HISTORIA E TRE PERSONAVE TË CILËT NUK KANË MARRË PJESË NË BETEJË

“HISTORI TË SEHABEVE DHE NJERËZVE TË MIRË”

Autor: Muhamed Mutevel-li Sharavi.

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Zoti i Madhërishëm thotë:

“Hipokritëve dhe hipokriteve dhe jobesimtarëve Allahu ua ka përcaktuar zjarrin e Xhehennemit, ku do të jenë përgjithmonë, ai mjafton për ta, dhe ata i ka mallkuar Allahu. Ata kanë dënim të pandërprerë.” (Tevbe: 68).

“Mallkimi” përfshinë njerëzit dhe krijesat tjera pos njerëzve. Thuaja se çdo gjë në ekzistencë mund t’i nënshtrohet mallkimit. Shembull: Nëse për shkak të mëkateve të një populli nuk bie shi:

– Bimët mallkojnë se mbeten pa ujë.

– Kafshët mallkojnë se mbeten pa ujë.

– Melekët mallkojnë për vendet sepse në ato vende është vendi ku nuk lavdërohet Allahu.

 (Ky është për mallkimin sa i përket mallkimit të kësaj bote) Përderisa, mallkimi në botën tjetër është mallkim ku nuk kanë të bëjnë bimët dhe kafshët, por mallkimi do të jetë:

– Prej Allahut,

– Prej melekëve dhe

– Prej gjithë njerëzimit.

Njerëzit janë bijtë e Ademit deri në ditën e gjykimit. Prej tyre ka besimtarë dhe pabesimtarë. Kështu që parashtrohet pyetja: Si ndodhë mallkimi prej pabesimtarëve përkundër asaj se edhe ata janë vetë të mallkuar?

Themi: Ne, në këtë botë kemi ata të cilët me mjeshtri i kanë larguar të tjerët nga feja e Allahut dhe të tjerët të cilët janë tradhtuar. Mirëpo, përderisa kjo çështje në botën tjetër është zgjidhur, e kanë kuptuar të mashtruarit që janë mashtruar nga mashtruesit, kështuqë të pasuarit distancohen nga pasuesit, i tradhtuari dëshiron të shfajësohet nga tradhtari. Po ashtu, tradhtari dëshiron të shfajësohet nga i tradhtuari.

Çdo herë kur një grup i të tradhtuarve hyjnë në zjarr, e mallkon grupin tradhtar.

Çdo herë kur një grup tradhtar hyn në zjarr, e mallkon grupin të cilin e ka tradhtuar. Kështu që i shkëmbejnë mallkimet. Zoti i Madhërishëm thotë:

“Hipokritëve dhe hipokriteve dhe jobesimtarëve Allahu u ka përcaktuar zjarrin e Xhehennemit, ku do të jenë përgjithmonë, ai mjafton për ta, dhe ata i ka mallkuar Allahu. Ata kanë dënim të pandërprerë.” (Tevbe: 68).

Po ashtu thotë:

“Dhe (sikur të shihnin) kur do të largohen ata që u prinin atyre që i ndiqnin (paria largohet prej atyre që u shkuan pas), e të gjithë e shohin dënimin dhe këputen lidhjet e tyre.” (Bekare: 166).

Kështu pra, mallkimi ekziston në mes të pabesimtarëve në mes vete, ashtu siç ekziston edhe në këtë botë.

Ata të cilët mohojnë programin e Allahut devijojnë dhe bëjnë padrejtësi.

Ata e fitojnë mallkimin prej atyre të cilët i përmbahen programit të Allahut dhe prej atyre të cilëve u kanë bërë padrejtësi.

Pastaj pason situatë tjetër, mallkohen nga ata të cilëve u kanë bërë padrejtësi, e mallkojnë dhe i mallkon. Kështu që i gjithë njerëzimi i mallkon ata.

Mallkimi me dëbim, hidhërim dhe maltretim dallon nga mallkimi i cili e ka formën e distancimit. Ashtu siç ka vepruar pejgamberi a.s. në betejën e Tebukut.

Beteja e Tebukut është quajtur beteja e kolapsit. Kjo ngase vështirësitë kanë rezultuar nga të gjitha anët. Tebuku është vend i cili ka qenë larg Medinës.

