350 kg. Mirëpo:
Nëse shtatë kafshë të vogla kanë më shumë se 350 kg., më e vlefshme është mishi i tyre, sepse qëllimi i kurbanit është të ushqyerit e numrit sa më të madh të të varfërve.
Për sa Persona prehet Kurbani?
Përgjigjja:
Delja dhe dhia janë kurban për një person; Lopa, buallica dhe deveja për shtatë persona. Xhabiri r.a. ka thënë:
“E kemi kryer haxhin me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe e kemi therë një deve për shtatë vetë”. (Transmeton Ahmedi dhe Muslimi)
Kafsha e shtatë personave duhet të jetë i lidhur nijeti i të gjithëve për kurban, që do të thotë se nëse njëri pjesëmarrës në therje nuk ka për qëllim kurban, por vetëm mish të zakonshëm, e jo të kurbanit, nuk u lejohet gjashtë të tjerëve për kurban. Kurbani i tillë nuk vlen për asnjërin.
Kur është koha e therjes së Kurbanit?
Përgjigjja:
Gjatë tri ditëve të Kurban Bajramit bëhet prerja e kurbanit. Zoti i Lartmadhëruar thotë:
“(Vijnë) Për të qenë të pranishëm në dobitë e tyre dhe që ta përmendin All-llahun në ato ditë të caktuara (në shenjë falënderimi) dhe që i ka furnizuar me kafshë. Hani pra prej tyre (kurbaneve) dhe ushqeni të ngushtuarin e të varfrin”. (El-Haxh, 28)
Muhsiri i haxhit e pret kurbanin hedj vetëm në ditët e Kurban Bajramit, ndërsa Muhsiri hedj i umres e pret kur të dëshirojë gjatë tërë vitit.
Kush duhet ta realizojë therjen e Kurbanit?
Përgjigjja:
Personi, i cili e ka vaxhib prerjen e kurbanit, më së miri është ta realizojë prerjen personalisht. Transmetohet se Pejgamberi s.a.v.s. në Haxhin Lamtumirës ka vendosur t’i therë 100 deve kurban, prej tyre gjashtëdhjetë e disa i ka prerë me dorën e tij, ndërsa për të tjerat e ka autorizuar Aliun r.a.
Nëse ndokush nuk di apo nuk mundet, mirë është që së paku të prezantojë me rastin e therjes së kurbanit, sepse Muhamedi s.a.v.s. e ka këshilluar bijën e vet – Fatimën:
“Oj Fatime, shko dhe prezanto në vendin ku prehet kurbani për ty, për arsye se sapo të ndahet pika e parë e gjakut të kurbanit tënd, Allahu ka për t’i falur mëkatet.”
Nëse ndokush nuk ka mundësi të prezantojë, atëherë nuk prish punë që këtë ta realizojë personi të cilin e ka autorizuar.
Sa i përket të sakrifikuarit të kafshëve mund të jetë: të therurit e tyre që quhet nahr dhe të prerët e tyre që quhet dhib-h.
Therja (nahri) është për kafshën qafëgjatë, siç është deveja, ndërsa prerja (dhibhi) është për kafshët qafëshkurtra, siç janë: lopët, delet, dhitë dhe buallicat.
A lejohet që mishin e Kurbanit ta ndaj për veten time dhe për familjen?
Përgjigjja:
Vetëm prerja e Kurbanit është vaxhib, ndërsa shpërndarja e mishit të Kurbanit nuk është vaxhib.
Më së miri është që i gjithë kurbani të shpërndahet, por
Lejohet që edhe i tërë mishi të mbahet për vete dhe familjen.
Te rasti i sadekatul fitrit:
Edhe i varfëri e jep sadekatul fitrin.
Edhe i pasuri e jep sadekatul fitrin.
Te rasti i Kurbanit:
I pasuri merr pjesë nga Kurbani i tij.
I varfëri (por edhe i pasuri) mund të ndalë tërë mishin e Kurbanit për veten e tij, sepse prerja është vaxhib (Obligim), ndërsa shpërndarja nuk është vaxhib, por është e parapëlqyer. Me një fjalë, nuk duhet të krijohet përshtypja se është vaxhib (obligative) shpërndarja e mishit të Kurbanit.
Është e parapëlqyer që mishi i Kurbanit të ndahet në tri pjesë:
- Një pjesë t’u ndahet të varfërve,
- Një pjesë t’u ndahet të afërmve dhe fqinjëve,
- Një pjesë të ndahet për familjen e tij.
Lëkura e kurbanit nuk lejohet të shitet, por jepet sadaka. Po ashtu, therësi nuk lejohet të paguhet me lëkurën si dëmshpërblim të therjes, apo me mish të kurbanit.
Çfarë duhet të veprohet para therjes së Kurbanit?
Përgjigjja:
Kush e dërgon devenë deri te vendi i therjes, nëse është i detyruar të hipë në të, hipën, e nëse nuk ka nevojë të hipë në deve, nuk hipën deri te vendi i therjes, sepse atë e ka ekskluzivisht të pastër vetëm për Allahun. Përveç nëse e kërkon nevoja, siç ka qenë rasti kur Pejgamberi s.a.v.s. e ka parë një njeri të dobët dhe të paaftë duke e dërguar devenë deri te vendtherja, e i thotë: “Hip në të”.
Nëse lopa apo delja kanë qumësht, nuk milen, nëse është në pyetje pak para ditës së Bajramit; por nëse ka ende shumë ditë para ditës së Bajramit, milen lopët e delet, por qumështi i tyre, i tëri, jepet sadaka ose kundërvlera e qumështit të tyre jepet sadaka.
Aliu r.a. ka thënë: “Jep sadaka lëkurën dhe mos i jep kasapit asgjë prej saj (por paguaje posaçërisht)”.
A lejohet kurbani për të burgosurin pa marrë parasysh me porosinë e tij, apo pa porosinë e tij?
Përgjigjja:
Nëse i burgosuri posedon pasuri, mund të porosisë tjetrin që të blejë kurban dhe të pritet për të (për të burgosurin).
Është e patjetërsueshme të ekzistojë porosia prej tij, pasi që nuk lejohet për askënd të veprojë në pasurinë e tjetrit pa porosinë e tij.
Si bëhet nijeti dhe cilën lutje duhet bërë para prerjes së Kurbanit?
Përgjigjja:
“Vexhehtu vexhhije lil-ledhi feteras-semavati vel-erda ve ma ene minel mushrikinë. Inne salatij ve nusukij ve mehjaje vel memati lil-lahi rabbil alemijne. La sherike lehu ve bidhalike umirtu ve ene evvelul muslimine. Bismilahi, Allahumme minke ve leke an-nij ve ehli Muhamedin ve umetihi”.
Në gjuhën shqipe do të thotë:
“Fytyrën (personalitetin-autoritetin) time e kam orientuar dhe drejtuar te Ai, i Cili ka krijuar qiejt dhe tokën, e unë assesi nuk jam prej idhujtarëve.
Nuk ka dyshim se namazi im, kurbani (dhe dhurimi im), po ashtu e tërë jeta ime dhe vdekja ime janë vetëm për Allahun, Krijues të gjithë botëve.
Atij, nuk lejohet t’i bëhet idhujtari, e për këtë jam i urdhëruar dhe unë jam prej të parëve i cili dorëzohem dhe jam musliman.
Bismilah, O Zoti im, prej Teje dhe për Ty, këtë kurban e ther për Ademin, familjen e tij, për familjen e Muhamedit dhe për umetin e tij”.
A lejohet të ndalësh i gjithë mishi për vete?
Po lejohet, sepse vetëm prerja e Kurbanit është vaxhib, ndërsa shpërndarja e mishit nuk është vaxhib.
Si bëhet shpërndarja e mishit të Kurbanit?
Përgjigjja:
Kjo formë e ndarjes buron nga Sahabët r.a.
Ibn Omeri ka thënë: “Kurbani dhuratë dhe kurbani ndahet në tri pjesë: një e treta për ty, një e treta për të afërmit, dhe një e treta për të varfrit.”
Nuk dihet se ndonjëri prej Sahabëve e ka kundërshtuar këtë mendim.
Nuk është e domosdoshme që secila pjesë prej tri pjesëve të jetë 33.3%, ashtu që të mos ketë më pak se 33.3%, në ndonjë pjesë, e as më shumë se 33.3%, në pjesën tjetër.
Ndarja bëhet në pjesë:
- Një pjesë për muslimanin (veten) dhe familjen,
- Një pjesë për të afërmit dhe shokët,
- Një pjesë për të varfrit.
Nuk është e domosdoshme që të jenë të tri pjesët e barabarta në përqindje.
Lejohet: një pjesë 40%; një pjesë 30% dhe një pjesë tjetër 30%.
Lejohet një pjesë 50%; një pjesë 25% dhe një pjesë tjetër 25%.
Pjesa më e madhe përcaktohet për të varfrit.
Me rëndësi është që të varfrit të kenë një pjesë, dhe për të afërmit një pjesë, ngaqë qëllimi është që gëzimi të jetë gjithëpërfshirës.
Lejohet t’u dërgohet mish atyre. Kjo çështje ka prioritet.
Te disa dijetarë ndarja në tri pjesë është vaxhib, për t’i furnizuar të varfrit me mish.
Lejohet të organizohet aheng, dhe t’i thërrasin të varfrit në atë aheng. Ky veprim është i mirë. I fton fqinjët, shokët, familjarët. Edhe kjo mund të organizohet.
T’u dërgohet mish të varfërve që ata të organizohen vetë.
