HISTORIA E ROJËS SË KODRËS

“HISTORI TË SEHABEVE DHE NJERËZVE TË MIRË”

Autor: Muhamed Mutevel-li Sharavi.

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Çështjen e ndërlidhjeve të mendjeve, pra bashkimi i dy mendimeve në të njëjtën kohë, mund ta shohim edhe te jopejgamberët. Shembull kemi në historinë Islame. Kjo në momentin kur zotëri ynë Omer ibn Hatabi r.a. ishte duke menduar për ushtrinë e muslimanëve në një betejë prej betejave.

Omeri ishte duke mbajtur hutbe në minber, dhe atë në qytetin e Medinës, dhe në një moment thotë: “Oj roje e kodrës”. Kjo nuk ka pasur të bëjë me hutben, mirëpo e ka pas qëllimin për udhëheqësin e luftës.

Këtë e ka dëgjuar udhëheqësi, edhe pse ka qenë në distancë të gjatë, dhe kështu e ka shpëtuar kodrën (ku ishte ushtria).

Në lidhje me këtë çështje kanë thënë: Një mendim bashkohet me mendimin tjetër. Shembull: Kur e thirr ndonjërin në tel, atëherë ai person me të cilin ke dashur të flasësh të thotë: Sa e kisha ndërmend që të të telefonojë. Kjo do të thotë se të dy mendimet kanë qenë të ndërlidhura.

Nëse kjo ndodhë në jetën tonë të zakonshme, po si është çështja kur ndodhë në çështjet të ndritura, dhe në nivelet më të larta siç është pejgamberia, ose siç është rasti i lutjes së Musaut dhe të Harunit kur ka thënë: “O Zot, pranoje!”. Edhe ai i cili thotë: “O Zot, pranoje (Amin)”, është njëri prej lutësve. Përderisa Zoti Famëlartë e ka pranuar lutjen e Musaut, njëkohësisht e ka pranuar lutjen e atij i cili thotë: O Zot, pranoje! (Amin).

Disa njerëz mendojnë se pranimi i lutjes bëhet menjëherë pas lutjes, mirëpo esenca e pranimit të lutjes shkon në përputhshmëri me kërkesën. Përderisa afati i realizimit të kërkesës mund të vonojë për një kohë të caktuar, ashtu siç ka ndodhur me lutjen e Musait a.s. për firaunin. Kur është lutur Musa a.s., Haruni a.s. ka thënë: “Amin” (O Zot, pranoje). Përgjigjja ndaj tyre ka ndodhur pas 40 viteve, ku Zoti Famëlartë thotë: “E pranova lutjen e juaj” (Junus: 89). Zoti Famëlartë e ka realizuar premtimin duke e pranuar lutjen në kohën e caktuar.

Qielli nuk është punëtor i lutësit, mirëpo pranimi i lutjes zbatohet kur të vjen koha e realizimit të saj.

Këto çështje janë në dëshirën e Zotit. Zoti Famëlartë, është i lartësuar dhe i pa të meta që të pranohet lutja në këtë mënyrë, mirëpo Allahu i ka çelësat e çështjeve. Kur e pranon një lutje, Zoti Famëlartë me dëshirën e Tij, e cakton momentin e përshtatshëm. Kjo, nga shkaku se po të pranonte menjëherë, mund të ishte e dëmshme.

Lini një koment