Dr. Musli Vërbani
–
Esselamu alejkum ve berekatuhu (Paqja, shpëtimi dhe bekimi në të dy botët qoftë për ju).
Falënderojmë Zotin e gjithë botëve i cili na thotë:
“Atë ditë është shkatërrim për ata që përgënjeshtruan.” (Murselat,16)
1 prilli është dita ku njerëzit e gënjejnë njëri-tjetrin, bëjnë shaka, mashtrime e rrengje me përmbajtje humori.
Kemi ditë të gruas, ditë të punëtorëve, por pse duhet të kemi ditë të rrenave.
Pse duhet të kemi ditë të paganizmit, pse duhet të kemi ditë të mashtrimit, qoftë ajo rrenë me qëllim apo pa qëllim, me mahi apo pa mahi, qoftë për zbavitje, qoftë për jo zbavitje.
Kjo lloj rrene është e ndaluar. Është e ndaluar nga shkaku se është gënjeshtër. Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Mjerë për një njeri i cili tregon diçka, e ai tregim është gënjeshtër, por e tregon atë gënjeshtër me qëllimin që të qeshin të tjerët. Mjerë për të, mjerë për të”.
Në kohën e sotshme disa njerëz e quajnë një lloj gënjeshtre se është gënjeshtër e bardhë, ngase sipas tyre gënjeshtra e tillë nuk e dëmton askënd. Nuk ka gënjeshtër të bardhë apo të zezë. Nuk ka gënjeshtër të kuqe apo të verdhë, të gjitha gënjeshtrat janë të ndaluara.
Xhematë i nderuar!
Rrena nuk është cilësi e besimtarit, por është cilësi e hipokritit.
Rrena nuk është edukatë e besimtarit, por është veti e hipokritit, siç thotë pejgamberi a.s.:
“Shenjat e hipokritit janë tri:
– Kur flet rrenë.
– Kur premton nuk e mban premtimin.
– Kur i besohet diçka tradhton.”
Gënjeshtra është cilësi e hipokrizisë. Gënjeshtra është e kundërta e besimit. Besimtari nuk duhet të jetë gënjeshtar. Allahu i Madhërishëm thotë:
“Gënjeshtrën e trillojnë vetëm ata që nuk i besojnë argumentet e Allahut; të tillët janë ata gënjeshtarët”.(Nahl: 105).
Njeriu fillon me një gënjeshtër të vogël, pastaj e përsërit atë gënjeshtër të vogël, pastaj e vazhdon me një gënjeshtër të madhe, pastaj i përsëritë gënjeshtrat e mëdha.
Është transmetuar në hadithë:
“Ruajuni gënjeshtrës, sepse gënjeshtra të shpie në degjenerim dhe degjenerimi shpie në zjarr. Njeriu pastaj vazhdimisht gënjejnë dhe anon nga gënjeshtra derisa të regjistrohet te Zoti si gënjeshtar”. Pra, njeriu nuk duhet të regjistrohet në regjistrin e gënjeshtarëve.
Jeta e muslimanit ndërtohet dhe bazohet në sinqeritetit dhe në drejtësi, e nuk bazohet në rrenë dhe mashtrim.
Muslimani është i drejtë në veten e tij, me familjen e tij dhe me të gjithë njerëzit. Muhamedi a.s. ka qenë i njohur me cilësinë e sinqeritetit si para pejgamberisë ashtu edhe pas pejgamberisë.
Nëse në një ambient përhapet rrena, ai ambient nuk është Islam.
Sot jetojmë në një kohë ku rrena ka zënë vend në shumë çështje:
– Rrena ka zënë vend në politikë.
– Rrena ka zënë vend në tregti.
– Rrena ka zënë vend në raporte shoqërore.
Kjo traditë është traditë e keqe, është e ndaluar. Gënjeshtra nuk është prej edukatës së besimtarit, por është prej cilësive të hipokritit. Pejgamberi a.s. thotë:
“Shenjat e hipokritit janë tri: e njëra prej tyre: Kur flet, gënjen”.
