(HUTBEJA E PARË)
Hyrje
Pejgamberi a.s. ishte nën një trung të palmës, afër rrugës Akadh. Në momentin kur Pejgamberi a.s. ishte duke e falur namazin e sabahut me shokët e tij, xhinët e kanë dëgjuar leximin e Kur’anit dhe janë përqendruar dhe e kanë përcjellë me vëmendje. Pastaj kanë thënë: Për Zotin, ky Kur’an është informatë nga qielli. Për Zotin, kjo është zbritje nga qielli. Pastaj, me të shpejtë janë kthyer te populli i tyre, dhe kanë thënë: O populli ynë, ne dëgjuam Kur’anin impresionues, atëherë Allahu ia ka zbritur Pejgamberit të Tij: Zoti i Madhërishëm thotë:
“Thuaj: “Mua më shpallet se një grup i vogël nga xhinët i vuri veshin dhe dëgjoi (Kur’anin) dhe (kur u kthyen te të vetët) thanë: “Ne kemi dëgjuar një Kur’an që impresionon,” (El-Xhin: 1)
Pastaj, Pejgamberit i ka zbritur surja Xhin me informacione të publikuara për xhinët. Xhinët: janë bota e padukshme për ne. Për ta nuk mund të dihet asgjë më shumë përpos asaj se çka është informuar nëpërmjet shpalljes. Xhinët janë të krijuar nga zjarri. Në fakt surja Xhin i është shpallur ajo çka kanë thënë xhinët.
Vëllezër të nderuar!
Surja Xhin përmban çështje dhe informata interesante për xhinët. Përmbajtjen e tyre mund ta klasifikojmë në pesë pako të informatave.
Pakoja e parë e informatave ka të bëjë për gjashtë çështje të cilat ndërlidhen me besimin e tyre në Kur’anin Famëlartë, dhe në atë se është i zbritur nga Allahu i Madhërishëm.
Pakoja e dytë e informatave ka të bëjë me historinë për shtatë gjërat e xhinëve të cilat kanë të bëjnë me sekretet qiellore, dhe gjendjet e tyre në çështjen e besimit.
Pakoja e tretë e informatave tregon për pozitën e tyre rreth xhamive.
Pakoja e katërt e informatave tregon për bazat e thirrjes së Pejgamberit.
Pakoja e pestë e informatave tregon për momentin e ndodhisë, apo kataklizmës.
Besimtarë të nderuar!
Informacioni i parë i publikuar për xhinët është se një pjesë e tyre kanë besuar në Kur’anin dhe vlerën e tij. Xhinët e kanë besuar Kur’anin, kanë dëshmuar për të dhe i janë përmbajtur asaj, kur e kanë dëgjuar Kur’anin. Këtë e tregon fillimi i sures Xhin
“Ne e kemi dëgjuar Kur’anin mahnitës” (Xhin: 1)
O Pejgamber, informoje umetin tënd se: Xhinët e kanë dëgjuar Kur’anin, Pas kësaj janë kthyer te populli i tyre dhe u kanë thënë: Kemi dëgjuar fjalë të lexuara, të cilat ishin për t’u befasuar për nga retorika. Kemi dëgjuar fjalë të lexuara, të cilat ishin për t’u befasuar për nga shprehjet gramatikore. Kemi dëgjuar fjalë të lexuara, të cilat ishin për t’u befasuar për nga përmbajtja këshilluese dhe për nga mirësitë që burojnë prej tyre.
Besimtarë të nderuar!
Kur’ani na informon se xhinët kanë thënë:
“(Kur’ani) udhëzon në të vërtetën, andaj ne i besuam atij (Kur’anit) dhe Zotit tonë” (El-Xhin: 2)
Xhinët, pasi kanë besuar Kur’anin kanë deklaruar se Kur’ani është nga Allahu. Xhinët kanë deklaruar se Kur’ani udhëzon në të drejtën dhe në të vërtetën. Xhinët kanë deklaruar se Kur’ani udhëzon për të njohur Allahun e Madhërishëm.
Besimtarë të nderuar!
Kur’ani na informon se xhinët kanë thënë:
“…(Allahut) kurrsesi nuk do t’ia shoqërojmë askë” (El-Xhin: 2)
Kanë deklaruar se nuk i përshkruajnë ortak ndonjë krijesë krahas Allahut. Kanë deklaruar se nuk adhurojnë zot tjetër pos Allahut. Kjo është dëshmi se çështja kryesore në mesazhin e Pejgamberit a.s. është Besimi në Një Zot dhe eliminimi i idhujtarisë.
Besimtarë të nderuar!
Kur’ani na informon se xhinët kanë thënë:
“Dhe se lartësuar është madhëria e Zotit tonë, Ai nuk ka as grua, as fëmijë.” (El-Xhin – 3)
Kanë deklaruar se është lartësuar Zoti Famëlartë dhe Madhështia e Tij. Kanë deklaruar se Allahu nuk ka ortak dhe as fëmijë, ngase nuk ka nevojë për asgjë dhe për askënd.
Shikoni vëllezër!
Xhinët përpos që vetë e kanë mohuar idhujtarinë, e kanë lartësuar Zotin e Madhërishëm atëherë kur e kanë pranuar Islamin dhe e kanë besuar Kur’anin. Xhinët e kanë mohuar se Zoti ka ortak, e kanë deklaruar se Zoti është Një, dhe se nuk ekziston mundësia të ketë ortak. Xhinët kanë dëshmuar madhështinë dhe fuqinë absolute të Allahut. Xhinët e kanë lartësuar nga çdo nevojë apo dobësi, ose se ka ortak apo fëmijë.
Besimtarë të nderuar!