Ta shpërndash mishin si lëmoshë dhe vetëm sa për një shujtë e ndanë për vete.
Lejohet të konsumohet i tërë mishi i kurbanit për vete, dhe vetëm pak shpërndanë për t’u realizuar fjala e Allahut për të dhuruar mish: “Ushqehuni prej saj (prej mishit të kurbanit) dhe ushqejeni të varfrin e skajshëm.” (el-Haxh: 28).
Kanë thënë: “Nëse e konsumon kurbanin në tërësi vetë, dhe e jep vetëm një pjesë mishi, lejohet”. Kjo nga shkaku se ushqimi i të tjerëve dhe konsumimi i mishit në vetvete është urdhër i papërcaktuar.
Ai e arrin qëllimin edhe nëse e jep lëmoshë edhe nëse e konsumon vetë (mishin e kurbanit).
Çfarë kuptimi ka dita e Tervijes?
Përgjigjja:
Dita e “Tervijes” është dita e 8-të e Muajit të Dhul Hixhes.
Dita e “Tervijes” është njëra prej ditëve për të cilën është betuar Zoti i Madhërishëm.
Betimi i Zotit për këtë ditë tregon për rëndësinë dhe vlerën e kësaj dite.
Në esencë, kjo ditë është pikënisja e haxhilerëve nga vendi ku është nisur Ibrahimi për ta bërë Kurban Ismailin. Me fjalë të tjera, haxhilerët bëhen gati, i marrin masat e nevojshme për ushqim etj., etj., për të qëndruar në ditën e nesërme (Ditën e 9-të) në ARAFAT, pastaj për të bujtur në Muzdelife, ashtu që në mëngjesin e ditës së Bajramit të Kurbanit (Ditën e 10-të) shkojnë për t’i gjuajtur gurët në Minë, dhe në fund, në ditën e Bajramit shkojnë dhe e bëjnë Tavafin Thelbësor në Qabe.
Edhe pse haxhilerët nga e gjithë bota, nga dita e parë e muajit të haxhit (Dhul-Hixhes) janë tubuar në Mekë, tani vazhdojnë t’i kryejnë ritualet e haxhit.
Ekziston mundësia që nga sot edhe nga vendi ynë që ndokush të shkojë në Mekë, e bën Tavafin (ose të Umres) ose Tavafin Fillestar dhe e kryen njërin prej llojeve të haxhit Ifrad ose Kiran dhe i bashkëngjitet Karvanit të haxhilerëve të cilët i kanë bërë përgatitjet e nevojshme për të shkuar për të qëndruar në ARAFAT.
Kemi dëgjuar: “Për hajr Dita e Arafatit”, “Për hajr Dita e Kurbanit”. Tani është koha të themi: “Për hajr Dita e Tervijes” (Dita e Përgatitjes).
A prehet Kurban për nënën?
Përgjigjja:
Nëse nëna është nën përkujdesjen tënde, me fjalë të tjera nuk ka të siguruara mjete materiale vetanake, si p.sh. nuk ka të siguruar pension, rrogë, ose mjete të biznesit, ajo është nën përkujdesjen tënde. Nuk e ke për obligim të presësh kurban për të (për nënën), vetëm nëse dëshiron e pren edhe një kurban nafile (vullnetar). Kjo është analoge me namazin nafile, agjërimin nafile etj. Mirëpo, nëse nëna ka të ardhura vetanake si pension etj., atëherë ajo vetë e ka vaxhib të presë kurban për veten e saj, ndërsa ju vetëm jeni i autorizuar, pra e ekzekutoni prerjen e kurbanit prej të ardhurave të saj.
Vërejtje: Nuk ka të bëjë me atë se a jeton me ju në një banesë (familje). Ajo është familje në vete (e vetme) edhe pse jeton me ju.
Cilat janë dhjetë ditët e vlefshme të Dhul Hixhes?
Përgjigjja:
Ditët e Dhul Hixhes janë dhjetë ditët e para të muajit Dhul Hixhe. Për këtë janë dakorduar dijetarët.
Dita e Tervijës është dita e tetë. Për këtë janë dakorduar dijetarët.
Dita e Arafatit është dita e nëntë. Për këtë janë dakorduar dijetarët.
Dita e Nahrit është dita e dhjetë. Për këtë janë dakorduar dijetarët.
Cilat janë ditët e Teshrikut?
Përgjigjja:
Për ditët e Teshrikut dihet se janë tri ditë. Kjo, duke u bazuar në ajetin Kur’anor: “All-llahun përmendeni në ditët e caktuara”. (El Bekare, 203)
Me këto tri ditë ndërlidhet festa e Bajramit të Kurbanit, rrjedhimisht edhe therrja e Kurbanit.
Për këto tri ditë dijetarët kanë dhënë dy mendime:
Mendimi i parë: Janë tri ditë së bashku me ditën e dhjetë të Dhul-Hixhës. Në bazë të këtij mendimi Bajrami i Kurbanit është tri ditë (jo katër ditë).
Mendimi i dytë: Janë tri ditë pas ditës së dhjetë të Dhul-Hixhës. Në bazë të këtij mendimi, Bajrami i Kurbanit është katër ditë. Në Takvimet tona e vërejmë si në vijim:
Dita e parë e Kurban Bajramit
Dita e dytë e Kurban Bajramit
Dita e tretë e Kurban Bajramit
Dita e katërt e Kurban Bajramit
Përveç kësaj, në ditën e katërt pas namazit farz të Ikindisë ndërpritet “Tekbiri Teshrik Mukajed” (i përcaktuar). Rrjedhimisht ndërpritet festa e Bajramit të Kurbanit, rrjedhimisht edhe koha e therjes së Kurbanit.
Vërejtje: Në librin tim “Kurbani” edhe unë e kam shkruar se koha e therjes së Kurbanit është deri në ditën e tretë të Bajramit të Kurbanit, por përderisa tek ne i përmbahen mendimit se koha e Tekbirit të Teshrikut dhe i përmbahen mendimit se Bajrami i ka katër ditë, atëherë i jam përmbajtur këtij mendimi se edhe koha e therjes së kurbanit është katër ditë.
Çfarë nënkupton Kurbani për një familje?
Përgjigjja:
Sikurse kemi namaz farz dhe namaz nafile (vullnetar), sikurse kemi agjërim farz (Ramazani) dhe agjërim vullnetar, ashtu kemi edhe kurban vaxhib dhe kurban vullnetar.
Kurbani nuk përcaktohet për një person por për një familje, që do të thotë se nëse e pren një Kurban, e ke prerë edhe për familjen – me këtë rast edhe për bebën.
Pasi të lind bebja, e pren kurbanin e quajtur Akikë, i cili kurban është posaçërisht vetëm për bebën.
Nëse sot pren edhe për bebën, do të thotë se nuk e ke për detyrë, por vetëm dëshiron kurban nafile (vullnetar), njësoj sikurse jepet sadakaja pas dhënies së zekatit. Sadakanë nuk e ke për detyrë, por nëse jep sadaka është mirë. Njësoj mund të themi edhe për bebën, nëse pren kurban për të, kjo i bie sikurse je duke dhënë sadaka për të.
Sa ditë është Bajrami i Fitrit?
Përgjigjja:
Një ditë.
E, sa ditë është Bajrami i Kurbanit?
Një ditë.
Në këto ditë nuk lejohet agjërimi.
Pas ditës së parë të Bajramit të Fitrit mund të fillohet agjërimi i ditëve të Shevalit, agjërimi i ditëve Kaza (Kada) dhe i llojeve të tjera të agjërimit.
Pas ditës së parë të Bajramit të Kurbanit mund të fillohet agjërimi i ditëve Kaza (Kada) dhe i llojeve të tjera të agjërimit.
Çfarë nënkuptojmë Kurban për një familje?
Përgjigjja:
Kemi:
- Familje në kuptim të ngushtë dhe
- Familje në kuptim të gjerë.
Familja në kuptim të ngushtë janë: Nëna, Babai dhe p.sh. tre fëmijët e tyre.
Familja në kuptim të gjerë janë: Nëna, Babai dhe p.sh. djali i madh i martuar dhe dy fëmijët e tjerë.
Në rastin e parë: Babai e ka obligim një Kurban për pesë anëtarë (për familje në kuptim të ngushtë).
Në rastin e dytë: Babai e ka obligim një kurban për familje, ndërsa djali i martuar është familje në vete se ai veç është martuar dhe është ndarë nga qeliza e familjes dhe ka kaluar në rreth të gjerë të familjes. Edhe pse jetojnë brenda një kulmi, priten dy kurbanë se tani janë dy familje (nuk konsiderohet një familje).
Me një fjalë:
Çifti bashkëshortor me fëmijë është familje e ngushtë, ndërsa
Çifti bashkëshortor, kur ta martojnë fëmijën, fëmija është shndërruar në familje në vete dhe ai e ka për obligim Kurbanin në vete (kuptohet nëse i plotëson kushtet e Kurbanit).
Në momentin kur ndonjë fëmijë martohet, ajo është familje në kuptim të gjerë dhe nëse i plotësojnë kushtet, i prejnë dy kurbanë se tani llogariten dy familje.
Vërejtje: Në të kaluarën në një shtëpi kanë jetuar 30 anëtarë, ndërsa 5 vëllezër kanë qenë të martuar dhe i kanë pasur nga 5-6 fëmijë. Në këtë rast nuk kemi një familje, por 6 familje (duke e konsideruar nënën dhe babanë e tyre familje në vete).
A pritet Kurbani për prindin e vdekur?
