Besimi i bashkon pejgamberët

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Muslimanët dallohen në atë se besojnë dhe i vërtetojnë të gjithë të dërguarit dhe pejgamberët pa dallim. Këtë e bëjnë duke e zbatuar urdhrin e Allahut në Kur’an, ku i drejtohet pejgamberit të Tij:

Ajeti 84:

Thuaj: “Ne i kemi besuar Allahut, edhe asaj që na zbriti neve, edhe asaj që i është zbritur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve. Edhe asaj që i është dhënë Musait dhe Isait, edhe asaj që i është zbritur të gjithë pejgamberëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi në mes tyre dhe ne vetëm Atij i jemi dorëzuar. (84)

Koncepti

O Muhamed, thuaji umetit tënd: Ne besojmë në të vetmin Zot dhe në atë çka na ka zbritur neve në Kur’an, i cili është bazë e njohurive gjithëpërfshirëse e të gjitha programeve besimore dhe ligjore. Besojmë në atë çka u ka zbritur pejgamberëve të mëparshëm: Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe fëmijëve të tyre, nipërve të tyre dhe ajo që i është dhënë Musait prej Tevratit dhe Isait prej Inxhilit dhe çka u është dhënë pejgamberëve të tjerë si Davudit, Sulejmani ta.s. të cilët nuk i di askush tjetër përpos Allahut Famëlartë.

Ne besojmë në dy çështje:

– Besojmë në Zotin;

– Besojmë në secilin pejgamber pa bërë dallim në ndonjërin prej tyre, bile besojmë në atë se secili prej tyre është pejgamber që është dërguar prej Allahut për umetin e tij, i cili i udhëzon për në rrugën e drejtë. Ne nuk veprojmë ashtu siç kanë vepruar jomuslimanët ashtu që kanë besuar në disa pejgamberë dhe i kanë mohuar pejgamberët tjerë. Ne jemi muslimanë.

Allahu i Madhërishëm nuk e do atë i cili kërkon fe përpos fesë islame, e cila është fe e të gjithë pejgamberëve. Është fe me të cilën është i kënaqur që ta pasojnë robërit e Tij dhe kush kërkon fe përpos fesë islame, në mënyrë kategorike nuk do t’i pranohet. Ai në botën tjetër do të jetë prej dështakëve të cilët e kanë humbur veten e tyre dhe nuk kanë korrur sukses për ta pranuar Islamin. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajeti 85:

E, kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpëruarit. (85)

Pastaj Allahu i Madhërishëm tregon për ndëshkimin për mohimin pas besimit në shpalljet e pejgamberëve. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajetet 86-89:

E, si ta udhëzojë Allahu një popull që pas besimit të tyre u bënë pabesimtarë dhe pasi dëshmoi se i dërguari është i vërtetë, dhe pasi t’ju kenë ardhur atyre argumente të qarta? Allahu nuk i mundëson udhëzimin e Vet popullit zullumqar. (86) Ndëshkimi i të tillëve është: mallkimi nga Allahu, nga engjëjt dhe nga gjithë njerëzimi tok. (87) Ata përgjithmonë janë në të (në zjarr), atyre as nuk ju lehtësohet dënimi dhe as nuk u jepet afat. (88) Përveç atyre që pas asaj u penduan dhe u përmirësuan. Vërtet, Allahu falë shumë dhe mëshiron. (89)

Nga ajo që ka përmendur Ibn Xheriri dhe të tjerët Ibn Abasi dhe Muxhahidi, kanë thënë: Ky ajet ka zbritur për shkak të Harith bin Suvejdin el-Ensarijut. Ishte musliman, pastaj e tradhton fenë dhe bëhet idhujtar. Pastaj është penduar dhe e dërgon njërin nga populli të pyes pejgamberin a.s. se a ka mundësi të pendohet. Atëherë zbret ajeti: “Si mund të udhëzojë Allahu një njeri…” deri te ajeti “përpos atyre që janë penduar” dhe ky ajet dërgohet të lexohet te populli i tij. Kur i është lexuar ky ajet ai thotë: Për Allahun, populli im nuk gënjen për pejgamberin a.s. dhe as pejgamberi a.s. nuk gënjen për Allahun. Allahu i ka vërtetuar të tre dhe pastaj është rikthyer në islam dhe pejgamberi a.s. e ka pranuar dhe ka vazhduar në islam.

Po ashtu, ajeti në fjalë përmban në vete çështjen e pasuesve të librit në kohën e pejgamberit a.s., pasi që i kanë parë atributet e tij në librat e tyre. Ata e kanë vërtetuar, e kanë deklaruar dhe e kanë dëshmuar se është e drejtë dhe krenoheshin dhe parashihnin fitore kundrejt idhujtarëve, por kur nuk është dërguar pejgamberi prej radhëve tyre, i kanë xhelozuar dhe i kanë urryer arabët dhe pas besimit të tyre kanë mohuar. Ata të cilët nuk besojnë pas besimit të tyre, dënimi i tyre është mallkimi i Zotit (dëbim nga mëshira e Tij), janë të mallkuar prej melekëve dhe prej të gjithë njerëzve. Ata do të qëndrojnë përgjithmonë në xhehenem, nuk do të ju lehtësohet dënimi dhe nuk do të ju vonohet dënimi, përpos atyre që pendohen nga pabesimi i tyre, i kthehen Allahut dhe i përmirësojnë zemrat dhe veprat e tyre. Allahu i fshin mëkatet e mëparshme të tyre. Është i mëshirshëm me robërit e Tij, ashtu që e pranon pendimin e penduesit.

Pasi që me urdhrin e Allahut në Kur’an kemi besuar në të gjithë pejgamberët, atëherë besimtarët e vërtetë duhet të jenë tolerantë, duhet të heqin dorë nga ekstremizmi fetar, i cili mbjellë urrejtje dhe krijon armiqësi. Duhet ta dimë se Allahu ka mundësi ta udhëzojë njerëzimin në një fe dhe se mendimi ndryshe është urtësi e lartë për të kuptuar të vërtetën duke e krahasuar me të pavërtetën. Kjo na fton që të punojmë dhe veprojmë së bashku në një rresht për të mirën e vendeve dhe të umetit, duke e lënë llogaridhënien e besimit te Allahu i Madhërishëm në botën tjetër.

Lini një koment