Çasti i vdekjes prej Allahut

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Për njeriun, ekzistojnë çështje kategorike të cilat as nuk mund t’i shtojë, as t’i pakësojë, siç janë kthimi te Allahu i Madhërishëm, pastaj:

– Jeta dhe vdekja,

– Poshtërimi dhe lartësimi,

– Furnizimi (rizku) dhe çasti i vdekjes.

 Këto, Allahu me diturinë e Tij i ka specifikuar (veçuar) për Vete. Kjo llogaritet si mjet i fuqishëm për guxim dhe trimëri, për të shkuar përpara në beteja dhe në vendet e rrezikut për vdekje, me shpirt luftarak pa u hamendur dhe pa u luhatur, pa u dobësuar dhe pa u frikësuar sepse vdekjes nuk mund t’i ikë askush, ajo është çështje e vulosur.

Betejat dhe rreziqet nuk e përshpejtojnë vdekjen.

Gjumi dhe qëndrimi në shtëpi nuk mund ta ndalin vdekjen siç thotë Allahu i Madhërishëm:

“Mandej, pas asaj tronditjeje të rëndë, Ai u lëshoi sa për qetësim, një kotje (gjumi të lehtë) që i kaploi një grup prej jush, kurse një grup e kishte preokupuar vetëm çështja e vetvetes. Ata formuan bindje të padrejtë ndaj Allahut, bindje injorante, e thoshin: “Ne nuk kemi në dorë asgjë nga kjo çështje!” Thuaj: “E tërë çështja është vetëm në duar të Allahut!” Ata fshehin në vetvete atë që ty nuk ta shprehin. Thoshin: “Sikur ne të kishim diçka në dorë në këtë çështje, ne nuk do të mbyteshim këtu!” Thuaj: “Edhe sikur të ishit në shtëpitë tuaja, atyre që është caktuar mbytja (vdekja), do të dilnin në vendin e flijimit të tyre!” Në mënyrë që Allahu të provojë atë që është në zemrat e tuaja (sinqeritetin, ose hipokrizinë) dhe që të pastrojë atë që është në zemrat tuaja. Allahu i di shumë mirë të fshehtat në zemrat.” (Ali Imranë: 154)

Po ashtu, Allahu i Madhërishëm thotë:

“Kudo që të jeni vdekja do t’ju kapë, po edhe në qoftë se jeni në pallate të fortifikuara. E nëse i qëllon ata (munafikët) ndonjë e mirë, thonë: “Kjo është nga Allahu”. E nëse i qëllon ata ndonjë e keqe: “Kjo është nga ti (Muhamed)”. Thuaju: “Të gjitha janë nga Allahu!” Ç’është me këtë popull që nuk kupton gati asnjë send? (78)” (En-Nisa: 78)

Kur ishte dita e Uhudit Atijete el-Ufi ka thënë: Në betejë pësuam disfatë.

 – Disa thoshin: Është vrarë Muhamedi, vetdorëzohuni sepse ata janë vëllezërit tuaj.

– Të tjerët thoshin: Nëse Muhamedi është vrarë, pse nuk po vazhdoni luftën deri sa të ju ndodhë ajo çka i ka ndodhur pejgamberit tuaj deri sa ta takoni. Për këtë shkak kanë zbritur ajetet:

Ajetet 145-148:

Askush nuk vdes pa vullnetin dhe lejen e Allahut. Ai është shënim i afatit të caktuar. E kush e dëshiron shpërblimin e kësaj bote, Ne atij ia japim, e kush e dëshiron shpërblimin e botes tjetër, edhe atij do t’ia japim atë, kurse mirënjohësit Ne do t’i shpërblejmë. (145) E sa pejgamberë pati që së bashku me të luftuan turma të mëdha besimtarësh dhe për atë që i goditi në rrugën e Allahut, ata nuk u dobësuan dhe nuk u përulën. Allahu i do durimtarët. (146) Fjala e tyre nuk ishte tjetër pos vetëm: “Zoti ynë, na i falë mëkatet tona dhe lëshimet në punët tona dhe na forco në vendet tona (në luftë), ndihmona kundër popullit jobesimtar!” (147) Ndaj Allahu ua u dha atyre shpërblimin e kësaj bote dhe shpërblimin më të mirë të botës tjetër; Allahu i do punëmirët. (148)

Ajetet kanë sqaruar se, Muhamedi është sikurse pejgamberët tjerë, i nënshtrohet vdekjes. Nuk ka kërkuar të adhurohet, por ka urdhëruar që të adhurohet vetëm Allahu. Allahu është i Gjallë, nuk vdes, detyrë e të dërguarit është vetëm komunikata, mosprezenca e tij nuk do të thotë se nuk duhet vazhduar adhurimin ndaj Allahut.

Ajetet kanë sqaruar se nuk është çështje njerëzore dhe nuk është ligj i Zotit që vdekja të ndodhë pa lejen dhe pa dëshirën e Zotit. Allahu lëvizë çdo gjë. E urdhëron melekun të merret ndonjë shpirt në momentin e vdekjes së rëndomtë apo jo të rëndomtë. Këtë Allahu e ka shkruar si çështje definitive të përcaktuar në momentin të cilit nuk mund t’i ikë askush. Allahu nuk ia vonon çastin e vdekjes atij të cilit i vjen ai çast. Pasi që jeta është në dorën e Allahut, atëherë pse t’i frikësohemi luftës apo pse të dobësohemi në luftë?

Kush dëshiron shpërblimin e kësaj bote me xhihadin dhe veprimtarinë e tij, Allahu i jep shpërblim për të.

 Kush dëshiron që me veprat e tij të fitojë shpërblime në botën tjetër, Allahu i jep shpërblim prej saj, në përputhje me dëshirën e Tij dhe me urtësinë e Tij në të dy rastet.

Shumë njerëz me pejgamberët e tyre kanë luftuar në rrugë të Allahut, mirëpo ata nuk janë poshtëruar dhe as nuk janë dobësuar dhe nuk i janë nënshtruar kësaj bote dhe të mirave të saj, por kanë vazhduar të jenë parimorë dhe durimtarë. Allahu i do durimtarët. Ata luftëtarë kanë thënë: Zoti ynë na i fal mëkatet tona dhe gabimet tona dhe tejkalimet e urdhrave Tua, para armikut Tënd, na i forco këmbët tona në rrugën e drejtë. Na ndihmo neve kur të jemi përballë pabesimtarëve. Allahu i ka shpërblyer me kënaqësinë e Tij dhe i ka gëzuar me krenari dhe u ka ndihmuar në këtë botë, ndërsa shpërblimi i botës tjetër është xheneti dhe kënaqësia e Zotit. Allahu kënaqet me mirëbërësit dhe i shpërblen me fitore.

Përderisa, vdekja e ka momentin e caktuar dhe të vulosur, atëherë ky është element për t’u përgatitur për sakrificë dhe për të korrur fitore në këtë botë kundrejt epsheve dhe dëshirave, kundrejt armiqve dhe kundrejt vesveseve të shejtanit.

Mosdija për çastin e vdekjes apo të jetës sjellë të mira, dobi, njeriu shpreson dhe reflekton, largohet nga pesimizmi dhe plogështia, përderisa po të dinte njeriu çastin e vdekjes, atëherë i humb shpresat dhe jeton vetëm duke e pritur atë moment. Ne i kemi vërejtur të sëmurët të cilëve kur mjeku u ka thënë se nuk ka shpresë në shërimin e tyre, ata kanë jetuar të pikëlluar, të brengosur dhe të pashpresë dhe i kanë mërzitur të tjerët.

Lini një koment