Përgjigjja:
Në Medhhebin tonë Hanefij, Kurbani është vaxhib për personin i cili ka mundësi të therë Kurban.
Nga kjo mund të konstatojmë se kemi dy raste:
Rasti i parë:
Pritet Kurban për prindin e vdekur i cili ka pasur mundësi të therë Kurban dhe nuk ka therë.
Rasti i dytë:
Nuk pritet Kurban për prindin e vdekur i cili nuk ka pasur mundësi të therë Kurban.
Arsyetim:
Sa i përket Rastit të parë: bazohemi në atë se: Kur një Grua, e cila kishte dashur të shkonte në haxh për nënën e saj, së cilës i kishte vdekur nëna pa e kryer haxhin, e kishte pyetur pejgamberin a.s.: “A të shkoj në haxh për të?”
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Çfarë mendon, po të kishte nëna jote borxh, a do ta kishe kryer borxhin për të!? “Borxhi i Allahut ka prioritet që t’i kryhet”.
Pra, në këtë rast i kryhet borxhi (Vaxhib) ndaj Allahut të cilin nuk e ka kryer prindi i vdekur.
Prindi mund të ketë porositur të pritet Kurban për të para vdekjes dhe prindi i cili nuk ka porositur të pritet Kurban para vdekjes. Në të dy nënrastet pritet Kurban për të nga pasuria e tij e trashëguar, por edhe nga pasuria e fëmijës të Tij.
Nëse një prind 10 vjet e ka pasur borxh kurbanin dhe 10 vjet nuk e ka prerë Kurbanin, atëherë brenda një Bajrami të Kurbanit mund të priten 10 Kurbanë për atë prind të vdekur. Për të larë borxhin e tij dhe për ta çliruar prindin e vdekur nga borxhi të cilin nuk e ka kryer.
(Për të qenë obligim prerja e kurbanit, duhet që personi t’i ketë pasur të siguruar: ushqimin, veshmbathjen, vendstrehimin dhe sasi monetare në vlerë të NISABIT – 91 gr. ari.)
Sa i përket Rastit të dytë: Nuk pritet Kurban për prindin e vdekur i cili nuk ka pasur mundësi të therë Kurban. Kjo nga shkaku se askush nuk mund të kryejë vepër vullnetare për tjetrin, sepse ai prind i cili ka vdekur nuk e ka pasur borxh.
Si mund të veprojmë në këtë rast?
Mund të jepet sadaka për të, mund të prehet një dele edhe në ditën e Kurbanit por pritet si një dele e zakonshme pa e bërë nijet për Kurban, ose edhe mund të blihet një dele e prerë ose edhe mund të blihet mish në mishtore, por edhe mund t’i jepet sadaka (në të holla) për prindin e vdekur, por jo në emër të Kurbanit, sepse ai prind i vdekur nuk e ka pasur vaxhib (obligim) Kurbanin dhe nuk ka nevojë të çlirohet për diçka nga e cila është i çliruar.
Vërejtje: Ka dallim në mes të kurbanit dhe prerjes së deles, dhe dhënies sadaka pa e konsideruar Kurban, e cila dele mund të pritet gjatë 365 ditëve të vitit, e cila dele nuk është Kurban në kuptim të adhurimit.
Sa ditë zgjat koha e prerjes së Kurbanit?
Përgjigjja:
Ismaili ishte bërë gati të bëhej Kurban. Ibrahimi ishte bërë gati ta bënte djalin (Ismailin) Kurban. Babë e bir në kulminacionin e devotshmërisë.
Xhibrili e kishte sjellë dashin nga xheneti, i cili ishte dashi i Habilit, i cili dash ishte ngritur nga toka në xhenet, të cilin Kurban ia kishte pranuar Zoti i Madhërishëm.
Xhibrili e fillon me shprehjen: “ALLAHU EKBER, ALLAHU EKBER”
Ibrahimi e vazhdon: “LA ILAHE IL-LALLAH, ALLAHU EKBER”
Ismaili e përfundon: “ALLAHU EKBER, VE LILAHIL-HAMD”
Kjo ka ndodhur në lindjen e diellit të ditës së Bajramit (e cila quhet Jevmul-Nahr), pastaj vazhdojnë edhe tri ditë të cilat quhen: Ditët e Teshrikut, e që veprohen dy veprime:
Edhe tri ditë (përveç ditës së Bajramit) thuhen Tekbiret e Teshrikut në formulimin: “ALLAHU EKBER, ALLAHU EKBER, (thënia e Xhibrilit a.s) LA ILAHE IL-LALLAH, ALLAHU EKBER, (thënia e Ibrahimit a.s.) ALLAHU EKBER VE LILAHIL-HAMD” (Thënia e Ismailit a.s.).
Edhe tri ditë (përveç ditës së Bajramit) është koha e therjes së Kurbanit.
Koha e therjes së Kurbanit: Nuk është vetëm në ditën e parë të Bajramit, por deri në ditën e katërt kur të thërrasë Ezani i Akshamit (ose në ditën e tretë të Bajramit të Kurbanit kur thërret ezani i akshamit).
Cili është kuptimi i Tekbirit të Teshrikut?
Përgjigjja:
Xhibrili e kishte sjellë kurbanin nga xheneti me qëllim për të mos u therur Ismaili. E vërejti Ibrahimin a.s. se ishte bërë gati për ta therë birin e tij kurban, nga frika se do të vonohet, me zë të lartë bërtiti: “All-llahu ekber, All-llahu ekber”.
Andaj, kur Ibrahimi a.s. ndjeu zërin dhe e pa Xhibrilin a.s., tha: “La Ilahe il-lall-llahu vall-llahu ekber”.
E kur Ismaili a.s. mori vesh se therja e tij për kurban do të zëvendësohet me therjen e një kafshe, tha: “All-llahu ekber ve lil-lahil hamdu”
Tekbiri i teshrikut është vaxhib pas faljes së çdo farzi ajn (farz personal), si për burra ashtu edhe për femrat, vetmas apo me xhemat, eda apo kaza. Gratë tekbirin teshrik e citojnë me zë të ulët.
Çfarë nënkupton një lopë për shtatë persona?
Përgjigjja:
Një lopë nuk është për shtatë persona, por për shtatë familje, sepse një Kurban (dele) prehet për një familje, qofshin edhe shtatë persona në atë familje, dhe nuk është njëjtë sikurse me rastin e zekatul fitrit ku jepet fitri për secilin person të familjes.
Nëse shtatë familje nga shtatë persona nga shtatë kontinente dakordohen të presin një lopë Kurban, mund ta prejnë një lopë për shtatë familje, të cilat familje i kanë 48 persona. Po të ishte në pyetje zekatul fitri, do të duhej t’i paguanin 48 fitra, pra për secilin person të familjes. Ndërsa në këtë rast e prejnë vetëm një lopë për shtatë familje me 48 persona.
Çfarë konsiderohet familje dhe çfarë konsiderohet përkujdesje?
Përgjigjja:
Ka dallim në mes të familjes për të cilën është vaxhib të prehet një Kurban dhe ata të cilët i ke nën përkujdesje, për të cilët nuk prehet Kurban, por konsiderohen brenda kornizës familjare, për të cilët një Kurban vlen edhe për ta.
Familje konsiderohet çdo anëtar nga loza e poshtme dhe nga loza e epërme të cilët i ke në përkujdesje, me fjalë të tjera i ke në përgjegjësi për furnizim me ushqim, veshmbathje dhe vendstrehim.
Nëna dhe baba nuk konsiderohen familje nëse ata kanë të ardhura vetanake dhe ata kanë mbi 5000 euro para të gatshme, përveç ushqimit, veshmbathjes dhe vendstrehimit. Ti nuk pren Kurban për ta, por ata prejnë Kurban nga të ardhurat e tyre.
Djali i martuar dhe vajza e martuar nuk konsiderohen familje (janë shkëputur nga loza, janë familje në vete) nëse ata kanë të ardhura vetanake dhe ata kanë mbi 5000 euro para të gatshme, përveç ushqimit, veshmbathjes dhe vendstrehimit.
Nëse një person është përgjegjës për përkujdesjen e prindërve dhe fëmijëve të cilët nuk kanë të ardhura vetanake, edhe po t’i posedonte 1 milion euro, e ka vaxhib vetëm një Kurban.
Nëse prindërit kanë të ardhura vetanake dhe para të gatshme mbi 5000 euro, edhe pse jetojnë së bashku, edhe prindërit e kanë vaxhib prerjen e Kurbanit (nga të ardhurat e tyre, jo nga të ardhurat e tuaja).
Cili është dallimi në mes të therjes së kafshës dhe prerjes së Kafshës?
Përgjigjja:
Fjala Therje e Kurbanit (Nahr) përdoret për Therjen e Devesë.
Fjala Prerje e Kurbanit (Dhibh) përdoret për prerjen e Bagëtive: Lopëve, Deleve e kështu me radhë…
Cila është dispozita e leximit të Kur’anit (një pjese të Kur’anit) pa i lëvizur buzët?
Përgjigjja: Lejohet të shikohet në Kur’an (Mus’haf) pa lexuar, por me qëllim të meditimit, analizës dhe të kuptimit të domethënieve, mirëpo kjo nuk llogaritet lexim. Hadithin: “Lexojeni Kur’anin sepse Kurani ndërmjetëson për ju në ditën e gjykimit”, dijetarët e kanë deklaruar se: “Lexim konsiderohet atëherë kur lëvizin buzët”. Leximi i Kur’anit me sy pa i lëvizur buzët nuk llogaritet lexim, por është vetëm meditim dhe nuk shpërblehet njeriu me shpërblimin e leximit. Kjo vlen edhe në namaz; nuk lexohet Kur’ani në namaz, p.sh. Suretu Fatiha dhe suret e namazit pa i lëvizur buzët.