Vështirësia tjetër ka rezultuar në transportimin e luftëtarëve, saqë një mjet transportues (kafshë) e kanë pasur të përbashkët dhjetë luftëtarë.

Ka ekzistuar vështirësia në furnizim, saqë kanë ngrënë hurma me krimba. E kanë ngrënë bukën e mykur me kundërmim.

Ka ekzistuar vështirësia me ujë, saqë e kanë pre devenë për të pirë ujë nga barku i saj.

Ka ekzistuar vështirësia nga vapa dhe nxehtësia.

Në çdo aspekt kanë qenë kushtet e vështira, të cilat kanë ndikuar për mospjesëmarrje në betejë, përpos atyre të cilët kanë pasur bindje të fortë.

Ajo betejë ka qenë sfidë, sprovë dhe testim i besimit për njerëzit. Për këtë arsye disa i janë dorëzuar nefsit dhe kanë qëndruar në Medine.

Mirëpo njëri prej tyre ka thënë: “E pse unë të qëndroj në hije, ndërsa pejgamberi a.s. qëndron në vapën përcëlluese. Për Zotin, kurrë nuk bën të qëndroj kështu. Pastaj është ngritur dhe i është bashkangjitur ushtrisë muslimane.

Tjetri i cili ka pasur plantacion me pemë, e hije të pemëve, e ka shikuar plantacionin dhe ka thënë: “A ti (plantacion) po më pengon që të mos jem në mesin e pejgamberi a.s. Për Zotin, ti nuk do të jesh më prona ime. Nga tani ti je për Allah dhe në rrugë të Allahut”.

I treti ishte ulur në shtëpinë e tij dhe para tij gruaja e bukur, dhe oborri i shtëpisë me pemë dhe perime, ka thënë: A, unë të pushoj nën hije të hurmave (pallmave) dhe në burim uji, e me grua të bukur, ndërsa pejgamberi a.s. në vapën përcëlluese. Për Zotin, kjo kurrë nuk do të ndodhë. I hipë kalit të tij, kalon bregoret dhe i bashkohet radhëve të muslimanëve.

Pas beteje, pejgamberi u kthye triumfues. Ata të cilët nuk kishin marrë pjesën në triumfin janë arsyetuar me atë se nuk kanë pasur mjet transportues, kafshë, armatim apo furnizim.

Pejgamberi a.s. ua ka pranuar deklarimet e tyre të cilët i kanë shprehur publikisht, ndërsa çështjen e brendshme të tyre e ka lënë në kompetencë të Allahut përpos tre personave, të cilët kanë qenë të sinqertë të cilët duke u arsyetuar  kanë thënë: “O i dërguar i Allahut, nuk kemi pasur kurrfarë mundësie që të ju bashkangjitemi në betejë, na ka munguar mjeti transportues, furnizimi dhe armatimi”.

Pejgamberi a.s. ka dhënë urdhër para njerëzve, që të mos flasin me ta dhe të mos veprojnë (tregtojnë) me ta.

Dy prej tyre kanë qëndruar në shtëpi të tyre, ata ishin Helal bin Umeje dhe Muhare bin Rebiju, ndërsa Keab bin Maliku ka dalë nga shtëpia dhe nuk ka folur me askënd. Ka shkuar në namaz, është falë me pejgamberin e Allahut, e ka përvjedhë me sy, i ka dhënë selam, mirëpo pejgamberi a.s. nuk e ka kthyer selamin, është anuar dhe ka vazhduar rrugën, saqë Keabi ka thënë: E shikoja pejgamberi a.s., a mos i lëvizte buzët për të më kthyer selamin apo jo.

Pse e gjithë kjo?

Pejgamberi a.s. ka dashur të sqaroj mënyrën e distancimit edukues. Të tre personave u është ngushtuar toka. Keabi ka shkuar te djali i axhës, te Ebi Katade, duke e kaluar murin. Kjo nga shkaku se poqëse do të trokiste në derë, nuk do t’i hapej dera. Edhe pse e ka kaluar murin, djali i axhës e ka refuzuar. Keabi i ka thënë: Të lutem për Zotin! Të lutem për Zotin! Të lutem për Zotin. Edhe pas kësaj nuk e ka marrë parasysh. Pastaj i ka thënë: “E di se unë e dua pejgamberin e Allahut.”

