“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Sa i përket fesë së Allahut dhe ligjeve të Tij, njerëzit ndahen në dy kategori:
– Hipokrit i padëgjueshëm; dhe
– Besimtar i dëgjueshëm.
Zemra e hipokritit është e errët, e mbushur me pabesim.
Zemra e besimtarit është e ndriçuar me dritën e Allahut. Shkon në harmoni me direktivat e Allahut.
Shenjat e besimit dhe shenjat e hipokrizisë janë të qarta dhe kuptohen gjatë qëndrimeve të tyre dhe gjatë fjalimeve të tyre.
Disa njerëz janë fjalëmirë saqë të mahnitin me dezinformatat e tyre, me sqarimet e tyre, mirëpo ata tradhtojnë, mashtrojnë dhe përgënjeshtrojnë.
Ata flasin për përfitim të kësaj bote dhe për të mirat dhe lakmitë e kësaj bote.
Ata tentojnë t’i zbukurojnë fjalët e tyre, duke paraqitur besimin e tyre ose duke dëshmuar se kinse e kanë Allahun në zemrat e tyre dhe çdo herë kur flasin, Allahu i sfidon dhe e bën krahasimin e fjalëve me vepra duke treguar se:
– Allahu e di edhe pse ata dëshmojnë se janë të sinqertë.
– Allahu e di se ata janë armiqtë dhe urryesit më të këqij,
– Allahu e di se ata janë nxitësit më të mëdhenj të polemikave, ata janë ziliqarët më të mëdhenj.
Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajetet 204-207:
Ka ndonjë nga njerëzit që fjala e tij të mahnit, por vetëm në këtë botë (pse në botën tjetër gjykon Ai që e di të fshehtat), dhe për atë që ka në zemrën e tij, e paraqet Allahun dëshmues, e në realitet ai është kundërshtari më i rreptë. (204) E posa të kthehet, ai në tokë vepron të bëjë shkatërrim në të, të asgjësojë të korrat (mbjelljet) dhe gjallesat. E Allahu nuk e do çrregullimin (fesadin). (205) Dhe kur i thuhet atij: “Kij frikë Allahun!”, atë e kap eufori për punë mëkati. Shtrat i shëmtuar është ai që i takon atij (Xhehenemi). (206) Ka nga njerëzit, i cili për hir të Allahut e flijon vetveten, e edhe Allahu është shumë i mëshirshëm për robërit e vet. (207)
Sidiju thotë: Këto ajete kanë zbritur për Enes bin Shurejki Eth-Thekafiju, i cili është i njohur si Hulejf beni Zehre. Shkon te pejgamberi a.s.. në Medine dhe e përqafon Islamin dhe e mahniti pejgamberin a.s.. për këtë kur ka thënë: Unë kam ardhur të jem musliman. Allahu e di se jam i sinqertë dhe i drejtë dhe e tregon pjesa e ajetit.
Dhe e dëshmon Allahun me ‘zemër’ të tij, pastaj largohet prej të dërguarit të Allahut a.s. dhe kalon pranë një plantacioni të muslimanëve dhe e djeg atë plantacion, pastaj Allahu i Madhërishëm zbret ajetin: “Dhe kur e kthen shpinën, ecën nëpër tokë dhe angazhohet për të çrregulluar në të dhe shkatërron plantacione dhe pasardhës.”
Ky shembull është prej elementeve të shkatërrimit, çrregullimit dhe hipokrizisë. Askush nuk e ka urryer veprimin e tij, por e ka pëlqyer veprimin e tij të keq, duke e fshehur veprimin e shkatërrimit të pronave të shoqërisë dhe duke shkatërruar bazën e ekonomisë së shoqërisë.
Përballë këtij elementi të keq, shohim shembull personaliteti të jetës së mirë në shoqëri, e ai është Suhejb bin Senani dhe të ngjashëm të cilët ishin prej luftëtarëve të sinqertë. Për rastin e tij Allahu i Madhërishëm thotë:
“Ka nga njerëzit, i cili për hir të Allahut e flijon vetveten, e edhe Allahu është shumë i mëshirshëm për robërit e vet.” (El-Bekare: 207)
Që nënkupton se është i butë me robërit e tij, ashtu që i ka obliguar për luftë në rrugën e Allahut dhe për këtë ua ka paraqitur shpërblimin e dëshmorëve. Seid bin el-Musajeb ka thënë:
Ishte drejtuar Suhejbi që të migrojë në drejtim të pejgamberit a.s., e atij i kishin shkuar pas një grup prej idhujtarëve kurejshit.
Suhejbi zbret nga mjeti transportues i tij, e merr shigjetën, e vendos në harkun e tij dhe thotë: “O ju kurejshitë, e dini se jam qitësi më i mirë. Për Zotin, askush nuk mund të më zë, deri sa të mos i harxhoj të gjitha shigjetat e mia, e pastaj kush më afrohet, shpata ime do t’i shtrijë për toke.
Ata i thonë: Na trego për shtëpinë tënde dhe pasurinë tënde të fshehur në Meke dhe do të jesh i lirë. Kështu ata i premtuan se nëse u tregon mund të vazhdonte rrugën.
Ashtu edhe veproi.
Kur shkon te Muhamedi a.s., Muhamedi a.s. thotë: “O Ebu Jahja, këmbim të mrekullueshëm, këmbim të mrekullueshëm.” Për këtë arsye ka zbritur ajeti:
“Ka nga njerëzit, i cili për hir të Allahut e flijon vetveten, e edhe Allahu është shumë i mëshirshëm për robërit e vet.” (El-Bekare: 207)
Komentuesit thonë: Idhujtarët e kanë lidhur Suhejbin dhe e kanë rraskapitur, ndërsa Suhejbi u ka thënë: Unë jam plakur, nuk mund të ju dëmtoj, qofsha me ju, qofsha kundër jush. Pse nuk po e merrni pasurinë time dhe të më lejoni në fenë time. Ata ashtu edhe kanë vepruar. Ai i kushtëzoi që të merrte me vete vetëm mjetin transportues (kafshën transportuese) dhe mjetet elementare të ushqimit për rrugë. Pastaj shkon në Medine. Aty takon Ebu Bekrin, Umerin dhe të tjerët. Ebu Bekri i thotë: “O Ebu Jahja, nga shitblerja jote përfitove.” Ai i thotë: Çka kam përfituar? Ebu Bekri i thotë: Për shkakun tënd ka zbritur ky ajet dhe e lexoi ajetin e lartcekur.