A lejohet leximi i Kur’anit, po ashtu edhe dëgjimi i Kur’anit nga mjetet elektronike, incizimet, shtrirë, edhe nëse të zë gjumi dhe leximi i Kur’anit ka vazhduar?
Përgjigjja:
Po, lejohet të lexohen pjesët e Kur’anit përmendësh kur je i shtrirë në shtrat. Po ashtu, lejohet dëgjimi i Kur’anit shtrirë në shtrat. Po ashtu, është e lejuar edhe nëse të zë gjumi dhe ka vazhduar leximi i Kur’anit nga Radio, TV, Interneti, etj., p.sh. Surja Bekare zgjat dy orë, mirëpo ti mundesh ta dëgjosh një pjesë shtrirë, pastaj të zë gjumi dhe vazhdon leximi i Kur’anit nga mjeti elektronik.
Vërejtje: Mirë është që shtatzënat sa më shumë të dëgjojnë Kur’an nga mjetet elektronike, edhe nëse i zë gjumi. Por nëse lexojnë vetë, mirë është të lexojnë me zë, ashtu që edhe foshnja të dëgjojë leximin e Kur’anit.
A lejohet që gruaja të lexojë Kur’an shtrirë apo e mbështetur?
Përgjigjja:
Po, lejohet dhe pranohet leximi i Kur’anit edhe shtrirë edhe mbështetur.
Jam femër. A më lejohet leximi i Kur’anit pa hixhab?
Përgjigjja:
Po, lejohet leximi i Kur’anit pa Hixhab, nga shkaku se leximi i Kur’anit, edhe pse njëkohësisht është edhe adhurim, nuk është namaz. Kështu që nuk kushtëzohet hixhabi gjatë leximit të Kur’anit, sikurse kushtëzohet në namaz.
A më lejohet leximi i Kur’anit shtrirë në dyshek?
Përgjigjja:
Po, lejohet leximi i Kur’anit edhe ulur në dyshek por edhe shtrirë në dyshek.
A lejohet leximi i Kur’anit duke mos u kthyer në drejtim të Kibles?
Përgjigjja:
Leximi i Kur’anit nuk është namaz, kështu që nuk kushtëzohet kthimi në drejtim të Kibles gjatë leximit të Kur’anit.
A llogaritet Hatme e Kur’anit leximi në Tabletë (Kompjuterike)?
Përgjigjja:
Leximi i Kur’anit prej Suretu Fatiha deri në Suretu Nas, pa marrë parasysh nëse ai lexim bëhet në letër (Në Mus’haf), në Tabletë (Kompjuterike), në kompjuter apo në mobil, quhet Hatme dhe llogaritet Hatme e Kur’anit.
Kush është i pari i cili e ka përdorur fjalën Bismil-Lahirr-Rrahmanirr-Rrahimë?
Përgjigjja:
I pari i cili e ka përdorur fjalën “Bismil-Lahirr-Rrahmanirr-Rrahimë” është Sulejmani a.s. kur ia ka dërguar letrën mbretëreshës Belkis. Mbretëresha Belkis është model i diplomacisë ndërkombëtare. Belkisja u ka thënë këshilltarëve, ministrave dhe deputetëve të popullit të saj: “O ju shtresa e lartë, më ka ardhur një letër me vlerë dhe e rëndësishme. Është dërguar nga pejgamberi i Allahut, Sulejmani, i cili është mbret fisnik”. Kjo letër është nga pejgamberi Sulejman dhe fillon me: Bismil-Lahirr-Rrahmanirr-Rrahimë – “Në emër të Zotit, Bamirësit të përgjithshëm, Mëshiruesit.” Në fjalën “Bismil-Lah” është fakti për të treguar se Zoti ekziston. Në fjalën “Bismil-Lah” është dëshmia se është vetëm një Zot. Në fjalën “Bismil-Lah” shprehet fuqia dhe mëshira e Zotit. Në fjalën “Bismil-Lah” ndalohet arroganca e cila është pengesë për t’u realizuar e drejta. Në fjalën “Bismil-Lah” shprehet ndalesa e pabesimit. Në fjalën “Bismil-Lah” urdhërohet për përqafimin e Islamit.
A bëhet RUKJE me Kur’an?
Përgjigjja:
Suretul IHLAS është një e treta e Kur’anit, që do të thotë se nëse e lexon tri herë: “KUL HUVELL-LLAHU EHAD, ALLAHUS-SAMED, LEM JELID, VE LEM JULED, VE LEM JEKUN LEHU KUFUVEN EHAD”, e ke shpërblimin e leximit të gjithë KUR’ANIT. Po ashtu, nëse e lexon Suren Fatiha-h, e ke lexuar bazën dhe thelbin e Kur’anit. Andaj: Atë pjesë të Kur’anit të cilën e lexon për veten tënde është më efektive se sa atë të cilën e lexon tjetri për ty.
A lejohet leximi i Kur’anit për të vdekurin?
Përgjigjja:
Për të dhënë përgjigjen, po ta jap një shembull: Ishte vendosur xhenazja para xhematit. Imami u thotë xhematit: “Tani do ta falim namazin e xhenazes së këtij të vdekuri. Pasi ta bëni nijetin dhe pas tekbirit, këndoni: “Fatiha-n” (për këtë të vdekur).” Pasi e fali (e falin) namazin e xhenazes, Imami i tha Xhematit: “Mos këndoni Jasin-a (Sure e Kur’anit) për të vdekurin se është haram.” (Kishte “harruar” se një minutë para kësaj kohe u kishte thënë: “Këndone Fatiha-n (Sure e Kur’anit) për këtë të vdekur.”) Njëri prej familjarëve tha: “Dëshirojmë të bëjmë Duanë e Hatmës për këtë të vdekur sepse ne familjarët e këtij të vdekuri e kemi kënduar një Hatme nga mbrëmë – pasi ka vdekur ky familjari ynë.” Imami tha: “Haram është të këndohet Hatme për të vdekurin”, ndërsa kishte harruar se Fatiha jo vetëm se është pjesë e Kur’anit, por është edhe baza dhe thelbi i Kur’anit, ndërsa Jasini është zemra e Kur’anit.
Cila sure është pa Bismilah dhe cila sure është me dy Bismilah?
Përgjigjja:
Sure Tevbe fillon pa Bismilah, ndërsa Sure Neml edhe në fillim të sures e ka Bismilahi-n edhe në brendësi të saj e ka Bismilahi-n.
A llogaritet leximi i Kur’anit vetëm me sy pa i lëvizur buzët?
Përgjigjja: Të shikuarit e pjesëve vetëm me sy nuk llogaritet lexim. Ndërsa nëse është për qëllim përsëritja për të mbajtur në mendje, llogaritet shpërblim, por jo lexim. Lexim llogaritet vetëm atëherë kur bëhet leximi i Kur’anit me lëvizjen e buzëve.
A lejohet leximi i Kur’anit pa abdes?
Përgjigjja:
Po. Lejohet leximi i Kur’anit edhe pa abdes.
Cila është sureja më e gjatë në Kur’an?
Sureja më e gjatë në Kur’an është Suretul Bekare.
Cila është sureja më e shkurtër në Kur’an?
Sureja më e shkurtër në Kur’an: Suretul Kevther.
Cila është pija më e mirë e përmendur në Kur’an?
Pija më e mirë e përmendur në Kur’an: Qumështi.
Cili është ushqimi më i mirë i përmendur në Kur’an?
Ushqimi më i mirë i përmendur në Kur’an: Mjalti.
Cili është ajeti më madhështor në Kur’an?
Ajeti më madhështor në Kur’an: Ajetul Kursija.
Cili është ajeti më i gjatë në Kur’an?
Ajeti më i gjatë: El-Bekare, 282.
Cili është ajeti më i shkurtër në Kur’an?
Ajeti më i shkurtër: Err-Rrahman, 64.
Cili është numri më i madh i përmendur në Kur’an?
Numri më i madh i përmendur në Kur’an: Numri 100 000.
Cila është fjala më e gjatë e përmendur në Kur’an?
Fjala më e gjatë e përmendur në Kur’an: Eskajnakumuhu (Hixhr, 22).
Cila shkronjë është përmendur më së shumti në Kur’an?
Shkronja më së shumti e përsëritur në Kur’an: Shkronja “Elif”.
Cila shkronjë është përmendur më së paku në Kur’an?
Shkronja më së paku e përsëritur në Kur’an: Shkronja “Dha”.
Cila është nata më e mirë e përmendur në Kur’an?
Nata më e mirë e përmendur në Kur’an: Nata e Lejletul Kadrit.
Cili është muaji më i vlefshëm i përmendur në Kur’an?
Muaji më i vlefshëm i përmendur në Kur’an: Muaji i Ramazanit.
Cila është gjallesa më e madhe e përmendur në Kur’an?
Gjallesa më e madhe e përmendur në Kur’an: Balena.
Cila është gjallesa më e vogël e përmendur në Kur’an?
Gjallesa më e vogël e përmendur në Kur’an: Mushka (mushkonja).
Cila është Sureja më e vlefshme përmendur në Kur’an?
Sureja më e vlefshme përmendur në Kur’an: Suretul Fatiha.
Cili është xhuzi me më së shumti sure në Kur’an?
Xhuzi me më së shumti sure në Kur’an: Xhuzi i tridhjetë.
Në cilën sure përmenden më së shumti të mirat e Zotit?
