“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Prej traditës së jehudëve, prej bindjeve të tyre është që të konsiderojnë devijim të kaluarën, të përgënjeshtrojnë argumentet e Allahut, e prej tyre:
– Përgënjeshtrimin e Kur’anit fisnik,
– mosrealizimin e premtimeve dhe moszbatimin e marrëveshjeve,
– përgënjeshtrimin ndaj pejgamberëve,
– kundërshtimi ndaj Kur’anit.
Po ashtu ata veprojnë me magji, me vepra neveritëse dhe me hajmali.
Kjo e dëshmon qartë devijimin nga feja e vërtetë, e cila bazohet në parime të shëndosha. Këtë e vërteton Kur’ani në ajetet në vijim:
Ajetet 99-103:
Ne të kemi shpallur ty (Muhamed) argumente të qarta dhe ato nuk i mohon askush, përveç atyre që kanë dalë respektit. (99) (nuk besojnë argumentet tona se) Saherë që ata kanë dhënë ndonjë premtim, një grup prej tyre e hodhi atë, por shumica e tyre nuk beson. (100) E kur u erdhi atyre ndonjë i dërguar prej Allahut, vërtetues i asaj që kishin ata, një grup prej tyre të cilëve iu ishte dhënë libri, e hodhi pas shpine librin e Allahut, kinse nuk dinin (asgjë). (101) (E hodhën librin e Zotit) E ndoqën atë që thoshin djajtë në kohën e sundimit të Sulejmanit. Por Sulejmani nuk ishte i pafe, djajtë ishin të pafe, sepse u mësonin njerëzve magjinë. (Ndoqën) Edhe atë që u zbriti në Babil dy engjëjve, Harutit dhe Marutit. E ata të dy nuk i mësonin askujt (magjinë) para se t’i thoshin: “Ne jemi vetëm sprovë, pra mos u bën i pa fe!” E, mësonin (njerëzit) prej atyre dyve atë (magji) me çka ndanin burrin prej gruas së vet, por pa lejen e Allahut me atë askujt nuk mund t’i bënin dëm dhe ashtu mësonin çka u sillte dëm e nuk u sillte dobi atyre. E ata (jehudët) e kanë ditur se ai që (hodhi librin) e zgjodhi atë (magjinë), ai në botën tjetër nuk ka ndonjë të drejtë (në mëshirën e Zotit). Po ta dinin ata se për ç’ka e shitën vetveten, ajo është shumë e keqe. (102) E sikur të kishin besuar ata dhe sikur të ishin ruajtur (prej mëkateve), po të dinin, shpërblimi prej Allahut do të ishte shumë më i dobishëm. (103)
Për Zotin, o i dërguar, Ne të kemi zbritur argumente dhe ajete të qarta të cilat tregojnë dhe vërtetojnë pejgamberinë tënde dhe ato nuk i mohon askush tjetër përpos të çoroditurve. I mohojnë ata të cilët i tejkalojnë kufijtë dhe të cilët e dëshirojnë (e preferojnë) devijimin në vend të udhëzimit. E gjithë kjo është rezultat i zilisë, xhelozisë dhe kryeneçësisë.
Shkaku i zbritjes së ajetit
E ka regjistruar Ibn Hatemi nga Ibn Abasi r.a. se:
“Ibn Surija i ka thënë Muhamedit: Nuk na ke sjellë diçka të njohur, Allahu nuk të ka zbritur ajete të qarta. Atëherë për këtë rast Allahu ka zbritur ajetin: “Ne të kemi zbritur ty argumente (ajete) të qarta.”
Ata e kanë mohuar Allahun dhe çdoherë kur kanë pasur marrëveshje me Allahun ose me të dërguarin e Allahut, një grup prej tyre i ka prishur ato marrëveshje, bile i kanë prishur dhe nuk i kanë zbatuar shumica e tyre. Shumica e tyre nuk kanë besuar në Tevratë. Shumica e tyre nuk kanë të bëjnë asgjë me fe, nuk besojnë në Kur’anin dhe në pejgamberinë e fesë islame.
Shkak i zbritjes së këtij ajeti
Kur është dërguar pejgamberi i Allahut dhe u ka treguar për marrëveshjet dhe për premtimin (lajmin) se do të dërgohet Muhamedi, atëherë Malik bin Sajfi ka thënë: Unë nuk e pranoj atë marrëveshje. Për këtë arsye, Allahu i Lartmadhëruar ka zbritur: “Çdo herë kur kanë pasur marrëveshje…”
Kur është dërguar pejgamberi a.s. është dërguar me librin i cili e vërteton dhe e mbështetë Tevratin dhe bazat e përgjithshme të fesë si f.v.: Besimin në një Zot, ringjalljen, vërtetimin e shpalljeve dhe pejgamberëve, atëherë një grup i jehudëve e kanë hedhur librin e Allahut pas shpine. Ky veprim ka qenë refuzim i tyre ndaj librit të Allahut dhe mosbesim në fenë dhe në të vërtetën. Kjo dëshmon se, ata nuk e kuptojnë se, kush nuk e beson Kur’anin, i cili është në harmoni me Tevratin, nuk mund të jetë besimtar në asnjërin prej tyre (as në Kur’an as në Tevratë).