Disa xhinë mendjelehtë, para Islamit të tyre kanë thënë fjalë të cilat kalojnë çdo kufi. Ata xhinë injorantë, rebelues, para Islamit të tyre kanë thënë fjalë të pavërteta, të padrejta dhe të pakuptimta. Xhinët kanë thënë:
“S’ka dyshim se ai mendjelehti ynë fliste të pavërteta ndaj Allahut.
Ndërsa, ne kemi pas menduar se as njerëzit, as xhinët nuk flasin gënjeshtra përkitazi me Allahun,” (El-Xhin: 4, 5)
Ne kemi llogaritur se njerëzit dhe xhinët nuk përgënjeshtrojnë për Allahun atëherë kur kanë thënë: se ka ortak, ka shok apo fëmijë, ndërsa ne u kemi besuar atyre. Pastaj kur e kemi dëgjuar këtë Kur’an e kemi kuptuar se ajo kishte qenë gënjeshtër thënia e tyre.
Besimtarë të nderuar!
Kur’ani na informon se xhinët kanë thënë:
“Dhe se ka pasur burra prej njerëzve, që kërkonin ndihmë prej disa xhinëve dhe ashtu ua shtonin atyre edhe më shumë arrogancën.
Dhe se ata (njerëzit) kanë menduar, siç keni menduar edhe ju, se Allahu nuk ka për të ringjallur askë.” (El-Xhin: 6, 7)
Ne kemi parë se si disa njerëz kanë kërkuar mbrojtje nga disa xhinë. Xhinët kanë kërkuar shpëtim apo mbrojtje, pastaj kësaj i janë bashkangjitur disa njerëz xhinë, të cilët kalonin çdo kufi, të cilët ishin arrogantë dhe kryelartë. Transmetohet se një njeri kur dëshironte ta kalonte natën në ndonjë hapësirë, apo në ndonjë kodër, thërriste me zë të lartë: “O i madhi i kësaj kodre, unë kërkoj mbrojtje nga mendjelehtët të cilët i ke në përgjegjësi”. Me këtë thirrje, mendonte se xhini i cili ishte në atë kodër e mbronte dhe e siguronte. Në atë moment xhini thoshte: Ne, nuk mund ta mbrojmë, e as nuk mund ta sigurojmë as veten nga Allahu. Është thënë se: “Të parët të cilët kanë kërkuar mbrojtje nga xhinët janë banorët e Jemenit, pastaj benu Hunejfitët, pastaj ajo dukuri është përhapur edhe tek arabët”. Xhinët i poshtëronin bijtë e Ademit atëherë kur e kanë vërejtur injorancën e tyre, dhe ua shtonin frikën edhe më shumë. Pastaj njerëzve u janë paraqitur iluzione mbi aftësitë e tyre. Edhe sot njerëzve u paraqiten iluzione mbi aftësitë e tyre edhe pse janë të aftë. Pastaj thelloheshin në emocionet e tyre, në iluzionet e tyre atëherë kur i kanë parë ëndrrat e shpresave të dobëta të tyre. Edhe sot njerëzit thellohen në emocione, në iluzione kur janë të pashpresë dhe e ndiejnë veten se janë të dobët. Kjo është arroganca dhe kryelartësia të cilën e kanë rritur xhinët te njeriu. Kjo është arroganca dhe kryelartësia të cilën e rrisin xhinët te njeriu. Njerëzit pabesimtarë mendojnë ashtu siç keni menduar edhe ju, o ju xhinë, se nuk ka ringjallje dhe as shpagim në botën tjetër, ose se pas kësaj epoke Allahu nuk do të dërgojë pejgamber i cili do të bëjë thirrje në besim në Zot, në pejgamberët e Tij, dhe në ditën e gjykimit.
Përfundim: Kjo pako e informatave, prej gjashtë çështjeve për xhinët përmban bazën e besimit:
Besimi në Kur’anin fisnik.
Besimi se Kur’ani është udhëzues i drejtë.
Besimi se Kur’ani është këshillues për çështje të mira.
Besimin në Njëshmërinë e Allahut.
Zhdukjen e idhujtarisë.
Udhëzimin se Zoti nuk ka ortak dhe as fëmijë. Pastaj ajetet përmbajnë njohuri për Iblisin dhe xhinët para Islamit të tyre. Ajetet përmbajnë njohuri për gënjeshtrat e tyre dhe për atë se i kanë tejkaluar kufijtë në kriminalitet. Ajetet përmbajnë njohuri të tjera për njerëzit dhe xhinët ashtu që disa njerëz të thjeshtë mendjelehtë kanë kërkuar mbështetje nga disa xhinë nëpër kodra që të sigurohen nga e keqja e të këqijave të xhinëve, dhe nga gënjeshtrat të cilat burojnë nga disa xhinë dhe njerëz të cilët i përshkruanin Zotit ortak. Disa prej të dy llojeve, pra prej njerëzve dhe xhinëve, mendonin se nuk do të ringjalleshin në botën tjetër, se nuk do të gjykoheshin dhe nuk do të shpaguheshin. E kjo është gabim dhe humbje e qartë. Kështu, pra, pabesimtarët kurejshitë patjetër duhet që të merrnin mësim nga ngjarja e xhinëve, që të besonin dhe të pasonin të drejtën ashtu sikurse xhinët të cilët kanë besuar Kur’anin, kanë besuar në Zotin dhe në Pejgamberin. Edhe pabesimtarët e sotëm dhe të së ardhmes patjetër duhet që të marrin mësim nga ngjarja e xhinëve, që të besojnë dhe të pasojnë të drejtën ashtu sikurse xhinët të cilët kanë besuar Kur’anin, kanë besuar në Zotin dhe në Pejgamberin.
Përgatiti: Dr. Musli Vërbani