Sureja në të cilën më së shumti përmenden të mirat e Zotit:
Suretu en-Nahl.
Cila sure përbëhet me më së shumti përbetime në Kur’an?
Sureja e cila më së shumti ka përbetime: Suretu esh-Shems.
Cili emër i bukur i Allahut është përmendur më së shumti në Kur’an?
Emri i bukur i Zotit i cili është përmendur më së shumti në Kur’an: Emri Allah.
Cili emër i pejgamberit është përmendur më së shumti në Kur’an?
Emri i pejgamberit të cilit më së shumti i është përmendur në Kur’an: Emri Musa.
Cili është emër i pejgamberit i cili është përmendur më së paku në Kur’an?
Emri i pejgamberit të cilit i është përmendur emri më së paku në Kur’an: Eljesai, Iljas, Dhul-Kifli dhe Idrisi a.s.
Cili është fryti i përmendur më së shumti në Kur’an?
Fryti i cili është përmendur më së shumti në Kur’an: Rrushi.
Cili është dhikri më i mirë i përmendur në Kur’an?
Dhikri më i mirë i përmendur në Kur’an: Leximi i Kur’anit.
Cili është personi më i pasur i përmendur në Kur’an?
Personi më i pasur të cilin e tregon Kurani: Karuni.
KAPITULLI I SHTATË: TË NDRYSHME
Çfarë kuptimi ka fjala: LA HAVLE VE LA KUVVETE IL-LAA BIL-LAAH?
Përgjigjja:
Kjo përmendje për Zotin është thesar prej thesareve të Xhenetit dhe ka kuptimin: transformimin dhe ndryshimin, me fjalë të tjera: kalimin nga një situatë në një situatë tjetër apo kalimin nga një gjendje në një gjendje tjetër. Nga kjo kuptojmë se: Kalimi nga një gjendje në gjendje tjetër bëhet vetëm prej Zotit. Ndryshimi nga një situatë në një situatë tjetër bëhet vetëm prej Zotit. Me fjalë të tjera: Kalimi nga sëmundja në shërim mund të bëhet vetëm me vullnetin e Zotit. Kalimi nga varfëria në gjendje të mirë mund të bëhet vetëm me vullnetin e Zotit. Kalimi nga gjendje e vështirë në qetësi mund të bëhet vetëm me vullnetin e Zotit. Kalimi nga gjendja e keqe në të mirë mund të bëhet vetëm me vullnetin e Zotit.
A është mevludi bidat?
Përgjigjja:
Mevludi nuk është Bid’at. Bid’at është të flasësh për ligjet e Allahut pa dituri. Bid’at është të mos e kuptosh konceptin e Bid’atit. Bid’at është të ndalosh atë që nuk e ka ndaluar Allahu. Bid’at është të ndalosh atë që nuk e ka ndaluar i dërguari i Allahut. Bid’at është t’i vendosësh çështjet sekondare në çështje primare. Bid’at është t’i vendosësh çështjet joprioritare në çështje prioritare. Bid’at është kur adetin e konsideron ibadet.
Çfarë do të thotë Mevlud?
Përgjigjja:
Mevlud do të thotë lindje, pra dita e lindjes. E çfarë do të thotë Mevludi?
Biografia e Muhamedit a.s. Biografia e Muhamedit a.s. tregohet në Xhami, në Shkolla, në tubime, por edhe me vargje letrare, si me poezi, me poema, e kështu me radhë.
A është Bidat festimi i ditës së Pejgamberit?
Me festimin e ditës së Pejgamberit shprehim dashurinë për të. Dashuria shprehet me fjalë dhe me vepra. Sa i përket me fjalë, dërgojmë salavate. Sa i përket me vepra, e pasojmë atë në jetë. Dashuria ndaj tij është prej Imanit, ndërsa urrejtja ndaj tij është kufër dhe hipokrizi, bile nuk plotësohet Imani i robit, derisa ta dojë Pejgamberin a.s. më shumë se pasurinë, fëmijët dhe veten e tij. Mevludi është festimi i ditëlindjes së Pejgamberit Muhammed. Kur përkujtohet ditëlindja, e cila përkujtohet në 12 Rebi’ul-Evvel, muaji i tretë në kalendarin hixhri. “Thuaj: Nëse e doni Allahun, atëherë më pasoni mua dhe Allahu do t’ju dojë dhe do t’ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë dhe që mëshiron shumë.”
A lejohet biseda telefonike për t’u fejuar dy të rinj?
Përgjigjja:
Në kohën bashkëkohore ekzistojnë mjetet elektronike (Tel., Mob., Fb, etj.) për bisedim në mes të pamartuarëve të cilët dëshirojnë të martohen. Në të kaluarën kanë ekzistuar ndërmjetësit (Msitët dhe Jo-msitët – me fjalë të tjera motrat, vëllezërit, shoqet etj.). Nëse qëllimi është për të kuptuar sa më shumë cilësitë dhe virtytet e njëri-tjetrit, nuk është mëkat të bisedojnë dhe të shkruajnë. Mëkati bëhet mëkat vetëm nëse tejkalohen kufijtë e bisedave dhe qëllimet jo të sinqerta, përndryshe nuk është obligative t’u ndërpritet mënyra e komunikimit në mes tyre. Ndërsa: shpjegimi, sqarimi, këshillimi, sugjerimi është i mirë në çdo rast, e të mos flasim kur është për një çështje madhështore siç është fejesa dhe martesa. Vërejtje: Të fejuarit nuk mund të veçohen dhe të bisedojnë pa qenë prezent një i tretë pranë tyre. Por në kohë të sodit edhe para fejesës mund të komunikojnë për martesë dy të rinj fizikisht, duke qenë prezent një person i tretë. Ndërsa komunikimi indirekt me mjete të komunikimit si p.sh. me telefon bëhet dhe nuk është mëkat (pa qenë personi i tretë) nëse qëllimi është të njihen sa më shumë dy të pamartuar për qëllim fejese dhe martese.
A mund të blejë banesë me kamatë?
Përgjigjja:
Të gjitha ndërtesat (banesat në ato ndërtesa) ndërtohen me mjete (para) të kamatës. Kjo do të thotë se shoqëria vepron me kamatë ndërsa personi është i detyruar të veprojë me kamatë pa dëshirën e tij. Në këtë rast vlen rregulli fikh-or: “Domosdoshmëria e lejon të ndaluarën”.
A më lejohet që të blej banesë me kamatë?
Përgjigjja:
Në Perëndim (në gurbet) derisa bisedoja me gurbetqarët dhe kur thosha se ju lejohet të blini banesa me kamatë, thoshin se është e ndaluar. Unë i pyesja: Ku banoni? “Në banesë me qira” – më përgjigjeshin. Unë u thosha: “Pronari ka hyrë në kredi me kamatë e ka blerë atë banesë (ku banoni ju) dhe tani ju ia paguani qiranë dhe me qiranë e juaj ai e paguan këstin e kredisë (me kamatë) dhe pas dhjetë vjetësh ai e blenë edhe një banesë dhe e jep me qira. Kështu që ju jeni në minus një banesë, ndërsa ai pronari është me plus një banesë. Si do që të jetë: I lejohet t’ia shesë atë banesë, edhe pse ai blerësi e lë në hipotekë për të marrë kredi me kamatë. Në këtë rast Shitësi nuk ka kurrfarë mëkati, pse ia shet blerësit, edhe pse blerësi i ka obligimet apo marrëveshjet me bankën, etj. Unë tregova rastin se lejohet edhe me kamatë të blejë, e të mos flasim t’ia shesë shitësit i cili e blenë me para të kredisë me kamatë.
Si ndahet trashëgimia e gruas?
Përgjigjja:
Një pjesë e dijetarëve e parashohin se as’habul furud e kanë të drejtën e Rimarrjes (Red) pa përjashtim, baba, djali apo gruaja. Një pjesë e dijetarëve e parashohin se as’habul furud e kanë të drejtën e Rimarrjes (Red) me përjashtim të gruas, ajo ka të drejtë vetëm Farzin dhe jo Rimarrjen. Kjo ngaqë gruaja është trashëgimtare e shkakut dhe nuk është trashëgimtare e gjakut. Unë i jap prioritet mendimit të parë, gruaja e merr edhe pjesën Red (Rimarrje). I kemi dy varianta: Rasti i parë: Po supozojmë ndodh aksident: Burri vdes në vendin e ngjarjes, gruaja (e vejë me të cilën është martuar dhe ka djalë) vdes në spital. Gruas i takon 1/4 pasi i ka vdekur burri, ndërsa ajo 1/4 shkon te djali i saj (te djali i të vejës). Rasti i dytë: Po supozojmë se ndodhë një aksident: Nëse ndodhë e kundërta, ashtu që: Gruaja vdes në vendin e ngjarjes ndërsa burri në spital, atëherë gruas nuk i takon 1/4, ngaqë burri i saj ka vdekur pas gjysmë ore apo pas disa minutave të vdekjes së saj, kështu që në këtë rast djali i të vejës nuk merr asgjë.
Si bëhet trashëgimia e dy vëllezërve me katër motra?
Përgjigjja:
Nëse janë dy banesa secila me vlerë 100 mijë euro, 2 vëllezër e 4 motra trashëgojnë kështu:
1. Vëllai i parë 50.000 euro.
2. Vëllai i dytë 50.000 euro. (Një banesë 100.000 euro).
1. Motra e parë 25000 euro.
2. Motra e dytë 25000 euro.
3. Motra e tretë 25000 euro.
4. Motra e katërt 25000 euro. (Një banesë 100.000 euro).
Nëse vëllezërit dëshirojnë të marrin nga një banesë, që të dy duhet t’u japin motrave nga 50.000 euro. Vëllai i parë i jep 50.000 euro. Vëllai i dytë i jep 50 000 euro. E pastaj motrat i ndajnë nga 25 000 euro.