Islami e lejon gënjeshtrën në raste të caktuara.
Shembull: Një kriminel e kërkon njeriun e drejtë të cilin dëshiron që ta vrasë me pa të drejtë. Ndërsa njeriu i pafajshëm gjendjet te ti. Nëse ai kriminel të pyet ty: “Mos e ke pa filanin”. Mos thuaj e kam pa. Kjo sepse ai do të vritej me pa të drejtë.
Pejgamberi a.s. e ka lejuar gënjeshtrën vetëm në raste të caktuara dhe të domosdoshme.
Të gjitha llojet e gënjeshtrave janë të ndaluara, mirëpo disa prej gënjeshtrave janë prej mëkateve të mëdha, siç është dëshmia e rrrejshme, siç ka thënë pejgamberi a.s.:
“Umi Kulthumi ka treguar se pejgamberi a.s. e ka lejuar gënjeshtrën në tri raste:
– Në luftë, ngase lufta është tradhti.
– Në pajtimin mes njerëzve (të ngatërruarve).
– Në bisedën e gruas me burrin dhe anasjelltas.”
Ibrahimi a.s. ka gënjyer në tri raste.
“Ibrahimi a.s. asnjëherë nuk ka gënjyer, përpos në tri raste (quhet gënjeshtër në mënyrë ironike) se në të vërtet ka qenë vetëm veprim, i cili ka pasur mundësi të ketë kuptim të dy çështjeve në aspekt fetar.
– Dy herë për Allahun kur ka thënë: “Unë jam i sëmurë” dhe “mos ndoshta ka vepruar kështu i madhi i tyre (i ka thyer zotat – idhujt)”, dhe
– Njëherë me ngjarjen e Sarës (gruas së tij), kur ka shkuar në një vend të një pushtuesi mizor, ndërsa me vete e kishte Sarën, e cila ishte shumë e bukur, e i thotë asaj: “Ky mizor, nëse merr vesh se je gruaja e ime, do të të pronësojë, por nëse të pyet, ti i përgjigjesh se je motra ime, edhe pse e vërteta është se ti je motra ime në islam, sepse në tokë sot nuk ka musliman tjetër, pos meje e teje”.
Vëllezër të nderuar!
Gënjeshtra është cilësi e keqe, mirëpo disa prej gënjeshtrave janë mëkat i madh, disa prej gënjeshtrave janë mëkat i vogël.
Prej gënjeshtrave të cilat janë mëkat i madh është dëshmia gënjeshtare. Për të cilën pejgamberi a.s. ka thënë:
“- A dëshironi të ju tregoj për mëkatet e mëdha.
– Po – i kanë thënë.
Atëherë pejgamberi a.s. ka thënë: Idhujtaria, trajtimi keq ndaj prindërve. Pastaj është ulur dhe thoshte (pandërprerë) – dhe dëshmia gënjeshtare.
(sehabet mendonin dhe thoshin me vete, ah sikur të ndalej).”
Pas kësaj, betimi duke gënjyer.
“Ata që për një vlerë të paktë e shesin besën e dhënë Allahut, ndryshojnë edhe zotimet e tyre, të tillët nuk kanë pjesë (mëshirë) në botën tjetër, dhe në Ditën e Kijametit Allahu nuk u flet atyre, nuk i shikon ata dhe nuk i pastron (prej barrës së gabimeve), ata kanë një dënim të dhembshëm.”(Ali Imran: 77)
Gënjeshtra ndaj pejgamberit a.s.
Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Kush gënjen për mua qëllimisht, le ta përgatitë vendin e tij prej zjarri.”
Besimtari duhet të jetë i kujdesshëm dhe të mos përcjellë hadithe të pavërteta, siç thotë pejgamberi a.s:
“Ai i cili e tregon një hadithë për mua duke e ditur se nuk është hadithë prej meje, por është gënjeshtër, ai është gënjeshtar”.