Nuk i është përgjigjur djali i axhës, por ka vazhduar me distancimin. Ebu Katade ka thënë: Allahu dhe i dërguari i Tij e dinë më së miri. Pasi kanë kaluar 40 ditë nga distancimi, atëherë pejgamberi a.s. është ngritë dhe ka treguar rregullin, ashtu që u ka treguar tre personave nëpërmjet Helalit, të deleguarin e pejgamberit, që të mos afroheshin me gratë e tyre. Izolimi ka kaluar në një sferë të re, e cila sferë është sfera e veçantë e shoqërisë, sfera ndërmjet burrit dhe gruas.

Keabi i ka thënë pejgamberi a.s. A ta lëshoj gruan time? Pejgamberi a.s. i ka thënë: Të mos afrohesh me të.

I kanë thënë Keabit: Shko te pejgamberi i Allahut, ose le të shkojë gruaja jote që të kërkojë leje së paku të të shërbejë ty. Kjo sepse gruaja e Helal bin Umejes ka kërkuar leje te pejgamberi a.s. dhe e ka lejuar që t’i shërbejë burrit të saj, atëherë Keabi ka thënë: “Për Zotin nuk e bëj atë veprim”. Gruaja e Helalit kur ka shkuar te pejgamberi a.s.: i është thënë që të mos afrohet me të. Mirëpo ajo i ka thënë: “O i dërguar i Allahut, Helali as nuk mund të lëvizë”. Atëherë e ka lejuar që vetëm t’i shërbejë, mirëpo unë jam i ri dhe kam frikë që të kërkoj leje te i dërguari i Allahut dhe nuk ma jep atë të drejtë.59

Kështu ka qenë distancimi edukativ dhe jo dëbim i plotë nga çështja e besimit. Argument për këtë është se pejgamberi a.s. e ka marrë si masë edukuese e cila ka qenë masë proporcionale me kapacitetin e tyre.

Pastaj, ka ardhur lajmi i gëzimit, pas dhjetë ditëve ka zbritur ajeti:

“(Ai u fali) Edhe atyre të treve, të cilëve iu pat shtyrë aq (pranimi i pendimit) saqë toka u bë e ngushtë për ta, përkundër gjerësisë së saj, kur u ngushtuan edhe shpirtrat e tyre saqë u bindën se nuk ka strehim prej Allahut (tjetër ku) pos te Ai. Prandaj edhe atyre ua fali ai, në mënyrë që të pendohen. Allahu pranon pendimin se është mëshirues.” (Tevbe: 118).

Kështu, Allahu nuk i ka mbyllur të gjitha dyert, por e ka lënë derën e hapur për njeriun, qoftë edhe pabesimtar, po ashtu edhe për atë i cili mban sekrete.

Të mos mendon pabesimtari, apo ai i cili e fsheh të vërtetën, se pas triumfit do t’i mbyllet dera, ose që merr fund çështja në mes tij dhe Zotit të tij. Për këtë arsye Zoti i Madhërishëm ka thënë:

“Përveç atyre që pendohen, që përmirësohen dhe që u shpjegojnë njerëzve (të vërtetën), të tillëve ua pranoj pendimin, se Unë pranoj shumë pendimin, jam mëshirues.” (Bekare: 160).

Pra, janë penduar, e cila është çështje e brendshme, dhe përmirësojnë aq sa kanë dëmtuar, dhe sqarojnë atë çka kanë fshehur. Kështu pra, kusht i pendimit është që t’i kthehet e gjithë e drejta të dëmtuarit. Ai i cili fsheh diçka duhet të sqarojë çka ka fshehur.

Fshehja nuk ndikon vetëm në raportet në mes robit dhe Zotit, por i dëmton edhe njerëzit. Zoti i Madhërishëm kur e ke lënë të hapur derën e pendimit, ka thënë: “Ua ka pranuar pendimin, ashtu që të kërkojnë pendim”. (Tevbe: 118).

Lini një koment