A ka të drejtë për testament trashëguesi?
Përgjigjja:
Testamenti edhe sot është i ligjësuar, mirëpo pasi që kanë zbritur ajetet e trashëgimisë të cilat në mënyrë të përpiktë caktojnë se cilit sa i takon, atëherë Ligji i testamentit është zëvendësuar me ligjin e trashëgimisë. E kjo do të thotë se: Kush trashëgon nuk ka të drejtë testamenti. Kush nuk trashëgon ka të drejtë testamenti. Për shembull: Ahmedi i ka dy djem, Hasanin dhe Husejnin, të dy të martuar dhe të dy kanë nga një fëmijë. Hasani vdes, pastaj vdes Ahmedi. Prindi Ahmed trashëgohet vetëm nga Husejni, ndërsa fëmija i Hasanit nuk ka të drejtë trashëgimie. Trashëgimia e djalit të Hasanit zëvendësohet me të drejtën e testamentit. Me një fjalë: Kush është i afërm trashëgimtar nuk ka të drejtë testamenti. Kush është i afërm jo-trashëgimtar ka të drejtë testamenti. Prindërit gjithmonë kanë të drejtë trashëgimie, për këtë arsye nuk kanë të drejtë testamenti. Kur të jenë prindërit dhe gjyshërit, gjyshërve u takon testamenti. Nipërit dhe mbesat kanë të drejtë testamenti, kur nuk u vjen radha e së drejtës së trashëgimisë. Fëmijët, djem e vajza, gjithmonë kanë të drejtë trashëgimie, për këtë arsye nuk kanë të drejtë testamenti. Pas këtyre, të afërmit tjerë kanë të drejtë testamenti sepse ata janë të afërm më të largët se prindërit dhe fëmijët. Ajeti i testamentit vlen vetëm për jo-trashëgimtarët dhe nuk vlen për trashëgimtarët sepse ajeti i trashëgimisë e ka shfuqizuar ajetin e testamentit për trashëgimtarët.
A trashëgon motra sa gjysma e motrës?
Përgjigjja:
Motra trashëgon më shumë se motra! Si është e mundur, asnjëherë nuk kam dëgjuar një gjë të tillë? Ja po të tregoj: Kemi tri lloje të motrave: Motër prej nëne dhe prej babai; Motër prej nëne dhe Motër prej babai. Nëse i vdekuri lë pas vetes një motër prej babait dhe një motër prej nënës, atëherë motra prej nënës trashëgon 1/2 (një të dytën), ndërsa motra (motrat) prej babait trashëgon 1/6 (një të gjashtën) për të plotësuar (të dyja së bashku) 2/3 (dy të tretat).
A trashëgon motra sa vëllai?
Përgjigjja:
Motra trashëgon aq sa trashëgon vëllai. Si është e mundur, asnjëherë nuk kam dëgjuar një gjë të tillë? Ja po të tregoj: Nëse i vdekuri nuk lë pas vetes lozën e epërme mashkullore dhe lozën e poshtme, atëherë vëllai prej nënës ose motra prej nënës, secili prej tyre trashëgon nga 1/6 (një e gjashta). Argument për kësaj është ajeti Kur’anor:
“…Në qoftë se (i vdekuri) është mashkull ose femër, e trashëgohet nga ndonjë i largët (ngase s’ka as prindër as fëmijë) po ka një vëlla ose një motër (nga nëna), atëherë secilit prej tyre i takon një e gjashta…).” (En-Nisa, 12).
A trashëgon motra sa vëllai?
Përgjigjja:
Ka rast ku vëllai merr hise të barabartë me motrën. Nëse e vdekura lë pas vetes burrin, nënën, një vëlla prej babait dhe një motër prej babait, atëherë ndarja bëhet kështu: Burri trashëgon 1/2 (një të dytën); Nëna trashëgon 1/6 (një të gjashtën). Motra prej babait dhe vëllai prej babait marrin pjesë të barabarta prej sasisë së 1/3 (një të tretës), pra secili nga 1/6 (një e gjashta), që do të thotë se mashkulli dhe femra marrin pjesë të barabarta.
A mund të bëhet sexhde falënderimi edhe pa abdes?
Përgjigjja:
Sexhde falënderimi bëhet edhe pa abdes, edhe pse është e pëlqyeshme të bëhet me abdes.
A mund të kërkohet një Umre (ose Haxh) si shumë të mehrit?
Përgjigjja:
Mehri Muaxhel (i menjëhershëm) në thelb duhet të determinohet si Mehr me të holla të gatshme apo me dorëzimin e mallit të menjëhershëm, që quhet “KESH” me para të gatshme. Mehri Muexhel (i mëvonshëm) ndahet në: Mehr (Muaxhel) të mëvonshëm të afatizuar dhe Mehr (Muaxhel) të mëvonshëm të paafatizuar. Në rastin konkret: Umreja mund të afatizohet brenda 3 vitesh ose Umreja mund të mos afatizohet dhe mund të realizohet kur t’i jepet mundësia, me fjalë të tjera nuk përcaktohet.
Cili do të jetë ushqimi i parë në Xhenet?
Përgjigjja: Ushqimi i parë në Xhenet: Mëlçia e Balenës.
Kush është i pari i cili e ka thirrur Ezani-n në qiell?
Përgjigjja: I pari i cili e ka thirrur ezanin në qiell është Xhibrili.
Kush është i pari i cili ka thënë Subhane Rabbiel Eala?
Përgjigjja: I pari i cili ka thënë: Subhane Rabbiel Eala është Israfili.
Kush është i pari i cili e ka përdorur sapunin?
Përgjigjja: I pari i cili e ka prodhuar sapunin është Sulejmani a.s.
Çfarë është e para të cilën e ka krijuar Zoti?
Përgjigjja: E para çka ka krijuar Zoti është Lapsi.
Kush është i pari i cili ka hipur në Kalë?
Përgjigjja: I pari i cili ka hipur në Kalë është Ismaili a.s.
Kush është i pari i cili e ka vendosur mbulesën e Qabës?
Përgjigjja: I pari i cili i ka vendosur mbulesë Qabës është Mbreti Tubei, pastaj Qaben e ka mbuluar edhe Pejgamberi a.s.
Kush është i pari i cili e ka bërë Sa’jin?
Përgjigjja: E para e cila e ka bërë Sa’jin, ecjen në mes të kodrinës Safa dhe Merva, është Haxherja.
Kush është i pari i cili e ka përdorur fjalën Bismil-Lahirr-Rrahmanirr-Rrahimë?
Përgjigjja: I pari i cili e ka përdorur fjalën “Bismil-Lahirr-Rrahmanirr-Rrahimë” është Sulejmani a.s. kur ia ka dërguar letrën mbretëreshës Belkisë.
Kush është i pari i cili e ka përdorur lapsin?
Përgjigjja: I pari i cili e ka përdorur lapsin është Idrisi a.s.
Kush është i pari i cili e ka përdorur përshëndetjen Esselamu Alejkum?
Përgjigjja: I pari i cili e ka përdorur përshëndetjen Esselamu Alejkum është Ademi a.s.
Cila është dita e parë të cilën e ka krijuar Zoti?
Përgjigjja: Ditën e parë të cilën e ka krijuar Zoti është dita e Hënë.
Kush është i pari i cili e ka kërkuar vdekjen?
Përgjigjja: I pari i cili e ka kërkuar vdekjen është Jusufi a.s.
Cili është namazi i parë të cilin e ka falur Pejgamberi a.s.?
Përgjigjja: Namazin e parë të cilin e ka falur Pejgamberi a.s. është Namazi i Drekës.
Cili është i pari i cili e ka përcaktuar ditën 12 orëshe?
Përgjigjja: I pari i cili e ka përcaktuar ditën 12 orëshe është Nuhu a.s.
Kush janë të parët të cilët e kanë bërë Tavaf Qaben?
Përgjigjja: Të parët të cilët kanë bërë Tavaf rreth Qabës janë Melaqet.
Kush është i pari i cili e ka parë në ëndërr thirrjen e Ezanit?
Përgjigjja: I pari i cili e ka parë në ëndërr thirrjen e Ezanit është Abdullah bin Zejd el Ensariju.
Kush është i pari i cili e ka thirrur Ezanin?
Përgjigjja: I pari i cili e ka thirrur Ezanin është Bilalli r.a.
Kush është dëshmorja e parë në Islam?
Përgjigjja: Dëshmorja e parë në Islam është femër, Sumeja.
Kush është i pari i cili është betuar rrejshëm?
Përgjigjja: Iblisi është i pari i cili është betuar rrejshëm. Ademi ka menduar se askush nuk betohet në Allahun rrejshëm dhe i ka besuar. Këtë e tregon Kur’ani, ku Iblisi i thotë Ademit dhe Havasë: “Është betuar para tyre duke ju thënë: Vërtetë unë jam prej këshilltarëve.” (Earafë, 21). Betimi në Zotin është bërë rrejshëm nga Iblisi. Edhe sot shohim të tillë sikurse Iblisi të cilët betohen në Zotin se janë këshilltarë, ndërsa në të kundërtën ata veprojnë kundër besimit në Zot, ata veprojnë kundër Islamit dhe muslimanëve duke u betuar në Zot, ashtu siç është betuar Iblisi se është dashamir i Ademit dhe Havasë ndërsa qëllimi i tij ka qenë nxjerrja e tyre nga Xheneti!