Prej gënjeshtrave më të këqija është gënjeshtra e udhëheqësve, siç figuron në hadithin:
“Tre personave Allahu nuk do të ju flet në Ditën e gjykimit, nuk i amniston, ata do të kenë dënim të dhembshëm, e ata janë: Plaku prostitut, udhëheqësi gënjeshtar dhe arroganti kryelart.”
Gënjeshtrat e vëllezërve të Jusufit për gjakun e falsifikuar dhe të tjerat të njëpasnjëshme të cilat ishin fabrikuar për Jusufin a.s., që të gjitha kanë dështuar.
Gënjeshtra është vetëm për në një moment të caktuar, pasi që fati dhe fundi i tij është dënimi dhe fitorja përfundimtare i përket të vërtetës dhe të drejtëve.
Islami e lejon gënjeshtrën në raste të caktuara kur të ekziston domosdoshmëria.
Vëllezër të nderuar!
Është çështje negative fakti se gënjeshtra është përhapur në jetën shoqërore, në jetën tregtare dhe në atë politike.
Në jetën shoqërore njerëzit i titullojnë çështjet jo me emrin e tyre.
Njerëzit e gënjejnë veten duke i falsifikuar terminologjitë, saqë degjenerimin e quajnë modë, lakuriqësinë e quajnë çlirim nga e kaluara, e kështu me radhë.
Prej dukurive negative është çështja se gënjeshtra është përhap në jetën shoqërore tregtare dhe ekonomike, kështu që: Alkooli quhet “pije freskuese”, pastaj, kënga quhet “art”, kumari quhet “fat”, korrupsioni emërohet me “kafe”, përzierja e meshkujve me femra quhet “modernizim”, zbulimi i pjesëve të trupit llogaritet “elegancë”, prostitucioni “marrëdhënie e përkohshme”, hipokrizia cilësohet “politikë”, pra të gjitha këto terma janë gënjeshtra të llojit të vet.
Sot tregtarët më shumë rëndësi i kushtojnë ambalazhit të produktit se sa vet produktit. Kjo është gënjeshtër e llojit të vet.
Pastaj në vazhdimësi dëgjojmë gënjeshtra në çështjet politike nga figura dhe personalitete politike.
Përfundim
Shoqëria ka nevojë për sinqeritet.
Të flasin të vërtetën qeveritarët.
Të flasin të vërtetën dijetarët.
Të flasin të vërtetën edukatorët.
Të flasin të vërtetën tregtarët.
Të jetë i drejtë industrialisti.
Të jetë i drejtë bujku e blegtori.
Të jetë i drejtë gjykatësi.
Të jetë i drejtë çdonjëri në vendin e tij.
Nuk ka më mirë se të përhapet sinqeriteti dhe e vërteta në shoqëri. Nëse përhapet gënjeshtra në shoqëri, atëherë paraqitet e keqja në shoqëri.
“Populli i Nuhut dhe grupe pas tyre patën përgënjeshtruar përpara këtyre (idhujtarëve) dhe secili popull (që përgënjeshtroi) u përpoq ta asgjësojë të dërguarin e vet dhe luftoi me çështje të kota, ashtu me ato deshi ta likuidojë të vërtetën, e Unë i ndëshkova ata.”(Gafir: 5).
Zoti nuk i do gënjeshtarët, siç thotë Zoti i Madhërishëm:
“Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë atë që e tepron dhe është gënjeshtar.”(Gafir: 28).
“Allahu nuk udhëzon në rrugë të drejtë atë që është gënjeshtar, jobesimtar”.(Zumer: 3).
Gënjeshtarin e urren Allahu, e urren i dërguari i Allahut, e urrejnë melekët, e urrejnë njerëzit.
Njerëzit nuk i besojnë gënjeshtarit edhe pse ndonjëherë e thotë të vërtetën, nuk i besojnë sepse e dinë se shprehi e gënjeshtarit është gënjeshtra.