“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Gjeneza e feve të zbritura prej Allahut është e njëjtë. Ajo përputhet me ftesën se, duhet besuar në vetëm në një Zot, në baza të moralit dhe vlerave, në baza të ligjeve të shëndosha të rregulluara për nevojat e njerëzve. Të gjithë pejgamberët e kanë pasur një detyrë, një fe, ata kanë qenë vëllezër, secili ka besuar në shpalljen dhe ligjin e tjetrit. Për këtë arsye, Allahu e ka marrë besën nga secili pejgamber që ai dhe besimtarët pas tij do t’i përmbahen pejgamberëve të cilët vijnë pas tyre, do t’i ndihmojnë njëri-tjetrit dhe do ta mbështesin njëri-tjetrin. Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajetet 81 dhe 82:
Përkujtoni (o ithtarë të librit) kur Allahu mori zotimin e pejgamberëve: nga ajo se juve ju dhashë libër e urtësi, e që vërteton atë që ju keni pranë veti. Tha (Allahu):” A pranuat, a e morët sipër obligimin Tim? “Ata thanë:” Ne e pranuam!” Tha (Allahu):” Dëshmoni pra, edhe Unë dëshmoj bashkë me ju!” (81) E kush shkel këtë (zotim) pas kësaj, ata janë jashtë respektit ndaj Allahut. (82)
Ibn Abasi ka thënë: Pejgamberët e kanë marrë besën nga popujt e tyre. Kjo do të thotë se besa është marrë nga të gjithë.
Tavusi ka thënë: Allahu ka marrë besën nga pejgamberët se do ta vërtetojnë njëri-tjetrin.
Ali ibn Ebi Talibi ka thënë: Çdo pejgamber, që prej Ademit, e ka marrë besën për Muhamedin ashtu që, nëse dërgohet duke qenë gjallë ndonjëri prej tyre, atëherë duhet t’i besojë dhe ta ndihmojë dhe e ka urdhëruar që për të njëjtën çështje ta urdhëron popullin e tij, pastaj e ka lexuar këtë ajet.
Ky ajet ua përkujton popujve se çka përmbajnë librat e Zotit dhe çfarë detyre kanë pejgamberët, që është e detyrueshme të besohen të gjithë pejgamberët dhe secili e ka për obligim që të besoj në të gjitha shpalljet e pejgamberëve, e prej tyre bën pjesë shpallja e pejgamberit të fundit Muhamed bin Abdullahut, i cili është pejgamber i vërtetuar nga librat e pejgamberëve të mëparshëm dhe se duhet pasuar ata pejgamber, duhet ndihmuar dhe kjo ndihmesë është ndihmë edhe për secilin pejgamber të mëparshëm.
Atyre të cilët e kanë dhënë besën, si pejgamberët, si popujt dhe pasuesit e tyre, Allahu i Madhërishëm u thotë: A e deklaruat dhe e pranuat atë e cila është thënë për të besuar në pejgamberin e vërtetuar dhe a i ndihmuat? A e pranuat besën dhe premtimin?
Ata kanë thënë: Po e kemi deklaruar dhe e kemi vërtetuar.
Allahu i Madhërishëm ka thënë: Le të dëshmojë njëri-tjetri për ju dhe Unë dëshmoj për të gjithë juve. Dituria Ime përfshinë çdo gjë.
Kush e thyen besimin e dhënë më herët dhe nuk beson në pejgamberin e dërguar në fund, i cili është i vërtetuar më herët dhe nuk ndihmon, ai është mëkatar i cili është larguar nga besa e dhënë dhe nuk e ka mbajtur besën.
Pastaj, Kur’ani i urren ata të cilët kërkojnë fe tjetër pos islamit. Allahut i dorëzohen gjithçka ka në qiej dhe në tokë, i nënshtrohen Atij me gjithë qenien e tyre, me lëvizjet dhe aktivitetet e tyre, pa marrë parasysh ai nënshtrim a është vullnetarisht apo detyrimisht, me dëshirë apo pa dëshirë, pastaj kthimi dhe përfundimi është prapë te Allahu i Madhërishëm. Famëlarti thotë:
Ajeti 83:
A mos kërkojnë ata (ithtarët e librit) fe, pos fesë së shpallur nga Allahu? E Atij i është dorëzuar gjithë ç’ka në qiej e në tokë, me dashje dhe te Ai kthehen. (83)
Shkak i zbritjes së këtij ajeti
Siç thotë Ibni Abasi: Shkak i zbritjes së këtij ajeti është se: Pasuesit e librit ishin konfrontuar te i dërguari i Allahut a.s. pasi që kishin pasur mospajtime në mes vete për fenë e Ibrahimit. Secili tabor pretendonte se ka prioritet në fenë e tij. Atëherë pejgamberi a.s. u thotë: Asnjëri tabor nuk ka prioritet në fenë e Ibrahimit. Ata u hidhëruan dhe thanë: Për Zotin nuk pajtohemi me gjykimin tënd dhe nuk e pranojmë fenë tënde. Atëherë Allahu e zbriti ajetin:
“A mos kërkojnë ata (ithtarët e librit) fe, pos fesë së shpallur nga Allahu? E Atij i është dorëzuar gjithë ç’ka në qiej e në tokë, me dashje dhe te Ai kthehen.” (Ali Imranë: 83)
Nga ajeti kuptohet se, besa e pejgamberëve është dhënë për fenë e vetme të Allahut dhe se pejgamberët e shumtë dhe të gjitha shpalljet bashkohen në një pikë, e ajo është ftesa në besimin në një Zot, për realizimin e adhurimit në Allahun e Madhërishëm dhe nxitje për rregulla të moralit dhe përmbajtjes së vlerave të cilat prosperojnë individin dhe shoqërinë. Pasi që shpalljet e Zotit janë të një burimi, atëherë njerëzit, posaçërisht besimtarët duhet të bashkohen nën një flamur, të mos lejojnë grupacione, ndarje, përçarje dhe të mos konfrontohen për çështjen e fesë dhe të mirën e kësaj bote.
Pasi që prej umetit tonë, në rend të parë kërkohet një përmbajtje e vetme dhe një libër qiellor, ai duhet t’i bashkojë radhët, të përmbahet në konstruktin e saj, t’i tejkalojë mospajtimet, t’i zbusë urrejtjet dhe hasmëritë, që të jetë umet i fuqishëm përballë pritjeve që ka nevojë bota. Në suretu Enbija Allahu i Madhërishëm thotë: “Padyshim se ky është umeti juaj, një i vetëm dhe Unë jam Zoti juaj, më adhuroni.” (El-Enbija: 92)