Cili është i pari i cili ka organizuar testin (provimin) e mjekësisë?
Përgjigjja: I pari i cili ka organizuar testin (provimin) e mjekësisë është Halifja Abasit: Muktediri. Përderisa një i sëmurë kishte vdekur për shkak të gabimit të një mjeku gjatë trajtimit të tij, atëherë Halifja e ka ndaluar që mjekët të zhvillonin profesionin e mjekësisë pa hyrë në provim para Kryemjekut të atëhershëm: Sinan bin Thabitit.
Cili është i pari i cili ka lidhur aleancë me Shejtanin?
Përgjigjja: I pari i cili ka lidhur aleancë me Shejtanin është Nemrudi.
Cili është i pari i cili e ka vendosur kurorën mbretërore në kokë?
Përgjigjja: I pari i cili ka vendosur kurorën mbretërore në kokë është Nemrudi.
Cili njeri është i pari i cili ka pretenduar se është Zot?
Përgjigjja: I pari i cili ka pretenduar se është Zot është Nemrudi.
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Ademi a.s.?
Përgjigjja: Ademi a.s. nuk dihet saktësisht se a ka zbritur në Indi, në Etiopi apo në Mekë, mirëpo transmetimet e shumta janë se ka zbritur dhe ka vdekur në Indi.
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Idrisi a.s.?
Përgjigjja: Idrisi a.s.: Ka jetuar në Egjipt pastaj e ka ngritur Zoti në qiell.
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Nuhu a.s.?
Përgjigjja: Nuhu a.s.: Ka jetuar në Irak dhe ka vdekur në Mekë.
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Hudi a.s.?
Përgjigjja: Hudi a.s.: Ka jetuar në Jemen dhe ka vdekur në Jemen.
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Salihu a.s.?
Përgjigjja: Salihu a.s.: Ka jetuar në Hixhaz dhe ka vdekur në Mekë.
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Ibrahimi a.s.?
Përgjigjja: Ibrahimi a.s.: Ka jetuar në Irak ka vdekur në Palestinë.
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Luti a.s.?
Përgjigjja: Luti a.s.: Ka jetuar në Jordani dhe ka vdekur në një vend të Sirisë.
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Ismaili a.s.?
Përgjigjja: Ismaili a.s.: Ka jetuar në Mekë ka vdekur në Mekë.
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Is’haku a.s.?
Përgjigjja: Is’haku a.s.: Ka jetuar në Palestinë dhe ka vdekur në vendin Halilë të Palestinës.
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Jakubi a.s.?
Përgjigjja: Jakubi a.s.: Ka jetuar në Siri dhe ka vdekur në Palestinë.
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Jusufi a.s.?
Përgjigjja: Jusufi a.s.: Ka jetuar në Egjipt dhe ka vdekur në Nablis të Palestinës.
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Ejubi a.s.?
Përgjigjja: Ejubi a.s.: Ka jetuar në Siri dhe ka vdekur në Huranë të Sirisë.
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Dhulkifli a.s.?
Përgjigjja: Dhulkifli a.s.: Nuk dihet saktësisht.
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Musau a.s.?
Përgjigjja: Musau a.s.: Ka jetuar në Egjipt dhe ka vdekur në Turi Sina të Egjiptit.
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Haruni a.s.?
Përgjigjja: Haruni a.s.: Ka jetuar në Sina dhe ka vdekur në Sina të Egjiptit.
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Sulejmani a.s.?
Përgjigjja: Sulejmani a.s.: Ka jetuar në Palestinë dhe ka vdekur në Palestinë.
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Davudi a.s.?
Përgjigjja: Davudi a.s.: Ka jetuar në Palestinë dhe ka vdekur në Palestinë.
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Iljasi a.s.?
Përgjigjja: Iljasi a.s.: Ka jetuar në Liban dhe e ka ngritur Zoti në qiell.
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Eljesai a.s.?
Përgjigjja: Eljesai a.s.: Ka jetuar në Siri dhe ka vdekur në Palestinë.
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Junusi a.s.?
Përgjigjja: Junusi a.s.: Ka jetuar në Irak dhe ka vdekur në Ninu të Irakut.
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Zekerijai a.s.?
Përgjigjja: Zekerijai a.s.: Ka jetuar në Palestinë, ka vdekur në Haleb të Palestinës.
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Jahjai a.s.?
Përgjigjja: Jahjai a.s.: Ka jetuar në Palestinë dhe ka vdekur në Damask të Sirisë.
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Isai a.s.?
Përgjigjja: Isai a.s.: Ka jetuar në Palestinë dhe e ka ngritur Zoti në qiell.
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Muhamedi a.s.?
Përgjigjja: Muhamedi a.s.: Ka jetuar në Mekë dhe ka vdekur në Medinë.
Përmbajtja:
Si falet namazi i pendimit?. 3
Prej sa rekateve përbëhet namazi i pendimit?. 3
A mundem t’i bashkoj namazet gjatë udhëtimit?. 5
Cila është dispozita e namazit Tehexhud?. 5
E kam falë namazin e Vitrit, a më lejohet të fal namaz nafile?. 6
Si duhet t’i falë namazet kaza?. 6
A më lejohet t’i bashkoj namazet nëse jam udhëtar?. 7
Çfarë quajmë namaz të Teravihëve?. 7
Çfarë është më prioritare për gruan, të falë namazin e Teravihës në Xhami apo në shtëpi? 8
A lejohet falja e namazit nafile ulur për personin i cili është i shëndoshë?. 9
A lejohet të falet Teravihja duke shikuar në Mushaf?. 10
A lejohet të falet Farzi i Jacisë (dhe farzeve të tjera) duke shikuar në Mushaf? 10
Ku është dallimi ndërmjet namazit të natës dhe namazit Teravihë?. 10
Si duhet vepruar për foshnjën e vdekur 7 muajshe?. 12
Kur jepet Zekati dhe a mund të jepet Zekati me këste?. 13
A mund të jepet Zekati para kohe?. 13
A mund të jepet Zekati me vonesë?. 13
A lejohet t’i jepet Sadekatul Fitri vajzës?. 14
A lejohet t’i jepet Sadekatul Fitri djalit?. 15
A lejohet t’i jepet Sadekatul Fitri nënës?. 15
A lejohet t’i jepet Sadekatul Fitri babait?. 16
A lejohet t’i jepet Sadekatul Fitri vëllait?. 16
A lejohet t’i jepet Sadekatul Fitri motrës?. 17
Sa është Nisabi i Zekatit në pemë, perime dhe drithëra?. 17
A jepen fitrat para Ramazanit?. 18
A jepen fitrat pas Bajramit?. 18
A jepen fitrat gjatë muajit Ramazan?. 18
Çfarë është Zekati i Fitrit dhe kundërvlera e Zekatul Fitrit?. 19
Kush duhet ta japë Zekatin e arit (Alltanit): Vjehrra, nusja apo djali?. 21
A më duhet të jap Zekatin për pasurinë të cilën e kam dhënë borxh?. 23
A duhet të jepet Zekati për çdo vit?. 23
A lejohet Zekati për lozën e epërme dhe për lozën e poshtme?. 24
Kush e ka të drejtën e tubimit të Zekatit?. 25
Kur jepet Zekati për të korrurat dhe për pemët e perimet?. 26
A lejohet të jepet Sadekatul Fitri për embrionin?. 26
A jepet Zekati për paga mujore?. 27
Unë i kam 30 lopë. Lopët i mbaj në stallë (ahur). Sa duhet të jap Zekat?. 28
Pse janë tri tarifa të Zekatul Fitrit?. 28
Sa është Nisabi për të dhënë Zekatin?. 29
Si jepet FIDJA E Ramazanit?. 30
A lejohet gjuetia në Ramazan?. 31
Si bëhet nijeti i agjërimit?. 32
Si bëhet nijeti i agjërimit? (2). 32
A prishet agjërimi nëse zgjohem apo kam fjetur ditën dhe kam mbetur xhunub? 33
A ka shpërblim agjërimi i gjashtë ditëve të muajit Sheval?. 33
A lejohet të agjërohet dita e premte?. 34
Çfarë nënkupton agjërimi i 6 ditëve të muajit Sheval?. 35
Si agjërohen 6 ditët e muajit Sheval?. 35
Si agjërohen ditët e Shevalit?. 36
Cilat ditë llogariten, të muajit Sheval apo të Kazasë së muajit Ramazan?. 37
A ka Bajram të vogël dhe Bajram të madh?. 38
Kur fillon dhe kur mbaron koha e Tekbireve të Fitër Bajramit?. 38
A lejohet tregtia në Haxh dhe Umre?. 39
A lejohet zëvendësimi për Haxh?. 40
Si bëhet nijeti i Haxhit për tjetrin?. 40
Nëse ndonjëri e kryen Haxhin për tjetrin, a ka shpërblim?. 41
A mund të shkoj në Haxh për tregti dhe për përfitime materiale?. 41
A më lejohet të marr borxh për të kryer Haxhin?. 42
A mund të shkoj në Haxh ndërsa nëna nuk pajtohet?. 43
A lejohet Haxhi për të burgosurin dhe a duhet leje?. 43
Kur të shkoj në Haxh, a mundem që t’i bëj dy Umre, një për babën dhe një për nënën? 45
A e ka plotësuar Haxhin ai i cili vdes pas qëndrimit në Arafat?. 49
Cili lloj i Haxhit është më i vlefshmi: Haxhi Temettu, Kiran apo Ifrad?. 49
Si bëhet nijeti i Haxhit për tjetrin?. 51
Kur thuhet Tekbiri i Teshrikut?. 52
