Qëndrimi i Ademit dhe Havasë në xhenet

Prej mënyrave të nderimit të Zotit ndaj Ademit dhe Havasë është se, në fillim të krijimit të tyre i vendosi të qëndrojnë në xhenet. Qëndrimi në xhenet ishte parapërgatitje për qëndrueshmëri deri në përfundimin e krijesës.

Urtësia e Zotit ishte që njeriu të jetojë në tokë, që të zhvillojë tokën, të shtohet lloji njeri dhe të tregojë specifikën e tij për t’u përballë me veten, me epshin dhe me shejtanin.

Ky është tregimi i Ademit dhe Havasë në xhenetin e tokës:

Ajetet 35-39:

Ne i thamë: “O Adem, ti dhe bashkëshortja juaj banoni në Xhenet dhe hani lirisht nga frutat e tij kah të doni, po mos iu afroni asaj bime (peme) e të bëheni zullumqarë (të vetvetes suaj).” (35) Po djalli i bëri që ata të dy të mashtrohen në atë (pemë ose Xhenetin) dhe i nxori ata nga ajo (e mirë) që ishin në të, e Ne u thamë: “Zbritni (dilni), jeni armik i njëri-tjetrit, e ju deri në një kohë në tokë keni vendbanim dhe dëfrim”. (36) E Ademi prej Zotit të vet pranoi disa fjalë (lutje), prandaj Ai ia fali (gabimin), s’ka dyshim se Ai është Mëshiruesi, Pendimpranuesi. (37) Ne u thamë: “Dilni prej aty që të gjithë, e juve gjithqysh do t’u arrijë udhëzim prej Meje, e kush pranon udhëzimin Tim, për ata nuk ka as frikë as që do të brengosen”. (38) E ata që mohuan dhe përgënjeshtruan argumentet tona, të tillët janë banues të zjarrit, ata do të jenë aty përgjithmonë. (39)

O i dërguar, tregoji popullit tënd momentin kur Allahu i Lartmadhëruar e urdhëroi Ademin dhe Havanë të qëndrojnë në xhenet.

 Në esencë, qëndrimi në xhenet ishte nderim dhe lartësim. Ata (Ademi dhe Hava) janë nderuar dhe janë lartësuar që të shijojnë të gjitha të mirat në xhenet, t’i shfrytëzojnë si të dëshirojnë, t’i konsumojnë e të ushqehen me të mirat e saj kudo që shkojnë, ose nga të shkojnë, të kenë liri të pakufishme të qarkullimit.

 Nga ana tjetër i ka ndaluar që të ushqehen vetëm nga një pemë e caktuar sepse të ushqyerit me atë pemë do të shkaktonte:

– Padrejtësi ndaj vetes së tyre,

– tejkalim të urdhrit të Allahut dhe

– kundërshtim ndaj ndalesës së Tij.

 Shejtani që nga fillimi i krijimit të tyre ka qenë armik i tyre, që bën të nënkuptohet se ka shkuar tek ata, i ka larguar nga xheneti dhe i ka privuar nga ato të mira, pasi që i ka mashtruar me ngrënien e asaj peme, kështu duke shkuar rreth tyre duke u thënë:

“Shejtani i nxiti ata të dy (i mashtroi), që t’ua zbulojë atyre pjesët e turpshme që u ishin të mbuluara dhe tha: “Zoti juaj nuk ua ndaloi ju dyve atë pemë vetëm që të mos bëheni melaqe (engjëj), ose të mos bëheni prej të përjetshmëve. (20) Dhe ju bëri be atyre (duke u thënë) se: unë jam këshillues për ju. (21)” (El-Earafë: 20, 21)

Cytjet e shejtanit dominuan mbi ta dhe nga xheneti u vendosën në tokë, në vështirësi të tokës dhe pas kësaj fillon armiqësia në mes të njeriut dhe shejtanit:

“Vërtet shejtani është armik për ju (andaj) dhe ju llogariteni armik. Vërtet ai i fton ushtrinë e tij (kundër jush) që ju të jeni prej banorëve të zjarrit.” (Fatir: 6)

Allahu u thotë atyre: Zbritni nga xheneti dhe vendosuni në tokë, ju jeni armiq të njëri-tjetrit, mirëpo qëndrimi në tokë dhe shfrytëzimi i të mirave do të jetë i përkohshëm. Allahu e frymëzoi me fjalët e pendimit dhe ai së bashku me bashkëshorten e tij vepruan ashtu. I thanë ato fjalë, u penduan me pendim të sinqertë. Fjalët të cilat i kanë thënë janë:

“Zoti ynë, ne i bëmë padrejtësi vetes sonë dhe nëse nuk na falë dhe nuk na mëshiron, do të jemi prej të humburve.” (El-Earaf : 23)

Allahu ua pranon pendimin sepse i pranon me të madhe pendimet e robërve të Tij. Ka mëshirë të gjerë ndaj robërve të Tij dhe i falë.

Allahu i Lartmadhëruar e ka përsëritur ngjarjen e zbritjes së Ademit me bashkëshorten e tij në tokë për të përforcuar tregimin e ngjarjes.

Njerëzit janë të ndarë në dy kategori:

– Kategoria e parë është kategoria e besimtarëve të cilët janë të dëgjueshëm, pasojnë udhëzimin, veprojnë me ligjet e Zotit. Kjo kategori e njerëzve besojnë në xhenetet e përgjithmonshme në botën tjetër. Për ta nuk ka frikë për dënim. Për ta nuk ka pikëllim dhe as trishtim ose fatkeqësi nëse ua tejkalon ndonjë begati në këtë botë.

– Kategoria e dytë është kategoria e pabesimtarëve përgënjeshtrues të asaj çka zbret Allahu në librat e Tij, të cilët i mohojnë shpalljet e Allahut dhe pejgamberët e Tij. Këta, përpos tjerëve, do të jenë në xhehenem përgjithmonë, aty do të qëndrojnë vazhdimisht, as nuk do të vdesin, as nuk do të jetojnë jetë të mirë dhe nuk do të nxirren nga aty.

Kjo ngjarje ka shkaktuar pyetje dhe çështje të shumënumërta, si f.v.:

– Për vendin e xhenetit, ku shumica mendojnë se gjendet në qiell.

– Për llojin e pemës, se a ka qenë kokërr rrushi apo fiqi?

– Për mëkatin e Ademit, pasi që pejgamberët janë të siguruar prej mëkateve. E vërteta është se, ka qenë prej mëkateve të vogla dhe jo prej mëkateve të mëdha dhe është mëkat i cili ka ndodhur para pejgamberisë.

– Për çështjen e hyrjes së Iblisit në xhenet pas dëbimit të tij, mirëpo çështja e dëbimit nuk nënkupton se nuk mund të shkaktojë cytje, dyshime dhe sprovim për Ademin dhe Havanë.

– Për çështjen e veprave të njerëzve se a janë të krijuara? E vërteta është se, janë prej krijimit të Allahut, kjo duke u bazuar “Dhe kush nga ju pason udhëzimin.”.

– Për çështjen se kush ka vlerë më të madhe: melekët apo njerëzit? Çështje e dukshme është se në përgjithësi melekët janë më të vlefshme se njerëzit e përgjithshëm, ndërsa njerëzit e veçantë siç janë pejgamberët janë më të vlefshëm se melekët e veçantë. Kështu mendojnë një shumicë e dijetarëve.

 Të përmbajturit nga debati për këto çështje ka përparësi dhe është më edukative, ashtu që çështjet i dorëzojmë tek Zoti i Lartmadhëruar.

Lini një koment