Një grup i rabinëve jehudë dhe një grup prej dijetarëve të tyre, të cilët e kishin hedhur Tevratin pas shpine, kanë filluar të veprojnë me magji dhe besëtytni që në kohën e Sulejmanit. Kjo nga shkaku se shejtanët (djajtë) kanë shkuar në qiej për të përvjedhur ndonjë fjalë dhe këtyre fjalëve iu kanë bashkëngjitur gënjeshtra, pastaj kanë prodhuar magji dhe ua kanë mësuar njerëzve dhe thoshin se: Kjo është dituri e Sulejmanit dhe se Sulejmani e ka aprovuar dhe e ka vepruar atë.
Atëherë Allahu u është përgjigjur se, Sulejmani nuk ka vepruar ashtu. Sulejmani nuk ka vepruar me magji, por shejtanët kanë qenë pabesimtarë të cilët kanë pasuar magjinë, kanë pasuar thirrjen për magji dhe i kanë mësuar njerëzit për t’i mashtruar dhe për t’i dëmtuar, ndërsa ia kanë mveshur Sulejmanit dhe kanë gënjyer për ta dëmtuar pejgamberinë e tij.
Shkaku i zbritjes së ajetit
Ibn Is’haku thotë: Disa rabinë jehudë kanë thënë: Pse po habiteni për Muhamedin, ai thotë se Sulejmani ka qenë pejgamber. Për Zotin ai (Sulejmani) nuk ka qenë asgjë tjetër përpos magjistar. Atëherë, Allahu ka zbritur ajetin: “Dhe Sulejmani nuk ka mohuar…”
Me diturinë e tyre të cilën e kanë zbritur dy melekë në Babiloni (në Kufe të Irakut).
Dy melekët janë dy njerëz të mirë dhe të devotshëm. Dy shokë që njiheshin të urtë dhe modest dhe ngjanin (i llogaritnin) si melekë, e ata quheshin Harutë dhe Marutë.
Këta dy njerëz si melekë ua mësonin njerëzve magjinë, e cila në kohën e tyre ishte përhapur si profesion i çuditshëm. Njohuria e tyre ishte si rezultat i frymëzimit dhe jo i mësimit, e që qëllimi ishte se u ka zbritur njohuri dhe ajo çka janë frymëzuar është prej llojit të magjisë dhe jo vet magji.
Këta dy njerëz si melekë, kanë trasuar rrugën e mësimit të magjisë për të tërhequr vërejtjen për të mos vepruar me magji. Asnjë prej njerëzve nuk e kanë mësuar, pa iu treguar se: Ata janë për sprovë dhe testim prej Allahut dhe mos veproni me magji se në të kundërtën bëheni jobesimtarë. Kjo ka qenë për të mbrojtur dhe siguruar njerëzit për besimin e sinqertë. Ua mësonin njerëzve atë që shkaktonte ndarjen e burrit prej gruas.
Magjia dhe çështjet e ngjashme si f.v.: zilia, mësyshi, sëmundjet, nuk shkaktojnë dëm nga vetvetja e tyre përpos se me lejen e Allahut dhe dëshirës së Tij. Dhe kjo ndodh për shkak të ligjit të shkakut, që nënkupton se është vetëm mjet ose shkak i cili ndërlidhet me të shkaktuarën ose si rezultat i shkakut e që më pastaj realizohet e keqja nëse dëshiron Allahu. Allahu është Ai i Cili i ka caktuar ligjet e shkakut dhe të shkaktuarës. Ndonjëherë nuk mund të ketë rezultat sepse ashtu dëshiron Allahu.
Hasan el-Basriju thotë:
“Për atë që dëshiron Allahu, e pengon magjinë dhe nuk mund të dëmtohet. Për atë që dëshiron Allahu, e lë çështjen e lirë mes tyre dhe dëmtohet.”
Kush e mëson magjinë dhe vepron me të, ai mëson atë çka dëmton dhe nuk sjell dobi sepse është shkaktar për dëmtimin e njerëzve dhe për shkak se synon të keqen dhe i detyron njerëzit të përjetojnë dhembje e vështirësi, ndërsa, Allahu e ndëshkon në botën tjetër për shkak të dëmtimit të tjetrit dhe për çrregullimin e të mirave.
Për Zotin, jehudët e kanë ditur se ai i cili e largon librin e Allahut, i paralizon bazat e fesë dhe ligjet e sheriatit, të cilat sjellin lumturi në të dy botët, dhe i zëvendëson ato me libra të magjive, në botën tjetër nuk kanë asgjë tjetër pos vuajtje dhe ndëshkim. Kjo i bie, të bëhet këmbimi i botës tjetër me këtë botë, andaj të tillët nuk meritojnë kurrfarë të drejte të mirësisë në botën tjetër.
Mjerë për ata të cilët e kanë shitur veten e tyre duke e zëvendësuar vendin e Tevratit me magji. Ata janë injorantë, nuk e dinë saktësisht ndalesën e magjisë.
Nëse jehudët do të besonin me besim të drejtë Tevratin, në të (Tevratë) e kanë paralajmërimin për pejgamberin e kohës së fundit.
Nëse Jehudët do të besonin në Kur’anin dhe do t’i linin pas dore librat e magjive dhe të besëtytnive dhe nëse do të ishin të devotshëm ndaj Allahut, ashtu që të largoheshin nga ndalesat dhe t’i vepronin urdhëresat, do të meritonin shpërblim të madh prej Allahut dhe për punët e mira do të shpërbleheshin. Kjo do të ishte më e mirë për ta, sikur të kishin njohuri të dobishme.