Kur fillon dhe kur mbaron koha e Tekbireve të Fitër Bajramit?. 53
KAPITULLI I PESTË: KURBANI. 54
Si të veproj nëse Kurbani ka qenë mbarsë?. 54
Si duhet të veproj autorizuesi i therrjes së Kurbanit?. 54
Pse e përmendim Allahun kur e therrim Kurbanin?. 54
Si duhet vepruar me rastin e prerjes së Kurbanit?. 55
Ku bëhet prerja e Kurbanit Ud-hije?. 57
Në cilin vend bëhet therrja e Hedjit (Dhuratë)?. 58
Cila është dispozita ligjore për atë i cili ka mundësi të presë kurban, sunet apo farz? 58
A lejohet të ushqehesh nga Kurbani Hedj (Dhuratë)?. 59
Kur është koha e therjes së Kurbanit Hedj (Dhuratë)?. 59
Në cilat raste prehet Kurbani Hedj?. 60
A e ka vaxhib udhëtari prerjen e Kurbanit?. 61
A prehet Kurbani natën e Bajramit?. 62
A lejohet të prehet Kurban kafsha e egër?. 63
Çfarë lejohet të prehet për Kurban?. 64
Cilat kafshë janë mekruh të priten Kurban?. 65
Cili mish i Kurbanit është më i vlefshmi?. 65
Për sa Persona prehet Kurbani?. 65
Kur është koha e therjes së Kurbanit?. 66
Kush duhet ta realizojë therjen e Kurbanit?. 66
A lejohet që mishin e Kurbanit ta ndaj për veten time dhe për familjen?. 67
Çfarë duhet të veprohet para therjes së Kurbanit?. 67
A lejohet kurbani për të burgosurin pa marrë parasysh me porosinë e tij, apo pa porosinë e tij? 68
Si bëhet nijeti dhe cilën lutje duhet bërë para prerjes së Kurbanit?. 68
A lejohet të ndalësh i gjithë mishi për vete?. 69
Si bëhet shpërndarja e mishit të Kurbanit?. 69
Çfarë kuptimi ka dita e Tervijes?. 70
A prehet Kurban për nënën?. 71
Cilat janë dhjetë ditët e vlefshme të Dhul Hixhes?. 71
Cilat janë ditët e Teshrikut?. 72
Çfarë nënkupton Kurbani për një familje?. 73
Sa ditë është Bajrami i Fitrit?. 73
Çfarë nënkuptojmë Kurban për një familje?. 74
A pritet Kurbani për prindin e vdekur?. 75
Sa ditë zgjat koha e prerjes së Kurbanit?. 76
Cili është kuptimi i Tekbirit të Teshrikut?. 77
Çfarë nënkupton një lopë për shtatë persona?. 77
Çfarë konsiderohet familje dhe çfarë konsiderohet përkujdesje?. 78
Cili është dallimi në mes të therjes së kafshës dhe prerjes së Kafshës?. 79
KAPITULLI I GJASHTË: KUR’ANI. 80
Cila është dispozita e leximit të Kur’anit (një pjese të Kur’anit) pa i lëvizur buzët? 80
A lejohet që gruaja të lexojë Kur’an shtrirë apo e mbështetur?. 81
Jam femër. A më lejohet leximi i Kur’anit pa hixhab?. 81
A më lejohet leximi i Kur’anit shtrirë në dyshek?. 81
A lejohet leximi i Kur’anit duke mos u kthyer në drejtim të Kibles?. 81
A llogaritet Hatme e Kur’anit leximi në Tabletë (Kompjuterike)?. 82
Kush është i pari i cili e ka përdorur fjalën Bismil-Lahirr-Rrahmanirr-Rrahimë? 82
A lejohet leximi i Kur’anit për të vdekurin?. 83
Cila sure është pa Bismilah dhe cila sure është me dy Bismilah?. 83
A llogaritet leximi i Kur’anit vetëm me sy pa i lëvizur buzët?. 84
A lejohet leximi i Kur’anit pa abdes?. 84
Cila është sureja më e gjatë në Kur’an?. 84
Cila është sureja më e shkurtër në Kur’an?. 84
Cila është pija më e mirë e përmendur në Kur’an?. 84
Cili është ushqimi më i mirë i përmendur në Kur’an?. 84
Cili është ajeti më madhështor në Kur’an?. 85
Cili është ajeti më i gjatë në Kur’an?. 85
Cili është ajeti më i shkurtër në Kur’an?. 85
Cili është numri më i madh i përmendur në Kur’an?. 85
Cila është fjala më e gjatë e përmendur në Kur’an?. 85
Cila shkronjë është përmendur më së shumti në Kur’an?. 85
Cila shkronjë është përmendur më së paku në Kur’an?. 85
Cila është nata më e mirë e përmendur në Kur’an?. 85
Cili është muaji më i vlefshëm i përmendur në Kur’an?. 86
Cila është gjallesa më e madhe e përmendur në Kur’an?. 86
Cila është gjallesa më e vogël e përmendur në Kur’an?. 86
Cila është Sureja më e vlefshme përmendur në Kur’an?. 86
Cili është xhuzi me më së shumti sure në Kur’an?. 86
Në cilën sure përmenden më së shumti të mirat e Zotit?. 86
Cila sure përbëhet me më së shumti përbetime në Kur’an?. 86
Cili emër i bukur i Allahut është përmendur më së shumti në Kur’an?. 86
Cili emër i pejgamberit është përmendur më së shumti në Kur’an?. 87
Cili është emër i pejgamberit i cili është përmendur më së paku në Kur’an?. 87
Cili është fryti i përmendur më së shumti në Kur’an?. 87
Cili është dhikri më i mirë i përmendur në Kur’an?. 87
Cili është personi më i pasur i përmendur në Kur’an?. 87
KAPITULLI I SHTATË: TË NDRYSHME.. 88
Çfarë kuptimi ka fjala: LA HAVLE VE LA KUVVETE IL-LAA BIL-LAAH?. 88
A është Bidat festimi i ditës së Pejgamberit?. 89
A lejohet biseda telefonike për t’u fejuar dy të rinj?. 89
A mund të blejë banesë me kamatë?. 90
A më lejohet që të blej banesë me kamatë?. 90
Si ndahet trashëgimia e gruas?. 91
Si bëhet trashëgimia e dy vëllezërve me katër motra?. 91
A ka të drejtë për testament trashëguesi?. 92
A trashëgon motra sa gjysma e motrës?. 92
A trashëgon motra sa vëllai?. 93
A trashëgon motra sa vëllai?. 93
A mund të bëhet sexhde falënderimi edhe pa abdes?. 93
A mund të kërkohet një Umre (ose Haxh) si shumë të mehrit?. 94
Cili do të jetë ushqimi i parë në Xhenet?. 94
Kush është i pari i cili e ka thirrur Ezani-n në qiell?. 94
Kush është i pari i cili ka thënë Subhane Rabbiel Eala?. 94
Kush është i pari i cili e ka përdorur sapunin?. 94
Çfarë është e para të cilën e ka krijuar Zoti?. 94
Kush është i pari i cili ka hipur në Kalë?. 94
Kush është i pari i cili e ka vendosur mbulesën e Qabës?. 95
Kush është i pari i cili e ka bërë Sa’jin?. 95
Kush është i pari i cili e ka përdorur fjalën Bismil-Lahirr-Rrahmanirr-Rrahimë? 95
Kush është i pari i cili e ka përdorur lapsin?. 95
Kush është i pari i cili e ka përdorur përshëndetjen Esselamu Alejkum?. 95
Cila është dita e parë të cilën e ka krijuar Zoti?. 95
Kush është i pari i cili e ka kërkuar vdekjen?. 95
Cili është namazi i parë të cilin e ka falur Pejgamberi a.s.?. 96
Cili është i pari i cili e ka përcaktuar ditën 12 orëshe?. 96
Kush janë të parët të cilët e kanë bërë Tavaf Qaben?. 96
Kush është i pari i cili e ka parë në ëndërr thirrjen e Ezanit?. 96
Kush është i pari i cili e ka thirrur Ezanin?. 96
Kush është dëshmorja e parë në Islam?. 96
Kush është i pari i cili është betuar rrejshëm?. 96
Cili është i pari i cili ka organizuar testin (provimin) e mjekësisë?. 97
Cili është i pari i cili ka lidhur aleancë me Shejtanin?. 97
Cili është i pari i cili e ka vendosur kurorën mbretërore në kokë?. 97
Cili njeri është i pari i cili ka pretenduar se është Zot?. 97
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Ademi a.s.?. 97
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Idrisi a.s.?. 97
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Nuhu a.s.?. 97
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Hudi a.s.?. 98
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Salihu a.s.?. 98
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Ibrahimi a.s.?. 98
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Luti a.s.?. 98
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Ismaili a.s.?. 98
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Is’haku a.s.?. 98
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Jakubi a.s.?. 98
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Jusufi a.s.?. 98
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Ejubi a.s.?. 99
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Dhulkifli a.s.?. 99
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Musau a.s.?. 99
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Haruni a.s.?. 99
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Sulejmani a.s.?. 99
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Davudi a.s.?. 99
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Iljasi a.s.?. 99
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Eljesai a.s.?. 99
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Junusi a.s.?. 100
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Zekerijai a.s.?. 100
Ku ka jetuar dhe ku ka vdekur Jahjai a.s.?. 100